Sfidat e ardhshme të shoqërisë dhe besimi te shkenca

Apr 3, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

Albert Myrta

NGA PROF. DR. ARBEN MYRTA 

Aktualisht po përballemi me disa sfida të mprehta, që janë me shumë rëndësi për të ardhmen tonë, siç janë ndryshimet klimatike, mbrojtja e biodiversitetit apo siguria ushqimore, ndërkohë që kapërcimi i tyre do të varet shumë nga besimi i shoqërisë sonë te shkenca. Por këto sfida madhore, me temë kryesisht mjedisin dhe bujqësinë, po ndeshen gjithashtu edhe me një rritje të mosbesimit të publikut të gjerë për shkencën dhe inovacionet teknologjike, gjë që e bën gjithnjë më të vështirë gjetjen e zgjidhjeve afatgjate për to.

Ndërkohë që shkencëtarët përpiqen të zbulojnë fakte të reja shkencore, të realizojnë inovacione teknologjike dhe të japin rrugëdalje konkrete për shpëtimin e situatës së komplikuar, ata ndeshen shpesh me hezitimin apo refuzimin e rezultateve të tyre shkencore ose teknologjike nga shoqëria e gjerë. Ky paradoks ndodh për arsye se shpesh faktet dhe detajet shkencore nuk kuptohen mjaftueshëm nga të gjithë, por edhe për rritjen graduale të mosbesimit te shkenca në përgjithësi. Kjo duket në pamje të parë e çuditshme, duke konsideruar burimet e shumta të informacionit shkencor që disponojmë sot, por jemi të gjithë dëshmitarë edhe të konfuzionit që krijohet me shumë botime apo postime të paverifikuara, më shpesh në rrjetet sociale.

Arsyet e këtij mosbesimi mund të jenë të shumta, por është i sigurt fakti që ky fenomen ka marrë zhvillim të madh, sidomos pas pandemisë COVID-19. Një studim i fundit i projektit PSYDISK, i financuar nga BE, evidenton faktin se personat me tendenca spiritualiteti (jo fetar) besojnë më pak shkencën, gjithashtu më pak të lidhur me shkencën janë edhe ata që ndjekin besimet fetare, ndërkohë që ideologjitë politike duket që nuk influencojnë në këtë rast. Këto rezultate është e rëndësishme të monitorohen edhe në ardhmen në Europë, ku dihet që ndikimi i fesë është në rënie të vazhdueshme, ndërkohë që lëvizjet spirituale janë një fenomen shoqëror në rritje.

Ne të gjithë vijmë nga një eksperiencë e gjatë pandemie, që sprovoi shoqërinë e sotme dhe ekonominë globale duke evidentuar dhe rritur të gjitha dobësitë tona, përfshirë këtu mosbesimin tek shkenca. U arrit deri në fenomenin e përhapur të mohimit të realitetit shkencor në format më ekstreme që rrezikuan jetën e njerëzve duke injoruar mjekësinë humane. Shembuj të ngjashëm nuk mungojnë edhe në mospranimin e ndryshimeve klimatike dhe ndikimit në to të veprimtarisë njerëzore, me gjithë faktet shkencore të pamohueshme në favor të kësaj teze shkencore.

Jemi të gjithë dëshmitarë për të dhënat e pakontestueshme lidhur me përqendrimet e larta të CO2 të arritura në atmosferë në periudhën e shoqërisë industriale. Psh., nëse në vitet para pandemisë COVID-19 kishim një rritje mesatare të CO2 në atmosferë me afro 1 Gigaton më shumë nga viti i mëparshëm, në vitin e parë të pandemisë, me bllokimin apo reduktimin e madh të aktiviteteve prodhuese në nivel global, sasia e CO2 pësoi një rënie drastike me vitin para pandemisë me afro 2 Gigaton (The World Carbon Project). Gjatë këtyre 150 viteve të fundit kemi një rritje të vazhdueshme të temperaturës (viti 2023 ishte viti më i nxehtë i regjistruar deri më sot), vazhdon pandalshmërisht shkrirja e akullnajave në polet e rruzullit dhe në majat e maleve më të lartë në problemet që ato sjellin me vete për rezervat ujore (një kuriozitet me reflekse historike: në malet e lartë të Dolomiteve në Italinë e Veriut nga shkrirja e akujve të përjetshëm po dalin kufomat e ushtarëve të vrarë në Luftën e Pare Botërore midis Italisë dhe Austrisë, të cilat kishin mbetur të mbuluara nën dëborë për mëse 100 vjet).

Por veç temperaturave të larta, kemi një frekuencë më të shpeshtë të thatësirave gjithnjë më të zgjatura, reshjeve të vrullshme dhe përmbytjeve që i pasojnë, stuhive paprecedenta breshëri etj.. Këto fenomene klimatike ekstreme po bëhen gradualisht të zakonshme çdo vit në vendet e BE, të pasuara me humbje në jetë njerëzish dhe dëme të pallogaritshme ekonomike. Por kjo situatë, tashmë e vështirë për bujqësinë dhe jo vetëm atë, mund të përkeqësohet akoma më tej dhe këto ndryshime klimatike mund të çojnë në probleme dhe situata të skajshme për njerëzit dhe ekosistemet ku ata jetojnë, nëse vazhdojmë të mohojmë ekzistencën e tyre dhe të mos marrim masat e duhura. Edhe pse sot ‘negacionistët’ (apo mohuesit) e ndryshimeve klimatike janë më të paktë në numër se disa vite më pare, këto zëra kontestues të shkencës janë akoma problematikë nga kontaktet që kanë me mediat e ndryshme që amplifikojnë zërin e tyre apo dhe me lidhjet e tyre me zyrat apo mjediset ku merren vendimet për politikat mjedisore.

Me kalimin e kohës, falë fakteve të vazhdueshme shkencore, edhe kundërshtarët më të vendosur të ndryshimeve klimatike kanë ndryshuar disi strategjinë e tyre nga një mohim i plotë i tyre më parë, tani në vënien në diskutim të përmasave të tyre dhe të përgjegjësisë së veprimtarisë njerëzore në to. Por grupet kundërshtuese të shkencës dhe teoritë komplotiste nuk merren vetëm me klimën, ato i ndeshim edhe në bujqësi. Kemi akoma të freskët rastin e sëmundjes shumë dëmprurëse të “tharjes së shpejtë të ullirit”, të shkaktuar nga bakteri Xylella fastidiosa, e cila u përhap shumë shpejt në ullishtat e rajonit të Puljes në Itali.

Me zbulimin dhe identifikimin e këtij bakteri në ullinj për herë të parë në botë, grupime të ndryshme të shoqërisë së atjeshme iu kundërvunë hapur fakteve dhe opinionit shkencor të institucioneve lokale, duke arritur edhe t’i akuzonin ato me teori komplotiste, duke arritur dhe kulmin kur punonjësit shkencorë me reputacion ndërkombëtar u morën edhe nën hetim. Kjo situatë pa precedent kundra shkencës, të paktën në BE, gjeti për fat të keq mbështetje edhe në segmente të mediave vendore, në një kohë kur i gjithë opinioni shkencor ndërkombëtar (personalitete, shoqata apo revista të specializuara) i ishte mirënjohës kontributit shkencor të grupit puljez për këtë sëmundje të re të rrezikshme për mbrojtjen e bimëve në shkallë botërore.

Kjo klimë mosbesimi dhe “keqtrajtimi” nuk e dekurajoi grupin e kërkuesve puljezë që vijuan punën e tyre edhe në kushte të rënda shpirtërore (për këtë qëndrim prof. G.P. Martelli dhe Dr. D. Boscia u vlerësuan më vonë me çmimin ndërkombëtar “Kuraja dhe integritet në mbrojtje të shkencës” i dhënë nga shoqata “Sense about science” dhe revista e mirënjohur “Nature”. Por, klima e krijuar nga kontestimet antishken core solli vonesa në marrjen e masave urgjente për shkuljen e bimëve të sëmura dhe bllokimin e përhapjes së infeksionit. Si rezultat i këtij mosbesimi dhe kundërshtimi të hapur dhe të zgjatur ndaj informacioneve shkencore, sot numërohen në Pulja, nga të dhënat zyrtare të vetë rajonit, afro 21 milionë ullinj të sëmurë apo të tharë (afro 40% e sipërfaqes me ullinj) dhe rreth 20 miliardë euro dëm ekonomik deri tani për BE (studim i Universitetit Wageningen, Holandë).

Por pozicione mosbesimi në BE ndaj shkencës dhe fakteve që ajo vendos në dispozicion për publikun i gjejmë edhe në tema të tjera të ndjeshme, gjithnjë të lidhura me bujqësinë apo mjedisin. Vetëm disa javë më parë, në fjalën e tij para Komitetit të Mjedisit në Parlamentin Europian, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Europiane së Sigurisë Ushqimore (EFSA) pohoi se debatet e shumta për ushqimet e reja dhe pesticidet në BE kanë polarizuar shoqërinë, ndërkohë që ai këshillonte për të qenë më të saktë në faktet shkencore lidhur me çështje kaq të rëndësishme, duke përfshirë këtu edhe ndryshimet klimatike.

Skepticizmi i publikut të gjerë për shkencën buron edhe për faktin konkret se shkenca si e tillë pranon dyshimin dhe punon në prani të tij për të arritur të vërtetën. Pra, dyshimi është një forcë pozitive e metodës shkencore, ndërsa në politikë pranimi i tij shihet më shumë si dobësi. Ndërsa njerëzit e shkencës punojnë duke përdorur analizën racionale, shoqëria motivohet kryesisht nga pjesa emocionale e saj, që shpesh sheh me dyshim inovacionet, teknikat apo produktet e reja. Psh., këtë e ndeshim në rastin e përmirësimit gjenetik të bimëve me metoda jotradicionale apo edhe besueshmërinë e sigurisë ushqimore kur përdoren metoda të reja të mbrojtjes së bimëve. Për ata që nuk merren me shkencë, e panjohura rreth perimetrit të dijes (e cila pranohet nga shkenca) e bën shkencën jo të besueshme në sytë e tyre. Nëse shkenca rrëzon njohuritë e së kaluarës, që konsideroheshin të drejta deri vonë dhe i zëvendëson ato me të reja, ata bëjnë pyetjen përse duhet ta besojmë shkencën përsëri tani? Në të pranuarit e shkencës dhe nivelit të njohurive të saj për momentin duhet të pranohet një fare shkalle pasigurie, e cila është e lidhur me progresin e vetë shkencës, i cili është i vazhdueshëm dhe që ndryshon nga një rast konkret në tjetrin.

Politika nga ana e saj monitoron dhe përpiqet të përdorë emocionet e publikut të gjerë votues (kjo në kohën e rrjeteve sociale ka arritur në format e saj më të avancuara dhe pse jo të tepruara) ndërsa shkenca e vërtetë merret vetëm me faktet shkencore dhe jo me emocionet e shoqërisë. Shkencëtarët mund dhe duhet të informojnë politikëbërësit dhe publikun e gjerë lidhur me statusin e njohurive në një fushë të caktuar dhe se ku qëndrojnë zonat e panjohura të dijes akoma për ta. Edhe pse e vështirë të komunikohet, kjo e fundit është e domosdoshme të bëhet për të siguruar dhe ruajtur besueshmërinë në shkencë. Në vazhdimin e bisedës së mësipërme të drejtorit të EFSA me parlamentarët e BE, në një pjesë tjetër ai pohoi se inovacionet e ndryshme si produktet e mbrojtjes së bimëve (me rrezik të vogël), teknikat gjenomike të avancuara, aditivët e industrisë ushqimore dhe tematika e ushqimeve të reja etj. kanë nevojë të kalojnë analizën rrezikut para se të aprovohen për të qenë të sigurta. Por ndërkohë që kompanitë private avancojnë shpejt me inovacionet e tyre, agjencive publike si EFSA dhe të tjera, shpesh i mungojnë burimet njerëzore dhe financiare ta bëjnë të njëjtën gjë. Kjo sigurisht krijon një pengesë për futjen e produkteve të reja më shpejt në tregun e BE dhe në të njëjtën kohë krijon një imazh të tyre të deformuar te konsumatorët sepse kur nuk arrijnë shpejt në treg atyre u lind dyshimi se kanë probleme dhe për pasojë janë më të rezervuar ndaj inovacioneve agro-ushqimore.

Shkencëtarët dhe politika kanë gjithsesi përgjegjësi së bashku për të rikthyer besimin e shoqërisë te shkenca, pa të cilin do të ishte e vështirë të kapërceheshin sfidat e mëdha të kohës sonë. Shkencëtarët nga ana e tyre duhet të përmirësojnë komunikimin apo divulgimin e rezultateve shkencore, duke mos lënë në dorën e fatit dhe të tjerëve interpretimin e fakteve shkencore më të komplikuara. Nga ana e tyre, legjislatorët dhe politika në përgjithësi duhet të kenë besim të plotë te shkenca e mirëfilltë, tek ata që na këshillojnë për masat që duhet të marrim për të ndalur ndryshimet klimatike sa nuk është tepër vonë, për të mbrojtur biodiversitetin mbi tokë dhe në brendësi të saj, në mbrojtje të rezervave ujore dhe gjallesave në to, në garantimin e sigurisë sonë ushqimore, në zbatimin e një bujqësie të qëndrueshme duke mbrojtur edhe mjedisin, etj.. Në të gjitha këto tematika, sa të rëndësishme aq edhe të ndjeshme për opinionin publik, politika duhet të mbështesë shkencën me aprovimin dhe zbatimin e normave ligjore të nevojshme dhe me një përkrahje më të madhe për shkencën në publikun e gjerë.

Ekonomia globale e së nesërmes dhe miliona jetë njerëzish varen nga besimi në të ardhmen te shkenca dhe informacioni i saj. Edhe në Forumin Botëror të Ekonomisë 2024 në Davos (Zvicër) një studim për identifikimin e rreziqeve kryesore për ekonominë në të ardhmen evidentoi se rreziku kryesor afatshkurtër është dezinformimi, i thënë ndryshe ai informacion i pabazuar në të dhëna shkencore apo qëllimisht i përgatitur për arsye interesash. Kjo ndeshet shpesh në postimet sensacionale edhe të shoqatave mjedisore, të cilave duhet t’u njohim të gjitha kontributet në favor të mbrojtjes së mjedisit në vendet e BE, por që duhet të ulin tonin sensacional dhe të përdorin më shumë e më mirë të dhënat shkencore të verifikuara. Pra, duhet filluar pa humbur kohë të edukojmë më mirë me të dhëna shkencore të gjithë aktorët dhe grupet e interesit (fermerët, konsumatorët, politikanët, mediat, shoqatat jo qeveritare, etj.). Duhet forcuar ky edukim shkencor i shoqërisë sonë duke filluar ndoshta edhe nga fushata për zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian që do të mbahen në qershor të këtij viti dhe që mund të ishin një mundësi e mirë për të promovuar shkencën. Por këtu ndoshta ka pak vend për optimizëm, sepse politika ka treguar shpesh se nuk ka shumë predispozicion ose aftësi që të ndihmojë në këtë drejtim. Shpesh për arsye elektorale, ajo favorizon pozicionet e skajshme ideologjike në kërkim të votës.

Por në këto tema madhore kërkohet unitet dhe jo polarizim i shoqërisë, pasi asnjëra palë nuk ia del vetëm këtyre sfidave të mëdha. Nuk është herët që këto tema që trajtova më sipër të futen ose të përforcohen edhe në axhendën politike edhe në debatet në Shqipëri pasi jemi në kohë, përpara se ato të kërkohen më vonë me ngut nga BE.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura