Sezoni turistik/ Patrulla të policisë Rrugore kosovare vijnë në Shqipëri, Veliu: Kemi përgatitur…

Jun 18, 2021 | 14:48
SHPËRNDAJE

ardiveliu1

Në fillim të sezonit turistik veror, në Shqipëri do të vijnë patrulla të policisë së Kosovës, në mbështetje të Policisë Rrugore në vendin tonë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit me homologun e tij kosovar, Samedin Mehmeti në një takim të zhvilluar këtë të premte.

Veliu tha se numri i patrullave që do të vijnë nga vendi fqinj është simbolike por do të ndikojë bnë rritjen e sigurisë.

“Mirë se keni ardhur dhe ndihem shumë mirë, që pas vizitës që ne zhvilluam muajin e kaluar në Prishtinë, ju e gjetët kohën dhe mundësinë që t’i përgjigjeshit  edhe kërkesës tonë, që ne mbas një situate  jashtëzakonisht  të vështirë që Shqipëria dhe Kosova kaloi me pandeminë e COVID-19, gradualisht po i kthehemi realitetit ku të kontribuojmë jo vetëm për forcimin e rendit e sigurisë në dy vende, por dhe të ndikojmë pozitivisht në nxitjen dhe mbështetjen e zhvillimit që po i japim turizmit  në vendin tonë.

Në rastin konkret është firmosja, vazhdimi i traditës prej disa vitesh i firmosjes së memorandumit apo marrëveshjes së përbashkët në lidhje me ardhjen e patrullave policore të Policisë së Kosovës në mbështetje të strukturave të Policisë së Shqipërisë dhe më konkretisht në ato të Policisë Rrugore. Prezenca e Patrullave të Policisë së Kosovës ndoshta është pak simbolike përsa i përket numrit apo mjeteve, por mendoj që prezenca e shërbimeve tuaja së bashku me shërbimet tona jo vetëm që ndikojnë në rritjen e sigurisë, por ofrojnë dhe një ngrohtësi apo një vlerësim a ndjeshmëri të qytetarëve të Kosovës, në drejtim të bashkëpunimit me shërbimet e Policisë tonat dhe tuajat së bashku” – tha Veliu.

Për më tepër, Veliu tha se policia ka përgatitur fletëpalosje që do të vendosen në vendkalime për të udhëzuar qytetarët se kujt duhet t’i drejtohen në raste se kanë nevojë për shërbimin e policisë.

“Kemi përgatitur një kontingjent fletëpalosjesh të cilat do t’i vendosim dhe do t’i shpërndajmë në vendkalime duke bërë thirrje që qytetarët sa herë të kenë nevojë, në rast se do të jetë e nevojshme dhe duan prezencën e Policisë të dijnë se si të orientohen, ku të telefonojnë, çfarë numrash telefoni apo çfarë aplikacioni të përdorin dhe në rast se do të kenë nevojë që ne t’u përgjigjemi në kohën e parë” – tha Veliu.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se bashkëpunimi me autoritetet shqiptare sa vjen dhe forcohet duke iu referuar dhe operacionit të fundit të përbashkët ku u kapën 400 kg kokainë në vendin fqinj e cila vinte nga Durrësi.

“Natyrisht që bashkëpunimi jonë nuk është ngushtuar vetëm në fushën e trafikut, por edhe në fusha të tjera. Patëm një operacion jashtëzakonisht të mirë para disa ditëve, për çka shfrytëzoj rastin që edhe njëherë t’ju falënderoj juve dhe Policinë shqiptare, për punën jashtëzakonisht të mirë që e bënë në operacionin e konfiskimit të narkotikëve gjatë periudhës që lamë pas. Qe një operacion që rezultoi me një sukses të jashtëzakonshëm e që është çmuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë edhe besoj edhe nga gjithë të tjerët” – tha Mehmeti.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte dhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri Nait Hasani i cili u shpreh se bashkëpunimi në prag të sezonit turistik është i rëndësishëm.

 “Është e rëndësishme që të ketë siguri të përbashkët për qytetarët tanë që vijnë me pushime, është një ngarkesë shumë e madhe e trafikut këto ditë dhe po ashtu që të jemi bashkërisht në sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së tyre” – tha Hasani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura