Sot, i gjithë populli duhet të jetë opozitar

| 10:15
SHPËRNDAJE
 

JORDAN DACI Jordan-daci

Opozitarizmi në një shoqëri moderne është  tregues i zhvillimit dhe njëherazi tregues dhe matës i lirisë së mendimit. Një shoqëri e shëndoshë duhet të ruajë dhe përkrahë opozitarizmin si një mjet për të ruajtur ose arritur ekuilibrat shoqërorë, ekonomikë dhe politikë. Sa më shumë opozitarizëm të ketë në një shoqëri, aq më të matura dhe të drejta do të jenë vendimmarrjet e rëndësishme dhe aq më e përgjegjshme do të jetë edhe qeverisja e vendit. Ekziston një lidhje dhe ndërvarësi e qartë dhe e provuar midis opozitarizmit, lirisë dhe mirëqeverisjes, lidhje dhe ndërvarësi e cila mbështet përfundimin se sa më shumë opozitarizëm, aq më shumë ka liri dhe mirëqeverisje dhe sa më pak opozitarizëm, aq më pak ka liri dhe mirëqeverisje. Kultivimi i opozitarizmit është tepër i vështirë në një shoqëri me pak traditë demokratike, sikurse kjo e jona. Një gjë e tillë nuk arrihet vetëm nëpërmjet edukimit të shoqërisë me idetë demokratike në tërësi dhe rëndësinë e opozitarizmit në veçanti, por duhet që shteti dhe sidomos klasa politike të përkrahë zhvillimin e opozitarizmit dhe ta shohë atë si tregues demokratik dhe si mekanizëm kontrolli dhe përgjegjshmërie ndaj shoqërisë në tërësi.

Në vendin tonë, si një vend me tipare tepër të forta dhe të dukshme të një ishregjimi komunist, ku ish-elita komuniste nuk ka humbur praktikisht asnjëherë kontrollin shoqëror, ekonomik dhe politik, opozitarizmi është parë gjithmonë si armik i pushtetit. Brenda opozitarizmit në Shqipëri ka pasur disa opozita, të cilat janë udhëhequr nga interesa të ndryshme. Kjo situatë është edhe pasojë e mungesës së një ndarjeje ideologjike të fortë midis grupimeve politike, konkretisht midis atyre të majta, të djathta, të qendrës dhe modele të ndërmjetme. Mungesa e ndarjeve të qarta ideologjike dhe ekzistenca shpeshherë e tipareve të kundërta me atë që deklarohet si orientim ideologjik, është midis të tjerash rezultat i përbërjes heterogjene të këtyre grupimeve, dëshirës për të marrë përkrahje nga anëtarë të grupimeve të kundërta, si dhe rezultat i mungesës së vizioneve të qarta qeverisëse të liderëve në kohë të caktuara apo i faktorëve të tjerë rastësorë. Për të gjitha këto arsye, opozitarizmi në Shqipëri është një opozitarizëm ideologjikisht jo i strukturuar mirë dhe në pjesën më të madhe nuk përbëhet nga njerëz idealistë, por nga njerëz pragmatistë, oportunistë dhe njerëz që e shohin opozitarizmin thjesht si mjet për të marrë pushtetin. Kjo bën që opozitarizmi në vendin tonë të mos jetë i zhvilluar dhe të mos jetë as në gjendje të luajë rolin e tij ekuilibrues dhe korrektues në funksion të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm të shoqërisë. Gjithsesi, nisur nga situata aktuale tepër e rëndë shoqërore, ekonomike dhe politike e vendit tonë, sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitarizëm masiv dhe të fortë ndaj gjithçkaje që mbizotëron sot. Një opozitar sot, nuk duhet parë si kundërshtar politik i partisë në pushtet, por si një qytetar që do familjen dhe atdheun e tij dhe që kërkon që pushteti të burojë nga populli, të jetë në shërbim të popullit dhe të kontrollohet nga vetë populli dhe jo oligarkët, neodiktatorët, të korruptuarit apo abuzuesit endemikë me pushtetin në vendin tonë.

Përtej ndarjeve ideologjike sado jo të vërteta dhe të sakta midis grupimeve politike të momentin në vendin tonë, përsëri opozitarizmi në Shqipëri duhet parë si grumbulluesi i vlerave të shëndosha të një shoqërie, e cila është e vetëdijshme se ka humbur ekuilibrat demokratikë dhe se marrja dhe ushtrimi i pushtetit shtetëror në vendin tonë nuk kufizohet dhe as kontrollohet më nga asnjë mekanizëm demokratik funksional, që karakterizon shtetet e së drejtës.

Pushteti në Shqipëri përfaqësohet dhe ushtrohet në një masë të madhe nga njerëz jo të aftë dhe që nuk e duan as popullin dhe as vendin e tyre, por janë në shërbim të interesave personale dhe të interesave të grupimeve të ndryshme ekonomike, të interesave të vendeve të huaj, si dhe deri atyre kriminale me të cilët merret, mbahet pushteti dhe të cilave u shërben pushteti. Interesi publik ose interesi i përgjithshëm i shoqërisë jo vetëm që nuk përbën bazën e vendimmarrjes publike, por përkundrazi, kjo e fundit e sulmon atë duke u shërbyer interesave të një grupi të vogël njerëzish, që janë një formë shumë e qartë oligarkie. Kjo e fundit, si çdo formë e keqe qeverisjeje, përpiqet që të mashtrojë shoqërinë në emër dhe për llogari të interesit të përgjithshëm duke përdorur gjerësisht teza populiste dhe nacionaliste, të shoqëruara edhe me përgjithësimin e problemeve dhe viktimizimin e klasës qeverisëse përballë shoqërisë. Këto forma mashtrimi masiv mbështeten edhe në sisteme propagande të gjithanshme, me censurë të lirisë së mendimit dhe medias, dezinformim të opinionit publik nëpërmjet organeve shtetërore dhe përdorimit të çdo pushteti dhe të mire publike në shërbim të klasës qeverisëse dhe jo popullit.

Degradimi i pushtetit, shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri është proces i vazhdueshëm, i cili kohëve të fundit ka arritur të zhbëjë edhe barrierën e fundit që është Kushtetuta e RSH, e cila tashmë po ndryshohet më kollaj se një ligj i zakonshëm dhe në kundërshtim të hapur me vetë normat kushtetuese ekzistuese. Rënia e kësaj barriere e ka bërë pushtetin shtetëror jo vetëm diktatorial, por edhe sharlatan e vulgar, aq sa nxit te çdo qytetar një ndjenjë urrejtje dhe përbuzje ndaj tij dhe ndaj vetë shtetit në tërësi.

Për të gjitha këto arsye, sot më shumë se kurrë, çdo qytetar i RSH duhet të ndihet opozitar me pushtetin që nuk përfaqëson më interesin e përgjithshëm të shoqërisë, por të një grupi të rrezikshëm, i cili nuk na ka vjedhur vetëm demokracinë, por mbi të gjitha na ka “vjedhur” edhe vetë atdheun.

Sot, opozitarizmi ka nevojë për njerëz idealistë, që e duan familjen dhe që duan fort vendin e tyre!

Diktaturat gjithmonë vijnë në pushtet me votën e lirë të shumicës, por për të ikur kërkojnë votën e gjithë popullit, pasi ato janë armiq të gjithë popullit dhe nuk përfaqësojnë asnjëherë as forcat politike nga të cilat prodhohen.

Sot, opozitar duhet të jetë çdo socialist i ndershëm, çdo demokrat që e do vendin, çdo anëtar dhe simpatizant i çdo force apo grupimi politik që e do Shqipërinë si një vend demokratik dhe të zhvilluar, mbi të gjitha si një vend ku pushteti është meritokracia dhe idealizmi.

Sot më shumë se kurrë, i gjithë populli duhet të jetë opozitar për të rimarrë atdheun tonë nga duart e atyre që na kanë vjedhur të ardhmen e fëmijëve tanë dhe po na vjedhin përfundimisht edhe atdheun! Gjithsecili nga ne mund të marrë një pasaportë, por asnjë nuk mund të fitojë një atdhe të dytë!

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.