Shtesa mbi pagë, skema e testimit të mësuesve

Feb 15, 2014 | 10:14
SHPËRNDAJE

“Panorama” zbardh udhëzimin e ministres Nikolla për kualifikimin e vitit 2014. Afati i fundit i aplikimit më 28 shkurt, kush futet në testim.

Miratohen kriteret e testimit të kualifikimit për arsimtarët mbi bazën e të cilit do të caktohen edhe shtesat mbi pagë që ata do të përfitojnë.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka firmosur së fundi udhëzimin “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve për vitin 2014”. Për të marrë pjesë në testim, mësuesit që plotësojnë vjetërsinë e punës duhet të dorëzojnë brenda datës 28 shkurt pranë drejtorive arsimore, formularin e aplikimit si dhe portofolat e tyre të zhvillimit profesional.

Ministrja Nikolla ka vendosur që këtë vit provimet me shkrim për kualifikimin e mësuesve të zhvillohen më 3 maj, nga ora 10:00-12:30 në Tiranë. Sipas udhëzimit, në provimet e kualifikimit mund të marrin pjesë mësues të institucioneve arsimore publike dhe atyre private që janë: me diplomë mësuesie, sipas kritereve të parashikuara në nenin 57 të ligjit nr. 69/2012, datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”; pa diplomë mësuesie, por me arsim të lartë që japin lëndët profesionale në shkollat e arsimit të mesëm të lartë dhe kanë kontratë individuale pune; pa diplomë mësuesie, që kanë kryer shkollën e mesme artistike ose Akademinë e Arteve dhe japin lëndët e Muzikës, të Arteve Pamore ose të Kërcimit “Procedurave të kualifikimit u nënshtrohen kandidatët, të cilët deri më 31 dhjetor plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim: të paktën 5 vjet për kategorinë e kualifikimit ‘mësues i kualifikuar’; të paktën 10 vjet për kategorinë e kualifikimit ’mësues specialist’ dhe të paktën 5 vjet pas marrjes së kategorisë ‘mësues i kualifikuar’; të paktën 20 vjet për kategorinë e kualifikimit ‘mësues mjeshtër’ dhe të paktën 10 vjet pas marrjes së kategorisë ‘mësues specialist’”, përcaktohet në udhëzim.

Rezultatet e testimit të kualifikimit do të përcaktojnë edhe shtesën mbi pagë që do të përfitojnë arsimtarët sipas kategorive. Për mësuesin që fiton kategorinë ‘i kualifikuar’, shtesa mbi pagë është 5 për qind, për kategorinë ‘mësues specialist’ 10 për qind dhe për kategorinë ‘mësues mjeshtër’ 20 për qind.

“Mbështetur në rezultatet përfundimtare të kandidatëve, Drejtoria e Shërbimeve të Brendshme në MAS u dërgon njësive vendore arsimore shkresën për shtesën e pagës”, thuhet në udhëzim. Në provimin e kualifikimit arsimtarët do të marrin pikë të veçanta për portofolin, bonuset dhe testin.

Vlerësimi i portofolit
Komisioni i Vlerësimit të Portofolit (KVP), i ngritur nga titullari i DAR/ZA-së, vlerëson me 1-3 pikë secilin përbërës të portofolit profesional.
Pikët bonus
Kandidati fiton 5 pikë bonus në përputhje me secilin prej kritereve të mëposhtme:
• Me diplomë (SHPU, MND, Master mbi 60 kredite ECTS, Doktoraturë) e fituar në fushën e mësuesisë, për mësues që janë diplomuar para janarit 2011. Nëse diploma Master është fituar mbas muajit janar 2011, duhet të jetë e njohur me provim shteti. Diploma Master nuk përfiton pikë bonus nëse vlen si kriter shkollimi për profesionin e mësuesit.
• Gjuha e huaj e mbrojtur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Tiranës për mësues që janë diplomuar para vitit 2010 ose në testime të njohura ndërkombëtarisht.
• Nëse mësuesi kandidat ka grumbulluar të paktën 7 kredite për çdo vit të kualifikimit nga lista e programeve të akredituara.
Vlerësimi përfundimtar
Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 100 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e portofolit, bonuseve, të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë.

Jonida Tashi / “Panorama” 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura