Shqipëria kualifikohet në Francë 2016 edhe si…e treta më e mirë

Sep 2, 2015 | 18:50
SHPËRNDAJE

Shqipëria është duke bërë më të mirën në kualifikueset për në “Francë 2016”, pasi ka arritur tri fitore dhe një barazim në katër takimet e para, ndërkohë që kjo nuk është e vetmja shpresë. Pavarësisht se në katër takimet e mbetura Shqipëria do të mundohet që të rivalizojë me Danimarkën për ta lënë pas, në të njëjtën kohë, kuqezinjtë janë paralelisht në një garë me të gjitha grupet e tjera.

Cikalleshi, Roshi, Balaj dhe Hysaj dhe pas stervitjes
Cikalleshi, Roshi, Balaj dhe Hysaj dhe pas stervitjes

Më saktë, me vendet e treta të secilit grup. Por, në këtë garë, janë sërish kuqezinjtë që kanë një avantazh, rregullin e UEFA-s. “Secila skuadër që i përfundon kualifikueset në vendin e tretë, në një grup me gjashtë të tilla, i zerohen pikët që ka marrë në dy ndeshjet me ekipin që e përfundon në fund edicionin”.

Ky rregull nuk e prek Shqipërinë, për vetë faktin se Grupi I është me pesë skuadra. Të besuarit e De Biazit kanë në lojë katër ndeshje që vlejnë 12 pikë për t’u kualifikuar direkt si e treta më e mirë, ndërkohë që të gjitha rivalet e saj kanë katër ndeshje në dispozicion, por me zbritjen e pikëve për përballjen me vendin e fundit, atëherë eventualisht kanë vetëm 3 ndeshje dhe nëntë pikë në dispozicion.

Rivalet
Nisur nga ky rregull, të gjitha rivalet e Shqipërisë kanë të njëjtin numër ndeshjesh të mbetura sa ne, por me diferencën që bën rregulli. Se Shqipëria luan për 12 pikë në këto takime, ndërsa kundërshtaret e saj luajnë për maksimumi 9 pikë. Kjo, për zbritjen që u bëhet pikëve të marra ndaj ekipit të vendit të fundit, dhe, sipas llogarive, rivalet e treta të Shqipërisë kanë vetëm 3 takime të vlefshme në dispozicion.

Hungaria
E treta më e mirë në Grupin F është për momentin në të njëjtën kuotë pikësh me Shqipërinë, por ndodhet poshtë saj për shkak të golavarazhit më të ulët (+2) ndaj atij (+5) të kuqezinjve.

Skocia
Ndodhet në Grupin D me Poloninë dhe Gjermaninë që kryesojnë dhe përballjet që kanë mbetur me këto dy ekipe, e rrisin shansin e kuqezinjve që të mund të përfundojnë përpara tyre. Katër ndeshje me kundërshtarë të tillë, në një kohë që do të llogariten vetëm tre dhe diferenca +2 ia shton komoditetin Shqipërisë në garën me Skocinë.

Holanda
Është tri pikë më pak se Shqipëria dhe ka edhe tri ndeshje që do t’i llogariten. Megjithatë, një ekip si “tulipanët” i kanë të gjitha mundësitë që të mos ndalen në katër takimet e mbetura dhe të arrijnë edhe kualifikimin direkt, ndaj me besimin te shpërthimi i tyre në gjysmën e dytë të edicionit, rival potencial mund të jetë Republika Çeke që aktualisht është e dyta në Grupin A, ku në vend të katërt ndodhet Turqia. Konkurrenca është prezente në këtë grup mes tyre.

Rusia
Është në kuotën e shtatë pikëve në këtë garë dhe vuan të njëjtin rregull si kundërshtaret e tjera. Golavarazhi është i njëjtë me Shqipërinë, megjithatë tri piket avantazh dhe minusi i rusëve, bën që të jenë sërish më pak të mundshëm se Shqipëria për të qenë në krye të kësaj gare.

Norvegjia
Është në të njëjtën kuotë pikësh me paraardhësen e saj, por ka golavarazhin -4 që i shtohet penalitetit të numrit të ndeshjeve.

Sllovenia, Izraeli
Janë dy ekipe që kanë golavarazhin -1 dhe që ndodhen katër pikë më pak se Shqipëria.

Ukraina
Ka vetëm gjashtë pikë dhe një golavarazh +1 me katër ndeshje të mbetura. Por kjo e fundit i ka të zbritura pikët për të dyja ndeshjet me ekipin e vendit të fundit, Luksemburgun që ka vetëm 1 pikë.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura