Sakrifica e dashurisë së fundit e Viktor Zhustit! Prezantimi i dyfishtë, kur aktori-autor nuk e njeh orën biologjike

Mar 23, 2024 | 11:24
SHPËRNDAJE

NGA MIMOZA KUCHLY/ Vite rresht që emri i Viktor Zhustit, po lakohet “rëndomë” si në ekranin e filmit dhe skenën e teatrit. Kjo nuk ka të bëjë me profesionalizimin, tashmë të padiskutueshëm, por me revanshin e tij artistik dhe pse me pranverat që gëzon “nën lëkurë”.

Viktor Zhustit

Prezantimi i radhës është i dyfishtë, me dy role; në dramën “Biznesmeni”, që së shpejti vihet në skenë me regjisor Gëzim Kamen, ku Viktori aktron, por edhe shfaqet për herë të parë si autor. Gjithkush udhëhiqet sipas fantazisë ose pasionit çka e bën Zhustin, një artist të kompletuar e për t’u pasur zili në brezin që ai përfaqëson.

Kur e pyet Viktor Zhustin se çfarë e mban kaq gjallërueshëm, ai përgjigjet me humor: “Këmbët e mia dhe pasioni! Them këmbët e mia, pasi ecja në natyrë, është një ndër burimet e energjisë, ndërsa pasioni mbetet aktrimi, loja”. “B.Show” thotë se, “Njeriu nuk ndalon së luajturi kur moshohet, por ai plaket kur pushon se luajturi”, pra kjo është edhe filozofia e lojës së aktrimit.

Hera e parë që ju prezantoheni si autor? Mendoni se keni për të thënë më shumë në këtë pozicion, ndaj e shkruat këtë pjesë?

Gjithkush vë në shërbim pasionet e tij, qofshin këto edhe të vogla, por që thonë diçka. E vërtetë, me autorësi në krye të faqes, – qesh,- është vepra ime e parë! Nuk kam shkruar ndonjëherë dramë të mirëfilltë, nga A tek ZH-ja. As më ka intriguar dhe as nxitur asnjëherë sedra dhe egoizmi në këtë pikë. Por, shumë autorëve shqiptarë, para viteve ’90-të, dramat ose komeditë që kemi luajtur ose vënë në skenë edhe me mikun tim Gëzim Kame, i kam redaktuar ose shkruar nga e para, ndaj them se shpesh i kam “futur” duart te veprat e miqve apo kolegëve të mi. Në rastin konkret, tregimi i Durenmatit, kishte gjithë premisat për dramë dhe këtu filluan shqetësimet, fantazia, pagjumësia, pasi çdo gjë që më intrigon, më lë pa gjumë.

Linja e subjektit vjen nga F.Durenmatit, ndërsa trajtimi, personazhet, skenat, monologjet, atmosfera e festës jashtë, karnavalet, kupletet dhe paroditë, jo, janë puna ime! Kur shkruaj, personazhet dhe ngjarjet i “shoh” duke u zhvilluar në skenë, prandaj dhe drama ka gjithë përshkrimet regjisoriale, mizanskenat, veprimet, reagimet, kostumet që kur dikush e merr në dorë, të mos e lexojë, por ta shohë, ose t’i tregojë si e shoh unë. Kur diskutoja me një miken time rreth dramës pasi pashë të njëjtin përkushtim dhe kujdes prej saj, i propozova dhe mendova të bënim një statut për “Klubin e të rrjedhurve”, që punët e të tjerëve, i konsiderojnë si punët e veta, për të parë a do kishte dhe anëtarë të tjerë, një specie (me frikë) në zhdukje, veçanërisht në art, por në momentin e parë, ajo u keqkuptua. E them këtë për të justifikuar “duart” e mia në veprat e miqve pa hatërmbetje.

Përse në qendër një biznesmen? Është një fushë që ju e njihni mirë, apo si me kohën dëshironi t’i futeni biznesit? Mund të bëni një përmbledhje për lexuesin, personalisht ndihem e nderuar ta kem lexuar dramën tuaj.

Të jem i sinqertë, nuk jam i fortë në biznes, ose ai nuk më do mua ose unë nuk e kuptoj, them se më të shumtën e rasteve, mbase për mirë, kam dështuar! Mund të ishte një profesion tjetër, por më duket se ky i përshtatej më tepër kohës sonë dhe po ashtu “gjyqit” të inskenuar. Shkalla e ngjitjes së biznesmenëve të rinj apo historiku i karrierës së tyre, lë shumë për të dëshiruar, parë kjo sidomos pas ndërrimit të sistemit. Shumë prej biznesmenëve i kanë kaluar nga katër e nga pesë (për mos të thënë më tepër) pa e kthyer kokën pas dhe fatkeqësisht ndërgjegjja është e fundit që ata kanë lodhur.

Ngjarja zhvillohet në një shtëpi, ku disa miq të vjetër në kuptimin e plotë të fjalës, si në moshë edhe në karrierë profesionale, mblidhen dhe luajnë “gjyqtarësh” si për të mos e harruar të shkuarën e tyre.

Një mbrëmje me ta bashkohet një rrugëtar, i cili nuk e kishte parashikuar se në atë lojë do të luhej edhe karriera apo jeta e tij. Miqtë i njohin rregullat e lojës së drejtësisë, gjuhën e ligjeve dhe bën që biznesmeni Troka, i cili si fillim u ndje si në shtëpinë e tij, të futej në një rreth vicioz ku dalja i kushtoi. Një mbrëmje që nuk i ngjason “Darkës së idiotëve” të F.Veber nga përfundimi i saj, por replikat, mesazhet, atmosfera apo pozicionet e secilit në hierarkinë gjyqësore, shkojnë në të njëjtin drejtim.

Sa kohë ju mori kjo dramë për ta shkruar? Mendoni se nëpërmjet teatrit mund ta shohim më qartë botën?

– E kam filluar para disa viteve, por asnjëherë nuk ndihesha i kënaqur, edhe pse regjisori Kame këmbëngulte ta përfundoja, pasi i pëlqeu sapo e lexoi për herë të parë. Nëse teatri do ta ndryshojë botën, nuk jam i sigurt në përqindje, me keqardhje, por ai është një dëshmitar apo një dritare, ku gjithçka na shërbehet heraherës dhe taze. Adashi im, Viktor Hygo, e them për emrin, ka thënë se ka dy mënyra për të pasionuar turmën në teatër: madhështia dhe e vërteta. Madhështia rrëmben turmën, e vërteta rrëmben individin, pra gjithkush mund të bëjë zgjedhjen.

Ju keni “zgjuar” apo risjellë në skenë pas kaq kohësh, Gëzim Kamen si dhe aktorin tashmë të mirënjohur në skenë dhe ekran, Ahmet Pashën? E tërhoqët nga heshtja Kamen, pasi ai prej kohësh i është larguar skenës meqenëse i përket brezit tuaj? Si ishte komunikimi juaj tashmë edhe si autor?

Në të vërtetë nuk e zgjova, ose ndoshta e përmenda nga kujtimet e dramës së të njëjtit autor “Vizita e damës plakë”, të cilën ai e ka vënë vite më parë në skenë, po me Teatrin Kombëtar. Por, Gëzimi nuk i ishte larguar plotësisht skenës, pasi ne shpesh diskutonim së bashku për shfaqjet sidomos ku interpretoja, e ai ka qenë një “spektator” i angazhuar sidomos në interpretimet e mia. Rikthimi në skenë së bashku ishte si të them, rigjetja në një farë mënyre e kohës së vjetër, tani jo në kafe, gjë që na vuri sërish në punë dhe në provë durimin.

Ta themi mes nesh, nuk jam ndier shumë rehat dhe ende nuk jam qetësuar: pasi pjesën e njoh me presje dhe jo gjithmonë jemi dakord, edhe pse në “arenë”-skenë, krijohet një marrëdhënie reciproke, ku secili jep diçka nga vetja, por shpresoj që nxehja e metaleve, në fund të përcjellë energjinë e bukur e të duhur tek ju, spektatorët. Ndërsa përzgjedhja ndër të tjera e aktorit Ahmet Pasha, ishte domosdoshmëri “moshore”, në brezin e aktorëve të cilët e mbyllin ditën pa stresin e harrimit të respektimit të orarit të ilaçeve, pra ai i plotësonte kushtet. Përsa i përket trupës, besoj se është bërë një gërshetim i këndshëm ku nuk ka përplasje as moshe, as niveli e ku ne të vjetrit përpiqemi të kapim ritmin e energjisë së më të rinjve si Genti Kame, Myzafer Zifla, Gert Ferra, Igli Zarka dhe qershia mbi tortë e vetmja aktore Niada Saliasi.

Mendoni se do ta merrni sërish rolin e autorit? Cili rol është më i vështirë ai i autorit apo i aktorit?

Kjo është shfaqja ime e parë si autor dhe mund ta pranoj se është e vështirë ta lësh krijimin tënd në duart “e të tjerëve”, aq më tepër kur bën pjesë në ekip, ndaj aprovoj me bindje se është një strëmundim i dyfishtë. Të dalim një herë nga kjo përvojë, më pas të shohim! Asnjëherë nuk thuhet asnjëherë! Për nga vështirësia, secili ka peshën e vet, por kur thashë që më ka ndodhur të shoh apo rishkruaj jo vetëm rolin tim në vepra të mëparshme, them se shkalla e vështirësisë sa herë kur diçka e do me shpirt, aq më shumë ta merr shpirtin. Pra, të dyja pozicionet janë të vështira, por jo të pakapërcyeshme.

Çfarë do të gjejë spektatori të veçantë në këtë dramë? Ju e dini që ai është i uritur për dramat shqiptare, jo si drama se ato e lodhin ditës, por flas si gjini, shkruar nga një autor shqiptar, në këtë rast, Viktor Zhusti?

Besoj se do të gjejë një lojë e cila bashkon një harmoni brezash, bashkangjitur energjisë, psikologjisë, humorit, nëpërmjet batutave, ritmit, muzikës, intrigës, që e gjallërojnë ngjarjen dhe pse një dramë, por mbetet një sofër e cila pret pjesëmarrjen dhe duartrokitjet e spektatorit, ai që do ta thotë fjalën e fundit. Ajo që jam përpjekur të sjellë është argëtimi reflektues, jo ta tremb spektatorin, përkundrazi e mira është të ndihemi njësh me të.

“Tashmë e dimë, përse disa njerëz e vrasin veten, nuk dimë përse disa të tjerë nuk e vrasin”, – thotë psikiatri Skot Pek, por kjo nuk është një ftesë për vrasje apo vetëvrasje, larg e më larg, të mos keqkuptohemi, dhe të mos frigohet para kohe artdashësi i çoroditur nga rrjetet sociale, “Tik-Tok” etj., apo lajmet me kronikat politike.

Kjo shfaqje është një rrëfim apo përballje me “fajtorët” e saj, e cila pret bashkëpunimin e spektatorit që ai të luajë me trupën, të këndojë, të entuziazmohet apo trishtohet e nëse në fund ai fal buzëqeshje, duartrokitje, ndonjë “ulërimë” bravo, një selfie pas shfaqjes, do të thotë se drama është shijuar, kuptuar e mirëpritur prej tij. E ç’mund të presë më shumë teatri? Ky është qëllimi i çdo autori apo aktori si dhe i vetë spektatorit, të marrë kënaqësinë e lojës! Platoni thotë se në një orë loje mund të mësojmë më shumë për dikë se në një vit bashkëbisedimi.

Desha t’ju bëj një pyetje duke parë formën tuaj jo vetëm psikologjike, por mbi të gjitha atë fizike, pa përmendur pranverat tuaja që mbartni mbi supe. Cila është dashuria e fundit e Viktor Zhustit? Kujdes, provokim, ju paralajmëroj! Këtë pyetje ua bëj si spektatore!

Dashuria ime e fundit? Ju! Kujdes provokim! Dua të them spektatori, artdashësit, deri sa të kem pasionin, memorien dhe këmbët nuk do t’I ndahem dashurisë sime! Për të, ia vlen çdo sakrificë!

Faleminderit dhe shpresoj që dashuria juaj spektatori, artdashësi, t’ju shoh sa më gjatë në skenë sepse edhe ai ju do dhe ju vlerëson! Suksese!

Jeni të gjithë të mirëpritur, e kam fjalën edhe për biznesmenët ! Faleminderit ju dhe artdashësve, të cilët më ndjekin kudo që ndodhen!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura