“Së shpejti, shoku Enver Hoxha, do të dërgojë në vendin tënd, pantallonat”- Si u nevrikos Hurshovi kur pa Ramiz Alinë në mbledhje, incidenti në Traktatin e Varshavës

Nov 3, 2023 | 8:52
SHPËRNDAJE

-Arkivat ruse, zbardhet plani për pushtimin e Shqipërisë nga sovjetikët, në gusht 1962-

enver hoxha hrushovi

Sa shumë gjëra mbeten të panjohura! Sa shumë gjëra koha i varros me sukses për dekada me radhë! Sovjetikët, tërheqin në qershor 1961, nëndetëset dhe anijet nga baza ushtarake e Vlorës, por nuk e mbledhin dot më mendjen. E shohin veten të humbur, ndihen të acaruar, të pavlerësuar dhe përfundimisht hedhin në letër planin e pushtimit të Shqipërisë. Një plan ushtarak pushtimi, me sulm nga deti dhe toka.
Një pushtim që duhet të realizohej medoemos, para datës 1 shtator 1962. Një plan që refuzohet vetëm nga Rumania, por edhe nga Josip Broz Tito, në momentet e kurorëzimit. Por për fat, edhe një plan i mbetur në letër, për shkak të krizës së raketave në Kubë, një impenjim që duket kishte sfumuar planin për pushtimin e shtetit të pabindur shqiptar. Këto “xhevahire”, ruhen në arkivat sekrete të ushtrisë së ish-Bashkimit Sovjetik.
Hurshovi Enveri1
******

Enveri – Zhukovit: Në Vlorë, linja e mbrojtjes sovjetike

Në bisedat për ndërtimin e bazës luftarake të Vlorës, Enver Hoxha, është treguar tejet optimist. Ministri i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, Marshalli G. K. Zhukov, që vizitoi në tetor 1957 Shqipërinë, në një telegram të tij dërguar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (25.10.1957), shkruante se Enveri, kishte pasur këtë reagim entuziast në negociatat për bazën e Vlorës: “Ne do të dëshironim që sot, këtu, në këtë rreth të ngushtë, në emër të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe të qeverisë, të bëjmë propozimet për Bazën Luftarako-Detare në Vlorë.

Ne e vlerësojmë se Deti Mesdhe, ka një vlerë të madhe përsa i përket këndvështrimit strategjik të kampit tonë socialist, sepse në të vepron Flota e Gjashtë Amerikane dhe forca të tjera të rëndësishme, të vendeve të NATO-s, të cilat patjetër që janë të drejtuara kundër Bashkimit Sovjetik dhe kampit tonë socialist. Shqipëria, duke qenë pjesë e kampit socialit, gjendet në brigjet e Adriatikut dhe kjo ka një rëndësi të madhe. Duke u nisur prej këtej, Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, i kërkon Komiteti Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, dhe Qeverisë sovjetike, që ta kthejë bazën e Vlorës, në një bazë sa më të fuqishme luftarak-detare, për veprime ndaj forcave detare të NATO-s në Mesdhe.

Ne mendojmë se linja e parë e mbrojtjes së Odesës dhe Sevastopolit, duhet të ndërtohet këtu, te ne, në breg të Adriatikut. Një vendim pozitiv, për kthimin e bazës së Vlorës, në një bazë të fuqishme luftarako-detare, është ëndërr e popullit tonë shqiptar dhe ka për t’u pritur me entuziazëm. Për të gjitha çështjet praktike, të lidhura me këtë propozim, ne do të biem dakord paraprakisht. Këtë kërkesë tonën, ne ju lutemi Juve, shoku Zhukov, ta dërgoni në vëmendje të Komitetit Qendror të Partisë Komunistë të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Një vendim i favorshëm për këtë çështje, do të ketë ndikim pozitiv në marrëdhëniet tona me Jugosllavinë, e cila më pas duhet ta marrë më shumë në konsideratë Shqipërinë”.

Arkivat sovjetike: Shqiptarët tentuan t’i merrnin të 12 nëndetëset!

“Në Moskë, Hoxha dhe Mehmet Shehu, kryetari i Qeverisë Shqiptare mbajtën fjalime të flakta antihrushoviane. Ata u sulmuan nga lideri i komunistëve polakë, Gomulka, i cili goditi thelbin antimarksist të udhëheqësve shqiptarë. Menjëherë pas tij në mbrojtje të Hrushovit, dolën liderë të tjerë, kështu që Hoxha dhe Shehu, pa pritur përfundimin e mbledhjes, udhëtuan për në Tiranë. Ata nuk shkelën më në Moskë. Kur kishte ftesa, dërgonin sekretarin për ideologjinë, Ramiz Alia. Verën e vitit 1961, pasi pa në radhën e të ftuarve drejtuesin e delegacionit shqiptar, Ramiz Alia, Hrushovi, që nuk dallohej për elokuencë, iu drejtua me zë të lartë: “Së shpejti shoku Enver Hoxha, do të dërgojë në vendin tënd, pantallonat”.

Që nga kjo ditë, në takime nisi të mos vinte, as sekretari për ideologjinë. Por pavarësisht nga mosmarrëveshjet mes liderëve të Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, ato mes marinarëve në vitin 1960, vazhduan të mbeteshin të mira. Siç kujton kundëradmirali Zagrebin, gjatë gjithë vitit 1960, ushtarakët tanë, kryesisht marinarët, punonin me shqiptarët shumë miqësisht dhe nuk kishte asnjë konflikt. U zgjerua porti i Durrësit, u përfunduan objektet ushtarake, për mbështetjen e anijeve dhe mbrojtjen anti desantë të bregut. Në fund të vitit 1960, nga marina sovjetike, iu dhanë shqiptarëve, sipas marrëveshjes, katër nëndetëse, “C-241”, “C-242”, “C-358” dhe “C-360” si dhe baza lundruese “Vladimir Nemçinov”.

Në ceremoninë e dorëzimit në Gjirin e Vlorës, duke u sjellë me një triumf të pazakontë, morën pjesë drejtuesit e flotës shqiptare dhe oficerët e Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Por edhe pas dhënies së nëndetëseve, sipas kërkesës së shqiptarëve, oficerët dhe komandantët tanë, vazhdonin t’i mësonin shqiptarët dhe të dilnin në det bashkë me ta. Zhytja dhe manovrimi i nëndetëseve, kryhej nën survejimin e kontrollin e plotë të specialistëve tanë. Ndërkohë, në Shqipëri pritej të instaloheshin 17 njësi të raketave bregdetare, por ndërprerja e marrëdhënieve politike, ndërpreu gjithçka.

Plenumi i ndarjes

Situata u përkeqësua kur nga 13 deri në 20 shkurt të vitit 1961, në Tiranë u mbajt Plenumi i Komitetit Qendror të PPSh-së. Vendimet e tij në këtë kohë, mbetën të panjohura për marinarët tanë, por thelbi u mësua gjithsesi. Në Vlorë mbërriti ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, dhe bëri një mbledhje të mbyllur të aktivit të partisë së Flotës Luftarake Detare Shqiptare. Marinarët tanë kishin shumë miq ndër kolegët shqiptarë edhe mes oficerëve, dhe shpejt u mësua se Balluku në këtë mbledhje, kishte mallkuar Hrushovin dhe udhëheqjen sovjetike, duke i akuzuar për revizionizëm, mungesë dëshire për të ndihmuar Shqipërinë, dhe të tjera të ngjashme.

Ai kishte dhënë detyra që të ndërpriteshin çdo lloj marrëdhëniesh me instruktorët sovjetikë, mbajtjen larg të atyre nga nëndetëset që tashmë u ishin dhënë shqiptarëve, të ndërprisnin çdo lloj kontakti me ekuipazhin e anijeve sovjetike. Veç këtyre, Balluku kishte kërkuar që të mos lejohej dalja e anijeve tona nga Baza e Pasha-Limanit, madje kishte dhënë urdhër, që për të realizuar këtë, të përdoreshin bateritë e topave bregdetarë. Situata nisi të bëhej katastrofike. Përpjekja për të zbutur këtë situatë përmes ndërhyrjes së Traktatit të Varshavës, rezultoi edhe më fatale dhe çoi në përshpejtim të ndarjes finale, pasi shqiptarët i frikësoheshin ndërhyrjes së armatosur të Bashkimit Sovjetik në vendet e demokracive popullore.

Në mbledhjen e vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës, në mars të vitit 1961, Marshalli Greçko kërkoi me insistim që baza e Vlorës, të kalonte në mënyrë të padiskutueshme nën komandën e forcave të Traktatit të Varshavës. Por shqiptarët e hodhën poshtë këtë kërkesë, edhe pse vendeve të tjera anëtare u ishte marrë ndërkohë ky vendim. Në të njëjtën kohë në Tiranë, shkuan zv/ministri i Punëve të Jashtme, N. P. Firjubin, zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Sovjetike, Gjeneral Armate A. I. Antonov dhe zëvendësi i komandantit të Shtabit Qendror të Marinës, Admirali N. D. Sergejev. Qëllimi i tyre ishte që të merreshin vesh me shqiptarët, që baza e Vlorës t’i nënshtrohej komandës së forcave të Traktatit të Varshavës.

Por shqiptarët qëndruan në të tyren, duke shpjeguar se nuk u nënshtrohen vendimeve të komandës së Traktatit të Varshavës. Pa arritur asgjë në synimet e tij, Firjubini u kthye mbrapsht, bashkë me gjeneralët e tij. Rrethanat u acaruan dhe më, kur me vendim të gjeneral-kolonelit A. M. Adrejev, që kryesonte grupin e këshilltarëve tanë në Shqipëri, nisi evakuimin në Bashkimin Sovjetik, të familjeve të oficerëve tanë. Në të njëjtën kohë më e nevojshme, ishte të zgjidhej çështja e Brigadës së 40 të anijeve tona të dislokuara në Shqipëri, pasi udhëheqësit shqiptarë, nisën të paraqisnin të drejtat e tyre edhe mbi tetë nëndetëset e tjera, madje mbi të gjithë strukturën e bazës, bashkë me mjetet ndihmëse. Për zgjidhjen e problemeve të lindura, dërguan ish-komandantin e njësisë 40, kundër admiralin C. G. Jegorov. Por shfaqjen e tij shqiptarët e pritën shumë keq.

Enver Hoxha, në kujtimet e tij, e paraqet atë si një fabrikë helmi: “Revizionistët sovjetikë dërguan në Tiranë edhe një kundëradmiral. I gjithë grupi përbëhej nga oficerë të Zbulimit, të dërguar te ne për të organizuar trazira, sabotazh dhe veprimtari diversioniste në bazën e Vlorës”. Dhe e gjithë veprimtaria armiqësore e Jegorovit, përmblidhej në faktin se ai duhet të drejtonte operacionin e kthimit të tetë nëndetëseve tona, në bazën e tyre në Balltik. Shqiptarët përherë e më shpesh, nisën të shkonin te kërcënimet për përdorimin e forcës, në gjysmën e parë të majit të vitit 1961. Kështu në momentin kur në gjirin e Vlorës, hyri anija transportuese sovjetike “Çiaturi”, mbi të u drejtuan topat dhe u inspektua nga pala shqiptare.

Dërgohet në Vlorë, komandanti i Flotës së Detit të Zi

Incidentet u shpeshtuan dhe në fund të muajit maj të vitit 1961, komandanti i Flotës së Detit të Zi, admirali V. A. Kasatonov, mori urdhrin të shkonte në Vlorë, për të organizuar nxjerrjen nga Shqipëria të nëndetëseve dhe bazës sonë lundruese. Ai doli nga Sevastopoli me kryqëzorin “Mihail Kutuzov”, nën shoqërimin e dy torpedinerëve dhe tankerit “Briri i artë”. Teksa kalonte në ngushticën e Bosforit, Kasatonovit i dërguan telegram me urdhra të reja, që thoshin se ai duhet t’i kthente anijet mbrapsht në bazë, veç tankerit. Sepse Shqipëria kishte urdhëruar, ndalimin e futjes së anijeve tona në ujërat e tyre territoriale.

Kështu që Kasatonov, u detyrua të fluturonte për në Shqipëri që nga Moska, ndërkohë që një grup i oficerëve të Flotës, vazhduan udhëtimin me “Bririn e artë”. Në momentin e mbërritjes së tankerit në bazën e Vlorës, Kasatonovi, kishte mbërritur gjithashtu. Pasi mbërriti në Vlorë, Kasatonovi ngrit flamurin e vet në bazën lundruese “Viktor Kotelnikov” dhe menjëherë thirri në mbledhje, kundër admiralin A. V. Zagrebin, Jegorovin, kapitenin e Rangut të Parë, P. P. Kulika, – këshilltarin e drejtuesit të Shtabit të Flotës Shqiptare, komandantët e bazës lundruese dhe nëndetëseve, këshilltarët dhe instruktorët e anijeve, etj.

Komandanti urdhëroi që menjëherë të niste përgatitja për largimin drejt Sevastopolit dhe për në Balltik. Një vëmendje të veçantë ai i kushtoi përgatitjes për largimin, duke i parandaluar shqiptarët që të hidhnin duart mbi anijet tona të flotës ndihmëse, tankerëve, cisternave etj. Baza lundruese “Kotelnikov”, mori urdhër që të qëndronte në spirancë në gjirin e Vlorës, ndërsa tetë nëndetëset, u kapën në anët e saj. Kasatonovi e dërgoi Zagrebinin në Tiranë, për të miratuar planin e zhvendosjes tek ambasadori sovjetik I. V. Shikin dhe tek gjenerali A. M. Andrejev.

Plani mori miratimin e plotë të tyre. A. M. Andrejev dhe A. V. Zagrebin, i bënë vizitë ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Beqir Balluku, dhe e njoftuan atë për vendimin e Qeverisë Sovjetike, për të dërguar anijet në Bashkimin Sovjetik. Por që të informohej komandanti i Flotës Shqiptare, nuk u bë e mundur edhe pse këtë preferoi ta bënte personalisht Kasatonovi. Kërkesës për takim me kundër admiralin Teme Sejko, shqiptarët iu përgjigjën se ishte e pamundur, pasi admirali ishte i zënë. Por shpejt u sqarua, se Sejko ishte arrestuar, bashkë me një grup oficerësh të Marinës. Ai u akuzua për komplot, për të përmbysur udhëheqjen politike të Shqipërisë. Sejko u pushkatua.

Largimi

Nën tytat e topave që neve u kishim dhuruar dhe kërcënimit të vendosjes eventuale të minave, 8 nëndetëset dhe baza lundruese “Viktor Kotelnikov” dolën nga gjiri i Vlorës. Në krye, në një anije lufte, doli zv/komandanti Kozllov, me qëllim që të mësonte nëse ishte e lirë ngushtica mes ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Pas eksplorimit, nisi lëvizjen dhe pjesa tjetër e varganit. Më 8 qershor 1961, pasi kishte përmbushur misionin që i kishin besuar, Vladimir Afanasjeviç Kasatonov, braktisi Shqipërinë, duke lundruar me tankerin “Briri i artë”.

Në Detin e Zi, ai kaloi në kryqëzorin “Kubishev”, ku u prit me përzemërsi nga V. V. Mihailin. Vladimir Afanasjeviçi, i tha atij se shqiptarët, nuk patën guxim të përdornin forcën, gjithsesi ata ishin bërë gati për këtë. Siç kujton Mihailin: komandanti dukej shumë i lodhur, edhe pse nuk e jepte veten. Porositi një dush të ngrohtë, një gotë vodkë dhe urdhëroi të mos e zgjonin, deri sa të mbërrinin në Sevastopol, ku e priste S. G. Gorshkovi. Së bashku, ata duhet të hartonin një raport për udhëheqjen dhe të përpunonin kërkesa, për veprimtarinë e mëtejme.

16 maj 1961

Në Kongresin e Katërt të Partisë së Punës së Shqipërisë, u deklarua se ishte zbuluar një komplot i udhëhequr nga komandanti i Flotës, kapiteni i Rangut të Parë, Teme Sejko. Në këtë kohë udhëheqësit e shteteve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës, deklaruan qëllimin e tyre; “të dërgonin në Shqipëri një komision specialistësh të Traktatit të Varshavës për verifikimin e pretendimeve për komplot”. Por reaksioni i Qeverisë shqiptare, ishte i ashpër: asnjë komision, asnjë kontakt. E gjitha kjo në fund të fundit, çoi në prishjen e pashmangshme. Në Kongresin e XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Hrushovi publikisht sulmoi Partinë e Punës të Shqipërisë, duke e akuzuar atë për armiqësi në drejtim të Partisë Komuniste sovjetike. Në dhjetor të vitit 1961, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Bashkimin Sovjetik.

Ramiz Alia, si e krahasuan me pantallonat e Enverit?!

Ish-sekretari i Parë i Partisë Së Punës dhe njëkohësisht ish-president i vendit, Ramiz Alia, gjatë një interviste ka rrëfyer një përplasje të pazakontë me Nikita Hrushovin, kreun e komunistëve sovjetikë. Ngjarja zhvillohej në sallën e një takimi të krerëve të shteteve të quajtura të “demokracive popullore”, i mbajtur në Moskë, në mesin e vitit 1961, që do të kishte në qendër të tij ndërtimin e Murit të Berlinit. Sipas rrëfimit të Alisë, Hrushovi ishte acaruar kur kishte parë atë në vendet e rezervuara për Enver Hoxhën, kreun e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe atë të Qeverisë, Mehmet Shehu.

Duke argumentuar se delegacioni shqiptar, nuk kishte statusin e duhur, Hrushovi i vërsulet Ramiz Alisë me fjalë të ashpra, dhe kjo bëhet shkak për mos fillimin e bisedimeve. Madje Hrushovi dhe të tjerët, largohen në një ambient tjetër, në pritje që delegacioni shqiptar, të dilte fare nga salla. Kjo është historia, porse batuta më e njohur prej saj, e nxjerrë nga goja e Nikita Hrushovit, ka mbetur e panjohur për shqiptarët edhe pse ka qarkulluar në rrethet politike të kohës dhe është stampuar në media të shkruara. Edhe Alia vetë, gjatë intervistës së tij, nuk e përmendi, mbase sepse batuta e Hrushovit në adresë të tij, është shumë fyese.

Ja se çfarë përshkrimi i bën asaj situate, Mihail Jakovleviç, një prej përkthyesve të Hrushovit. “…në këtë mbledhje ishte ftuar Sekretari i Parë i PPSh-së, Enver Hoxha. Ky, meqë duket u frikësohej kritikave, në vend të tij kishte dërguar në këtë takim zëvendësuesin. Por Hrushovi e hapi mbledhjen me pyetjen për statusin e delegacionit shqiptar. Nisi grindja. Hrushovi propozoi që delegacioni të konsiderohej i paautorizuar, të vendosë për çështje të ndryshme, sepse ajo ishte një mbledhje e sekretarëve të parë dhe jo një takim miqësor. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Shqipërisë, deklaruan se ata kishin fuqinë e duhur dhe autorizim zyrtar të lidershipit të tyre për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, që do të ngriheshin në këtë takim.

Hrushovi u përgjigj prerë, se atë nuk e kënaqte aspak pozicioni i Enver Hoxhës, pasi ai, tekstualisht: “sot mund të dërgojë zëvendësuesit e tij, nesër ai, mundet, dërgon shoferin e tij, dhe pasnesër do të na varë pantallonat në shpinën e karriges”. Pas këtyre fjalëve Hikita Hrushovi i sugjeroi delegacionit shqiptar të braktiste sallën e takimit. Por ata e injoruan. Hrushovi lajmëroi pushim, të gjithë u çuan dhe dolën. Mbeti vetëm delegacioni shqiptar. U fikën dritat, mbërritën pastrueset, por përfaqësuesit e Shqipërisë, mbetën në vendet e tyre. Kështu që Hrushovit dhe të tjerëve, iu desh që të mblidheshin në një sallë pranë. Gjithsesi në këtë pike, shqiptarët e braktisën mbledhjen”. Memorie.al 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura