Shën Tereza, nëna jonë që je në qiell …Lutu për ne!

Sep 5, 2023 | 19:01
SHPËRNDAJE

Frano-KulliFRANO KULLI

Shejnjta Mari, nëna e tenzot lutu për ne mëkatnorët (Santa Maria, madre di dio prega per noi peccatori)….kështu fillon njëra prej lutjeve më të përshpirtëshme të besimtarëve, në të gjithë botën katolike, një ritual i ri dhe i lashtë i tyre. Mëkatarët (e kush ndër të gjallët e kësaj bote nuk është mëkatar) i kërkojnë nënës së Hyjit, nënës së Zotit që të ndërmjetësojë tek i biri për të na i falur mëkatet. Atje lart, në botën e qiellit , tash e 17 vjet kemi edhe ne shqiptarët shejtneshen tonë, që lutet për ne…

Kurse tek shtatorja e saj në Shkodër, Leopold Shkreli, një besimtar fort i përshpitshëm e qytetar i përshembullt çon ditë për ditë një tubë lule të freskëta. Si një ndërlidhje e përshpirtëshme me botën e qiellit, por edhe si një mesazh paqe e mirësie për ne bashkëqytetarët e bashkëkombasit e Saj.

Sot (5 shtator) bëhen 26 vjet që Ajo është në jetën e pasosur të qiellit. Në të djeshmen e shtatë vjetëve më parë, më 4 shtator 2016, E lumja Nënë Tereza, e shpallur Shenjtënesha më e re e Kishës Katolike dhe e njerëzimit mbarë, u shfaq në Sheshin “San Pietro” në Romë, në dimensionin e Shenjtes së Dashurisë dhe Mëshirës.

Ajo erdhi në këtë ditë të lume si “dërgatë” e Kongregatës (Urdhrit) së Misionarëve të Bamirësisë. Një urdhër i krijuar prej saj dhe i miratuar prej Ipeshkvit të Kalkutës. Më pas, Urdhri miratohet edhe nga “Propagada Fide” në Romë dhe kështu ajo fiton “legalitetin” për të ndërtuar e perfeksionuar mbretërinë e saj të përshpirtshme të dashurisë dhe mëshirës në tokë. Në fillim e përgjithmonë në Kalkuta të Indisë.

Por edhe anembanë botës, me prezencën e saj. Në 123 shtete, rreth 750 shtëpi bamirësie, në të cilat gëlojnë më se 4000 motrat me uniformën bardhekaltër të kongregatës së bamirësisë. Pa shënuar këtu edhe shtëpitë e shërbesat e vëllezërve kontemplativë (soditës, kundrues).

Më pas, së bashku me Atë Sebastian Vazhakala, ka themeluar edhe “Misionarët Laikë të Dashurisë”, një lloj urdhri i Tretë i Misionarëve të Dashurisë. Bashkëpunimi ynë me të na ka sjellë edhe në shqip, pas botimit në shumë gjuhë të botës kroniken e përndritshme pranë Nënës së Lume… (Atë Sebastian Vazhakala M.C., “Jetë me Nënë Terezën, Miqësia ime tridhjetëvjeçare me nënën e të varfërve”, Enti Botues “Gjergj Fishta”, 2008)

“Atë Sebastiani, njëri nga 6 vetët që mbante arkëmortin me kurmin e Nënë Terezës, në ditën kur nisi pavdekësia e saj, më 4 shtator 1997, është njëherësh edhe mbartës i shumë kujtimeve të rëndësishme, përshkruar në kronikën e kësaj miqësie hyjnore në 30 vite jete pranë Nënë Terezës”, shkruan Visar Zhiti në parathënien e librit.

Më pas… Më pas, kështu deri në çastin që shkëputet prej botës së tokës drejt botës hyjnore të qiellit, pa u ndalur asnjëherë, në shërbesën e mëshirës për nevojtarët e gjithsojshëm e të gjithkund gjindshëm (kudondodhur). Ajo i apelon njerëzimit, sot e përgjithmonë, nevojën e përjetshme për më shumë dashuri ndërnjerëzore, për më shumë vëmendje prej të pasurve, për më të varfrit e të varfërve, për më shumë drejtësi prej atyre që kanë në dorë pushtet, për më shumë afri e mbështetje prej të fuqishmëve për të pafuqishmit, për më shumë buzëqeshje, si ilaç për dhimbjet.

-Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe … Se gjërat e mëdha i bën tjetërkush…- kjo ishte motoja e jetës shërbestare në tokë e Nënë Terezës.

Kur Nënë Tereza kishte fituar çmimin “Nobel të Paqes”, siç rrëfen Don Lushi Gjergji, dëshmitari fatlum i ngjarjes së madhe: më 10 dhjetor 1979, ora 9:30, në Oslo, i bën një vizitë mbretit Otavo V i Suedisë. Pas përshëndetjes dhe një bisede të shkurtë, Nënë Tereza e pyeti mbretin: “Madhëri, a do të jeni i pranishëm sot në ceremoninë e prezantimit të Çmimit Nobel?”.

– Unë do të vija me dëshirë, por unë jam gjithmonë në qendër të vëmendjes së njerëzve, prandaj nuk dua që edhe sot të ndodhë kjo. Sot është dita jote… Nuk dua që të jem në qendër të vëmendjes!, i përgjigjet mbreti.

-Madhëri! Mos ngurroni të vini, – i thotë Nënë Tereza, – në qendër të vëmendjes nuk do të jeni, as Ju e as unë. Aty ku është Zoti, nuk bie në sy mbreti!… Dhe për befasinë e të gjithëve, sidomos të organizatorëve pas shpjegimit të saj dhe ftesës, kështu të arsyetuar të saj, mbreti ishte i pranishëm në ceremoni.

Shenjtërimi i saj vjen pas lutjeve të pandërprera kurrë, asnjëherë, për asnjë çast të vetëm. Vjen gjithashtu pas veprave të përditshme e të përorëshme, duke ua kushtuar gjithçka të përshpirtshme të saj, të varfërve, të uriturve deri në pragvdekje, të pamundurve e të papërkrahurve.

11

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin qi Pagja e Tij të vijnë në zemrat tona, në gjithë familjet tona, në gjithë boten. Lutuni shumë për fukaratë e mij-dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve.
M.Teresa Bojaxhiu

Letra, siç shihet, është shkruar prej M. Teresa Bojaxhiu në Oslo me 10.12. ‘79 dhe i drejtohet një prifti të ri asokohe, bashkatdhetari i saj, i ardhur nga Kosova aty, don Lush Gjergji. Firmosur me mbiemrin e familjes, pohimi dëshmues autentik i shqiptarësisë së saj. Prej këtij rasti, po para këtij e përherë, ishte Don Lushi që e ruajti si pjesë të një testamenti biografik të saj dhe, me botimet e shumta të bëra ndër vite për Nënën, ai është ndërkohë biografi i parë më i mirë shqiptar i Shenjtës sonë…

Sipas ritualit kanonik, shenjtërimi i saj vjen pas shpalljes E lume njëzet vjet më parë, (2003) si mrekullibërëse, si shëruesja e një gruaje indiane të sëmurë me sëmundje të pashërueshme. Me vargun e paprerë të lutjeve, me shpirtin dhe me duart e saj të imta.

Aty, në sheshin “San Pietro”, asohere ishim edhe ne bashkëkombës të saj, shqiptarë të ngadoardhur. Dhe u ndjemë ngrohtë, shumë ngrohtë nën mbulojën e shenjtërisë së saj. Si edhe të tjerët, natyrisht. Patetika nuk vlen, heshtja më shumë. Dhe lutjet e saj për ne. Shenjtja jonë Terezë, lutu për ne mëkatarët, lutu për dashurinë e acaruar mes nesh, lutu dhe kërko mëshirë për të shtypurit nën pabarazinë.

E ne lutemi për Ty – Shenjtnesha jonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura