Rregullatorët e bankave: Sistemi amerikan i shëndoshë, por duhet të rishikohen rregulloret

Mar 27, 2023 | 21:10
SHPËRNDAJE

Entet kryesore rregullatore të bankave në SHBA, planifikojnë t’i thonë Kongresit se sistemi i përgjithshëm financiar ka një bazë të qëndrueshme pas falimentimit së fundmi të dy bankave. Por zyrtarët do të nxisin nevojën për rishikim në mënyrë gjithëpërfshirëse të politikave të tyre, në një përpjekje për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.

nedasd

Në dëshminë e përgatitur, nënkryetari i Bankës Qendrore për çështje të Mbikëqyrjes, Michael Barr, shkruan se sistemi bankar është “i fortë dhe elastik” dhe se paratë e depozituesve janë të sigurta. Po kështu edhe kryetari i Korporatës Federale të Sigurimit të Depozitave, Martin Gruenberg do të thotë se gjendja e sistemit financiar është e shëndoshë dhe se shumica e bankave nuk po shohin ndeshen me tërheqje të konsiderueshme të depozitave.

Megjithatë, dy zyrtarët do të njoftojnë Kongresin se po kryejnë një proces të plotë rishikimi se si agjencitë e tyre monitoruan bankat ‘Silicon Valley’ dhe ‘Signature’, të cilat falimentuan papritur në fillim të këtij muaji, duke kapur në befasi investitorët dhe entet rregullatore.

Dëshmia e përgatitur, e lëshuar të hënën, do t’i dorëzohet komisionit Bankar të Senatit të martën gjatë një seance dëgjimore mbi çështje të mbikëqyrjes së bankave që mblidhet nesër në orën 10:00 të mëngjesit me orën lokale.

Dy zyrtarët sinjalizuan gjithashtu se po punohet për rregulla të reja bankare, të tilla si shtrëngimi i kërkesave për bankat më të mëdha rajonale dhe se si të kontrollohet varësia e madhe që kanë bankat ndaj depozitave të pasiguruara.

Zoti Gruenberg tha se Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave po rishikon gjithashtu sistemin e sigurimit të depozitave dhe po parashtron opsionet për ndryshimin e politikave në këtë aspekt.

Administrata Biden mori vendim të garantojë të gjitha depozitat në bankat që falimentuan, për të shmangur një panik më të gjerë në publik edhe pse Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave garanton vetëm depozitat deri në 250 mijë dollarë./ Marrë nga VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura