Skandali i barnave, ILDKP nis hetimin te Sigurimet

Jun 24, 2015 | 14:19
SHPËRNDAJE

Skandali i vjedhjes me anë të recetave fiktive nuk do të mbetet vetëm një çështje e Prokurorisë. Nga ana e saj, edhe Ministria e Shëndetësisë nuk do të rrijë duarkryq, por do të ndërmarrë masa për zyrtarët e akuzuar si të implikuar në skemën e vjedhjes nga ilaçet që jepen me rimbursim.
Emri më i lakuar në këtë aferë ka qenë ai i nëndrejtorit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Sokol Skuraj.

MASAT

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka zbarkuar së fundmi te Fondi i Sigurimeve për hetimin e pasurisë të zyrtarëve të dyshuar. Një fakt i tillë pohohet për gazetën nga drejtoresha e komanduar e këtij institucioni, njëherazi zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi. Sipas saj, në përfundim të këtij hetimi nga ILKDP, Ministria e Shëndetësisë do të ndërmarrë masat e parashikuara.

“Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka nisur hetimin e pasurisë për zyrtarët e akuzuar. Akoma nuk ka një raport përfundimtar. Ajo që mund të them paraprakisht, është se do të ketë edhe masa administrative nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë”, shprehet Ekonomi. Pak ditë më parë, edhe kreu i Shëndetësisë Ilir Beqaj, lidhur me hijet e dyshimit që rëndojnë mbi nëndrejtorin e përgjithshëm të Fondit, tha se aplikimi i masave do të vijë pas hetimit të pasurisë. Nëse do të vërehet konflikt interesi, atëherë do të përgatitet urdhri i largimit nga detyra për Skurajn. Skandali i vjedhjes me anë të recetave fiktive solli edhe dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të Fondit, Astrit Beci.

AUDITI

Departamenti Antikorrupsion pranë qeverisë, pas një auditi te Fondi i Sigurimeve, zbuloi skemën e mashtrimit dhe vjedhjes së 500 mijë eurove nga barnat me rimbursim. Çështja i kaloi Prokurorisë, me urdhër të së cilës u bë ndalimi i 9 shtetasve, përkatësisht 5 zyrtarëve të drejtorisë së Fondit për Tiranën, përfshi edhe drejtorin Pjerin Xhuvani, si edhe i 4 drejtuesve të farmacive.

Gjatë periudhës shtator 2014– mars 2015, sipas Prokurorisë, është konstatuar se katër farmacitë fantazmë kishin luhatje të mëdha në vlerat e rimbursimit nga njëri muaj në tjetrin. Nga verifikimi dyshohet se asnjë nga 97 mjekët e përgjithshëm të familjes të kontrolluar në 18 qendra shëndetësore të rajonit Tiranë nuk ka dhënë recetë me rimbursim për pacientët e dalë nga të dhënat e Softit të Fondit Shëndetësor të Tiranës.

 ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura