ANALIZA/ Zidan i dha leksione Klopit, e goditi me topat pas shpine

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2021 | 21:21

ANALIZA/ Zidan i dha leksione Klopit, e goditi me topat pas shpine

Zinedin Zidan është një koleksionues trofesh te Reali i Madridit, por gjithmonë ka pasur pikëpyetje dhe dyshime për të si trajner. A është thjesht një menaxhues i mirë i futbollistëve të rëndësishëm që ka në skuadër? A ka pasur shumë fat në të gjithë trofetë që ka fituar? A nxjerr thjesht më të mirën nga çdo lojtar që ka në dispozicion? Të gjitha të mësipërmet mund të qëndrojnë, por kundër Liverpulit ai mori një tjetër “titull”, mjeshtër i taktikës. Ka qenë edhe në të shkuarën, por gjithmonë ka kaluar si diçka e parëndësishme. Këtë herë, Zinedin Zidan kishte përballë një nga trajnerët më të mirë në Europë, një nga më prestigjiozët. Përfundimi është që i dha leksione futbolli, taktikisht dhe në të gjitha aspektet. Dikush mund të thotë që Liverpuli ka mungesa në mbrojtje dhe nuk kishte në dispozicion një lojtar të rëndësishëm si Virxhi Van Dajk, por të mos harrojmë që Reali gjithashtu nuk kishte katër lojtarë: Serxho Ramos, Rafael Varan, Dani Karvahal dhe Eden Hazard. Pra në këtë aspekt e nisën ndeshjen si të barabartë.

Vinicius.Lucas.Vazquez.Real.Madrid.2020.21.750x450

SKEMA – Zinedin Zidan e kishte përgatitur shumë mirë ndeshjen. E harroi për një moment skemën me 3 mbrojtës për të kaluar në klasiken 4-3-3. Pavarësisht se Marselo bëri një paraqitje pozitive me Eibarin dhe mungesave në këtë repart, francezi i besoi skemës me të cilën ka triumfuar në ndeshjet e rëndësishme. Ai e dinte pikën e dobët të Liverpulit dhe kërkoi lojën me topa të gjatë pas shpinës së mbrojtjes. Toni Kros ishte ai që e tentoi shpeshherë këtë gjë, por gjithashtu edhe vetë portieri Kurtua. Vinicius u shërbye gjithmonë në thellësi dhe vuri në vështirësi Aleksandër Arnoldin në shumë raste. Pikërisht në këtë mënyrë erdhi goli i parë dhe mund të shënohej edhe një tjetër me Asension. Toni Kros u tërhoq shumë në gjysmëfushën e tij për të tërhequr Fabinjon dhe në këtë mënyrë u hap një hapësirë mes mbrojtësit të djathtë dhe atij të qendrës te Liverpuli. Një skemë e tillë funksionoi. Por, duket se kjo fitore nuk do të mjaftojë për të ndryshuar mendimin dhe opinionet e grupit anti-Zidan. Ata tani kanë një “kryetar” dhe është kandidati për president Enrike Rikelme. Ai thotë se trajneri i tij do të jetë Jyrgen Klop. Duket se deklarata e tij erdhi në ditën e gabuar të ndeshjes, pikërisht atëherë kur Zidan i dha leksione gjermani.

REKORDMEN – Zinedin Zidan kishte ndeshjen e tij të 50-të në Ligën e Kampionëve. Dhe me këtë shifër ai është shndërruar në trajnerin më të mirë të Champions-it me 31 fitore, 10 barazime dhe 9 humbje. Ai në këtë mënyrë përmirëson arritjen e Guardiolës, i cili në 50 ndeshjet e para ka arritur 30 fitore dhe 29 të Del Boskes apo 28 të Simeones me Atletikon. E vërteta është që Reali i Madridit është më i gjallë se kurrë në Champions pas fitores 3-1 kundër Liverpulit. Gjithashtu, skuadra “Galaktike” ka edhe shanse për të fituar kampionatin spanjoll. Mbetet për t’u parë në pak ditë nëse Zidan është i zoti që ta përballojë edhe Barcelonën dhe ndeshjen e kthimit me Liverpulin. Për momentin ka opsione reale që të bëjë një tjetër dopietë, diçka që nuk mund ta bëjë as Klop, as Kuman dhe as Simeone. Sigurisht që besimi është i madh në kampin madrilen pasi ka 12 ndeshje pa humbje me 10 fitore dhe 2 barazime.

KARRIERA – Zinedin Zidan ka një karrierë të jashtëzakonshme dhe magjike. E gjithë bota e di që ka fituar tre Champions-a radhazi, 2 La Liga dhe tani kërkon të tretën. Ai është në gjurmët e Guardiolës për t’u bërë trajneri më men shumë tituj i historisë. Tashmë ka fituar 11 tituj dhe mesatarisht ka më shumë sesa trajneri i Sitit. Kjo do të thotë se ka diçka ky trajner dhe nuk është vetëm fati. Karim Benzemasë iu deshën 10 vite që t’i bindte të gjithë që është një trajner i madh. Po Zidanit sa tituj i duhen?

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"