“Silvinjo do e ketë të vështirë me zgjedhjen e lojtarëve”- Rrëfehet ish-sulmuesi i Kombëtares: Muçi do të shitet edhe më shumë, ja çfarë i duhet Brojës

Mar 1, 2024 | 15:26
SHPËRNDAJE

Alban Bushi është prej vitesh pjesë e futbollit në Shqipëri. Si lojtar fillimisht dhe pastaj në rolin e drejtuesit. Aktualisht trajner i Shpresave, ish-sulmuesi i njohur i Kombëtares “zbërthehet” në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Nga lëvizja e bujshme e Muçit, huazimi i Brojës dhe “shpërthimi” i Manajt, Bushi komenton edhe ngjarjet që kanë ndodhur me “futbollistët e tij” siç ishte debutimi i Medon Berishës te Leçe në Serinë A, rinovimi i Adrian Bajramit me Benfikën, por shpjegon edhe pse në këtë edicion Kombëtarja U-21 ka pak prurje nga kampionati vendës.

ALBAN BUSHI 1

Bushi ka qënë pjesë e Tiranës si lojtar dhe nuk mund të rrijë pa dhënë një mendim për kampionatin e këtij sezoni dhe shanset për t’u shpallur kampion. Në fund, golashënuesi i 14 golave me Shqipërinë, vihet përballë disa zgjedhjeve të vështira.

Bushi, 50 vite sot, sa nga këto kanë qenë në futboll?

Futbolli i luajtur ka qënë shumë shpejt, që 7-8 vjeç, që i bie pothuajse 40 e ca vite. Gjithë jeta ka qenë me futbollin, si të luajtur, po ashtu edhe drejtues. Pasi u tërhoqa, kalova si drejtues në ekipin kombëtar A. Çdo gjë është e lidhur me futbollin dhe jam i lumtur për këtë sepse është diçka që e bëj me shumë qejf, me shumë pasion dhe më bën që të ndihem mirë.

Ky muaj rikthen në fushë edhe Shqipërinë U-21, por para se të kaloj te ndeshjet, ju keni vijuar gjatë kësaj kohe me monitorimin e lojtarëve, si ka shkuar ky proces?

Jemi gjatë gjithë kohës duke i ndjekur lojtarët. Kemi pak vështirësi sepse jo të gjithë videot e lojtarëve na dalin në “Whyscout”, por na i tregojnë videanalistët e ekipeve ku ata luajnë. I kemi monitoruar, nga ana fizike të gjithë janë mirë, ajo pjesë e grupit që ne mendojmë se do të bëjë pjesë për ndeshjet e marsit. Përveç Kristian Shpendit, që është dënuar tri ndeshje nga UEFA dhe nuk do të jetë këtë grumbullim, pjesa tjetër do të jetë ajo që ka qenë, me ndonjë ndryshim të vogël. Mendoj se kanë bërë mirë në ekipet e tyre dhe të vijnë kështu siç janë fizikisht në këto dy ndeshje që janë shumë të rëndësishme për ne.

Prekim edhe pak lojtarët e Kombëtares A. Ernest Muçi u ble nga Beshiktashi për 10 milionë euro. A do ta shohim në një kampionat edhe më të fortë në të ardhmen?

Mendoj që po. Muçin e kam pasur te U-21 dhe e njoh shumë sepse ka qenë edhe disa muaj tek akademia ime. E njoh shumë mirë edhe kampionatin turk sepse kam luajtur 7 vite aty. E njoh edhe Beshiktashin se çfarë klub i madh është dhe çfarë presioni ka nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet. Mendoj se ka bërë një zgjedhje të mirë. Kanë paguar një shumë të tillë, sepse planifikojnë që për 3-4 vite do t’i marrin mbrapsht ato para. Por, mendimi është për Muçin, që mund të shitet edhe më shumë. Ai është shumë inteligjent dhe po ta shohësh ka bërë zhvillim në në armën e tij më të fortë: teknikën, inteligjencës, leximin e lojës. Pjesën fizike nuk e ka pasur siç duhet, por ka ndryshuar ritmin. Dikur nuk kthehej mbrapa kur luante “Winger”, tani kthehet deri mbrapa sepse ka kuptuar që në Europë duhet të bësh edhe anën difensive. I kam parë ndeshjet e para dhe të driblon me inteligjencë, nuk përplaset.

Në Turqi kemi edhe Rei Manajn që ka shpërthyer këtë kohë duke shënuar 18 gola. Të gjithë mendojnë se Silvinjo e ka një ftesë për të në këto miqësore, ndani të njëjtin mendim?
Manaj është sulmuesi më në formë që Kombëtarja ka. Unë mendoj se në ekipin kombëtar, ti luan mirë dhe bën gola, trajneri duhet të të marrë. Në Kombëtare ai që është në formë do të vijë, por Silvinjo vendos. Mendoj se Shqipëria do të ketë probleme në zgjedhje, sepse kemi Manajn, Muçin, Brojën, të gjithë të mirë. Kushdo që të lihet jashtë do të themi përse e la. Të gjithë nuk mund t’i marrë dot.
Ata do i shërbejnë edhe më vonë Shqipërisë, por janë vendimet e trajnerit.
Pse kampionati turk tërheq shumë lojtarë shqiptarë?
Është një kampionat që na përshtatet ne, mentalitetit tonë. Më parë kanë qënë shumë pak. Florian Riza, Krenar Alimehmeti dhe më pas kam shkuar unë. Pastaj më vonë Duro. Është një kampionat i mirë dhe nga ana ekonomike. Normal që agjentët të adresojnë aty ku ka më shumë të ardhura. Pavarësisht se nuk e shohin shumë atë pjesën sesi do të zhvillohet një lojtar. Me Manajn është diçka tjetër, sepse është shumë i fortë, ka karakter dhe personalitet. Kampionat interesant dhe një trampolinë për në një vend më të fortë.
Nga ana tjetër Broja, si duket nuk po i ecën shumë mirë në periudhën e fundit, duhet edhe pak fat në futboll apo jo?
Futbolli do shumë fat. E kam përjetuar kur kam qënë futbollist vetë dhe e shoh tani që jam trajner. Në një ndeshje që mund të luash shumë mirë, por të mungon fati. Edhe në jetë. Broja ka shumë potencial dhe këtë e dinë të gjithë, e di Çelsi, por është çështje menaxhimi. Ai shkon te Fullhemi dhe konkurrenti i Brojës bën nga dy gola për ndeshje. Do të presë radhën, por futbolli ndryshon me ditë. Por, është potencial i madh dhe Shqipërisë do t’i bëjë punë patjetër. Mendoj se do të ketë një karrierë shumë të mirë. E themi këtë, por tani zhvillimin në dorë e ka edhe vetë lojtari sepse ne shohim potencialin dhe aftësitë që ka, pastaj në mendjen e një lojtari nuk e dijmë që ai mund të rrijë deri në 5 të mëngjesit nëpër bare, si Baloteli. Nuk po flas për Brojën, por them në përgjithësi. Ai është një djalë i edukuar.

Një koment edhe për Superioren, ka një luftë Dinamo-Tirana dhe deri diku Skënderbeu për vendin e katërt. Ndërkohë, nisur edhe nga ajo që kanë shfaqur javët e fundit, pjesa sipër i kanë pozitat më të konsoliduara apo jo?

Egnatia është një ekip që ka investuar. Jo te të rinjtë, pasi nuk është i organizuar si këto të tjerat, por një ekip i bërë shpejt që ka investuar në merkato dhe e meriton vendin që është. Luan bukur. Tirana me ato problemet e veta, merkato e bllokuar. Partizani ka potencial shumë, edhe stolin kur e sheh e ka plot. E mendoj të fortë Partizanin, sepse e ka shumë të pasur organikën sesa ekipet e tjera dhe varet sesi do të menaxhohet nga brenda.
Po Vllaznia, si ju duket?
Më pëlqen trajneri i Vllaznisë. Erdhi kokëulur, nuk kishin shumë besim, por po bëjnë shumë mirë hap pas hapi. Mund të jetë edhe Vllaznia ajo që do të bëjë surprizën. Tani nuk është surprizë që të marrë titullin kampion Vllaznia, por mendoj se është me më këmbë në tokë. Po i bën hapat ngadalë, klubet e tjera nuk e kanë, njëherë lart e njëherë poshtë. E shoh interesante, bashkë me Partizanin dhe Egnatian, ndërsa Tirana dhe Dinamo kanë ulje-ngritje. Skënderbeu më pëlqen sesi luan. I kam parë të gjitha ndeshjet dhe është nga ekipet që luan më bukur futboll. Janë një ekip i bukur, simpatik, krijojnë shumë raste, të rregullt.
Mos ndoshta koha e nevojshme që trajneri Gvozdenoviç ka marrë në Korçë, i ka sjellë këto rezultate?
Është e vërtetë. Trajneri do kohë, futbolli do kohë për të bërë një ekip. Nuk duhet të ndërrohen shpesh. Këtu të marrin shpejt dhe të heqin shpejt. Ulesh në tavolinë në kafe dhe je trajner, ndërsa pas një jave nuk je. Ka edhe disa presidentë që nuk bëjnë ndërrime të trajnerëve shpesh, sepse kanë atë eksperiencën. Takaj është një prej tyre dhe e sheh futbollin ndryshe. Një trajneri duhet t’i ofrosh shumë gjëra që të ketë rezultate. Në futboll nuk ka gjëra të shpejta. Këtu në Shqipëri i duam gjërat shpejt, sot për nesër, jo vetëm në futboll. Po të shohim federatën, që në 2002 kur erdhi Duka president, janë 22 vite dhe tani mund të themi se Shqipëria është bërë faktor në Europë. Janë investime të kohës së gjatë.
Kemi disa ish-lojtarë të njohur që tashmë drejtojnë në Superiore, a është kjo diçka pozitive?
Po, e vërtetë. Sepse edhe i njohim dhe janë moshatarët e mi. Bukur kur i sheh. Kemi edhe duele mes dy ish-futbollistëve. Pashë këtë javë që shkoi, Kukësin kundër Erzenin, Devollin andej, Bejzaden këtej, diçka interesante dhe e bukur për t’u parë.
Si një ish-sulmues doja të dija pak se kë do të zgjidhnit mes Haland dhe Mbape?
Haland.
Lautaro, apo Levandovski?
Levandovski.
Vioresin Sinani, apo Daniel Xhafaj?
Këtu… Sinani bënte gola, por Danieli më pëlqente se ishte i bukur kur vraponte dhe e merrte topin. Them Danieli.
Bekim Balaj, apo Hamdi Salihi?
Salihi bënte golin, Balaj më trupmadh. Do të them Salihi sepse më pëlqente te zona sesi e kërkonte golin.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË  “PANORAMA SPORT”!

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura