Si ta shpëtojmë kulturën nga qokat

Oct 31, 2017 | 9:57
SHPËRNDAJE

Jonila godole shkrimJONILA GODOLE

Pak javë më parë u nda nga jeta një njeri i shtrenjtë për kulturën shqiptare, Robert Elsie, studiuesi gjermano-kanadez që hulumtoi kulturën dhe folklorin shqiptar në traditën e albanologëve të mëdhenj. Përherë kam menduar se kontributi i vyer i tij dhe i të ngjashmëve para tij motivohej për shkak të vetmisë dhe izolimit kulturor që një vend si Shqipëria nënkuptonte para rënies së diktaturës për “perëndimorin” që jetonte jashtë mureve tona.

Prej vitit 1990, hapësirat politike, kulturore, ekonomike, si dhe ato letrare që na rrethojnë, kanë ndryshuar me shumë shpejtësi. Kjo nuk ka kaluar pa ndikim edhe te ne. Jemi një popull i vogël, një kulturë në tranzicion të vazhdueshëm. Vërtitemi prej më se dy dekadash somnambul pas kulturave të mëdha, të cilat i adhurojmë dhe përpiqemi t’i imitojmë. Ende nuk po e gjejmë ritmin tonë, sepse rruga e gjatë e lirisë dhe e hapjes nuk vjen nga jashtë, por është një proces që fillon nga brenda, si një udhëtim drejt vetvetes.

Dhe ky “udhëtim”, nëse po ndodh, ende nuk duket. Pjesë e këtij procesi janë shkrimtarët dhe artistët. Sidomos përvojat e tyre në një vend tranzicioni. Ata marrin më të mirën nga kultura e vendit të tyre dhe e vendeve ku shkojnë dhe ulen e prodhojnë letërsi, art e kulturë.

Prej vitit 2013, një aktivitet ndërkombëtar (Festivali i letërsisë “Deti i Bardhë”) është përpjekur përmes shkëmbimit kulturor të krijojë një hapësirë ku të thuhet dhe të dëgjohet ajo që nuk thuhet dhe nuk dëgjohet në politikën e të përditshmes. Dhe mbi të gjitha ka synuar të thyejë izolimin dhe vetminë kulturore duke u vendosur përballë kulturave të tjera, jo për t’u krahasuar me to, por si një rast i ofruar për rinjohjen dhe rizbulimin e vetvetes.

Moto e festivalit të këtij viti ishte Lëvizja, mundësitë që u krijohen autorëve, të cilët shkruajnë në migrim ose shkrimtarëve europianë që jetojnë dhe krijojnë ndërmjet kulturave të ndryshme, si dhe vështirësitë me të cilat ata ndeshen kur hyjnë në dinamikat e kulturave respektive. Por “Letërsi në lëvizje”, nga ana tjetër, mund të kuptohet edhe si një eufemizëm për një kulturë letërsie si e jona, me sytë e kthyer kryesisht kah vetja dhe më pak jashtë saj, statike dhe ende thelbësisht e mbyllur brenda kufijve kulturorë kombëtarë.

Dhe gjithmonë në skaj të fushës letrare ndërkombëtare, përjashto këtu Ismail Kadarenë, e vetmja referencë kulturore e pranuar dhe e certifikuar njëzëri ndërkombëtarisht. Njësoj si edicionet e tjera, edhe këtë vit, publiku shqiptar pati mundësi të dëgjonte për tri ditë me radhë, nga afër dhe në gjuhët origjinale, prezantimin e autorëve që përmes veprës dhe ideve që përçojnë, kanë merituar të gjitha vlerësimet e mundshme në vendet e tyre.

E kam fjalën këtu për përfaqësimin mbresëlënës të romancieres franceze Muriel Barbery, e përkthyer në mbi 40 gjuhë, e njohur dhe e dashur edhe për publikun shqiptar; të shkrimtarëve austriakë Karl-Markus Gauß – intelektual i angazhuar për kulturat e vogla dhe kryesisht Europën Lindore dhe Ballkanin, dhe të poetes, shkrimtares së talentuar Andrea Grill, që njihet edhe si përkthyese e autorëve shqiptarë në gjermanisht; të Nikola Madzirov (Maqedoni), poet, botues, eseist i përkthyer në mbi 30 gjuhë dhe fitues i disa çmimeve prestigjioze ndërkombëtare; apo të poetes gjermane Daniela Danz, e njohur për trajtimin e çështjeve të mprehta politike aktuale, një zë provokativ i skenës gjermane të kulturës sot; bashkë me autorin tjetër gjerman, Jürgen Banscherus, i ftuar në këtë festival si shkrimtar i afirmuar me letërsinë për të rinj me libra të shitur në miliona kopje, zhanër që mungon tërësisht në Shqipëri.

Veç shkrimtarëve të huaj, publiku shqiptar takoi nga afër edhe autorët “e vet” që jetojnë brenda dhe jashtë vendit dhe që mundësojnë një këndvështrim ndryshe të veprës së tyre përmes lentes së emigracionit dhe ndikimit që kultura “tjetër” ka në veprën e tyre. Përmend këtu prezantimin e shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur Rudi Erebara, një nga fituesit e çmimit europian të letërsisë më 2017; të poetes së afirmuar fillimisht përmes rrjeteve sociale Entela Tabaku Sörman (Suedi), të prozatorit Thanas Medi, fitues i çmimit të letrave shqipe më 2013, që jeton në Greqi, dhe regjisorin e njohur Roland Sejko (Itali), dokumentari i të cilit, “Anija”, fitues i disa çmimeve prestigjioze jashtë vendit, mbylli festivalin e këtij viti.

Pjesëmarrja e gjerë e publikut në aktivitetet letrare të festivalit si asnjëherë më parë tregon se ka një grup njerëzish, të kultivuar, të cilëve u mungon kontakti i drejtpërdrejtë me kulturën e mirëfilltë: takimi intim me autorin dhe veprën, përcjellë përmes moderatorëve profesionistë dhe jo përmes fytyrave të konsumuara (sado tërheqëse) të spektaklit, show-bizit që shesin gjithçka vetëm kulturën jo. Duke e ndjekur nga afër këtë aktivitet letrar që nga themelimi i tij më bie në sy rritja e interesit të të rinjve për të dëgjuar autorë që lexojnë dhe flasin në gjuhën origjinale, cilado qoftë ajo.

Po ashtu, rritja frekuente e publikut “të thjeshtë”, e lexuesit të panjohur që zë vend gati me drojë në sallë me një libër nën sqetull për të marrë autograf nga autori i preferuar. Por nuk mund të mos shpreh trishtimin tim që ndërsa është rritur ndër vite numri i ndjekësve “anonimë” të festivalit në tërësi, është ulur ndjeshëm ai i personave që zyrtarisht jetojnë nga kultura dhe arti në këtë vend.

Këtu e kam fjalën për dhjetëra e dhjetëra syresh që proklamohen si ajka kulturore e këtij vendi, si libraprodhuesit, librashkruesit, librakritikuesit dhe librashitësit. Ata që mbushin studiot televizive në emër të kulturës. Ata që selfohen para rafteve me libra dhe pranë çdo shkrimtari me emër. Ata që kritikojnë nga mëngjesi në darkë se kulturë nuk ka, se kulturë nuk bëhet. Ata që mbushin juritë e çmimeve letrare e artistike. Ata që nuk mungojnë në çdo koktej dhe pritje politike e diplomatike.

Shkurt, komuniteti që jeton prej kulturës dhe në kurriz të saj dhe që praninë e tij në një aktivitet kulturor e përligj rëndom si qokën e radhës. Natyrisht ka përjashtime, siç u pa edhe gjatë Festivalit sivjet, por shifra e tyre mbetet e papërfillshme. Si ta shpëtojmë kulturën nga qokat? Nga reklamimi i veprave dhe autorëve për hir të miqësisë, të partisë, të interesit të ditës, të klikimeve në facebook, për t’i bërë qejfin këtij e atij, dhe jo për hir të përmbajtjes, të vlerave të autorit dhe të veprës?

Qahemi si njerëz të kulturës se komercializimi po na mbyt dhe prapë atë reklamojmë me pasion përmes qokave në formë shkrimi dhe kronike. Në dëm të lexuesve, por më shumë të autorëve që duke u kursyer kritikat profesionale, u kemi ushqyer megalomaninë. Dhe kjo del më shumë në pah kur u vëmë përballë modestinë e autorëve të huaj, thjeshtësinë e komunikimit dhe thellësinë e mendimit të tyre.

Skenën tonë kulturore e shpë- tojnë vetëm autorët shqiptarë të pjekur profesionalisht në një vend perëndimor, vepra e të cilëve duhet shfaqur e promovuar sa më shpesh në shkretinë tonë kulturore për të edukuar shijet e publikut dhe rikategorizuar meritat. Sfida e këtij formati kulturor në të ardhmen do të jetë mënyra dhe mjetet efikase si ta çojmë kulturën (“elitare”) tek audiencat pa humbur në cilësi, dhe jo si të “shesim” ngjarjet pseudokulturore si kulturë me fytyra VIP-ash e propagandë mediatike. Shkrimtari Jürgen Banscherus tregoi se në Gjermani organizohen mbi 25.000 lexime të tilla në vit, ne të kishim së paku 50?!

Rritja cilësore e interesit për Festivalin këtë vit, sado e vogël të jetë, të jep shpresë se interesi kulturor qytetar mund të ringrihet, por kjo kërkon angazhim të shumanshëm. Ngjarjet kulturore cilësore nuk kanë munguar në të shkuarën, por kontinuiteti i tyre është ai që përcakton peshën dhe ndikimin e tyre afatgjatë në jetën kulturore të një vendi. Fati i vijueshmërisë së një aktiviteti si Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë varet më së shumti nga bujaria e institucioneve mbështetëse, shqiptare, por kryesisht ato të huaja, si në këtë rast Allianzkulturstiftung, sepse vetëm ato kanë përvojën dhe vizionin të kuptojnë vlerën e shtuar që shkëmbimi mes kulturave i jep demokratizimit të një vendi si yni, i cili ka vuajtur dje dhe sot nga izolimi kulturor.

Institucionet zyrtare shqiptare është mirë të reflektojnë edhe ato vetë për politikat afatgjata në mbështetje të një kulture të mirëfilltë larg qokave të diktuara nga axhenda politike e ditës, larg qasjes klienteliste “jepu të gjithëve nga pak që të mos bësh armiq”. Duke harruar se kultura mbetet, dhe është ajo që na shënjon sot e mot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura