“Sot është ditë e re, që përsëritet moti. Lind vera, lind ngrohtësia. Lind Aliu, lind vetë Zoti”/ Samarxhi: Përfundon kremtimi i Ditës së Sulltan Novruzit

Mar 27, 2023 | 13:56
SHPËRNDAJE

FERDINAND SAMARXHI

NDER I KOMBIT

NË VEND TË PROLOGUT…

samarxhi

Njeriu, si krijesë e qenësishme, e ndërgjegjshme, inteligjente, kapitale e krijuesit, Zotit absolut të gjithësisë, në ekzistencën e jetës, me koherencën e tij shpirtërore, gjithmonë ka kërkuar dhe ka inspiruar për ditë pranvere, rilindje, që simbolizojnë jetën, optimizmin. Gjithmonë natyra njerëzore e krijesës me kufizimet e saj të kohës është udhëhequr nga dashuria dhe dëshira e madhe për të hyjnizuar jetën.

Njeriu si krijesë dhe qenie shoqërore në kohëra është mbrujtur me idealizimin e dashurisë, ndaj gjithmonë ka gjetur praninë e saj si zëdhënëse e tij hyjnore në tokë e Zotit kozmik, prania e të cilit është, gjendet e shfaqet në të gjithë materializimin, fenomenet e universit, të cilin Zoti e krijoi atë për ta menaxhuar jetën në tokë, për ta begatuar dhe për ta lumturuar atë.

RILINDJE PRANVERE, RILINDJE SHPIRTËRORE

Në persishten e lashtë, Sulltan Nevruzi, ditë e re, motivohej si ditë mbret, mbreti i gjithë ditëve, origjinë e lashtë e emetologjisë së kësaj fjale, me vizion dhe konture që rriten në kohëra pa mbarim. Në këtë ditë të madhe me konture të pranverës gjallohet gjithçka. Gjallohet gjithësia. Gjallohet bimësia. Largohet zymtia e egër e dimrit, largohet zymtia e errët e botës shpirtërore. Çelin lulet e para të pranverës. Natyra konturohet me skenografi lule shumëngjyrëshe. Gëzim jete, optimizëm.

Në këtë ditë të ringjalljes së natyrës, ringjallet dhe rilind jeta. Dëshirë për jetë me shpresë, për ditë plot diell e dashuri hyjnore. Në këtë ditë hyjnore, stinë ekuinoks pranveror. Dita i merr natës dhe drita errësirës. Gjatë ndërrimit të orëve në një fragment të caktuar kohe të ditës së Sulltan Nevruzit, të gjithë krijesat frymore dhe jo, i falen Zotit. Çdo gjë merr gjallëri, hyjnizim njerëzor, hyjnizim Perëndie.

IMAM ALIU, LUFTËTAR I PAQES PËR LIRI, DEMOKRACI, REND SHOQËROR, SHTET, FE, KALIFAT

imami kim

Në këtë ditë të rilindjes së pranverës, ringjalljes së natyrës, shpresës për jetë, në botën e errët të ujdhesës arabe, të asaj kohe, ku mjerimi, injoranca, obskurantizmi i tejskajshëm çnjerëzor, do të lindë prijësi i paqes Imam Aliu, që, siç thotë Profeti Muhamed, porta e diturisë. O engjëll i uruar/o ndaj të kam dërguar/ që të ndritosh njerëzinë/ që t’u rrëfesh urtësinë Zoti i madh që e do njerinë/i fali ndihmës Alinë/ unë nuk e zgjodha, por vetë Zoti e zgjodhi Alinë/ Muhamedi me Alinë/u përpoqën për njerinë/ O Zot, nderoje atë që nderon Alinë! Atje ish Zoti i vërtetë / Dhe Krisht i-gjallë vetë/

Njër ish krej i gjithësisë/Njër ish rrënjë i njerëzisë/ I afërt i Perëndisë Imam Aliu do të lindë dhe do të hyjë në histori si një prijës që do të luftojë për emancipimin e shoqërisë njerëzore. Ai do të lindë në 22 mars si një nga shenjtorët më të mëdhenj të gjithë kohërave dhe si i parë dhe ati i 12 imamëve. Imam Aliu është i pari i besimtarëve, i pajisur me dituri hyjnore nga vetë Profeti Muhamed: unë jam qyteti i diturisë, imam Aliu është porta e tij. Më i dituri, siç thotë profeti, në kombin tim është Aliu. Unë me Aliun jam si Haruni me Musanë, kush do Alinë më ka dashur mua, kush më do mua, ka dashur Zotin, e kush urren Alinë më ka urryer mua, ka urryer Zotin.

Imam Aliu lindi si bir i Ebu Talibit, fis hashimi. Lindi 11 vjet më parë se t’i vinte profetësia Profetit Muhamed. 23 vite para emigrimit, 22 mars të vitit 600 pas Krishtit. Lindi ditën e madhe Nevruz e 13, të hënës të muajit arab Rexheb, ditë e premte. U falën engjëjt për mua dhe për Alinë 7 vjet para se të lindin njerëzit. Lindi brenda si i vetëm shenjtor në shtëpinë hyjnore, Qabe. “Detyrimi i vizitës së Qabesë është obligim vetëm e vetëm sepse ka lindur Aliu i biri i Ebu Talibit”. E ëma e tij quhej Fatime, e bija e Esedi Hashimit është i dyti pas gruas së profetit Hatixhe, që besoi që 13 vjeç profetin Hazreti Muhamed.

dedfe

I pari që u fal me mua ishte Aliu. Kudo në gjithë luftërat me përjashtim të luftës së Tebukut, Aliu do të dallohet me trimëri që është vërtetuar me fjalën hyjnore dhe Ajete kuranore që thonë, s’ka trim përveç Aliut, s’ka shpatë përveç Zylfikarit. Vetëm në luftën e Uhudit kur u rrethua profeti Muhamed nga armiqtë thirri në ndihmë Xhebrailin, i cili i tha thirr Alinë për ndihmë. Gjithnjë Aliu flamurtar në luftërat e Islamit.

Mbas vrasjes së Osmanit, viti 35 i emigrimit (hixhrit) do të zgjidhet me një zë Imam Halife më parë nga të gjithë të tjerët. Princ, Mesazher i paqes Imam Aliu do të thërrasë gjithmonë për të ndalë gjakderdhje, vrasje mes myslimanëve dhe armiqve. Kudo në të gjitha luftërat përkrah Profetit, kundër të mallkuarit Mavije, numrit të madh mizor të tyre, përcolli mesazhin mos luftoni librin e Zotit, mos luftoni dhe mos derdhni gjak si vëllezër të tij!

Në vitin 40-të të emigrimit të 19-të ditën të Ramazanit, duke u falur mëngjesi në xhaminë e Qofes, një shpatë e helmatisur e kriminelit Abdurrahman Mylxhemit do ta plagosë rëndë dhe mbas 2 ditëve nga kjo plagë, shenjtori i botës, prijësi i paqes dhe i njerëzimit, do të ndërrojë jetë në moshë 63-vjeçare.

Shumë ajete kuranore flasin për jetë të madhërishme të imam Aliut dhe shumë fjalë profetike të panumërta, pohojnë dhe lëvdojnë Imam Aliun si luftëtar i paqes për drejtësi, demokraci, rend shoqëror, shtet dhe kalifat. Imam Aliu ishte ai që do të luftojë idhujtarinë e kohës e ujdhesës arabe, që liria e jetës të ishte e drejtë hyjnore e Zotit, pavarësisht sektit që linte. Gruaja të ishte e barabartë në jetë me burrin.

Njerëzit të mos besonin në idhujtari, në gurë, në pemë, në drunj, por në një besim, në një profet, në Islamin dhe Profetin Muhamed. Ai që më beson mua le të pasojë Alinë dhe le ta besojë se besimi i tij është besimi im dhe besimi im është besim i Zotit. Po të jetë se tokat dhe qiejt do të vihen në balancë dhe peshim, peshon më shumë besimi i Aliut. Imam Aliu do të luftojë si reformator që të ndajë fenë nga shteti, që besimi të jetë pronë e njerëzve dhe shteti si administrim i tyre.

y6ueri kim dhe imam aliu

Me veprën e tij, Imam Aliu dëshmoi se çdo gjë arrihet me luftë dhe me sakrificë sublime njerëzore. Liria nuk dhurohet, por fitohet. Paqja duhet të mbretërojë dhe duhet të jetë mes të gjithëve, myslimanëve dhe të krishterëve.

22 MARSI, RILINDJE PRANVERE, DITË DEMOKRACI NATYRE, DITË DEMOKRACI E SHQIPTARËVE…

Plot 32 vjet më parë kur agu i lirisë kishte filluar të flladiste tokën tonë amtare, kur erërat e ngrohta të demokracisë kishin mbërritur në Shqipëri, 22 mars, ora 10, do të pagëzohej për herë të parë liria aq shumë e pritur e shqiptarëve, që kishin ruajtur thellë në zemrat e tyre dashurinë për Perëndinë, për Zotin.

Kishin thirrur gjithnjë në apoteozë Zotin, do të çelte për herë të parë dyert e saj, Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ngjarje që gjithnjë kohët do ta dimensionojnë më shumë si një prelud lavdie e adhurimi të Zotit. Bijë e madhe e kombit tonë, shenjtorja e botës Nënë Terezë, do të priste mes shumë emocioneve drithëruese shiritin e hapjes së shtëpisë së Zotit, të besimtarëve myslimanë bektashianë, së bashku me Kryegjyshin botëror, Shenjtërinë e tij, Haxhi Dede Reshat Bardhi, Baba Neki Çaushi, Baba Selim Kalicanin, me Ibrahim Hasnaj, Hysen Brahimaj, Skënder Gazheli, Gani Qesja, të ritë Edmond Brahimaj, Kastriot Qesja, Kujtim Ahmataj etj., në prani të qindra e qindra besimtarëve myslimanëve bektashianë, që kishin ardhur nga të katër anët e Shqipërisë dhe të botës për të marrë pjesë në këtë përurim, jo vetëm të shtëpisë së Zotit, por edhe të pagëzimit të ditës së demokracisë, të lirisë, të besimit të Zotit, shqiptarëve.

Ne çelëm sot shtëpinë e Zotit, tha Nënë Tereza, shtëpinë ku do vini të luteni për Zotin që iu ndalua të luteni për të. Shumë nga ju u dënuan, u persekutuan, por ju nuk e humbët dashurinë, besimin për të, edhe pse morët pjesë dhe përjetuat kalvarin e kryqit. U martirizuat si popull, si komb. Kjo është një ditë e lumtur sot, që ju tashmë me kryebariun e urtë të grigjës suaj, Baba Reshatin, do të ndjeni veten më pranë Zotit, më pranë rrugës së tij.

Baba Reshati është një nga prelatët që vuajti gjatë kohës së komunizmit ,që u persekutua ,internua. Sot ai është një apostull i ndritur i Zotit që do tju mbledhë dhe do t’i luteni Zotit për ditë më të mira. Të paharruara si lapidar ngelën dhe kujtohen fjalët e Baba Reshatit. Ne Zotin na e ndaluan, por ne Zotin e kishim në zemra. Vetëm Zoti ishte shpresa jonë. Sot si besimtarë të Zotit, ne po hymë në shtëpinë e tij dhe do të lutemi gjithmonë për të.

CEREMONI E 22 MARSIT, CEREMONI QË DO TË NGELË E PAHARRUAR

imami presidentui

22 marsi gdhiu si një ditë pranvere, stolisur me lule shumëngjyrëshe të bukura të saj. Qindra besimtarë drejtuan sytë, mendjen, zemrat nga tempulli botëror i bektashizmit, Tiranë, nga më shumë se 30 vende të botës si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mal i Zi, Bosnja Hercegovina, Greqia, Rumania, Bullgaria, Turqia, Irani, Afganistani, Amerikë, Kanada, Australi, Europë etj. Besimtarët, të gjithë pasi kryen lutjet e mëngjesit, inspiruan paqe, dashuri në këtë ditë të shenjtë, morën pjesë në ceremoninë e organizuar në këtë rast, drejtuar nga kryegjyshi botëror, Shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Sherbet dhe qumësht. Ëmbëlsi dhe dashuri për jetën.

U shpërnda sot në të gjithë mjediset e Selisë së Shenjtë. Shelda Agaraj, spikerja, ftoi të pranishmit në respektimin e simbolit tonë, himnin kombëtar. Aktorët e mirënjohur, Bujar Asqeri, Nderi i Kombit dhe aktori i mirënjohur i Teatrit kombëtar, Dritan Boriçi, deklamuan vargje kushtuar kësaj ditë të madhe të Zotit, rilindjes së pranverës, demokracisë njerëzore, ditëlindjes së Imam Aliut, Perëndisë, Qerbelasë.

Në fjalën e tij të përshëndetjes, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha: Festa e Sulltan Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Kjo ditë është dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë, paqësore e të begatë. Sulltan Nevruzi ka qenë dhe do të mbetet një datë unikale, në kalendarin e miliona njerëzve të tarikateve, si edhe sufijve në mbarë botën islame.

Personifikimi i një dite të re, plot diell e dashuri hyjnore, të bashkuar, në mirësi e në ndihmë të njëritjetrit. Motra dhe vëllezër! Mesazhi, lutjet dhe bekimi ynë në këtë ditë të re të Shenjtë shkojnë për të gjitha ato familje në Ukrainë, Afganistan e kudo ku ende ka luftëra të përgjakshme, të rikthehet paqja, begatia e mirësia në zemrat e të gjithë të vuajturve e tu rikthehet sa më parë jeta e paqtë individualisht e familjarisht.

Me këtë mesazh lutje, bekimi, pranimi, mikpritje, dashamirësie dhe dhembshurie, Ju siguroj se kurdoherë që të jetë e nevojshme Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë do t’i ketë portat e saj të hapura e sofrën e shtruar për të gjitha këto familje që do të kenë nevojë e zemrat e bektashinjve do të jenë të çelura për këta popuj të shumëvuajtur. Lutjet tona shkojnë për popullin shqiptar e Shqipërinë, që lumturia dhe familja e pandarë të jenë simbol i kësaj dite të re të Zotit, që begatia, harmonia e sofra e shtruar në këtë ditë të begatë të mos mungojnë e që zemrat e tyre të jenë kurdoherë të mbushura me paqe e dashamirësi, çdo fjalë e thënë të burojë nga zemra…

“Bëni paqe me KRIJUESIN tuaj që ahireti të bëhet paqësor për ju dhe jetoni në harmoni me njëri-tjetrin që të mos e shkatërroni botën. -Imam Ali. Bëhuni të paqtë me vetveten dhe shpërndani paqe kudo! Dhe porosia e fundit për të gjithë të rinjtë Shqiptarë në këtë ditë të Shenjtë, por në kohë të vështira, bëhuni Ju ndryshimi që dëshironi të shikoni në botë, por bëhuni në mëmëdheun tuaj, ai ka nevojë për ju! Zoti ju bekoftë të gjithëve!

Amin! Si reference e kësaj dite të shenjtë të Zotit, në vazhdim ishin dhe këngët për Ehli Bejtin të kënduar nga artist i mirënjohur tenori Kastriot Tusha, mjeshtër i madh dhe kënga për Perëndinë interpretuar nga këngëtarja e mirënjohur e skenës shqiptare, Manjola Nallbani. Në këtë ditë të pranverës nuk do të mungonin dhe 2 ansamblet i Tiranës dhe ansambli Myzeqeja, të cilët me motivet e tyre të bukura kombëtare të stilizuara me veshjet e tyre artistike të trevave historike të vendit, do të përcillnin përpara të gjithë pjesëmarrësve risi gëzimi dhe optimiste për këtë ditë të bukur të pranverës.

Në fund të kësaj ceremonie, në mes të pranishmëve, Kryegjyshi botëror zbuloi shtatoren e shenjtorit të Imam Aliut, themeluesit të familjes profetike të Ehli Bejtit, e cila tha se kjo shtatore do përjetësohet në këtë faltore tashmë të botës. Pritje zyrtare do të përjetohej me mjaft vizita nga dhjetëra qindra besimtarë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, titullarë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë ,ambasadorë etj. Mëngjesin e 22 marsit do ta niste i pari vizitën e tij në kryegjyshatë, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Për të uruar besimtarët dhe kryegjyshin botëror ditën e shenjtë të Sulltan Nevruzit, në selinë e shenjtë të bektashizmit erdhi dhe uroi ambasadorja e SHBA, zonja Yuri Kim, e cila vizitoi dhe shtatoren e Imam Aliut që u përurua në këtë ditë. Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e tij, zoti Bajram Begaj, me rastin e kësaj dite, bëri vizitë për herë të parë në selinë e shenjtë të kryegjyshatës botërore bektashiane, vizitoi shtatoren e Imam Aliut dhe uroi gjithë shqiptarët me këtë rast të kenë pranverë në jetën e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura