Robert Bisha, muzikë me piano, polifoni dhe makinë rroje

Apr 6, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Ai beson se asgjë nuk zhduket, vetëm transformohet. Nuk do të ketë mort për çiftelinë, si edhe për të tjera instrumente e pasuri folklorike.

Pianisti Robert Bisha
Pianisti Robert Bisha

Sepse ai është një ndër ata që bën pikërisht këtë, transformon. Merr qeliza folklori dhe ngjiz me to diçka të re, bashkëkohore.

Robert Bisha duhet të kalonte një kohë të gjatë në Itali, duke studiuar piano, pastaj kitarë, pastaj fizarmonikë e sërish piano, derisa të dëgjonte një motiv folklorik me çifteli, të luajtur nga Agustin Uka.

“U mahnita. Diçka mes paganes dhe mistikes. Nuk e mbaja mend kaq të bukur”, thotë ai. “Kur jemi në vendin tonë nuk i japim rëndësi folklorit apo kompozitorëve që marrin shkas nga folklori”, tregon Robert Bisha, i cili që prej asokohe eksperimenton me motive folklorike, jo vetëm të Shqipërisë, me instrumente të ndryshme muzikore, madje edhe me sende, që askujt nuk ia merrte mendja se do mund të shërbente në funksion të muzikës. E tillë mund të jetë edhe një makinë rroje.

Gjithçka ai përpiqet ta shfrytëzojë në funksion të muzikës. Do të ishte shumë e thjeshtë nëse do ta bënte për të tërhequr vëmendjen e publikut.

KONCERTI

Poli-instrumentisti Robert Bisha vjen për herë të parë në Tiranë, me projektin e tij në piano-solo “Ritual Moods”. I kthyer pas 7 vitesh mungesë, ai do të sjellë një atmosferë të veçantë nesër në mbrëmje në sallën “Shekspir” në Teatrin e Metropolit.

r bisha 3Pas koncertit të Gent Rushit, ky është koncerti i dytë i organizuar nga Qendra Kulturore Tirana, e cila synon t’u përgjigjet shijeve dhe kërkesave të të gjitha kategorive të publikut në kryeqytet.

Koncerti do të zgjasë 75 minuta, ku do të interpretohen numra të ndryshëm muzikorë, kompozime të vetë artistit, ndërkohë që të ftuar specialë gjatë koncertit janë Albanian Iso-Polyphonic Choir.

Në thelb të punës së Robert Bishës qëndron eksplorimi dhe eksperimenti. “Është dëshira për të eksploruar çfarë mundësish të jep pianoja dhe instrumentet e tjera”. Edhe pse programi i koncertit është përcaktuar më parë, edhe aty eksperimenti nuk mund të ndalë. Skema, nuk mund të jetë asnjëherë kufizuese për të.

“Dua të rrezikoj. Edhe në skenë mund të lindë diçka e re, një kompozim i çastit”. Është e vështirë të përkufizosh zhanrin në të cilin ai luan. Ai vetë thotë se nuk do të mbetet rob i një zhanri. Ndërsa menaxheri Olsi Sulejmani (Ballkan World Music Management) do ta quante thjesht muzikë bashkëkohore.

“Ai ka një stil të vetin, tërësisht të identifikueshëm”, u shpreh Sulejmani. Njohës i shumë instrumenteve, Robert Bisha, ka si instrument parësor pianon, të cilën është në gjendje ta shfrytëzojë në 360 gradë, por mbi të gjitha, siç thotë ai është dëgjimi. Dëgjimi i lëvizjeve, zhurmave, ndjeshmëria e lartë e drejton gjithnjë kah rrugëve të reja për të bërë muzikë.

“Edhe rrugës, nëse shoh diçka interesante, e marr e fus në xhep dhe mendoj se si mund të më shërbejë në muzikë”, thotë ai, duke shpjeguar në këtë mënyrë se si mund ta përdorë edhe një makinë rroje në shërbim të muzikës.

 

Robert Bisha ka lindur në Shkodër dhe studimet për piano i nis që në moshën 6 vjeç, për t’iu kushtuar më vonë edhe fizarmonikës, kitarës dhe perkusionit etnik. Studion pianoforte klasike në konservatorin e Ferrarës.

Temat e kompozuara me intervalet e folklorit, edhe pse shpeshherë nuk janë realisht tema këngësh folklorike, ato të kujtojnë dhe thërrasin folklorin. Njohuria e repertorit klasik perëndimor pianistik, njohuria e shumë zhanreve të ndryshme muzikore, e bëjnë Robertin një improvizues dhe kompozitor me cilësi ndërkombëtare, por edhe një artist me mënyra shprehëse, unike në instrumente.

Edhe pse i ri në moshë, ka fituar çmime të ndryshme kompozimi dhe ka performuar live me artistë të ndryshëm dhe me reputacion e famë ndërkombëtare. Koncertet e tij për piano solo gjejnë vend si në teatro, ashtu edhe në festivale bashkëkohore apo aktivitete xhazi. Zhvillon laboratorë mbi ritmin dhe seminare – workshop-e mbi improvizimin në muzikën folklorike deri edhe në muzikën serioze bashkëkohore.

Ka kompozuar kolona zanore për kompani të ndryshme teatrale. Nëse e pyet se cili është kompozitori i tij i preferuar shqiptar, veçon Kujtim Laron, por edhe kompozitorët shkodranë. Aktualisht, po punon për dy projekte në fushën e bashkëkohores dhe që të dy, projekte të bazuara në muzikën tradicionale shqiptare.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura