Skandal! “Strategjia Ushtarake 2015”, plagjiaturë

Jun 12, 2015 | 12:06
SHPËRNDAJE

PIRO AHMETAJ

   Në përmbushje të detyrës zyrtare si këshilltar i Presidentit për Mbrojtjen, jam njohur nga media se kohët e fundit është miratuar projekti i Strategjisë Ushtarake (SU) në Këshillin e Ministrave! E gjeta lehtësisht në faqen zyrtare të Kuvendit. Projekti pritet të diskutohet në komisione dhe më tej të miratohet në seancë plenare. Para se të ndodhë kjo, ndërgjegjja profesionale nuk më lejon të mos shpreh disa shqetësime për procesin dhe qasjen e këtij dokumenti Projekt-SU 2015:
Dokumenti i Strategjisë Ushtarake është një rast i paprecedentë plagjiature. Jo 10% apo 30%, por më shumë se 90% e dokumentit është “plagjiaturë e gjallë”! Për ta ilustruar, po paraqes si foto vetëm faqen e parë të projektit të SU maj 2013 dhe të kopjes së SU Maj 2015, ku ndryshojnë vetëm emrat e nënshkruesve, dhe ju siguroj që çdo faqe, çdo paragraf, deri në detaje (fjali dhe fjalë) e këtij dokumenti, konfirmon këtë plagjiaturë. Pse e them këtë? Cila është historia e kësaj plagjiature, të cilën e njoh për shkak të detyrave të mëparshme që kam kryer! Për këdo që e kupton këtë fjalë, nënkuptohet vjedhja e pronësisë intelektuale. Ky produkt final në maj 2013 i është paraqitur ministrit Imami, me synimin për të vijuar miratimin në Parlament. Projekti i SU 2013 u prodhua nga Qendra e Studimeve Strategjike të MM (QKSM) dhe grupi i punës ngritur nga ish-ministri, nuk kaloi më tej në Parlament, për arsye politike të periudhës parazgjedhore 2013.

Më tej, në tetor 2013 “draft-orientues i SU” iu paraqit përsëri ministres Kodheli si projekt i Qendrës së Studimeve Strategjike të Mbrojtjes (QSSM), e cila mori si përgjigje “shkrirjen shembullore” të kësaj strukture studimore të sapongritur me ndihmën e strukturës homologe DAS të Ministrisë së Mbrojtjes franceze. Dy vjet me vonë, në maj 2015, ky projekt me më shumë se 90% plagjiaturë paraqitet nga Këshilli i Ministrave për miratim në Kuvend. Të gjithë e dimë se plagjiatura dënohet nga ligjet e vendit për të drejtat e autorit, konventat ndërkombëtare, nga BE dhe NATO etj. Historitë me plagjiaturën janë të përbotshme, të panumërta, të vjetra dhe të freskëta. Mund të përmend vetëm rastin e një ministri gjerman të Mbrojtjes, që vetëm për citimin e një pasazhi, pa iu referuar autorit, dha dorëheqjen. Por ky rast i SU 2015 me mbi 90% plagjiaturë është i paprecedentë dhe do të mbetet në histori si rast i plagjiaturës unikale.
Minimumi që do të duhej për të justifikuar këtë “flagrancë-plagjiaturë”, do ishte që relacioni shoqërues drejtuar Kuvendit të mos ngarkohej me terminologji propagandistike, por me “qetësi dhe përgjegjshmëri shtetare” të evidentohej, referenca e stafeve teknike (QKSMb&grupit të punës) që kanë prodhuar dhe autoriteteve që kanë udhëhequr përgatitjen e këtij dokumenti (maj 2013). Kjo do përbënte një qasje të munguar dhe një vlerë të shtuar në traditën për të arritur konsensus të gjerë për miratimin e këtij dokumenti (SU) me peshë në sistemin e sigurisë kombëtare. 

Proces i mbyllur, jopërfshirës dhe mungesë transparence
Në parimet e hapësirës së Atlantikut të Veriut, prodhimi i dokumenteve strategjike bëhet duke respektuar 4 kritere të “panegociueshme”: (a) konsensus sa më të gjerë, (b) gjithëpërfshirje (konsultim&oponence), (c) mbështetje financiare, si dhe (d) dimension aplikativ (objektiva dhe instrumente të matshme). Qoftë edhe njëri prej tyre të mungojë, produkti fundor nuk mundet të quhet Strategji, por degradon në një program dhe përpjekje propagandistike politike. Për ta ilustruar, 480 institucione dhe strategë u përfshinë në prodhimin e Konceptit Strategjik të NATO-s, 360 të tillë për të prodhuar Librin e Bardhë të Francës, e kështu me radhë. Prandaj dhe ato janë tani strategji në zbatim. Ndërsa, ne vijojmë të ecim në rrugë të pashkelura. Një eksperiencë irracionale u ndoq edhe me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK), të cilën ka kohë që e ka zënë pluhuri i harresës dhe qëndron si inventar në sirtarët, vetëm një vit nga miratimi i saj! Dhe tani ky mësim i nxjerrë, në vend që të korrigjohet, përsëritet me arrogancë dhe papërgjegjshmëri. Natyrisht nëse do të kalohet nga Kuvendi, të njëjtën fat do të ketë edhe kjo Strategji Ushtarake, e cila ka ndjekur të njëjtën qasje jokonsensuale, mospërfshirje të institucioneve dhe shoqërisë, mungesë transparence, oponence dhe debati, shpërdorim të burimeve dhe infrastrukturave strategjike!

Strategji e FA e pakonsultuar as formalisht, as informalisht me Presidentin dhe Komandantin e Përgjithshëm (KP) të FA. Qartësoj se konsultimi me KP është detyrë kushtetuese e ligjore dhe jo dëshirë. Në historinë e demokracisë 25-vjeçare të RSH, ky është rasti i parë që Komandanti i Përgjithshëm i FA e merr vesh nga faqja e internetit dhe po ashtu është e padëgjuar që një SU të paraqitet ne Kuvend pa dijeninë dhe konsultimin me KP. Dhe kjo ndodh në një kohë kur, siç dihet, Gjykata Kushtetuese ka rikonfirmuar rolin e Presidentit si KP në kohë paqeje, krize dhe lufte. Gjykoj që kjo nuk është një “pakujdesi burokratike”, por një tjetër rast i sjelljes primitive ndaj KP, duke mos respektuar Kushtetutën, ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.    

Strategji e pakonsultuar dhe pa konsensus  
Gjithëpërfshirja dhe konsensusi janë garanci kritike për jetësimin dhe dimensionin aplikativ të dokumenteve strategjikë. FA janë të depolitizuara dhe çdo dokument që kalon në mënyrë të politizuar, dëmton rëndë kohezionin dhe nxit politizimin e tyre. Rastësisht gjeta në internet që në 20 mars 2015 është bërë një “takim propagandistik” në Ministrinë e Mbrojtjes për këtë dokument, ku merrnin pjesë vetëm përfaqësues të pushtetit. SU nuk mundet në asnjë rrethanë të jetë strategji e pushtetit të radhës! Kujtoj se dokumenti pararendës i SU dhjetor 2007 është miratuar me 100% në Parlament. Dhe me respekt, si dëshmitar teknik kujtoj që: “lufta për konsensus të gjerë” është bërë deri në minutën e fundit; janë bërë lëshime për sa qasjet, raportet edhe qëndrimet nostalgjike të disa grupeve të interesit, në lidhje me emërtimet, reminishencat, interesat etj. Ndërsa për këtë projekt ka një hap prapa; nuk është konsultuar apo debatuar me shoqërinë civile, grupet e interesit, nuk është debatuar me artikuj në revista shkencore, debate televizive, apo një oponencë formale nga institucionet studimore kombëtare apo të NATO-s etj.

Përmbledhje profesionale për përmbajtjen e projektit të SU
Siç e shpjegova më parë, për shkak të detyrës, kam qenë “vullnetarisht” (në distancë) i përfshirë në artikulimin e dokumentit deri në maj 2013, si përfaqësues ushtarak i RSH në Komandën Supreme të NATO-s (SHAPE) dhe mbas korrikut 2013, si zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe njëherësh kryetar i grupit të punës për hartimin e këtij dokumenti. Për këtë arsye e njoh relativisht shumë mirë dokumentin. Dhe kështu, do ishte e padrejtë të mos shprehja se në tërësi është një dokument i mirëstrukturuar, ka objektiva dhe ambicie të qarta, është mbështetur në Rishikimin Strategjik 2012 (ekspertët elitarë shqiptarë dhe SHBA), ka një qasje dhe përbën risi pasi kërcënimet&rreziqet i transformon në  kapacitete, dhe kështu mendoj përbën një përpjekje pragmatiste. Por i mungon frikshëm lidhja me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK), ulja kritike e buxhetit te mbrojtjes (0.84%), çka, e lexuar profesionalisht, e kërcënon atë për të mbetur strategji në letër!! Për të qenë i sinqertë, vlerësimet dhe rekomandimet e mia për këtë dokument strategjik kanë qenë dhe mbeten “edhe më ambicioze”. Gjykoj që “kjo strategji duhet të ishte strategji më novatore dhe të tejkalonte përfundimisht reminishencat e organizimit të FA me Forca, brigada etj., aplikimin e konceptit ’joint-bashkuar’ edhe në organizimin (MM/SHP, JOC), trajnimin, pajisjen dhe doktrinat e tyre’. Një forcë ushtarake prej 8500 vetash, anëtare e NATO-S, nuk mund të vazhdojë të organizohet dhe operojë me konceptet e vjetra të statusit të vendit partner.”  Megjithatë, nënvizoj se këndvështrimi dhe rekomandimet e mia profesionale nuk janë objekt i këtij prononcimi.  
Mesazhi im është që ky dokument dhe qasja e ndjekur të vlerësohen me qetësi dhe përgjegjshmëri shtetare nga të gjithë aktorët dhe faktorët e sistemit të sigurisë kombëtare. Dekriminalizimi duhet të përfshijë edhe plagjiaturën. Edhe shoqëria civile, edhe qarqet akademike të mos heshtin para një skandali të tillë. Në gjykimin tim, duhet të ndalet miratimi i këtij projekti-plagjiaturë, ndryshe ky do të përbënte një rast unikal diskreditues në memorien e Parlamentit të RSH.
*Këshilltar i Presidentit për Mbrojtjen

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura