Shpërthimi në Lushnje/ Balla: Në eskavator ka qenë edhe djali i viktimës i cili është nisur drejt Traumës. Deputeti ka marrë një plagë dhe…

Mar 1, 2024 | 18:02
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar  në lidhje me shpërthimin e fuqishëm të ndodhur në Lushnje, që shkaktoi një viktimë dhe nëntë të plagosur, mes tyre edhe deputeti i PS, Bujar Çela.

Balla shprehet se dyshohet se shpërthimi ka ndodhur për shkak të kontakti që ka pasur eskavatori  me  linjën e tensionit të lartë, ku për pasojë ka shpërthyer mjeti.

Manovratori, Landi Hoxha ka ndërruar jetë në vend, ndërsa me të ka qenë edhe djali i tij i cili është lënduar rëndë dhe është dërguar drejt Spitalit të Traumës.

Deputeti Çela, sipas ministrit ka marrë një plagë e cila është izoluar në spitalin e Lushnjes dhe më pas është nisur drejt Traumës për nje trajtim më të specializuar.

Balla: Në zonën industriale të Lushnjës, pranë një kompleksi  magazinash, ka ndodhur një shpërthim, i shkaktuar ndoshta për shkak të kontaktit me linjën e tensionit të lartë.

Si pasojë e këtij kontaktit, ka shpërthyer një mjet eskavator. Për pasojë ka humbur jetën manovratori i këtij mjeti, është plagosur rëndë një tjetër person i gjendur pranë, brenda mjetit, i cili dyshohet të jetë i biri i viktimës, i cili është nisur drejt Tiranë.

Po ashtu në atë zonë, bashkë me personat e tjerë të plagosur është gjendur edhe deputeti Bujar Cela, i cili ka marrë një plagë për shkak të shpërthimit. Por mund t’ju them që plaga është izoluar dhe është nisur drejt Traumës.

Në total janë 3 persona që janë nisur drejt Traumës. Ndihma e parë e dhënë këtu ka qenë kyçe.

Policia po kryen hetimet për të evidentuar rrethanat dhe shkaqet.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura