“Rrëzoi me shumicë votash kërkesën e opozitës”- VOA: Gjykata Kushtetuese i hap rrugë menaxhimit të qytetit antik të Butrintit nga një Fondacion

Apr 24, 2024 | 22:44
SHPËRNDAJE

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot, me shumicë votash, kërkesën e bërë nga një grup deputetësh të opozitës, për anulimin e marrëveshjes mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro Amerikan të zhvillimit (AADF) për krijimin e një fondacioni për menaxhimin e Butrintit.

butrintiSipas kërkesës, marrëveshja është e papajtueshme me Kushtetutën dhe me Konventën e Parisit “Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore botërore” e ratifikuar nga Shqipëria, si dhe më Kartën Evropiane të autonomisë vendore”.

Lidhur me pretendimin për cënimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, Gjykata vlerësoi se “argumentet e paraqitura kanë të bëjnë me përplasje mes akteve ligjore në fuqi, për rrjedhojë nuk bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues”.

Gjykata shpjegoi se kishte marrë në shqyrtim në themel “vetëm pretendimet për cenimin e identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore të lidhur me parimin e shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve ligjore”, ndërsa pranoi se ishte ndeshur me “një marrëveshje atipike, e cila nuk kishte të ngjashme në vendet e Europës perëndimore, por vetëm në disa shtete të Evropës lindore”.

Sipas Konventës së Parisit “shteti duhet të ruajë rolin e tij parësor për mbrojtjen dhe konservimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore”. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se “pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese”.

Gjykata shpjegoi se marrëveshja ka krijuar mekanizma garantues për ruajtjen e rolit parësor të shtetit në administrimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore kombëtare, e parë kjo në këndvështrimin e ruajtjes dhe konservimit.

Sipas Gjykatës “Fondacionit i përket vetëm administrimi i zakonshëm i pasurisë, ndërkohë që çdo veprimtari që kalon kufijtë e administrimit të zakonshëm dhe lidhet me ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri, i përket shtetit”.

Një tjetër mekanizëm garantues, vlerësohet nga Gjykata dhe fakti se “çdo akt i Fondacionit është subjekt i kontrollit të drejtpërdrejtë të organeve shtetërore sipas fushës së kompetencës të përcaktuar me ligj. Më konkretisht, Fondacioni nuk përjashtohet nga përmbushja e çdo detyrimi ligjor që ka sipas legjislacionit çdo entitet tjetër shtetëror apo publik, siç janë marrja e lejeve ose licencave përkatëse nga autoritetet kompetente për fillimin e punimeve ndërtimore apo ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri, sipas marrëveshjes”.

Po ashtu, sipas Gjykatës “marrrëveshja përcakton, gjithashtu, detyrimin e Fondacionit për të raportuar në mënyrë periodike për gjendjen e konservimit të pasurisë kulturore, ndërkohë që ministria ngre bordin e monitorimit, i cili mund të ushtrojë kontroll në vend për vlerësimin e gjendjes së konservimit të pasurisë”.

Avokati i palës paditëse, Agron Alibali në një reagim pas vendimit të Gjykatës Kuhtetuese i tha Zërit të Amerikës se shprehte zhgënjimin më të thellë për vendimin që përbën sipas tij një njollë të errët në reputacionin e saj dhe lidhur me besimin publik. “Nga shqyrtimi i njoftimit të Gjykatës Kushtetuese del qartë se . Gjykata Kushtetuese çuditërisht nuk gjeti cenim në parimin e financave publike kur vetë KLSH-ja e parashtroi bindshëm cenimin kushtetues” tha zoti Alibali.

Lidhur me këtë pretendim, Gjykata vlerësoi se “është haptazi i pabazuar, pasi bazuar në aktet e administruara dhe qëndrimet e palëve në gjykim ajo arriti në përfundimin se nuk vihet në diskutim ushtrimi i kompetencës së KLSH-së për të kontrolluar financat publike, pavarësisht llojit të entitetit që i administron ato”. Sipas kryetares së Gjykatës “vetë KLSH-ja, pas një qëndrimi fillimisht dyshues, pnjohu kompetencën për ushtrimin e kontrolleve mbi fondet publike” për këtë rast.

Sipas zotit Alibali, “Gjykata nuk arriti të shikojë se në rastin tonë nuk kemi të bëjmë me transferim kompetencash me natyrë adminstruese (menaxhuese), të zakonshme, por përkundrazi, me zhveshje tërësore të shtetit nga kompetencat sovrane, të kontrollit, posedimit, përdorimit, ruajtjes, konservimit, transferimit tek brezat e ardhshëm, etj.”

Kundër vendimit pati një reagim të ashpër dhe nga deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila udhëhoqi kundërshtimin e opozitës pas rastin e Butrintit. “Gjykata Kushtetuese sot vuri kapakun mbi kapjen e saj politike, edhe shërbimin pa asnjë skrupull të aferave të qeverisë, edhe kur ato bien ndesh haptazi me kushtetutën, me interesin publik, me interesin kombëtar, me mbrojtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore. UNESCO e rrëzon koncensionin, bën raport që e fsheh qeveria dhe Gjykata e aprovon, se njeh më mirë se UNESCO konventën e Parisit”, shkruajti ndër të tjera zonja Zhupa në një pastim të gjatë në Facebook.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese lidhet vetëm me njërën zonë të Parkut të Butrintit të njohur si zona A3, ku ndodhet pjesa më e madhe e qytetit antik, duke lënë jashtë tre zona të tjera pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Qeveria shqiptare vendosi dy vjet më parë që menaxhimi i kësaj pjese të Parkut Kombëtar të Butrintit të kryhet nga një fondacion i krijuar nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin (AADF), për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Kjo formë e re menaxhimi e Parkut Kombëtar të Butrintit ngjalli kritika të forta edhe nga një mision i përbashkët i UNESCO-ICOMOS vitin e shkuar.

Në një raport dërguar tek autoritetet shqiptare tetorin e vitit 2023 misioni i UNESCO-s thotë se “vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet e misioneve të mëparshme, të Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe vetë Planit të menaxhimit për një menaxhim të integruar të Butrintit”.

Ndërkohë krahas modelit të ri të menaxhimit përmes një Fondacioni kritikat e forta të të UNESCO-s në raportin e vitit të shkuar ishin edhe për ndryshimin nga qeveria të kufijve të Parkut të Butrintit me heqjen e 802 hektarëve nga Zona e Mbrojtur e Butrintit.

Vendimi i qeverisë shqiptare sipas misionit nuk i ishte njoftuar UNESCO-s , e cila nuk ka dhënë miratimin e saj për këto ndryshime.

Një muaj pas heqjes nga Parku Kombëtar i Butrintit të 802 hektarëve qeveria miratoi lejen për ndërtimin e një resorti në Gjirin e Manastirit, projekti për të cilin fitoi statusin e investimit strategjik në fund të vitit 2021 me një vendim të Komitetit të Investimeve Stategjike që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama.

Ministri i ri i Kulturës dhe Ekonomisë Blendi Gonxhe nuk e ka firmosur ende kalimin e Parkut të Butrintit në administrimin e Fondacionit të ri, që sipas ligjit të miratuar në Parlament, duhet të bëhej më 14 shkurt të këtij viti./voa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura