Shpërthimi në sallën e gjyqit dhe fjala e fundit Trifon Xhagjikës përpara inkuizitorëve! Pushkatimi i poetit në moshën 31-vjeçare

May 16, 2024 | 14:01
SHPËRNDAJE

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi në ditën e lindjes, poetin disident Trifon Xhagjika (1932- 1963). Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe në vijim tek “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë. Studioi në pedagogjiken e Elbasanit (1947).

trifon Xhagjika

Në vitin 1951 filloi punë si shef redaksie në revistën “Pionieri”. Më 1954 mbaroi Shkollën e Bashkuar në degën Artileri Kundërajrore. Ka punuar në Degën e Rregulloreve në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjatë viteve që shërbeu si oficer, Trifon Xhagjika ka botuar cikle me poezi në shtypin e kohës, në revistën “Nëntori”, “Letrari i ri”, “Zëri i Rinisë” etj. Më 1959 boton librin e tij të parë “Gjurmët”. Trifon Xhagjika “rebeloi” shumë shpejt, sepse donte lirinë dhe poezinë.

Fillon të bjerë në konflikt të hapur me regjimin diktatorial dhe më 6 dhjetor 1963, dënohet për tradhëti, vepra terroriste dhe agjitacion e propagandë. Gjyqi e dënoi me vdekje, ndërsa Trifoni në sallë recitoi poezinë e tij “Atdheu është lakuriq”. Trifon Xhagjikën e pushkatuan më 23 dhjetor 1962, në moshën 31-vjeçare. Ai tregoi qëndrimin dinjitoz në sallën e gjyqit, “ku shpërtheu i rebeluar “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!” Kjo ishte dëshira e fundit e Trifon Xhagjikës përpara inkuizitorëve.” Edhe pse kanë kaluar 61 vjet nga ekzekutimi i tij, edne nuk dihet se ku prehen eshtrat e tij dhe dorëshkrimet e blloqet me vjersha që i rrëmbeu Sigurimi i Shtetit…

Bashkë me familjen e tij u sistemua në qytetin e Tiranës në vitin 1941. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në repartin 3700 në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë.

Në këtë kohë bëri një kurs për Gazetari e Histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë. Qysh në vitet e para të punës bëhet i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë. Në vijim, transferohet nga reparti i artilerisë dhe filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”. Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikat me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Poezitë me ndjenjë dhe esetë filozofike janë krijimet më të arrira të tij. Në vitin 1959, botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari, e cila do të kristalizohej më vonë në një disidencë të hapur.

Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit. Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua. Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”. Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij. Ndërkaq, familjarët dhe miqtë e poetit të martirizuar, ende nuk kanë rënë në gjurmët e krijimeve që i rrëmbeu Sigurimi në kohën e arrestimit. Në Muzeun Historik Kombëtar janë të ekspozuara katër dorëshkrime origjinale të tij. Mbas rënies së diktaturës janë botuar librat e tij “Atdheu është lakuriq” (1994) si dhe një përmbledhje me poezi (2002).

Gjithashtu, Trifon Xhagjika ka lënë në dorëshkrim librin “Stina mendimi”. Muzeu Historik Kombëtar e konsideron poetin e pushkatuar, Trifon Xhagjika, si një meteor drite në poezinë shqipe. Në vitin 1994, Trifon Xhagjika u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me motivacionin: “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”. Kohët e fundit në fshatin e tij të lindjes, në Peshtan të Tepelenës është vendosur një bust në kujtim të veprës dhe jetës së tij.

ATDHEU ËSHTË LAKURIQ!

…E pashë Atdheun lakuriq, (vetëm pa miq e shokë)

mundohej të këpusë një degë dafinë nga lavdia e shekujve.

Atdheun e dija të uritur! Por sa i vogël qenka!

As një degë nuk e këpuste dot.

E mora për dore ta rrit në zemrën time…

VëllezërPo e kërkuat Atdheun, e kam unë.

Ndihmomëni të qesh. Ndihmomëni të gëzoj.

Atdheu është lakuriq!

1963

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura