Shkullaku për shembjen me tritol të “Prestige Resort”: Akt terrorist me prapavijë politike! Pasohet nga sulmi me armë ndaj TCH, situatë e ngjashme si në vitet 80’ në Siçili

Mar 27, 2023 | 21:29
SHPËRNDAJE

Analisti Armand Shkullaku e ka konsideruar një akt terrorist shembjen me tritol ndaj “Prestige Resort” për shkak të linjës editoriale të mediave të “Focus Media Group”. Sipas tij, kjo ngjarje u bë një precedent edhe për sulmin ndaj Top Channel ku mbeti i vrarë roja i sigurisë, Pal Kola.

armandshkullaku

I ftuar në “Syri TV”, Shkullaku deklaroi se kur shteti arrin të cënojë median kaq lirisht, atëherë edhe banditët e kanë më të lehtë për të sulmuar median.

Është një akt i rëndë që na prek të gjithëve, por ketë e shikoj në një kontekst të lirisë së shtypit në Shqipëri. Nuk është rastësi që Shqipëria është e fundit në Europë përsa i përket lirisë së medias. Nuk është rastësi që në çdo raport, si ai i fundit i Departamentit të Shtetit, apo qoftë ato raport progresi i BE, problemi kryesor mbetet liria e shtypit.

Nuk është rastësi që edhe kryeministri në ato vizitat që bën, nga Londra në Berlin, një nga pyetjet kryesore është liria e shtypit. Kjo nuk bëhet sa për të kaluar radhën, por ka pasur sinjale të forta që kjo liri nuk ka qenë në Shqipëri.

Përsa i përket sulmit ndaj TCH, për mua është një akt terrorist, që këtë radhë e kanë kryer disa banditë me kallashnikov. Është një akt terrorist që pason një tjetër akt terrorist, shtetëror. Pra nëse botuesit të një mediaje, qeveria i vendos tritol në një ditë pushimi, pa pyetur, ligjin, gjykata, pa pritur një vendim që të sqarojë ligjshmërinë e veprimit të saj, qeveria të vendos tritol.

Pra kur një media qenka kaq e cenueshme kaq kollaj, atëherë pse jo edhe bandidët mund të veprojnë njësoj. Unë e kam thënë edhe këtu, që vendosja e tritolit ka qenë një akt terrorist, me prapavijë të qartë politike, se kush guxon të dalë nga rreshti e pret ky fakt.

Unë e shikoj të ngjashme me situatën në Siçili, në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90, ku e vetmja gjë që rregullonte marrëdhniet mes biznesit, politikës, medias dhe mafias, ka qenë gjuha e dhunës, nuk ka qenë ligji. Edhe këtu ndodh e njëjta gjë. Mediat dhe gazetarët sulmohen në një vend ku ligjin e bën mafia’, tha Shkullaku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura