“3 fitore rresht, 9 pikë të fituara, nëse nuk ndodh kjo s’ka më justifikime”, Gjici i bën gjyq skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2017 | 12:55

“3 fitore rresht, 9 pikë të fituara, nëse nuk ndodh kjo s’ka më justifikime”, Gjici i bën gjyq skuadrës

Humbja me rivalët direkt për titull, Skënderbeun, zhgënjeu pa masë presidentin e Kukësit, Safet Gjicin, i cili nuk ka duruar dhe menjëherë sapo stafi teknik është kthyer nga Kukësi në Tiranë ditën e hënë në darkë, kreu i klubit ka bërë një mbledhje te rezidenca e tij në kryeqytet.

gjici

Gazeta mëson më shumë nga takimi 1-orësh që numri një zhvilloi, në të cilin, veç lojës së dobët dhe rezultateve, të cilat janë larg pritshmërisë dhe premtimit që ka marrë nga stafi, zhgënjimi nga disa lojtarë të mirëpaguar, numri një i klubit i ka dhënë ultimatum stafit.

Ultimatumi

“3 fitore rresht, 9 pikë të fituara në tri takimet e ardhshme, nëse nuk ndodh kjo nuk ka më justifikime”, u ka thënë Gjici stafit. Ndërsa një porosi tjetër e presidentit ka qenë në lidhje me Rauf Alijev. Futbollisti më i paguar i Kukësit me plot 8 mijë euro në muaj nuk ka shënuar asnjë gol në katër takime, por më e keqja, sipas presidentit, është se pse ai nuk po del në lojë, as raste, as i rrezikshëm dhe se çfarë po bëhet me të.

Gjici ka pyetur se pse trajneri nuk po i gjen dot vendin dhe pse lojtari i Kombëtares azere nuk po përshtatet dot. Këto pyetje e kanë vënë në vështirësi trajnerin Milinkoviç dhe stafin e tij. Ndërkaq, presidenti ka shprehur hapur zhgënjimin nga mbrojtja, të cilët i ka kritikuar ashpër te trajneri, pasi në ndeshje mungoi Shameti dhe mbrojtja u shthur.

Numri një i klubit ka ngelur në klasë gjithë skuadrën përveç Krkotiç dhe Kale, të cilët, sipas tij, kishin zhvilluar paraqitje të denjë duke luftuar në fushë. Nëse nuk arrihen 9 pikë në tri takimet e radhës, gjobat dhe masat nuk do mungojnë. Verilindorët u mundën në fushën e tyre nga Skënderbeu 2-1 duke mos bërë paraqitje të mirë. Synimi i kuksianëve është që të mbrojnë titullin kampion, në një kohë që shpenzimet e presidentit kanë qenë të konsiderueshme.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"