“Shpenzimet e fushatës sollën zhvlerësimin e euros”- Ekspertja e ekonomisë në Panorama TV: Qeveria të mos ndërmarrë reforma vetëm për administratën, biznesi ka nevojë për mbështetje

May 23, 2023 | 18:12
SHPËRNDAJE

Ekspertja e ekonomisë, Eriola Hoxha, është shprehur se zhvlerësimi i monedhës europiane (Euro) përballë lekut gjatë muajit prill, erdhi si pasojë e shpezimeve të fushatës elektorale.

Komentet Hoxha i bëri gjatë një interviste në Panorama TV, ku foli edhe për vendimin e qeverisë për rritjen e pagave.

Hoxha tha se qeveria nuk duhet të ndërmarrë reforma vetëm për administratën apo për një pjesë të popullsisë, pasi sipas saj, biznesi në Shqipëri ka nevojë për mbështetje.

Ajo shtoi se shumë biznese po shkojnë drejt mbylljes, pasi nuk kanë mbështetje financiare dhe subvensione nga qeveria.

“Ndikimi kryesor dhe që është e bardhë në të zezë është rritja e çmimeve. Të gjithë jemi familjarë dhe nuk janë vetëm ushqimet ato që mund të ndikojnë. Vazhdojnë të ndikojnë çmimet e disa produkteve që megjithë lehtësimet e zinxhirëve furnizues që vijnë nga Europa, këtu çmimet nuk po ulen. Kjo ndikon në uljen e konsumit. Me reformën e qeverisë për pagat, duhet të ketë edhe ulje çmimesh, për të ndërtuar një standart më të mirë jetese. Për shkak të mungesës së konkurrencës nuk duhet të bëjmë tregun abuziv.

Lufta e monedhave, ku ka një nënçmim të euros dhe një mbiçmim të lekut ka dy vite që po ndodh. Ka pasur dy pika kulmore, një në dhjetor dhe 2 pika të tjera në prill. Një arsye janë shpenzimet e fushatës. U duk si një fushatë e lirë, por sidoqoftë ka pasur kostot e veta, pasi politika e ka propagandën të përfshirë duam apo nuk duam ne. Të gjitha vlerësimet dhe zhvlerësimet e euros kanë të bëjnë me shpezimet që kanë bërë kandidatët e të gjitha partive politike gjatë fushatës.

Ne e kemi thënë disa herë, që qeveria shqiptare biznesin të mos e shohë si konkurrencë. Duhet vendosur jo vetëm paralelisht me institucionet shtetërore, por duhet vendosur parësor biznesi. Biznesi ka nevojë patjetër, sidomos në kohë krizash, për mbështetjen e qeverisë.

Duke u marrë gjatë gjithë kohës vetëm më një kategori të caktuar dhe duke lënë mënjanë biznesin, mund të çojmë në mbylljen e bizneseve. Biznesit nuk i është kushtuar shumë vëmendje. Të mos ndërmerren reforma vetëm për administratën shtetërore, apo një pjesë të caktuar të popullsisë shqiptare. Edhe biznesi i vogël ka disa cikle. Unë bizneset nuk i ndaj, janë të tre të rëndësishëm, si i madhi, i mesmi dhe i vogli”, u shpreh Hoxha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura