EKSKLUZIVE/ “Apolonia e të rinjve, jo e dështakëve”, rrëfimi i presidentit Kokëdhima: Ja çfarë synojmë në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2020 | 12:42

EKSKLUZIVE/ “Apolonia e të rinjve, jo e dështakëve”, rrëfimi i presidentit Kokëdhima: Ja çfarë synojmë në Superiore

Sezoni 2019-2020 ka qenë një sukses i plotë për të gjitha ekipet e futbollit të klubit “Apolonia”, që siguruan përfaqësimin në elitë. Është kjo arritja më e madhe e Apolonisë gjatë 18 vjetëve që fierakët kanë në krye presidentin Koço Kokëdhima.

6FF829E5-0061-45A4-8134-DD4F8D4996D8

Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport“, numri 1 i klubit myzeqar bën një analizë të detajuar të strukturimit, organizimit dhe funksionimit të akademisë fierake, si një nga modelet më të mira në Shqipëri, si dhe shpalos edhe projektet e së ardhmes për klubin në tërësi dhe skuadrën e parë në veçanti.

Z. Kokëdhima, ky sezon ka qenë arritja më e mirë e klubit gjatë kohës së drejtimit tuaj. Cili është përjetimi juaj?

Ishte mënyra më e mirë për të kremtuar 95-vjetorin e klubit “Apolonia”. Ky rezultat është kurorëzim i një pune të përgatitur në shumë vite nga partneriteti mes meje dhe Bashkisë së Fierit, trajnerëve, lojtarëve dhe stafeve drejtuese. Ndodhi ashtu siç e prisnim. Ekipet tona fituan në total 9 kupa. Apolonia është një klub me tradita, që respekton kontributet dhe vlerat më të mira të vetat. Lojtarët tanë kanë një nderim të jashtëzakonshëm për emrin, stemën, simbolet dhe fanellën e Apolonisë. Ata kanë kënduar e festuar me fitore himnin tonë në të gjitha fushat e blerta. Ishte një përjetim i jashtëzakonshëm dhe i mrekullueshëm.

Pas shumë oshilacioneve, filozofia juaj e kahershme për t’u bazuar te të rinjtë po jep frytet e veta…

Rruga jonë nuk ka qenë aspak e lehtë. Kemi vuajtur e shpenzuar shumë, por ia kemi dalë dhe tani nuk ka më kthim mbrapa. Në sezonin e ri do të kemi rreth 400 lojtarë e trajnerë. Apolonia do të ketë në sezonin e ri rreth 100 të punësuar. Loja jonë është e bukur. Skuadrat dhe lojtarët kanë shumë karakter, dëshirë, qartësi, frymë luftarake dhe aftësi të mëdha, kanë disiplinë të lartë dhe vrapojnë më shumë se të tjerët. Apolonia do të mbetet klubi i më të rinjve. Kush dëshiron një rrogë të madhe, të shkojë te një klub tjetër. Sa më i falimentuar është klubi, aq më të mëdha premtohen rrogat. Kush dëshiron të bëhet futbollist i madh, duhet të zgjedhë klubin tonë. Apolonia e ka bërë zgjedhjen e vet: lojtarët rinj janë gjithmonë më të privilegjuarit.

A do të ketë ndryshime në tarifat e akademisë për sezonin e ri?

Në sezonin e ri akademia jonë pëson ndryshime të mëdha e të thella pozitive sportive në të gjitha drejtimet. Kemi edhe dy ndryshime me efekte financiare. Së pari, ne kemi reduktuar tarifën e pranimit ose të regjistrimit, nga 70 euro që ishte, në 20 euro, një tarifë që bëhet vetëm për të përballuar pjesërisht shpenzimet administrative të regjistrimit dhe për të përfshirë familjet në angazhimet solidare me klubin për miredukimin e lojtarëve. Së dyti, lojtarët do t’i blejnë vetë uniformat. Kjo u jep mundësi prindërve që t’i veshin më mirë lojtarët. Klubi zgjedh dizajnet dhe modelet, dhe lojtarët i blejnë direkt nga kompanitë e përzgjedhura të veshjeve. Sa u përket vajzave, ato do të vazhdojnë të mos paguajnë asnjë lloj tarife. Në sezonin 2021-2022 vajzat e ekipeve të moshave do t’i blejnë vetë uniformat.

kokedhima

Kundërshtarët tuaj kryesorë kanë pasur rezerva dhe paragjykime për arritjet e Apolonisë. Keni një koment apo përgjigje ndaj tyre?

Mua mund të më kritikojnë vetëm ata “specialistë” lokalë apo sportdashës që blejnë të paktën një biletë, një shall, një fanellë apo një suvenir të Apolonisë në sezon, që shkojnë e mbështesin skuadrën të paktën në një ndeshje në vit. Ata që s’bëjnë asnjë kontribut përveç kritikave dhe sharjeve, nuk janë miq të vërtetë të Apolonisë, as nuk i mbajmë shënim dhe as nuk i konsiderojmë. Unë jam njeriu që kam kontribuar më shumë nga kushdo tjetër në këto 95 vite për këtë klub dhe, si i tillë, nuk jam imun nga gabimet. Por rruga jonë është e duhura. Klubi ynë është shembulli që duhet ndjekur nga gjithë klubet shqiptare. Këtë e besojnë shumë njerëz dhe ekspertë nga bota e futbollit. Kundërshtarët e projektit tonë duhet të kërkojnë falje. Besoj, është e qartë se pse.

Pas suksesit në Kategorinë e Parë, a e keni gati projektin për edicionin e ardhshëm dhe çfarë synon Apolonia në Superiore?

Lojtarët tanë që luajtën në sezonin e fundit janë të përzgjedhur, të trajnuar dhe të aftë të luajnë në nivele të larta. Superiorja është etapa e radhës kalimtare e shumicës së tyre drejt futbollit europian. Apolonia e sezonit të ri ka si objektiv zonën UEFA. Vetëm 3-4 lojtarë do të ketë në përbërjen e saj me moshë nga 24 deri në 28 vjeç. Në çdo rast, këta do të jenë futbollistë që kanë luajtur në nivele të larta.

Çfarë mësimesh keni nxjerrë nga ky sezon që kaloi?

Puna, puna, puna, puna dhe disiplina. Këto janë armët tona të suksesit. Kush nuk është punëtor dhe i disiplinuar, nuk duhet të vijë tek Apolonia. Kjo vlen edhe për trajnerët, edhe për lojtarët. Talenti i madh pa punë nuk jep asgjë, vetëm se e bën më të thellë brengën e dështimit. Puna e palodhur jep gjithmonë rezultate.

Meqë shpesh arritjen e suksesit e lidhni edhe me punën e trajnerëve, ku mendoni se trajnerët tuaj gabuan më pak në këtë sezon?

Sipas meje, gabimi më i rëndë që bën një trajner i një ekipi profesionist është që të propozojë të merren në kontratë lojtarë të dështuar, që duhen larguar më pas, pas 3- 4 muajsh apo për 10 muaj. I dështuar plotësisht është afrimi i një lojtari që nuk mund të shitet, që, kur transferohet, nuk i lë në klub shpenzimet që klubi ka bërë për të. Kjo është mënyra më e ndyrë se si disa trajnerë të paaftë e të pandershëm shkatërrojnë pasurinë e klubeve dhe vjedhin financat e tyre të mjera në favor të lojtarëve mediokër. Trajnerët janë përgjegjës për suksesin financiar të klubit në transaksionet brenda jetëgjatësisë së kontratës së lojtarëve me klubin. Edhe trajnerët e moshave janë përgjegjës për suksesin financiar të klubit në biznesin e tarifës së kompensimit të trajnimit. Ata që nuk pyesin për financat e klubit, nuk i duhen as dreqit. Në sezonin e fundit trajnerët dhe vendimmarrja e Apolonisë kanë gabuar më pak në sa thashë më lart dhe kanë punuar më shumë në çdo pikëpamje.

apolonia-kampion-me-u19

Si ju duket formula e Superiores?

Çdo formulë është e diskutueshme.

Ky vit ka sjellë shpërthimin e talenteve të klubit dhe Apolonia është bërë epiqendra e merkatos. Si do ta menaxhoni këtë situatë?

Kjo është diçka që neve na jep kënaqësi dhe jo shqetësim. Ne punojmë pikërisht që lojtarët tanë të jenë shumë të kërkuar. Ne vlerësojmë edhe klubet e Laçit dhe Tiranës, të cilët i rrisin lojtarët. Në janar ndoshta ne do të transferojmë nga një lojtar te këto dy klube. Nuk përjashtohet mundësia që një transferim ta bëjmë edhe në ditët e ardhshme, por kjo nuk është e sigurt. Janë edhe dy-tri klube të tjera në Superiore, që po përmirësojnë standardet dhe politikat e trajtimit dhe të rritjes së lojtarëve, me të cilët mund të bashkëpunojmë për të transferuar lojtarë tanët në vitin e ri kalendarik.

Me suksesin e këtij sezoni, çfarë Apolonie duhet të presë publiku në një të ardhme jo shumë të largët?

E ardhmja e karrierës së lojtarëve dhe trajnerëve mund të ndërtohet. Në këtë rrugë ne ndërtojmë edhe klubin tonë. Ne duam një Apoloni të fortë financiarisht, që investon fitimet në rritje çdo vit në modernizimin e dijeve, infrastrukturës, logjistikës, teknologjive, trajnimeve dhe për zhvillimin e lojës. Kjo është një mundësi e madhe për qytetin e Fierit dhe për rajonin. Të punojmë të gjithë së bashku për më të mirën e mundshme. Ne kemi klubin më të mirë në vend. Klubi ynë meriton të ketë edhe skuadrën më të mirë në Shqipëri. Këtë pres të ndodhë në 3-5 vitet e ardhshme.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"