Rrëfimi i Elena Kadaresë: Kthimi në Shqipëri na e ka zbukuruar jetën! Vazhdojmë i shkruajmë pusulla njëri-tjetrit

Jan 30, 2023 | 7:58
SHPËRNDAJE

ERTA PRIFTI/ Laureat i çmimit “Nobel” prej disa vitesh tashmë, një nga shkrimtarët që i dha zë letërsisë shqipe në botë, i përkthyer në mbi 45 gjuhë, në poezi e në prozë, duke e bërë të njohur Shqipërinë në me historinë dhe me kulturën e saj shekullore, Ismail Kadare i shënjoi tashmë 87 vite të jetës së vet.

helenakadare

E si në çdo datëlindje të tij, ashtu edhe kjo e këtij viti nuk mund të kalonte në heshtje nga institucionet, personalitete të njohur, si dhe adhurues e lexues të penës së tij. Kështu, me vargjet e tij, Qendra e Librit e Akademia e Shkencave organizuan një mbrëmje letrare, me muzikë e poezi. Kryeministri Edi Rama risolli një mesazh të shkruar dy vite më parë, ku i shprehte mirënjohjen për kontributin në letërsinë e pasurimin e gjuhës shqipe, por edhe për faktin se është bërë urë lidhëse përmes librave të tij, për ta shpënë te letërsia e të tjerë shkrimtarëve siç është Majakovski. Krahas urimit për ditëlindje, ai i shprehu mirënjohje shkrimtarit “për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe”, siç e quajti ai. Vlerësimin ndaj Kadaresë në këtë ditëlindje të tij e shprehu edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. “Edhe 100 vite mjeshtri i letrave shqipe! Për kënaqësinë e leximit; për emocionin e provuar në çdo faqe; për urtësinë e ndarë; për krenarinë në çdo çmim, përkthim e vlerësim kudo në botë, Faleminderit dhe gëzuar!”, shkruan Margariti.

Përpos urimeve në rrjetet sociale, të tjerë personalitete e uruan nga afër shkrimtarin Kadare. Presidenti Bajram Begaj, duke e cilësuar atë si “ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare, i historisë dhe i identitetit tonë, shkrimtari dhe intelektuali që e ka rritur dhe nderuar emrin e Shqipërisë në botë”, ia ka përcjellë këtë urim në banesën e shkrimtarit, aty ku vetë Kadare zgjodhi ta festonte këtë ditëlindje. Por, urimeve të ngrohta dhe festimeve të kësaj dite nuk kish se si t’u mungonte vetë bashkëshortja e Kadaresë, Helena Kadare, shoqëruesja e tij e përhershme.

Në një bisedë me Alda Bardhylin, Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit, të publikuar në “News 24”, Helena tregoi detaje nga ditëlindja. Ajo u shpreh se ka marrë shumë mesazhe urimi, të cilat do të duhet t’ia lexojë bashkëshortit, pasi siç thotë ajo, ai nuk merret me telefon. Edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite, Helena zbulon sekretin për të sfiduar vitet, ndërsa thekson se ata vazhdojnë t’i shkruajnë pusulla njëri-tjetrit.

Biseda e Helena Kadare me Alda Bardhylin

Kaq vite pranë një burri si Kadare, a keni një përkufizim të këtij raporti që ka qenë përtej raportit burrë grua?

Ashtu sikurse e thatë dhe ju, ky është një raport krejtësisht burrë grua! Është edhe diçka tjetër, që mënyra si e kam përjetuar ka qenë një jetë plotë dritë.

Çfarë keni bërë për të sfiduar vitet, zakonisht vitet i largojnë dy njerëz, në raporte të ndryshme dashurie, ndërsa në rastin tuaj ka qenë më interesante?

Duke më pyetur tani më erdhën në mendje fjalët e një shkrimtari, që ‘dashuria nuk është të parit e njëri-tjetrit në sy, por e të dyve bashkë në një drejtim’. Ndoshta është kjo. Nuk e përkufizoj dot me fjalë të përgjithshme. Asnjë arsye e marrë veç nuk qëndron. Janë shumë arsye bashkë. Por ajo që i mbledh është dashuria e përbashkët për letërsinë. Asnjë ditë e jona nuk është e ngjashme me ditët që kalojnë apo ato që do vijnë. Gjithmonë biem dakord me të përgjithshëm që ne të vazhdojmë të jetojmë bashkë.

Si ka vazhduar ky ritual, për çfarë i shkruan njeritjetrit tani?

Ajo letër ka qenë arsye sesi ne u njohëm. Unë dhe gjithë brezi im, klasa ime e adhuronim poezinë e Ismailit, atëherë kishte nxjerre një libër dhe ne i dinim përmendësh. Në atë kohë unë isha në gjimnaz dhe merreshim me letërsi. Një pjesë e tregimeve që shkruhej botohej në shtypin e ditës. Ismaili që ishte në Moskë në atë kohë dhe që kishte lexuar një tregim më bën një letër përgëzimi. Ky ishte një gëzim jo vetëm për mua, por edhe për gjithë gjimnazin. Të gjithë e morën vesh që erdhi kjo letër, kjo ka qenë arsyeja që më pas vazhduan korrespondencën. Ju më pyesni çfarë letra i shkruaj tani? Meqë ne tani jetojmë vazhdimisht bashkë, letrat janë ca pusulla në shpi, “do vonohem”, “do vij me vonë, ose më shpejt” “në çfarë orë është ai filmi që do shohim?”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura