Si mund të ecim përpara

Feb 29, 2024 | 8:16
SHPËRNDAJE

stefan-pinguliDR. INXH. STEFAN PINGULI

Pasi lexova me kujdes peticionin (bëhet fjalë për peticionin që një grup intelektualësh i drejtuan AMA-s) dhe problemet që shtroheshin, ndjeva një kënaqësi të veçantë, pasi një grup intelektualësh, pavarësisht nga aktiviteti real shkencor mbi këtë çështje, kanë hedhur dorashkën për zgjidhjen e disa çështjeve që na interesojnë të gjithë ne shqiptarëve.

Në kërkim të mundësive për ta radhitur shkencën e albanologjisë në nivelet e kërkesave të kohës dhe detyrave të shenjta ndaj atdheut, një grup intelektualësh me prirje të forta atdhetare organizuam Akademinë “Rrënjët Tona”, me qëllimin e aktivizimin e dashamirësve të shkencës së albanologjisë dhe të të gjitha subjekteve shkencore të interesuara për të nxjerrë në shesh të vërtetat e mohuara apo të harruara mbi historinë, gjuhën, etnokulturën dhe në përgjithësi për etnogjenezën e kombit tonë. Në bazë të këtyre objektivave, me mundësitë tona financiare, kohën e çmuar dhe dashurinë për misionin ndaj atdheut, kemi organizuar katër Kuvende me qëllimin më të lartë fisnik sesi të nderojmë, kujtojmë dhe sqarojmë çaste dhe problematika historiko-gjuhësore, të mbështetur me etnokulturën përkatëse.

Në këto Kuvende janë evokuar momente historike të shoqëruara me analiza shkencore për etnogjenezën kaq të pluhurosur nga harresa shkencore, çaste historike të vendimmarrjes mbi gjuhën (Kongresi i Manastirit 1908), shoqëruar me vizita në vendin e mbledhjes dhe analizë mbi gjendjen e gjuhës shqipe sot dhe prioritetet e saj në raport me atë botërore. Është mbajtur gjithashtu një përkujtimore e Kongresit të Lushnjës, në rangun e një Kuvendi në Lushnje, ku është evokuar nga studiues të ndryshëm roli që kishte ky Kongres për historinë e vërtetë të Shqipërisë.

Në vazhdim të këtyre aktiviteteve, në Muzeun Kombëtar është mbajtur Kuvendi mbi qëndrimin ndaj etnokulturës, shoqëruar me paraqitje studimesh mbi etnokulturën shqiptare dhe konkretizuar me një panair të pasur etnokulturor. Secili nga këto Kuvende është organizuar me një disiplinë shkencore dhe shoqëruar me përmbledhje diskutimesh në librat e Kuvendit përkatës, pronë e Akademisë “Rrënjët Tona”, por e shpërndarë në biblioteka e librari të ndryshme të vendit dhe të mbarë kombit shqiptar.

Në këto Kuvende ka spikatur qartazi dëshira e madhe për të reformuar shkencën e Albanologjisë, e cila jo vetëm ka lënë pas dore detyrën për reflektimin ndaj të vërtetave në rang kombëtar, por edhe ndërkombëtar mbi shkencën e Albanologjisë. Spikat historia e bukur, por e dhimbshme e popullit shqiptar dhe vendi që zë gjuha jonë shkencërisht dhe etnogjenetikisht në Shqipëri dhe jashtë saj. Këto aktivitete janë shoqëruar me veprimtari përkujtimore dhe politika ekonomike në shërbim të atdheut dhe shqiptarëve të kudondodhur.

Një pjesë teknike e këtij aktiviteti është hapja e një penxhereje televizive me shpenzimet ton a, në sqarim të të gjithë popullit shqiptar brenda dhe jashtë vendit për të vërtetat mbi historinë, gjuhen dhe momenteve të vështira që kalon vendi ynë për shkak të veprimtarive shoviniste të fqinjëve dhe më gjerë. Dalë në terrenin konkret të çështjeve, Akademisë “Rrënjët Tona” dhe bashkëpunëtorëve të saj i ka interesuar të nxjerrë në pah çështjen pellazgjike për dy arsye: së pari, për të provuar vazhdimësinë historike, duke sqaruar etnogjenezën, për pasojë edhe autoktonitetin e popullit në këto vise. Së dyti, verifikimin e natyralitetit të gjuhës së folur parahistorike të pellazgëve dhe lidhjen e saj me gjuhët iliro-arbane.

Provat historike dhe parahistorike për çështjen pellazge janë kaq të shumta sa Akademisë sonë nuk i është dashur veçse t’i nxjerrë në pah. Shkrimtarë dhe historianë të lashtësisë si Homeri, Herodoti, Pindari, Virgjili, Tuqiditi, Straboni, Tit Livi etj., provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme tezën pellazge. Shkolla gjermane mbi “tezen etnike” të pellazgeve, danezi Malten Bryn shoqëruar nga kolosët e Albanologjisë: Vilhem Leibniz, Thuman, Franc Bopp, Von Han, Gustav Majer etj., ndjekur nga shkolla arbëreshe me De Raden, Zef Skiroin, Kamardën, Skupitorin etj., mbi të gjithë rilindësit tanë si Veqilharxhi, Pashko Vasa, Naim dhe Sami Frashëri, Kristo Dako, si edhe të mëdhenjtë e sotëm si Çabej, Demiraj, Domi, etj., të cilët kanë dhënë një kontribut të paçmuar në çështjet historiko-gjuhësore.

Një ndihmë të madhe kanë dhënë edhe studiuesit e tashëm si: Aristidh Kola, Niko Stillo, Mathieu Aref, Eqerem Zenelaj, Fahri Xharia, Arsim Spahiu, Elena Kocaqi etj., të cilët provojnë me dokumente të nxjerra në të gjithë bibliotekat europiane dhe me gjerë për vërtetësinë e tezës pellazge, lidhjen e saj me çështjen iliro-shqiptare dhe lidhjen etnogjenetike të gjuhës pelazgo-Ilire (barbare) me gjuhën shqipe. Studiuesit e rinj si Albert Nikolla (shqiptarobelg), prodhues i disa botimeve, por së fundi “Etimologjia dhe Semantika Strukturale” analizon në mënyrë shkencore, duke u mbështetur te filologët e njohur si Ferdinant Saossyre dhe përfundon me “Shqipen Arkaike, Primitivitetin, Semantikën, Sistemin e matricave dhe Fjalëformimin e saj”.

Një kontribut interesant po jep dhe autori Agron Dalipaj me metodën e “Mikromorfemave”, ku tenton të provojë në mënyrë etimologjike prioritetin aksial të gjuhës shqipe. Një kontribut tjetër po aq të veçantë në fushën historiko-gjuhësore jep edhe drejtori organizativ i Akademisë Rrënjët Tona, prof. Sazan Guri, falë eksperiencës shkencore si gjeolog, si studiues në fushën juridike- ambientale dhe aktivitetit të madh me shoqërinë civile, i cili ka ndihmesën më të madhe të mundshme në fushën e botimeve (rreth 70 botime), ku mbizotërojnë studimet mbi gjuhën (Si t’rrokim greqishten, latinishten me gegnishten), si dhe në fushën e historisë “Epiri dhe Epiriotët” me dy volume.

Këto botime janë mbështetur në dokumente të shumta, të marra jo vetëm te studimet e autorëve të mësipërm dhe bibliotekave tona dhe botërore, por edhe tek analiza ekstraktuese e fakteve dhe dashuria e pafund për vendin e tij. Akademia “Rrënjët Tona” mbas një marrëdhënieje të gjerë dhe të thellë me mendimin shkencor, arrin në përfundimin se gjuha është një subjekt në zhvillim dhe sado i rëndësishëm të ishte Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, nuk mund të qëndrojë pa u zhvilluar dhe pasuruar për 52 vjet, pra, si rezultat duhen përdorur edhe forma të reja vlerësimi, përveç asaj krahasuese.

Ne mendojmë në funksion të studimeve dhe përfundimeve të reja, se etimologjia dhe semantika strukturale e shqipes arkaike, e përqendruar kryesisht në dialektin geg, funksionon nëpërmjet sistemit të matricave dhe fonemave të saj, duke realizuar një rol aksial në fjalëformimin e gjuhëve ballkaniko-europiane, ndoshta edhe më tej. Fakti që shoqata armeno-shqiptare me mbështetjen e mendimit shkencor armen, të shprehur në botimin “Ura Pellazgjike” e autorit Berzh Piranian (edhe ky studiues inxhinier) argumenton ndërthurjen e alfabetit shqiptar dhe armen dhe ngjashmërinë e tyre, ku sipas argumenteve shkencore armenologe, kjo lidhje e ka burimin tek prejardhja pellazgjike e përbashkët.

Rreshtimi sipas vjetërsisë do të ishte, e para gjuha shqipe me vjetërsi të studiuar të paktën 5000-vjeçare, e dyta gjuha armene me vjetërsi 4000-vjeçare dhe e treta, ajo helene 3000-3500 vjeçare. Sipas mendimit tonë akademik, zbatimi i kolonave demokratike si legjitimiteti i zgjedhjeve në forumet akademike, transparenca mbi të vërtetat historiko-gjuhësore, gjithëpërfshirja në zgjidhjen e problemeve historiko-gjuhësore dhe përgjegjshmëria, qoftë qytetare, administrative apo atdhetare do ta lehtësonte shumë sintezën dhe rezultatin. Të dashur peticionistë, ky debat që hapet na bën mirë të gjithëve dhe besoj se do të na rrisë dëshirën për të bashkëpunuar nën kauzën e dashurisë për atdheun dhe njëri-tjetrin.

Me respekt dhe shpresë
Doc. ing. Stefan Pinguli
President i Akademisë “Rrënjët Tona”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura