“Socialistët kanë injoruar konceptin e ndarjes së pushteteve dhe decentralizimin”- Krasniqi: Kuvendi s’arriti të udhëheqë reformat dhe të kontrollojë qeverinë

Aug 2, 2022 | 9:41
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Kuvendi mbylli sesionin e dytë të kësaj legjislature, por ai nuk u rikthye në normalitet për të kontrolluar qeverinë, për të udhëhequr reformat dhe për të përmbushur rolin e tij kushtetues.

afrim krasniqi

Drejtori i Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, ka analizuar punën 6-mujore të Parlamentit dhe thotë se ai është ende shumë hapa pas nevojave të vendit, pasi “socialistët kanë injoruar konceptin e ndarjes së pushteteve dhe decentralizimin”.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Krasniqi shprehet se “Kuvendi miratoi një numër të konsiderueshëm aktesh ligjore, por shumica absolute e tyre krijuan perceptimin e votimit formal, pa shënuar reforma dhe ndryshime të rëndësishme në standardet e mirëqeverisjes”.

Sipas drejtorit të ISP-së, i cili bën në çdo fund sesioni një raport mbi punën e Kuvendit, sesioni i mbyllur javën e kaluar dështoi të respektojë kodin e sjelljes. Sipas tij, kjo erdhi për shkak të gjuhës së ashpër të përdorur nga drejtuesit e partive, pasi deputetët i ndjekin ata në sjellje.

I pyetur për angazhimin e deputetëve, Krasniqi ka veçuar si më aktivët Jorida Tabakun nga PD dhe socialistin Erion Braçe.

Z. Krasniqi, sapo u mbyll sesioni parlamentar, cili është vlerësimi juaj për ecurinë e këtij sesioni?

Legjislatura e re pritej të shënonte një kthim të normalitetit parlamentar dhe kthim të Parlamentit në rolin e vet kushtetues. Të dyja këto pritshmëri nuk arritën të përmbushen. Për shkak të problematikeve dhe konflikte brenda opozitës dhe njësimit të qeverisë me maxhorancën në Parlament, institucioni reagoi dobët ndaj sfidave dhe përgjegjësive të tij dhe nuk arriti as të udhëheqë reformat dhe as të kryejë funksionin e kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv. Kuvendi miratoi një numër të konsiderueshëm aktesh ligjore, por shumica absolute e tyre krijuan perceptimin e votimit formal, pa shënuar reforma dhe ndryshime të rëndësishme në standardet e mirëqeverisjes. Kuvendi zgjodhi Presidentin e Republikës pa siguruar garë reale dhe pa ushtruar të gjitha grupet të drejtën e përgjegjësinë kushtetuese, si dhe nuk arriti t’u japë përgjigje nismave mbi vetingun në politikë dhe as nuk bëri progres në çështjet e reformës zgjedhore. Rikthimi i retorikës personale midis drejtuesve kryesorë politikë tërhoqi vëmendjen nga prioritetet e formave dhe se Kuvendi dështoi edhe në përpjekjet për të rritur standardet e transparencës, kodit të sjelljes, aktet kundër korrupsionit dhe kontrollit mbi institucionet që raportojnë përpara tij. Vetë fakti se sesioni nisi me një komision hetimor me dy raporte të kundërta dhe që po mbyllet me një nismë tjetër të stërzgjatur në procedura për verifikimin e papajtueshmërisë kushtetuese rreth mandatit të ministres së Jashtme është tregues se Parlamenti është ende shumë hapa pas nevojave të vendit, por edhe ritmit me të cilin po ecën shoqëria dhe qytetarët.

Edhe në këtë sesion u vu re një numër i madh projektaktesh që depozitoheshin nga qeveria, sa efektive është kjo metodë e qeverisjes dhe çfarë kostosh ka?

Praktika jonë parlamentare u jep prioritet nismave ligjore nga qeveria. Deputetët kanë të drejtë ligjvënëse, por ata nuk kanë shanse për sukses, përveçse kur ideja e tyre përputhet me interesin politik të maxhorancës. Ndarja është kaq e thellë dhe e qartë sa të krijohet përshtypja se qeveria kontrollon Parlamentin dhe jo e kundërta, dhe se 76 deputetët e grupit PS dhe PSD përbëjnë Parlamentin dhe jo 140 deputetët me mandat parlamentar. Pavarësisht nga kjo, kur nismat e qeverisë janë pozitive, atëherë monopoli i saj iniciues nuk përbën problem, por për sa kohë nismat e ardhura kanë qenë kryesisht amendime ligjesh, miratime dhe ratifikime marrëveshjes të miratuara de facto më përpara apo nisma që lidhen me nevoja politike të ditës dhe interesa të dyshimta klienteliste, atëherë Parlamenti është ai që paguan çmimin e mosbesimit dhe kritikave publike, duke marrë shpeshherë kostot e pamerituara të qeverisë.

Sa efektive kanë qenë diskutimet në projektvendime apo në projektligje që janë diskutuar?

Parlamenti e ka humbur tiparin e vendit ku bëhen diskutime që mbeten në memorien pozitive historike dhe citohen nga brezat e rinj, mediat e studimet, duke u bërë më shumë një institucion ku konsumohet debat, në të shumtën e herës, pa përmbajtje, pa ide, pa propozime, pa nisma dhe pa thelb parlamentar. Përgjegjës për këtë nuk është vetëm cilësia e dobët në përfaqësimin parlamentar, por edhe cilësia e dobët e organizimit dhe rolit të grupeve parlamentare dhe të partive parlamentare, të cilat në përgjithësi e shohin Parlamentin jo si institucion ligjvënës në themel të sistemit tonë politik, por si tribunë për promovim mediatik dhe vend pune që siguron benefite financiare.

A janë marrë në konsideratë amendimet, kritikat e aktorëve të ndryshëm që kanë marrë pjesë në konsultime publike?

Rastet e sjelljes konstruktive ndaj sugjerimeve, kërkesave dhe opinioneve të grupeve të interesit janë minimale. Në tërësi dominon praktika e konsultimeve formale, ku nga njëra anë sponsorizohen organizata e grupe mbështetëse politike për palën që fton në konsultim, dhe nga ana tjetër, injorohet dhe shpesh edhe denigrohen organizatat e palët kritike ndaj nismave parlamentare. Praktika e debatit për incerenatorët, për komisionet e posaçme hetimore dhe ato për Reformën Territoriale e Zgjedhore, për buxhetin, për kontratat PPP, për Butrintin apo shumica e akteve normative të KM janë raste tipike ku konsultimi nuk merr vlerë, është formal, selektiv dhe nuk përmbush standardet minimale të konceptit të konsultimit të një vendi anëtar në BE. Kuvendi dhe as grupet parlamentare nuk duan t’u japin akses kritikave. Praktika e konsultimeve online nuk është gjithashtu funksionale, sepse nuk jep akses, nuk krijon identitet, nuk është sistem i dyanshëm që përgjigjet për sugjerimet dhe nuk ka mekanizëm që garanton se opinionet merren në konsideratë.

Sipas jush, sa aktivë në depozitimin e projektligjeve në Kuvend kanë qenë deputetët gjatë këtij sesioni?!

Ka disa deputetë që janë aktivë në nisma ligjore, kryesisht sepse duan të krijojnë profil publik ose të bëhen zëdhënës të interesave të caktuar të zonës ose grupit politik që përfaqësojnë, por gjithashtu ekzistojnë disa deputetë të aftë dhe të përgjegjshëm që shfrytëzojnë maksimalisht prezencën në komisione dhe të drejtën kushtetuese duke adresuar, iniciuar ose propozuar amendime ligjore, apo duke aplikuar praktika të mira parlamentare, të cilat përbëjnë ndofta vlerën më të rëndësishme të legjislaturës aktuale.

Keni ju një vlerësim bazuar në informacione se kush janë deputetët më aktivë dhe më eficientë në Parlament?

ISP ka publikuar të dhënat e sesionit shtator-dhjetor 2021 dhe raporti për periudhën janar-korrik 2022 do të publikohet në fundin e muajit gusht. Ai do të japë detaje për kontributet e secilit deputet. Por në tërësi, të dhënat tregojnë se ka deputetë efikasë, dy prej tyre janë p.sh. Braçe te PS dhe Tabaku te PD, deputetë të cilët shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat parlamentarë dhe njohuritë profesionale për të krijuar modele referuese pozitive në Parlament. Në një vlerësim paraprak përmbajtjesor dhe jo statistikor, deputetë si Braçe, Xhafaj apo Ndreca te PS, Tabaku (krijoi model pozitiv me komisionin hetimor), Açka, Shehaj e Leskaj te PD, me rolin, angazhimin dhe ushtrimin e mandatit të tyre, i dhanë integritet rolit parlamentar të deputetit. Sipas akteve rregullatorë, vetë grupet parlamentare duhet të bëjnë vlerësimin e deputetëve të tyre, praktikë që ende nuk ka ndodhur, edhe për shkak se kjo do të kishte pasojë imponimin e standardeve të meritokracisë, standarde që nuk janë të preferuara në një sistem të emërimit de facto të deputetëve.

Çfarë duhet të ndryshojë ose përmirësojë Kuvendi në praktikën e punës së tij?

Nga ky muaj, Shqipëria formalisht nuk është më një vend në tranzicion, por një vend në bisedime për anëtarësim në BE. Parlamenti duhet të sillet si një Parlament i një vendi që do të jetë në BE. Ai mund të bëjë ndryshime në praktikat e tij të punës, përfshirë reformimin e rregullores, të statutit të deputetit, të ligjit për komisionet hetimore dhe ato të posaçme, të evitojë praktikat abuzuese me konfliktin e interesit dhe shkeljes së etikës, të krijojë mekanizma konsultimi publik dhe pjesëmarrje publike dhe të forcojnë komponentin e kontrollit mbi ekzekutivin dhe procesin postlegjislativ, pra verifikimin se sa zbatohen ligjet që ai miraton. Mbeten të papranueshme praktikat e shkeljes së ligjit dhe të Rregullores nga institucioni që duhej të ishte model i referencave ligjore (për shembull, rasti i Avokatit të Popullit, post i cili duhej të ishte zgjedhur në korrik dhe jo të nisë seanca dëgjimore në korrik për t’u shtyrë mandati pas pushimeve të verës), praktikat e mosjetësimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ose detyrimeve ligjore të Kuvendit, apo praktikat e diskriminimit të deputetëve ose të abuzimit me mekanizmin kushtetues të komisioneve hetimore. Dhe së paku, Shqipëria në bisedimet për anëtarësim në BE i njeh rol specifik Kuvendit, por nuk ka sens që në Komisionin e Integrimit të ketë individë në listën e sanksioneve amerikane apo që Kuvendi të mos arrijë të mbrojë integritetin e vet nga përpjekjet denigruese ose injoruese të pushteteve apo institucioneve të tjera.

Ky sesion u mbyll me një gjuhë aspak etike dhe fyerje nga ana e Kryeministrit Rama?! Nga krahasimet që ju bëni, si ka qenë fjalori i përdorur ne Parlament nga deputetët? Si e vlerësoni ju sjelljen e maxhorancës ndaj opozitës në Parlament dhe si paraqitet ajo në raport me sesionet e kaluara?

Ka një traditë parlamentare: nëse liderit politikë respektojnë standardet etike, të gjitha grupet i ndjekin nga pas me të njëjtat standarde. Nëse liderit politik bëhen vetë iniciues i gjuhës denigruese dhe fyese, atëherë militantët e listave në Parlament imitojnë liderin dhe ushqejnë të njëjtën kulturë konfliktuale. Sesioni i tanishëm parlamentar ka dështuar të respektojë Kodin e Sjelljes dhe të ofrojnë “parlamentarizëm”, bazuar në retorikën parlamentare. Secila palë politike ka të njëjtat sjellje, por maxhoranca ka një përgjegjësi të veçantë sepse ajo e udhëheq politikisht Parlamentin. Gjuha e Kryeministrit p. sh. është shpeshherë gjuhë e paimagjinueshme për një kryetar qeverie në BE apo kandidat për në BE. Ironikisht, kur ka qenë në opozitë, arma më e mirë e tij ka qenë retorika dhe premtimi se kurrë nuk do të lejojë praktika denigruese për Tjetrin, opozitën, ndërsa tani bën të kundërtën, dhe e imponon këtë si vlerë e standard. Të njëjtat tipare kanë disa deputetë socialistë pranë tij dhe disa deputetë demokratë pranë ish-Kryeministrit, i cili gjithashtu është mbështetës i gjuhës denigruese. Paradoksalisht, në këtë sesion parlamentar, edhe Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin, që duhej të ishte ura lidhëse midis grupeve dhe nxitëse e praktikave të mira parlamentare, është identifikuar si një prej iniciuesve kryesorë të gjuhës denigruese dhe konfliktuale, pa lidhje me funksionin. Kuvendi duhej të kishte ndërhyrë përmes strukturës së etikës, përmes mekanizmave të edukimit parlamentar dhe përmes penalizimit të çdo rasti denigrues, fyes dhe nxitës të konfliktit verbal. Shqipëria është aq e varfër dhe me aq shumë probleme, sa më së paku Parlamenti nuk do të duhej të ishte një problem tjetër më shumë për të.

Z. Krasniqi, Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim me kryebashkiakët, ku u kërkon llogari dhe i kritikon duke ndërhyrë në punët e pushtetit vendor dhe duke ndikuar te të zgjedhurit e tyre. Si e vlerësoni këtë sjellje të kreut të qeverisë?

Koncepti i ndarjes së pushteteve dhe i decentralizimit funksionon kur sistemi përfaqësues dhe qeverisës i jetëson ato. Në kushtet kur e njëjta parti i kontrollin mbi 95% të dy pushtetet, është e pritshme që këto dy koncepte të injorohen. Në një vend serioz, jo vetëm ky njësim pushtetesh nuk do të kishte ndodhur, jo vetëm etiketimi denigrues i një kryetari qeverie ndaj një kryetari bashkie nuk do të kishte ndodhur, jo vetëm kryetarët e bashkive nuk do të zinin radhën për një foto me shefin e tyre partiak – nuk do të kishte ndodhur, por referuar ligjit dhe standardeve të transparencës, si është e mundur që 60 kryetarë bashkish udhëtojnë në orarin zyrtar të punës, me makinën zyrtare, për të marrë pjesë në një mbledhje partie. Kjo praktikë është thjesht e qartë abuzim me fondet shtetërore dhe shkelje ligji dhe kjo mendoj është më shqetësuese sesa llogaridhënia e të emëruarve partiakë përpara shefit të tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura