Shqiptarët në Maqedoni, më me rëndësi cilësia sesa sasia

May 14, 2021 | 8:30
SHPËRNDAJE

NEXHMEDIN SPAHIU

nexhmedin-spahiu

Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar kur diskutohej për luftërat në Slloveni, Kroaci e Bosnje, kishte një shqetësim të përgjithshëm: flakët e luftës të mos kapin Maqedoninë. Kishte arsye të forta për këtë. Maqedonia ishte shkak i Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913) dhe Luftës së Dytë Ballkanike (1913).

Kur qeveritë ballkanike (në Beograd, Athinë, Sofje e Cetinje) kuptuan se Maqedonia po futej në territorin e Shqipërisë Autonome që Portës së Lartë iu imponua nga kryengritja e Hasan Prishtinës e vitit 1912, shumë lehtë ranë dakord që së bashku ta sulmojnë Perandorinë Osmane më 10.10.1912.

Edhe pse kishte një armiqësi të egër mes kombit serb e kombit bullgar që në lindje të tyre, çështja e Maqedonisë i bëri bashkë. Kur Serbia e Greqia morën hisen e luanit me territoret e Maqedonisë, Bullgaria e mllefosur nisi Luftën e Dytë Ballkanike kundër Serbisë e Greqisë dhe Rumania e Perandoria Osmane e sulmuan Bullgarinë prapa shpine. Përfundimi dihet. Bullgaria humbi edhe atë çfarë kishte fituar në Luftën e Parë Ballkanike dhe pak më tepër se aq.

Po ashtu, në dy luftërat botërore Maqedonia ishte xixa ballkanike. Dominimi mbi Maqedoninë përcaktonte fitimtarin. Kur filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë, Perëndimi u përkujdes që pavarësimi i Maqedonisë të bëhet pa luftë. Vetëm kur Kosova u nxor nga kthetrat e Serbisë, Maqedonisë iu dha komoditeti që problemet e saj të brendshme t’i zgjidhë edhe me luftë të armatosur.

Por vdekja aksidentale (apo ndoshta vrasja) e Presidentit Boris Trajkovski, Maqedoninë e ktheu ngadalë në orbitën serbe e ruse. Kulminacioni u arrit me Nikolla Gruevskin Kryeministër. Largimi i Gruevskit dukej i pamundur pa ndërhyrje direkte të Perëndimit, duke i dhënë në dorë shefit të opozitës, Zoran Zaev, përgjimet që do ta shembnin piramidën e pushtetit të Gruevskit. Natyrisht, në rrëzimin e Zaevit u përdor leva shqiptare. Lideri kryesor i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti, injoroi shenjat që Perëndimi i dha atij për të ndihmuar zgjedhjen e Stevo Pendarovskit President të Maqedonisë, por kur presioni perëndimor u bë i hapur dhe kërcënues për të që të bëhej me Zaevin dy vite më pas, Ali Ahmeti e bëri dhe kështu iu dha fund sundimit të Gruevskit. Natyrisht, në përpjekjen e dytë për President, pas 4 vitesh, e ndihmoi edhe Pendarovskin.

Në mozaikun politik maqedonas, struktura etnike e popullsisë luan deri diku një rol, por jo edhe rolin vendimtar. Kur territori gjeografik i Maqedonisë ishte në përbërje të Perandorisë Osmane në fillim të shekullit XX, struktura fetare e popullsisë së këtij territori ishte pothuaj e barabartë mes myslimanëve dhe të krishterëve. Në territorin e Maqedonisë që e pushtoi Serbia më 1913 (pra, territori i sotëm i Maqedonisë Veriore) dominonte popullsia myslimane. Historianët shqiptarë janë të prirur që gjithë këtë popullsi myslimane ta konsiderojnë shqiptare. E vërteta është se ndoshta shumica e kësaj popullsie ishte shqiptare, por në përbërje të popullsisë myslimane të Maqedonisë ishin edhe bullgarët myslimanë, grekët myslimanë, vllahët myslimanë, romët myslimanë, hebrenjtë myslimanë dhe turqit myslimanë. Kjo shumicë myslimane në Maqedoninë Veriore filloi të pakësohet nga Lufta e Parë Ballkanike (1912/1913), ku një numër i madh i kësaj popullsie u vra nga forcat serbe dhe një pjesë u zhvendos në Anadoll. Me gjithë këtë, epërsia në numër e popullsisë myslimane ndaj asaj të krishterë në Maqedoni do të ekzistonte deri në vitin 1938, kur do të nënshkruhej memorandumi i bashkëpunimit të Qeverisë Jugosllave dhe Qeverisë Turke për riatdhesimin e “popullsisë turke” nga Mbretëria e Jugosllavisë.

Më 1941, territori i Maqedonisë Veriore tashmë veç kishte shumicë të krishterë si pasojë e shpërnguljeve të popullsisë myslimane në Turqi. Kjo epërsi në favor të popullsisë krishterë në Maqedoni u rrit sidomos pas shpërnguljes së mbi 80.000 myslimanëve nga Maqedonia Veriore në Turqi.

Ky disekuilibër etnik i shkaktuar dhunshëm nga pushteti serb, filloi të riparohet viteve ’70-‘80-ta, kur popullsia bullgare e Maqedonisë (tashmë e proklamuar maqedonase, madje edhe në kuptim etnik) filloi të emancipohet dhe rrjedhimisht të kishte natalitet jo të lartë, kurse popullsia shqiptare, e mbërthyer me skllavërim kulturor e arsimor e primitivizëm, vazhdoi të ketë natalitet të lartë.

Ky trend u ndal në fillim të shekullit XXI kur minoriteti shqiptar në Maqedoni u akomodua më mirë në Maqedoninë e pavarur, me të drejta të fituara nën përkujdesjen e Perëndimit. Pra, kësisoj edhe nataliteti shqiptar ra pothuaj në përmasat e natalitetit bullgar/maqedonas në Maqedoni.

Regjistrimi i popullsisë më 2021, nëse do të ishte i plotë dhe jo i mangët, e interesi i shqiptarëve është të jetë i plotë, do të na tregonte se çfarë është balanca aktuale, e cila do të vazhdonte të mbetej, me gjasë, edhe në të ardhmen.

Por, përqindja e pjesëmarrjes së një komuniteti etnik në popullsinë e gjithëmbarshme në një shtet, nuk e siguron automatikisht vëllimin e të drejtave për atë komunitet. Kjo vlen edhe për shqiptarët e Maqedonisë.

Ta zëmë, edhe pse komuniteti serb në Kosovë është nën 8% të popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës, ndërsa përqindja e komunitetit shqiptar në Maqedoni është të paktën më shumë se trefishi i kësaj, prapëseprapë, gjuha shqipe në Maqedoni nuk ka një status si serbishtja në Kosovë. Arsyeja është se komuniteti serb në Kosovë ka përkrahjen e fuqishme të shtetit serb, kurse komuniteti shqiptar në Maqedoni nuk ka përkrahje konkrete as nga Kosova as nga Shqipëria. Dhe e dyta: komuniteti shqiptar në Maqedoni nuk është i aftë të artikulohet politikisht siç artikulohet komuniteti serb në Kosovë.

Për ta arritur këtë, duhet që së pari komuniteti shqiptar në Maqedoni të jetë më shumë i drejtuar kah vetvetja. Para disa ditësh, dëgjova në media se disa rrugë në Shkup qenkan emëruar me emra shqiptarësh. Shumica e këtyre emrave ishin nga Kosova e Shqipëria. Sikur të mos kishte emra shqiptarësh të denjë nga territori i Maqedonisë. Ta zëmë, a nuk është figurë më e rëndësishme historike Vehbi Agolli – Dibra se sa Ismail Qemal Vlora, madje edhe në përmasa gjithëshqiptare. E përse, pra, në Maqedoni të ketë shkollë apo rrugë me emër Ismail Qemal Vlora e jo Vehbi Agolli – Dibra? A nuk është emër i madh Iliaz Pashë Dibra apo Mehmet Pashë Deralla? Apo Dervish Hima? Apo Fuat Dibra? Apo Xhemë Gostivari? Dhe shumë e shumë personalitete të të gjitha epokave historike.

Nëse shqiptarët e Maqedonisë i kthehen vetvetes, atëherë edhe Shqipëria e Kosova do t’i respektojnë dhe ndihmojnë më tepër. Madje, edhe bullgarët/maqedonas do t’i respektojnë më shumë. Me fjalë të tjera, numri i popullsisë është sasi, por sasia jo gjithmonë përkthehet në cilësi. E për cilësinë e jetës së një komuniteti në një shtet (qoftë ky komunitet në statusin e kombit apo në statusin e minoritetit) më e rëndësishme është cilësia kulturore e politike e atij komuniteti sesa madhësia e tij numerike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura