Aleksi apel Teutës: Të ruhemi nga dëmtimet, ta nisim me fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 21:15

Aleksi apel Teutës: Të ruhemi nga dëmtimet, ta nisim me fitore

Në Durrës u druhen dëmtimeve. Edhe pse janë të etur për futboll, ekziston frikë prej mbingarkesave. I të njëjtit mendim është edhe Albano Aleksi, i cili thekson se 67 ditë pa stërvitje dhe afro tre muaj pa luajtur një ndeshje mund të sjellin pasoja të rënda për lojtarët. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” mesfushori paralajmëron se ata po përgatiten maksimalisht që të përballojnë pjesën e mbetur të këtij sezoni dhe u ndal edhe tek objektivat. Europa mbetet prioritet për “djemtë e detit”, e megjithatë do luftojnë deri në fund për të siguruar edhe trofe.
albano aleksi
Albano, riktheheni në fushë pas më shumë se dy muajsh. Të përballueshme ngarkesat?
Pas pushimit të detyruar, problemet fizike dhe muskulare mund të jenë të pranishme. E rëndësishme në këtë periudhë është që ne të tregohemi të kujdesshëm për t’i shmangur shqetësimet të cilat mund të na vijnë nga mbingarkesa e këtyre ditëve. Këtë javë jemi stërvitur si duhet dhe shpresojmë ta kalojmë me sukses këtë situatë, pa dëmtime.

Vendimi për t’u kthyer në fushë më 3 qershor mund të quhet lajm i mirë?
Sigurisht. Të gjithë ishim në pritje të rifillimit të kampionatit. Fusha na ka munguar shumë, kështu që lajm më të mirë se ky nuk mund të ketë. Në tri fazat e para është vendosur gjithçka në fushë, por edhe tani situata vjen e bëhet çdo ditë më normale. Jemi më të mobilizuar se kurrë gati për startin e kampionatit. Tani jemi në kushtet që duhet të stërvitemi shumë, pasi 3 qershori është afër. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të japim maksimumin në fushë.
teuta laci
Kundërshtari i parë pas shpërthimit të pandemisë është Laçi…
Po. Do të shkojmë në Laç për të fituar. Synimi ynë është një nga tri vendet e para. Por, më parë të marrim pikët dhe pas kësaj të bëjmë llogaritë për ndeshjen e radhës. Jemi optimistë dhe uroj e shpresoj të kthehemi me kokën lart në Durrës. Nuk kemi presion. Na duhet të jemi të bashkuar me njëri-tjetrin për të bërë më të mirën dhe nuk ka vend për presion. Laçi është kundërshtari i parë mes të fortëve.

Pas një shqetësimi që keni pasur në hundë, si është tani gjendja juaj?
Gjendja ime është optimale. Jam i gatshëm të jap maksimumin për të ndihmuar skuadrën. Është përgjegjësi e madhe për ne. Organika e Teutës është më e plotë. Kemi më shumë cilësi dhe na mbetet t’i marrim ndeshjet një nga një.

Me garën për zonën “Euro” që pritet të jetë më e fortë, e shihni të arritshëm objektivin?
Ne kemi objektivat tanë, por jemi në këtë pozitë për shkak të gabimeve tona. Mendoj se duhet të ishim në vendin e dytë, por jam besimplotë se në fund do të arrijmë aty ku e meritojmë. Jam i bindur se do t’ia dalim mbanë dhe do të arrijmë objektivin tonë që është Europa.

Veç kampionatit, jeni edhe në Kupën e Shqipërisë. E lakmoni këtë trofe?
Pse jo. Jemi të fokusuar edhe te Kupa dhe do të luftojmë për ta fituar. E rëndësishme është të kalojmë njëherë ndeshjen ndaj Vllaznisë e më pas do të mendojmë për sfidat e radhës që do të na rezervojë Kupa.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"