Skandali McGonigal-Rama/ Ish-agjentja e FBI-së tregon pse rasti u kap me vonesë: Ai synonte të pasurohej përmes lobimit! Dikush brenda grupit ka folur dhe…

Feb 7, 2023 | 23:51
SHPËRNDAJE

Ish-agjentja speciale e Byrosë Federale të Hetimeve, Coleen Rowly, flet mbi rastin e ish zyrtarit të lartë të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili ditë më parë u arrestua nga autoritetet amerikane nën dyshimet se ka ndihmuar oligarkun rus, Oleg Deripaska, në shkelje të sanksioneve amerikane.

edi rama mcgonigal

Ai dyshohet edhe se ka marrë para nga një ish punonjës i shërbimeve shqiptare të zbulimit dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.

Sipas ish agjentes Rowly, zoti McGonigal synonte që pas daljes në pension të pasurohej përmes lobimit për interesa të huaja.

“Kjo është çështje mjaft e ngatërruar. Duke se ku agjent special i kundërzbulimit në Nju Jork vitet e fundit të punës, para largimit nga FBI-ja filloi përpjekjet për të fituar sa më shumë para, duke shfrytëzuar kontaktet dhe krijuar një rrjet për të punuar si shumë të tjerë, si lobist për interesa të huaja. Ai e bëri këtë në disa mënyra. ”, tha ish agjentja për Zërin e Amerikës.

Duke folur për rastin McGonigal, zonja Rowly përmendi edhe dy raste të tjera: Michael Flynn, i cili në vitin 2016 kishte lobuar dhe ishte paguar nga Turqia por e kishte mbajtur këtë të fshehtë. Dhe rasti i Robert Hanssen-it, një zyrtar i lartë i FBI-së, i cili më 2001 u arrestua nën akuzat se kishte spiunuar për Bashkimin Sovjetik. Ai e pranoi fajësinë, për të shmangur dënimin me vdekje dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

“Janë dy padi të ndryshme, është një rast i ndërlikuar. Ai akuzohet në Uashington për udhëtimet në vitin e fundit të karrierës së tij në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë për takime me zyrtarë qeveritare, takime të cilat nuk i raportoi në formularin e zyrës së etikës.

Formularët janë krijuar për të parandaluar konfliktin e interesit. Duke mos raportuar udhëtimet, pagesat ose huat, ai po fshihte faktin që ishte duke krijuar një rrjet kontaktesh, përmes të cilave mund të pasurohej.

Nuk është e qartë nëse ai e kuptonte se sa gabim ishe ai, por pasi doli në pension ai vazhdoi dhe është e qartë se ka njerëz të pasur, oligarkë dhe miliarderë në botë të gatshëm të paguajnë. Njerëz me ndikim si ai, janë gati të punojnë për këta miliarderë.

Nuk mendoj se situata e tij është unike, përveç faktit që u kap. Është shumë e vështirë të zbulosh korrupsionin mes punonjësve publikë. Por ka disa mënyra se si mund të zbulohet. Ai që paguan ryshfet është i lumtur që po realizon synimin e tij, ai që merr paratë po pasurohet, prandaj nuk flasin.

Por ndonjëherë ndodh, që dikush i përfshirë në korrupsion, në nivel të ulët, mund të kapet dhe jo se i kthehet ndërgjegjja, por detyrohet të ekspozojë nivelet e larta.

Mendoj se McGonigal ia hodhi për një kohë. Formularët e zyrës së etikës duket se nuk shqyrtohen mirë. Dokumentet dorëzohen në mënyrë elektronike. Duket se nuk analizohen për të parë çfarë përmbajnë, për të parë nëse deklarimet janë të vërteta, që ato vendet dhe njerëzit me të cilët është takuar. Nuk mendoj se ka hetime për këto. Mendoj se McGonigal është kapur më vonë, sipas të gjitha gjasave sepse dikush në atë grup ka folur ose është kapur nga autoritetet. Pastaj FBI e ka marrë në pyetje dhe ai ka folur. Kjo ka çuar në kontrollin e formularëve.

Shumica e akuzave ndaj tij për periudhën para largimit nga FBI kanë të bëjnë me lidhjet e tij me Shqipërinë, Bosnjen dhe interesa të tjera të huaja për të cilat ai kishte gënjyer,” tha ish-agjentja.

Por ajo nuk është e sigurt nëse ky rast i korrupsionit do të bëjë që Uashingtoni të nxjerrë mësime.

“Por nuk jam e sigurt nëse njerëzit në Uashington do të nxjerrin mësime nga korrupsioni i zyrtarëve publikë. Ndoshta është i nevojshëm një tjetër mision i fshehtë, që të shënjestrojë një numër të madh njerëzish me pushtet. Sa i përket asaj që mund të ndodhë, mendoj se tani ndoshta ka dëshmitarë bashkëpunues dhe supozimi është se pasi avokatët të shohin provat, ai mund të pranojë fajësinë për disa akuza më të lehta. Do të befasohesha nëse ai do të dënohej me burg për një kohë të gjatë. Mendoj se deklarimet e rreme në formularët e etikës dënohen me pesë vite. Pra, nëse ai pranon fajësinë për një ose dy prej tyre, mund të dënohet me ndoshta dy deri në pesë vite, ose gjashtë vite burg. Do habitesha nëse do dënohej më shumë”, tha ish-agjentja speciale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura