Shënime për librin “Kur qau Niçja/ Si e mundi filozofi gjerman Fridrih Niçe dëshpërimin vetëvrasës

Aug 21, 2023 | 10:15
SHPËRNDAJE

SEJDO HARKANGA SEJDO HARKA

Shfleton bestsellerin “Kur qau Niçja”, shkruar nga profesori i psikologjisë dhe tregimtari i njohur amerikan Irvin D. Yalom, dhe mbushesh plot ankth, aq sa të duket sikur të merret fryma. Është dëshpërimi dhe mjegullnaja, që lë pas lufta e egër mes jetës dhe vdekjes, mes dashurisë dhe urrejtjes, mes lirisë dhe skllavërisë shpirtërore dhe mes miqësisë së vërtetë e asaj të rreme.

Edhe pse ngjarjet e kësaj novele merren nga shekulli XIX, ato mbeten aktuale për çdo kohë dhe vend. Ishte koha kur në Vjenë, një dramë dashurie, fati dhe vullneti do të trondiste mendjen e intelektualëve më të zëshëm të botës. Ata janë Zhozef Brojeri, themeluesi i psikanalizës dhe filozofi Fridrih Niçe.

Po, kush ishte Niçja i vërtetë, mbi historinë e jetës së të cilit narratori amerikan I. Yalom do të ndërtojë figurën artistike të protagonistit të novelës së tij më të famshme, “Kur qante Niçja”: Ai ishte një nga filozofët më të mëdhenj gjermanë të shekullit XIX. Lindi më 15 tetor të vitit 1844, në një familje protestante. Në moshën e adoleshencës, ai ishte një nxënës tepër kureshtar dhe i shkëlqyer në mësime. Studimet e larta i mbaroi në Universitetin e Lajpcigut për filozofi. Punën e nisi në moshën 24-vjeçare, në universitetin e Bazelit. Librin e parë, me titullin “Lindja e tragjedisë”, e botoi në vitin 1872, me të cilin do të niste udha e dhjetëra librave të tjerë, shumë prej të cilëve, sot flasin edhe në gjuhën shqipe. Në moshën e rinisë, Niçja do të dashurohet marrëzisht me Salomenë, e cila e refuzoi për martesë. Ai ishte kritik i ashpër i besimit fetar, idealizmit gjerman, feminizmit dhe modernizmit. Esenca e ekzistencës njerëzore, për Niçen, është “Vullneti për fuqi”. Ishte kundër antisemitizmit dhe dënimit me vdekje. Në janar të vitit 1889, ai pësoi krizën e parë nervore, duke u vetëquajtur Krisht. Dy vitet e fundit të jetës, ai i kaloi në errësirë mendore, deri sa vdiq në Vajmir, më 25 gusht të vitit 1900.

Udhëtimi i tij, si protagonist i këtij bestselleri, nis me dëshpërimin e tij vetëvrasës, i pazoti të gjejë një kurë për shërimin e sëmundjeve që e lëndonin. Kur Brojeri vendos të trajtojë Niçen me kurën eksperimentale të të folurit, nuk tregon se edhe ai vetë e gjente ngushëllimin në seancat e trajtimit të mikut të tij. Përmes trillit të novelës “Kur qante Niçja”, autori, përveç ankthit dhe frikës vetëvrasëse, shpalos edhe histori të paharruara për forcën e miqësisë dhe të qenit vetvetja. Kur ky bestseller doli në qarkullim, u vlerësua me superlativa. -Kur lexon këtë libër, – theksonte San Francisko Chronicle, – ndjen një kënaqësi të madhe për filozofinë, psikoterapinë dhe përjetimet e thella të karaktereve ekscentrikë, si Niçja dhe Brojeri. Vend të dukshëm në këtë novelë zë gjenialiteti i përplasjes mes dy majave të filozofisë së kohës, F. Niçes dhe Z. Frojdit.

Para se të ndalemi te brendia dhe vlerat e kësaj novele psikanalitike, do të tregojmë, me pak fjalë, se kush është autori i këtij libri, sa artistik, aq dhe filozofiko-psikoterapik, Irvin D. Yalom: Ai lindi në Washington, në vitin 1931. Ka qenë profesor i psikoterapisë në Universitetin e Strandfordit. Krahas profesionit të tij, atë e ka shoqëruar tërë jetën edhe pasioni për artin dhe letërsinë. Ka shkruar shumë vëllime me tregime e novela, si ai me titullin “Kura e Shopenhaurit”. Yalom ka jetuar e punuar për një kohë të gjatë në Kalifoni. Krahas çmimeve të tjera, të marra brenda dhe jashtë vendit, me librin “Kur qau Niçja”, ai, nga Cmmonrvealth California, është nderuar me “Medaljen e Artë”, për novelën më të mirë të vitit 1933.

Dashuria e tradhtuar dhe dëshpërimi vetëvrasës i Niçes

Po le të rikthehemi tek ethet, që të ndjekin pas kur je duke shfletuar këtë bestseller, deri në faqet e tij të fundit. Në brendinë e këtij libri ndeshesh me jetën dhe vdekjen, me dashurinë dhe urrejtjen, me artin dhe shkencën, me pesimizmin dhe shpresën, me pabesinë dhe besën. Ajo që nis ta shthurë fillin e ngjarjeve të kësaj novele, është letra me bordurë argjendi, nëpërmjet së cilës Lu Salomeja i drejtohet Zhozef Brojerit, me këto fjalë të trishta: “E ardhmja e filozofisë gjermane ndodhet në fije të perit. Kam një mik, i cili është i dëshpëruar. Kam frikë se do të vrasë veten shumë shpejt. Vdekja e tij do të kishte pasoja, për ju dhe për kulturën europiane. Ky është Fridrih Niçe, tha ajo. Në këto çaste, Brojeri, i tronditur, sjell ndërmend personalitetin e tij të lartë. Ai ishte, jo vetëm një njeri i çiltër, por dhe një profesionist i rrallë. Ishte mjeku personal i shkencëtarëve, artistëve dhe filozofëve të mëdhenj të botës. Sapo e mori vesh, Brojeri i shkroi Niçes këto fjalë: “Nëse jeni vërtet i dëshpëruar, pranojeni ndihmën dhe miqësinë time”. Ishte koha kur Niçja, i vizituar nga 24 mjekët më të mirë të kohës, kishte humbur shpresat për jetën. Kishte braktisur miqtë dhe profesoratin, duke u tjetërsuar në një endacak, në kërkim të lehtësimit të dhembjeve të kokës. Brojeri, edhe pse e kupton, se qetësimi i Niçes është i vështirë, pranon që ta vizitojë atë. Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë me Fridrih Niçen!? Ai kishte rënë në dëshpërim të thellë. Dhe shkaktarë të këtij dëshpërimi të rëndë paskëshin qenë gratë, por veçanërisht Lu Salomeja. Ajo ishte një grua me bukuri të rrallë, me buzë sensuale dhe flokë ngjyrë platini, me të cilën Niçja kishte rënë në dashuri. Por, për shkak të lirisë së saj të pakufishme në dashuri, Niçja kishte rënë në dëshpërim të thellë. Për Lu Salomenë, ishte dëshpërimi, dhe jo trupi i Niçes, që duhej shëruar. Ndërsa Brojeri mendon se, e vetmja gjë që duhet bërë me pacientin Niçe, ishte terapia e të folurit, si e vetmja rrugë që do ta ndihmonte atë të shplekste mendimet e ngatërruara në kokën e tij. Dëshpërimi i Niçes nuk ishte simptomë mjekësore. Ai kishte natyrë ideo-emocionale. Vështirësia më e madhe e punës për shërimin e tij, ishte fakti se, ai nuk pranonte bashkëpunim. Shërimi i kësaj sëmundjeje ishte një pamundësi e shkencës mjekësore. Ky shërim, thotë Brojeri, bëhet akoma më i pamundur, për faktin se Niçja është një tip tepër i ndjeshëm ndaj pushtetit vetjak. Për të, askush nuk dëshiron të ndihmojë tjetrin. Të gjithë njerëzit mendojnë vetëm për të fuqizuar pushtetin e tyre. Kur unë, tregon Niçja, nga dobësia ua dorëzova pushtetin vetjak të tjerëve, u ndjeva i fyer dhe plotësisht dëshpëruar. Ishte lidhja pa kuptim me Salomenë, që ia shkaktoi këtë dëshpërim të thellë. Ja si e tregon Lu Salomeja këtë lidhje të çuditshme: “Unë e pëlqeva menjëherë Niçen, edhe pse nga ana fizike nuk ishte imponues. Ai kishte sy të patrembur, që depërtonte më tepër në brendësi, sesa në sipërfaqe. Shumë shpejt, unë, Poli dhe Niçja, shpjegon ajo, vendosëm të bashkëjetonim në një treshe. Niçja u trondit thellë nga kjo lloj bashkëjetese, sepse ai dëshironte një lidhje ideale, e shoqëruar nga një dashuri pasionante. Kjo e bëri atë të dëshpërohej thellë. Ky ishte shkaku që Niçja të ndiqte me një vështrim kërkues, të zhytur thellë në mendime”. Ndaj Brojeri mendon t’i hyjë rrugës së mundimshme të bindjes së Fridrih Niçes për bashkëpunimin me të, si e vetmja rrugë për largimin e hijes vetëvrasëse, e cila e ndiqte atë si një qen i tërbuar. Hapi i parë i rëndësishëm, për Brojerin, do të ishte realizimi i bashkëpunimit me këtë pacient të çuditshëm. Duke e trajtuar atë si një mik, që i trondiste i njëjti shqetësim, ai mendonte se nëpërmjet bisedës dhe debatit të përbashkët, do të shëronte jo vetëm pacientin e tij, por edhe vetveten. Pas disa pyetjesh që Brojeri nisi t’i bënte pacientit të tij, Niçja filloi t’u përgjigjej me seriozitetin e duhur: -Kam punuar si profesor i filologjisë në Bazel. Por tre vite më parë m’u desh të hiqja dorë nga profesorati im, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, që ma ka errësuar perspektivën- përfundoi ai.(60) Nga mënyra se si ai tregonte, Brojeri kuptoi se Niçja nuk mund të bindej me lajka e lutje. Ishte çuditur me kompleksitetin e sëmundjes së tij. Ai tregoi se çdo ditë përjetonte dhimbje paralizuese të kokës dhe marrje mëndsh. Mungesë ekuilibri, prerje barku, lodhje dhe mjegullim të syve, ndjeshmëri të lartë ndaj dritës, luhatje humori, etj. Megjithatë, thekson ai, sëmundja ime i takon trupit tim, por jo mua. Niçja ende nuk e pranonte, se vuante nga dëshpërimi vetëvrasës, gjë që e shpreh me fjalët: “E kam një arsye 10-vjeçare për të jetuar, një mision. Jam shtatzënë me libra në kokë, të cilat vetëm unë mund t’i sjell ato në jetë”(73). Megjithatë, Brojeri, përtej mendimit të thellë të Niçes, kishte parë lotët e tij të dëshpërimit. Tradhtitë, deklaronte ai, shpesh më kanë shoqëruar tërë jetën këmba-këmbës. Kjo shprehje, thotë Brojeri, tregon se Niçja ishte dëshpëruar për shkak të marrëdhënieve të tij pitagoriane me Lui Salomenë dhe Pol Renë. Sjellja bashkëpunuese e Brojerit e bëri Niçen që t’i drejtojë atij pyetje të tilla interesante: -A do të verbohem? -A vuaj nga ndonjë sëmundje e pashërueshme truri, e cila do të më vriste, ashtu siç vrau tim at? Por, mediton Brojeri, problemi shtrohet se, a është e drejtë ta ndajmë me pacientin çdo gjë që konstatojmë?! Prandaj, për të, pyetjet më të rëndësishme janë ato, që nuk duhet të bëhen. Ndërsa për Niçen, njerëzve u duhet dhënë një mesazh i fortë, se jeta dhe vdekja janë të ashpra. E vërteta vjen përmes mosbesimit dhe skepticizmit, dhe jo përmes dëshirave e fëmijënore. Një nga mendimet e tij më të qëndrueshme është: “Bëhu ai që je”!. Zgjidhja më e drejtë, për të ishte e vërteta. Nëse njeriu e mëson të vërtetën se do të vdesë shpejt, do të vendosë vetë edhe për mënyrën se si do të vdesë. Ndërsa shpresa, që predikon Brojeri, thotë Niçja, është e keqja më e fundme. Ndërsa në librin e tij “Njerëzor, tepër njerëzor”, ai thekson se, kur Kutia e Pandorës u hap dhe të gjitha të këqijat që kishte mbyllur Zot morën arratinë në botën njerëzore, një e keqe e fundit mbeti brenda. Ajo ishte shpresa, e cila është e keqja e të gjitha të këqijave, sepse zgjat vuajtjen.(86). Pyetjes se, a do të ishte vetëvrasja një zgjidhje për të, Niçja i përgjigjet: “Sigurisht po. Mjekët nuk kanë të drejtë të privojnë njeriun nga vdekja. Këtë e kam shprehur edhe në librin Shkenca gazmore”. Të çuditshëm janë mendimet e pacientit Niçe për lirinë. Sipas tij, që njeriu të ndihej i lirë, duhej të ishte pa shtëpi, pa rrogë, pa familje, pa rol e vend në shoqëri. Është e vërtetë se, disa thënie të Niçes ishin qesharake, që buronin nga hija e dëshpërimit, por fakti që e vinin Brojerin në mendime të thella, i jepnin atij mundësi për të kuptuar thelbin e dëshpërimit të Niçes.

Autori i këtij bestselleri, për të treguar rrugën e vërtetë të shërimit të Niçes, ndërton dialogun mes Frojdit dhe Brojerit. Për mua, thotë Frojdi, është stresi ai që e trondit Niçen. Por, të besosh se Niçja do t’i përulet autoritetit të mjekësisë, është naivitet. Në librin e tij “Shkenca gazmore”, virtytet e njeriut ai i kthen kokëposhtë. Njeriu, shkruan ai, është një cerber (qen mitologjik me 3 kokë). Prandaj, porosit Frojdi, edhe pse e dimë që Niçja është turbulluar nga hija e vetëvrasjes, nuk duhet t’ia themi atë kurrë. Kryesore është që të fitojmë besimin ndaj tij. Njeriu, për të zbuluar të vërtetën, duhet të njohë vetveten, dhe që ta bëjë këtë, duhet të shkëputet nga këndvështrimi i tij i zakonshëm.(108) Por, për Niçen, të zbulosh veten para të tjerëve, është preludi i tradhtisë. Dhe tradhtia e sëmur njeriun. Për Frojdin, çështja e stresit është e ardhmja e mjekësisë. Ndërsa Niçja është i bindur se vetëm mbështetja te vetvetja i kishte dhënë fuqi, si në fushën e krijimtarisë, ashtu edhe për kapërcimin e vështirësive në jetën e përditshme. Unë shkruaj me gjak, dhe e vërteta më e mirë është e vërteta e përgjakur, thekson ai. E gjithë përpjekja e Brojerit bëhet që ta përfshijë pacientin e tij në një terapi të suksesshme të të folurit. Shija e vdekjes në gojën time, tregon Niçja, më dha kurajë për të qenë vetvetja. Është sëmundja dhe fjalët tuaja, i thotë ai Brojerit, që po më bëjnë të fortë. Kjo forcë e ka burimin te shprehja e tij: “Bëhu ai që je në të vërtetë!”. Prej këtej buron sentenca filozofike tepër sinjifikative e Niçes: “Çdo gjë që nuk më vret, më bën më të fortë”(120). I goditur nga dëshpërimi i thellë, Niçja e shihte çdo gjë përmbys. Sëmundjen e quante bekim, të bardhën e shihte të zezë, ndërsa të mirën e quante të keqe. Syri i tij vështronte skutat pas shpinës, ndërsa mendja portat e fshehta. Për Brojerin, tashti kishte ardhur koha të çrrënjoste misterin nga shpirti i errët i Niçes. Detyra ime, thotë ai, është ta çlirojë atë nga stresi. Këtë dua dhe unë, tha Niçja. Për t’u çliruar nga stresi, kam hequr dorë nga mësimdhënia, nga prona, nga familja… Nuk kam detyrime ndaj askujt. Megjithatë, Niçja vazhdonte të mendonte se, ai që e mbante gjallë, ishte stresi.

Si e mundi Niçja dëshpërimin vetëvrasës

Tashmë ka ardhur koha që Zhozef Brojeri të përgatitet për zbatimin e planit të shërimit të Niçes. Për këtë, së pari mendon që Niçja të shtrohet në klinikën Lauzon të Vjenës, për një vëzhgim e trajtim një mujor. Por Niçja, i vrarë nga stresi i vetmisë, në fillim nuk e pranon këtë trajtim mjekësor. Ndërsa Brojeri, për ta bindur i rikujton atij fjalët e Frojdit: “Nëse duam të ndryshojmë sjelljet e një njeriu, duhet ta bëjmë atë, të fshijë nga koka e tij të gjitha bindjet, mitologjitë dhe zakonet e vjetra”. Ishte koha kur Niçja vazhdonte të kundërshtonte me forcë trajtimin e tij nga të tjerët, sepse nuk dëshironte, të bëhet subjekti i askujt. Ai, në radhë të parë, kërkon nga Brojeri t’i tregojë se cili është motivi që e shtyn të merret me trajtimin e tij. Për të, asnjë njeri nuk dëshiron të ndihmojë të tjerët pa një motiv dhe interes të caktuar. Atëherë, pyet Niçja Brojerin, cilët janë motivet e vërteta, që ju doni të më shërbeni. Në këto çaste, Brojerit mendja i shkon te bukuria magjepse e Lu Salomesë. Pikërisht kjo bukuri mahnitëse e kishte shtyrë në fillim Brojerin të ndihmonte mikun e tij, Niçen. Një motiv tjetër ishte edhe respekti i veçantë që Brojeri ushqente për Niçen, këtë personalitet të rrallë të filozofisë botërore. Ndërsa Niçja ende këmbëngulte te motivi egoist i njeriut në përgjithësi, ku fuste dhe Brojerin e veten, gjë që e shpreh përmes fjalëve: “Ju doni të më përdorni mua për realizimin e projektit tuaj”. Ky mendim i errët i Niçes buron nga humbja e besimit ndaj njeriut. Për atë, të gjithë njerëzit janë të këqij. Ndaj, çdo gjë që kryejnë, e bëjnë për egon personale. Ishte koha kur Niçja vinte në dyshim edhe reputacionin e vetes, gjë që e shpreh nëpërmjet fjalëve: “Ndonëse kujdesem për njerëzit e mi, unë nuk i dua ata. Më mungon kuraja të jetoj më tej. E vetmja gjë që më shkon në mendje është vetëvrasja”.(170)

Suksesi i Brojerit, më në fund, kishte nisur rrugën e mbarë. Niçja kishte filluar të tregonte gjithçka për dëshpërimin e tij. Në procesin e këtij kurimi Brojeri ka përfshirë edhe veten. Edhe pse Niçja vazhdon të ngulë këmbë te të mirat që i sjell vetmia e tij, Brojeri i drejtohet atij me këto fjalë: “Unë besoj që në shpirtin tuaj ekziston një pjesë e juaja, që ende me zor pret të jetojë me të tjerët”.(177) Brojeri, që të realizonte projektin e shërimit të Niçes, vendosi që emri e tij ta fshihte pas pseudonimit Ekart Myler, emër që i pëlqeu dhe vetë Niçes. Fat ishte edhe fakti që në këtë spitalë punonte si stazhier edhe Zihmud Frojdi. Ai e kishte quajtur grackë planin e Brojerit, i cili kishte menduar se ai do ta kuronte Niçen për migrenin, ndërsa Niçja do ta kuronte atë për depresionin. Me këtë plan Brojeri kërkon ta nxisë Niçen të flasë për dëshpërimin e tij. Ai dëshironte që Myleri të rrëfehej para tij si para një prifti. Por, për Frojdin kjo ishte një tradhti ndaj pacientit Myler. Ndërsa për Brojerin, ishte rruga më e drejtë për ta bërë pacientin të çlirojë të fshehtat e vetëdijes. Qëllimi im, thotë Brojeri, është ta bëj pacientin Myler të kërkojë ndihmë. Duke më treguar se si të kapërcej dëshpërimin tim me Bertën, unë do të di ta ndihmoj atë se si të kapërcejë dëshpërimin e tij me Lu Salomenë. Po, ç’mësoi Brojeri nga debati me Niçen: Ai kuptoi, se pacienti i tij Myler nuk dëshironte të tejkalonte veten. Kur ai ndjeu zërin që i fliste së brendshmi, “Bëhu vetvetja”, ra në dëshpërim të thellë. (235) Të vërtetat më të mira për të ishin të përgjakshme. Tashmë ishte i bindur se Niçja kishte fuqi të shëronte veten, nëse ai vetë do të gjente rrugën drejt fuqive të tij. Është koha kur Niçja kujton fjalët e mençura të Gëtes: “Bëhu burrë dhe mos ec më në hapat e mi”. Ky shënim si duket ka dalë nga shpirti i Gëtes kur kishte parë shumë djem, që ndiqnin pas gjurmët e djaloshit Verter për të kryer vetëvrasje. Kur Zhozefi, në rolin e pacientit të tronditur, i tregon Ekart Mylerit se vazhdonte të jetonte me të shkuarën, ose me një të ardhme të largët, që s’kishte për të ardhur kurrë, ai ia kthen: “Shqetësimi juaj shpejt a vonë, një ditë do të fiket. Unë kur rri zgjuar natën, i frikësuar nga vdekja, rikujtoj shprehjen e Lukrecit, ‘Aty ku është vdekja, nuk jam unë'”. Kjo është shprehja më e mirë për ta sfiduar vdekjen. Niçja tregon se Brojeri është aq i frikësuar, sa që i duket sikur dikush do ta kafshonte. Ai dëshiron lumturinë e vogël, dhe këtë e quan virtyt. Ujkun që ka brenda vetes e ka tjetërsuar në lepur, dhe këtë e quan moderim, kur në të vërtetë, kjo e ka emrin mediokritet.(261)

Interesant është dialogu mes Niçes dhe Brojerit. Nëpërmjet këtij dialogu, lexuesi njihet edhe me mendimet e Niçes për dashurinë. Ne, thotë Niçe, biem në dashuri më shumë me dëshirën tonë, sesa me dashurinë e vërtetë (273). Kjo shprehje tregon se Niçja ka nisur të vetëshërojë dëshpërimin e tij. Prandaj, thotë Brojer, unë nuk kam se çfarë t’i ofroj më atij. Ai ka shumë gjëra për të më ofruar mua. Tani e kuptova pse Niçja më tha se nuk i pëlqente gratë me kamxhik. Përmes seancave të kurimit të dëshpërimit reciprok të Niçes dhe Brojerit, me metodën e të folurit, lexuesi njihet jo vetëm me shkaqet, por dhe me rrugën e eliminimit të tij. Jemi në kohën kur pacienti Myler (Niçja) ka arritur në përfundimin se njeriu duhet të vdesë në kohën e duhur, sepse ajo e humbet shijen e tmerrit, kur njeriu e ka konsumuar jetën e tij. Por, kur njeriu e provokon vdekjen, pa e konsumuar atë, ka tradhtuar veten. Të dy bien në mendimin e përbashkët, se kanë qenë të mbytur në jetën e tyre. Unë, thekson Niçja, nuk kisha mundësi ta ndryshoja jetën time, sepse jeta ime ishte e pleksur me fijet e shumë njerëzve të tjerë. Për të, detyrat e përgjegjësitë ndaj të tjerëve janë skllavëri. Njeriu duhet të jetë plotësisht i lirë dhe jo pjesërisht. Edhe qentë, për liri të plotë ulërijnë. Martesa nuk duhet të jetë një burg. Është më mirë ta prishësh atë, sesa të thyhesh prej saj.(303) Ndaj, edhe Zhozef Bojeri, një ditë, i dëshpëruar nga mungesa e lirisë largohet nga bashkëshortja Matildë, fëmijët dhe shoqëria e tij. Në fund të fundit, thotë ai, njeriu, në radhë të parë, duhet të plotësojë detyrat ndaj vetes. Ndaj ai nis të kërkojë kuptimin e jetës së vetë. Tashmë ai nuk ndjente mall as për Bertën që e kishte turbulluar tërë jetën. Deri tani ai mendonte se kishte qenë ‘i burgosur’ nga bashkëshortja e tij, Matilda. Por erdhi koha që ai të pendohej për largimin nga ajo, duke u shprehur se armiku i tij i vërtetë nuk paskësh qenë Matilda, fëmijët dhe miqtë e tij, por dëshpërimi. Kjo ishte dhe sëmundja shpirtërore, që e kishte dërmuar edhe Fridrih Niçen. Fakti që Niçja kërkon të vrasë vetminë, tregon se ai është gati të vrasë dëshpërimin. Ai tashmë nis t’i tregojë lirshëm Brojerit historinë e dashurisë me Lu Salomenë, e cila e bëri të bjerë në dëshpërim të thellë. Salomeja, tregon ai, me dredhi më bëri të besoja se unë isha burri i përcaktuar nga fati i saj, por kur unë i ofrova veten, ajo më refuzoi. Ndaj, ai u trondit shumë. Çdo gjë ishte kthyer në hi. Lu Salomeja i kishte pushtuar mendjen. Asnjë orë nuk rrija dot pa e kujtuar atë, tregon Niçja, dhe lotët nisin t’i rridhnin lumë. Ky është rrëfimi e turpi im, deklaron Niçja, duke fshirë lotët e tij të nxehtë. Tani e kam radhën unë të rrëfehem, thotë Brojeri. Plani im, në fillim ishte të luaja rolin e pacientit bashkëpunues, por më pas u tjetërsova një pacient i vërtetë. Lu Salomeja më kishte magjepsur edhe mua, aq sa nuk mund ta refuzoja. Ajo martesën me një burrë e quante burg. Ishit ju të gjithë, përfundon Niçja, që më vratë dashurinë. E megjithatë, ne tashmë e kemi tejkaluar njeri-tjetrin. Tani jemi miq, thotë Niçja, duke vazhduar të derdhë lot dëshpërimi. Ishin lotët e dhimbjes që mbytën dëshpërimin vetëvrasës të tij. Kur Brojeri e ftoi Niçen të kalonin jetën bashkë, si dy miq të vërtetë, ky i fundit, i çliruar nga ankthi vetëvrasës, i përgjigjet me këto fjalë: “Fati im është të kërkoj të vërtetën deri në skajin më të largët të vetmisë”. Ky është mesazhi më i bukur, që buron nga shpirti i një filozofi të madh si Fridrih Niçe, i cili, për shkak të dashurisë së vrarë dhe lirisë vetjake të humbur, mbytet nga dëshpërimi vetëvrasës. Vetëm kur ai rinis rrugën e së vërtetës, për t’u bërë vetvetja, derdh lot gëzimi, me të cilët mbyt dëshpërimin vetëvrasës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura