“Shqipëria oligarkike” e Ramës në rrugën e Papandreut

Jan 27, 2015 | 12:15
SHPËRNDAJE

KASTROT ISLAMI

   Qytetarët grekë me zgjedhjet e së dielës konsumuan opsionin e fundit të “presionit” mbi Europën, duke përcaktuar si fituese një parti neokomuniste. Syrizën, që ka për simbol Che Guevarën, dhe që në realitet do të tentojë të negociojë një marrëveshje më pak shtrënguese me BE dhe FMN për të dalë nga kriza. Opsioni i daljes nga zona Euro dhe nga BE duket i pamundur edhe nga vetë lideri i saj Tsipras, ndonëse frika dhe reagimi i parë nga vendet e BE dhe nga tregjet financiare ka qenë i qartë. Disa përfundime nga zgjedhjet e përgjithshme greke duken si mesazhe apo edhe projeksione për Shqipërinë. Partia e majtë PASOK përfundimisht është e rrudhur dhe shpërbërë në mënyrë ekstremale, duke humbur mbi 465 mijë vota krahasuar me vitin 2012, ndërkohë që numri i deputetëve ka rënë nga 33 në 13. Vendin e saj e ka zënë Syriza që është rritur me mbi 590 mijë vota dhe numri i mandateve është rritur nga 71 në 99. Po ashtu, në kurriz të PASOK, por jo vetëm, është rritur edhe Partia Komuniste (KKE) me rreth 61 mijë vota e po ashtu është krijuar edhe partia e re e majtë “LUMI” (POTOMI), e cila ka fituar për herë të parë mbi 370 mijë vota. Partia e qendrës së djathtë, Demokracia e Re, ka dalë relativisht “dinjitoze” nga këto zgjedhje; ajo ka humbur vetëm dy mandate krahasuar me 2012, ndërkohë që numri i votave është zvogëluar me rreth 107 mijë, me sa duket më shumë nga abstenimi. Samaras ka deklaruar se 1) e ka lënë vendin në një gjendje më të mirë ekonomike; 2) e ka lënë Greqinë vend anëtar të BE dhe të Euros; 3) ka qenë realist dhe i ndershëm për sa u përket masave shtrënguese për daljen nga kriza. Votuesit kanë besuar “premtimet e ekzagjeruara, populiste dhe idealiste” të Syrizës, pasi kanë provuar “shtrëngimin e rripit” nga Demokracia e Re; e thënë ndryshe, s’kanë penalizuar Samarasin, por kanë menduar ta provojnë edhe një herë opsionin e presionit ndaj Europës me mendimin se mos përfitojnë diçka. Një lojë ballkanike e zakonshme, me shanse të ulëta për të funksionuar; dhe këtë herë grekët “kartën e blofit” ia kanë lënë ta luajnë “neokomunistët”.
1. Kriza morale me ndikim te grekët e thjeshtë…
Premtimet e Syrizës duken “simpatike” për grekët e thjeshtë që ndodhen në vështirësi, por gjasat janë që ato të rezultojnë “premtime të pambajtura e zhgënjyese”, sepse ato në rastin më të mirë ose do të moduloheshin në një masë të konsiderueshme gjatë negociatave me BE e FMN sipas kërkesave të këtyre të fundit e, për rrjedhojë, grekët e thjeshtë do të zhgënjeheshin ose negociatat do të dështonin e kriza veçse do të thellohej. Grekët e thjeshtë që vuajnë në realitet “krizën morale” të shpenzimeve korruptive e të përfitimeve oligarkike të fondeve të BE për gati 30 vjet gjenden të zhytur në një krizë politike e ekonomike, nga e cila e kanë të vështirë të dalin pa sakrifica dhe “shtrëngim të rripit”. Grekët e thjeshtë janë në një situatë paradoksale, sepse nga njëra anë s’duan të pranojnë “shtrëngimin e rripit” që ua shtrëngon Europa dhe, nga ana tjetër, s’arrijnë apo s’duan të “kthejnë mbrapsht” shumat e përfituara në mënyrë korruptive, sepse sipas tyre pjesën e luanit nga këto përfitime e kanë marrë oligarkët, kurse të varfrit kanë përfituar pjesën e miut, ndërkohë që “shtrëngimin e rripit” u duhet ta pësojnë vetëm të varfrit, sepse “oligarkët” i kanë legalizuar dhe transferuar përfitime e tyre në banka jashtë vendit. Prandaj beteja moralo-politike e Syrizës “kundër oligarkëve” dhe presioni ndaj Europës u jep një fare shprese grekëve të thjeshtë për të mos e mbajtur ata të gjithë barrën e rikthimit në normalitet.  
2. Riformatimi i peizazhit politik të së majtës…
Syriza ka fituar në këto zgjedhje rreth 2.25 milionë vota ose rreth 600 mijë më shumë vota se në vitin 2012. Po ashtu është rritur pak edhe Partia Komuniste (KKE), e cila ka fituar rreth 60 mijë vota më shumë se në vitin 2012. Ka lindur partia e majtë “LUMI”, e cila është më e moderuar sesa Syriza dhe nuk ka në program as daljen nga zona Euro edhe as një rinegocim të marrëveshjes me FMN e BE; kjo parti ka fituar për herë të parë rreth 374 mijë vota. Humbësja e madhe në këto zgjedhje është PASOK, që është rrudhur me rreth 467 mijë vota në krahasim me 2012, por ndërkohë Papandreu, ish-kryetar dhe kryeministër i saj, ka shkëputur një “pjesëz” prej rreth 150 votash me partinë e re KINIMA pa mundur të futet në Parlament. Përfundimi është i qartë: i) PASOK, një parti tradicionale e qendrës së majtë, rrudhet e shpërbëhet; ii) rritet në mënyrë të ndjeshme një parti e tipit “neokomunist” apo “radikale e majtë” Syriza; iii) lind një parti tjetër e majtë e moderuar dhe iv) rritet partia komuniste. Pothuajse e gjithë “elita e majtë” largohet nga politika; vendin e saj e zë një ekip drejtues me orientim “radikal të majtë” apo “neokomunist”.
3. Kalimi dinjitoz i
të “Djathtës” në opozitë…
Partia e qendrës së djathtë Demokracia e Re kalon në opozitë duke fituar vetëm dy mandate më pak se në vitin 2012 ose rreth 107 mijë vota më pak e pësuar kështu një rrudhje me rreth 6 për qind nga 2012. Kryetari i saj Samaras nuk bëri asnjë kompromis duke u qëndruar konsekuent i) premtimeve të sinqerta e dinjitoze për “shtrëngim të rripit” nga të gjithë grekët dhe ii) marrëveshjes me FMN e BE. I ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë por edhe ndikimin jopozitiv të masave shtrënguese nga njëra por edhe për efektin e premtimeve populiste e të ekzagjeruara të Syrizës, Kryeministri Samaras preferoi të ishte i sinqertë me votuesit dhe të humbte me dinjitet, ndoshta duke gjykuar se kjo do të jetë rruga që do të ruante madhësinë e së djathtës, por edhe një shans për t’u rikthyer në drejtimin e vendit së shpejti.
4. Parti e ekstremit të djathtë, prezente në vendin e tretë…
Partia e ekstremit të djathtë, Agimi i Artë, është renditur partia e tretë me rreth 6.3 për qind të votave. Ajo pothuajse s’ka ndryshuar madhësinë e saj duke u rrudhur me vetëm rreth 38 mijë vota, ndërkohë që kjo shifër do të thotë një rrudhje me rreth 9 për qind nga madhësia e saj në vitin 2012. Kjo është një parti, që me sa duket do të mbetet në opozitë dhe me pak shanse për momentin për t’u rritur qoftë në kurriz të votuesve të majtë, qoftë atyre të djathtë.
5. Liderat europianë i qëndrojnë marrëveshjes, kurse tregjet financiare tronditen
Aleksis Tsipras është emëruar nga Presidenti i vendit në postin e Kryeministrit pas një marrëveshjeje koalicioni me Partinë e Grekëve të Pavarur, një parti e djathtë që nuk ka asgjë të përbashkët në programin e saj me Syrizën, veç faktit që kundërshton “masat e ashpra të FMN e BE”. Kancelarja Merkel përmes zëdhënësit të saj ka deklaruar se “Ne besojmë që Greqia i ka pranuar termat e marrëveshjes, të cilët mbeten të njëjtë edhe pas zgjedhjeve.” Kurse Jeroen Dijsselbloem, kryetar për Çështjet e monedhës euro në Këshillin e Ministrave të Financave të BE, ka thënë qartas se “Nuk mendoj se premtimet e Syrizës do të gjenin mbështetje në eurozonë”. Arsyet janë të thjeshta për vendet e BE: i) ky virus mund të përhapej në të gjitha partitë e ekstremit të majtë apo komuniste në Europë dhe ii) edhe po ashtu vende të tjera do kërkonin lehtësira duke rritur ngarkesën monetare për eurozonën. Ndërkohë, tregjet financiare kanë reaguar negativisht përballë kësaj situate të re, duke evidentuar minimalisht pasiguri dhe mungesë stabiliteti.
6. Shqipëria oligarkike në “rrugën e Papandreut”
Shqipëria oligarkike e drejtuar nga Rama po ndjek rrugën e “PASOK-ut të Papandreut”, sado që Rama përpiqet t’i largohet asaj dhe ndonëse “këshilltarët” e tij amerikano-latinë, sipas kërkesës së tij, po përpiqen ta largojnë nga rruga e “shkatërrimit sipas modelit të PASOK-ut” dhe lindjes së një të “majte radikale” të ekstremit të majtë. PASOKU u shkatërrua në momentin e krizës ekonomike, sepse nuk mund të dilte nga kriza duke ndjekur një politikë të “shtrëngimit të rripit” të propozuar nga elita e saj oligarke. Syriza u bë interesante, sepse luftonte në dy plane i) shkatërrimin e oligarkisë së majtë dhe ii) presion mbi Europën për “lirimin e rripit”. Si përfundim mund të thuhet se Syriza ka tentuar të godasë “politikën tradicionale oligarkike” duke arritur të shpërbëjë vetëm PASOK dhe t’i japë mundësi rilindjes së të majtës neokomuniste, por pa pasur asnjë ndikim mbi të djathtën e moderuar të qendrës. Natyrisht një “ndihmë” i ka dhënë Syrizës vetë PASOK, e cila prej kohësh vuante krizën e identitetit midis “elitës oligarke” dhe votuesve të saj të “varfër e me të ardhura modeste”. Papandreu jo vetëm s’arriti ta shëronte PASOK-un nga kjo “krizë identiteti”, duke e rrudhur atë vazhdimisht, por më së fundmi me krijimin e partisë së re KINIMA, pas rrudhjes i shkaktoi asaj edhe shpërbërjen. Rama po ndjek të njëjtën rrugë, por me një shpejtësi më të madhe, madje duke e shpërbërë fare PS dhe krijuar brenda guaskës së saj partinë e tij klienteliste e oligarke.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura