“Shqiptari që lindi një shekull para kohe”- Kush ishte profesor i Mjekësisë Gjergji Minga! Modeli i rrallë i kapacitetit human, gati i paarritshëm

May 31, 2024 | 13:24
SHPËRNDAJE

NGA PROF. DR. XHELADIN ÇEKA/ Këto ditë u nda nga jeta një prej pedagogëve të shquar të Fakultetit të Mjekësisë, të Universitetit të Mjekësisë të Tiranës, prof. dr. Gjergji Minga.

6

 

Prof. Gjergji Minga ishte pionier i dijes, kalorës i mendimit të përparuar në shkencë dhe pedagogji, njëherësh shëmbëlltyra e njeriut të mrekullueshëm, fisniku zemërbardhë; ai ishte shqiptari që kishte lindur një shekull para kohe. Kishte lindur të ishte jo thjeshtë një mjek e pedagog i talentuar i Fakultetit të Mjekësisë, por njëherësh e në radhë të parë, një misionar i ruajtjes së shëndetit dhe i pedagogjisë së shkencave mjekësore; ai kishte lindur të ishte ligjëruesi brilant i Biokimisë Mjekësore, modeli i rrallë i kapacitetit human, gati i paarritshëm!

Për të gjithë njohjen time, që nga koha kur fillova studimet në Fakultetin e Mjekësisë (1976) e deri më sot, veçanërisht kujtoj prof. Gjergji Mingën lektor. Ai ishte një prej lektorëve më të shkëlqyer që ka pasur Fakulteti i Mjekësisë, i cili e shpjegonte Biokiminë Mjekësore sikur të recitonte poezi apo të luante me virtuozitet në piano ariet më të mrekullueshme të operistike botërore. Ai ishte profesori model, administratori mjekësor me shumë horizont; Ai ishte Njeriu i Madh! Ishte i madh dhe për një tjetër fakt, për atë që ndonëse ishte pedagog i lëndëve të formimit bazë (paraklinike siç janë quajtur zakonisht), u lartësua deri në piedestalin e lavdisë pa qenë klinicist, siç ndodhte rëndomë!

Vlerësimet zyrtare të momentit janë dhënë nga autoritetet dhe strukturat relevante, por për figurën e prof. Gjergji Mingës janë prononcuar me qindra e qindra kolegë e ish-studentë nga të tri universitetet me Fakultete Mjekësie shqip, në të gjitha trevat shqipfolëse këndej dhe matanë kufirit shtetëror: në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, ku prof. Gjergji Minga ishte themeluesi i lëndës së Biokimisë Mjekësore dhe ligjëruesi i kësaj lënde për shumë e shumë kohë. Prof. Dr. Gjergji Minga lindi më 22.06.1940 në Korçë.

Në periudhën 1952-1956, kreu gjimnazin “Raqi Qirinxhi” dhe më pas, në periudhën 1956-1961, ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, të cilat i mbaroi me diplomë “Shkëlqyeshëm”. Për rezultatet që arriti, u emërua menjëherë me detyrën e rikrijimit të lëndës së Biokimisë Mjekësore, e cila që prej vitit 1957, zhvillohej në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Pas një specializimi dy vjeçar në disiplinat kimike pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës (1961-1963), ku plotësoi programin e përbashkët të të dy fakulteteve dhe formimin kimik në shkencat kimike, prof. Gjergji njëkohësisht dha edhe lëndën e Biokimisë Mjekësore me studentët e Mjekësisë dhe të Farmacisë. Ndërsa në vitin 1963, mori drejtimin e kësaj lënde, të cilën e drejtoi deri në vitin 1975.

Në vitin 1970, botoi tekstin e parë të Biokimisë Mjekësore, që u pasua dhe me 6 tekste të tjerë universitarë dhe pasuniversitarë. Në vitet 1970-1975, Prof. Gjergji Minga vuri themelet e lëndës së Biokimisë edhe në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, si dhe në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në atë Universitet. Në periudhën 1975-1980, kreu qarkullimin pranë Spitalit të Përgjithshëm Civil “Jorgji Karamitri” në Shkodër, në Laboratorin KlinikBiokimik, duke qëndruar në të njëjtën kohë pedagog i jashtëm i Fakultetit të Mjekësisë; për t’u rikthyer në vitin 1980 deri në vitin 1984 në Fakultetin e Mjekësisë, përsëri Përgjegjës i lëndës së Biokimisë Mjekësore. Në periudhën 1984- 1990, kreu detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Mjekimit në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në periudhën 1990 e në vazhdim, kreu detyrën e Shefit të Qendrës së Mjekësisë Bërthamore pranë Departamentit të Laboratorëve, duke qenë pedagog i jashtëm i Fakultetit të Mjekësisë; u rikthye pedagog efektiv në këtë fakultet në vitin 1993. Në periudhën 1991, e në vazhdim, vuri themelet e lëndës së Biokimisë Klinike, duke qenë në të njëjtën kohë dhe drejtues i saj. Në periudhën 1993 e në vazhdim, organizoi bazat dhe zhvilloi lëndën e Historisë së Mjekësisë Shqiptare për studentët e Mjekësisë së Përgjithshme. Me hapjen e Universitetit të Tetovës, prof. Gjergji Minga vuri bazat e Biokimisë Mjekësore dhe Klinike, fillimisht në Fakultetin e Farmacisë dhe më pas edhe në atë të Mjekësisë e Stomatologjisë (1998- 2005).

Ai është autor i 7 teksteve mësimorë universitarë dhe pasuniversitare, i një monografie: “Acidet e lartë yndyrorë të pangopur dhe Prodtaglandinat”, 1985; bashkautor i Fjalorit Latinisht-Shqip të Mjekësisë, 1975; si dhe i disa dhjetëra studimeve të botuara në periodikun shkencor mjekësor të kohës, krahas shumë studimeve të tjera për anë të veçanta të organizimit të Shërbimit Shëndetësor apo dhe i shumë artikujve publicistikë shkencorë-popullorë. Ishte kryetar i Shoqatës Shkencore të Studentëve të Fakultetit të Mjekësisë (1960-1970) dhe i Shoqatës Shkencore të Universitetit të Tiranës (1961-1965); anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Mjekësisë (1964- 1975); anëtar i Kolegjumit të Ministrisë së Shëndetësisë (1983-1990); anëtar i Seksionit të Shëndetësisë pranë Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë; Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Mjekësore Shqiptare (1989- 2002); anëtar i Redaksisë së “Revistës Mjekësore”, që nga krijimi e në vazhdim; anëtar i Revistës “Horizonti”; Sekretar i Komitetit Kombëtar të Bioetikës Mjekësore (që nga themelimi); Sekretar i Redaksisë së Shëndetësisë për botimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (që nga viti 1982 ne të dy botimet); si dhe ka kryer një sërë detyrash të tjera.

Prof. Gjergji Minga ishte Doktor i Shkencave Mjekësore dhe Profesor. P.S.: CV-ja e Prof. Gjergji Mingës mban datën 20.06.2024, sjellë në mënyrë autentike siç e ka lënë me shkrimin dhe firmën e tij. Trishtim dhe dhimbje për ndarjen nga jeta të profesorit tonë Gjergji Minga. Ne, ish-studentët e tij dhe ata që e njohëm nga afër, përulemi me respekt para veprës së tij monumentale. U prehtë në paqe Profesori ynë i paharruar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura