Shkarkimi i kryetarëve, sot votohet në katër komunat në veri të Kosovës

Apr 21, 2024 | 7:32
SHPËRNDAJE

Qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës, do të votojnë sot nëse duan t’i shkarkojnë kryetarët aktualë komunalë. 

 VERI I KOSOVES

Qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan do të hapen nga ora 7 e mëngjesit.

Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkotim të këtij votimi.

Kryetarët shqiptarë të Zveçanit, Zubin-Potokut, Leposaviqit e Mitrovicës së Veriut i morën mandatet në prill të vitit të shkuar nëpërmjet zgjedhjeve që po ashtu janë bojkotuar nga serbët, me thirrjen nga Lista Serbe.

Për t’i shkarkuar kryetarët duhet votuar 50 për qind plus një votues, që procesi të rezultojë i suksesshëm dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në votimin e së dielës, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zveçanit e Zubin-Potokut do të kenë mundësi që të vendosin nëse duan që komunat e tyre të drejtohen nga kryetarët aktualë apo jo.
Në rast se dështon ky votim, atëherëdo të humb për një vit mundësia që të ushtrohet një peticion i tillë.

Vitin e ardhshëm është paraparë të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.

Erden Atiç është kryetar i Mitrovicës së Veriut, Ilir Peci i Zveçanit, Lulzim Hetemi i Leposaviçit dhe Izmir Zeqiri i Zubin-Potokut.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura