Shuhet emblema e qëndresës ndaj pushtuesve nazifashistë! Koloneli Sotir Budina, nga njësitet guerile te postet e larta në ushtri

Feb 29, 2024 | 9:18
SHPËRNDAJE

sotir budinaHALIL RAMA*

Sotir Budina, ndër guerilasit e parë korçarë, ishpartizan dhe kuadër i Brigadës së Katërt Sulmuese dhe i Ushtrisë Shqiptare, i diplomuar në Akademinë Ushtarake “Kujbishev” në Moskë.

Ndërroi jetë dje në moshën 97-vjeçare. Ai ishte një nga personalitetet e shquara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të Ushtrisë Shqiptare dhe Shoqërisë Civile të pas viteve ’90.

Ka lindur në qytetin e Korçës në mars të vitit 1927 në një familje patriotike, e cila njihet për kontributin e shquar që ka dhënë për rritjen e ndjenjave patriotike dhe për pjesëmarrjen me armë në dorë në Luftën Nacionalçlirimtare. Nga kjo familje në luftën partizane kanë marrë pjesë katër luftëtarë.

Sotiri, i frymëzuar me ndjenjat patriotike të familjes së tij, ka marrë pjesë aktivisht në luftën për liri që në vitin 1939. Pasi mbaroi Shkollën “Normale” të Elbasanit, si i ri antifashist bëhet anëtar i njësitit gueril të qytetit të Korçës, ku mori pjesë trimërisht në disa aksione luftarake kundër pushtuesit fashist të vendit.

Si një nga personazhet realë në librin “Copëza jete invalidësh”, (Botim i kryesisë së Degës së Invalidëve të LANÇ, Tiranë), Sotir Budinës i dilnin parasysh si në ndonjë film ngjarjet e shtatorit 1943. Në këtë libër janë skalitur ngjarje heroike të guerilasve korçarë, mes të cilëve edhe Sotiri, i plagosur gjatë një përleshjeje masive me armikun. U shërua falë përkujdesjes së mjekut partizan Petraq Progrit, nga dëshmia autentike e të cilit Sotir Budina gëzonte edhe Statusin e Invalidit të LANÇl.

Sotir Budina, që me formimin e Brigadës së Katërt Sulmuese më 28 dhjetor 1943, u rreshtua në Batalionin e Tretë të kësaj brigade, fillimisht me detyrën përgjegjës rinie kompanie dhe më vonë përgjegjës rinie i këtij batalioni. Në kujtimet e tij (të botuara), ndër të tjera ai shkruan se: “Pa përfunduar plotësisht organizimi, Brigada mori detyrën për të goditur forcat balliste të grumbulluara nga zona e Korçës, Kolonjës, Skrapari dhe të Tomorricës që kishin ndërmarrë sulme në shpinë të batalioneve partizane që vepronin në Gorë, Mokër, Opar, Voskopojë, Vithkuq e Rrëzë të Korçës. Përurimin e saj Brigada IV Partizane e bëri duke sulmuar armiqtë. Luftimet e Brigadës IV Sulmuese ndikuan në dështimin e Operacionit Armik të Dimrit në qarkun e Korçës. Brigada e Katërt Sulmuese, si të gjitha brigadat e tjera të UNÇSH, i kreu me sukses të plotë detyrat e ngarkuara. Ajo luftoi në krahinat e Korçës, në Skrapar, Kolonjë, Pogradec, Mat, Peshkopi, Elbasan, Durrës e Tiranë. Një nga betejat më të njohura e heroike të Brigadës së Katërt Sulmuese është ajo e Mushqetasë, e cila ishte vendimtare në çlirimin e Tiranës”.

Bashkëkohësit e mbanin mend Sotirin si partizanin trim që hidhej me guxim në aksionet luftarake, duke u bërë emblemë e qëndresës kundër pushtuesit.

Referuar kujtimeve të ushtarakëve të misionit britanik në Shqipëri, që kanë shkruar në kujtimet e tyre se partizanët janë shumë të ndershëm dhe shumë seriozë në përpjekjet e tyre, prof. asoc. dr. Bernard Zotaj shrkuan se partizanët kishin frymë luftarake, shpirt spartanësh dhe shfaqje trimërore. I tillë ishte edhe Sotir Budina, ndër guuerilasit e parë korçarë dhe partizan e kuadër drejtues në formacione të Brigadës së Katërt Sulmuese.

Si i ri i dalluar që ishte, në gusht 1944, u zgjodh delegat i Brigadës së Katërt Sulmuese dhe mori pjesë në Kongresin e Parë të Rinisë Antifashiste shqiptare në Helmës të Skraparit. Ja si e kujtonte ai këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e LANÇ-it: “Në verën e vitit 1944, kur lufta kundër pushtuesit kishte marrë përmasa të mëdha në të gjithë vendin dhe kur trupat sovjetike po i afroheshin Ballkanit Perëndimor, Organizata e Rinisë Antifashiste Shqiptare, e drejtuar me guxim e mençuri nga sekretari i saj i Parë, Nako Spiru, thirri Kongresin e saj të parë në Helmës të Skraparit. Në këtë vend malor që edhe në të kaluarën ka qenë vatër e çetave të Rilindjes sonë Kombëtare, më 8 gusht 1944, në frymën e një entuziazmi të papërshkruar u hap Kongresi i Parë i Rinisë Antifashiste Shqiptare”. Në këtë kongres, mes 285 delegatëve (nga të cilët 72 ishin të reja) që përfaqësonin rininë dhe pionierët e të gjitha krahinave dhe qyteteve të Shqipërisë dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ishte edhe i riu korçar Sotir Budina. Shpeshherë, ai në mjedise familjare dhe me shokë tregonte se si me një dashuri dhe entuziazëm të paparë u pritën delegatët e Divizionit të Parë Sulmues, të Brigadave të Parë, Katërt dhe të Pestë Sulmuese, gjithsej 27 vetë që vinin nga vija e parë e luftës për çlirimin e Shqipërisë së Veriut, duke marshuar në këmbë me qindra kilometra nga Mirdita dhe Dibra deri në Helmës të Skraparit, për të marrë pjesë në këtë kongres historik të Rinisë Antifashiste Shqiptare ku do të behej bilnaci i luftimeve dhe do të caktoheshin detyrat deri në çlirimin e plotë të atdheut.

“Zëri i delegatëve të Divizionit të Parë, të zgjedhur nga partizanët më të mirë, të dalluar në luftën kundër pushtuesve, në takimet dhe bisedat e zjarrta që bëheshin gjatë ditëve të zhvillimit të Kongresit, dëgjohej me vëmendje të veçantë. Me diskutimet e tyre, Fatmir Gjata, Dhori Panariti, Katina Starjo etj., dhanë një kontribut të vyer për përcaktimin e detyrave imediate që i dilnin Rinisë”, tregonte Sotiri.

Pas çlirimit të vendit, Sotir Budina, si ish-pjesëmarrës aktiv në LANÇ, dërgohet për studime në ish-Bashkimin Sovjetik, ku mbaroi me rezultate të larta shkollën 3-vjeçare të xhenios në Leningrad dhe Akademinë Ushtarake të xhenios “Kujbishev”, 6 vjet në Moskë.

Si kuadër ushtarak i përgatitur dhe i pajisur me njohuri të thella të artit ushtarak të kohës, ai pas mbarimit të Akademisë, në të gjitha funksionet që iu ngarkuan: Shef i Xhenios së Mbrojtjes Bregdetare, shef i Xhenios së Mbrojtjes Kundërajrore të vendit, shef i Katedrës së Xhenios në Akademinë Ushtarake dhe më vonë nga viti 1974-1982 për 9 vjet, nëndrejtor i Drejtorisë së Xhenios e Fortifikimit në Ministrinë e Mbrojtjes, duke punuar me përkushtim dha një kontribut të vyer në përgatitjen xheniere të ushtrisë dhe sidomos në fortifikimin e vendit.

Pas daljes në pension në vitin 1982 dhe sidomos pas vitit ’90, ka mbështetur vazhdimisht proceset demokratike. Sotir Budina ishte një nga 64 firmëtarët e krijimit të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ përkrah personalieteve të shquara si dr. Ymer Dishnica – Nderi i Kombit; gjeneral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit; gjeneral Nexhip Vinçani-Nderi i Kombit, ish-presidenti Alfred Moisiu; gjeneral Muhamet Prodani; Liri Belishova; Edip Ohri; Skender Malindi etj.

Për 30 vjet në këtë organizatë, si sekretar Organizativ dhe prej dy vitesh si kryetar i saj, Sotiri ka dhënë një kontribut të shquar për mbarëvajtjen e saj dhe për zgjidhjen e problemeve që kanë veteranët. Ai gëzonte Statusin e Invalidit të LANÇ. Duke vlerësuar kontributin e tij, Kryesia e Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, me vendim të posaçëm nderoi invalidin e LANÇ, Sotir Budina me titullin e lartë “Atdheu ju është përjetë mirënjohës”.

Me vdekjen e tij, OBVL dhe Shoqata Kombëtare e Invalidëve të LANÇ humbën anëtarin dhe drejtuesin e denjë, familja e tij humbi njeriun më të dashur, ne shokët e miqtë e tij humbëm bashkëpuntorin më të ngushtë, të cilin do ta kujtojmë gjithnjë me nderim të veçantë.

* Mjeshtër i Madh dhe sekretar i Përgjithshëm i OBVL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura