Rishfaqja e ish-kreut të PD, ish-Presidenti Topi: Nuk është asgjë e paparashikuar, por ka një lloj misteri! Basha duhet të shprehet dhe të bëjë transparencë

May 25, 2023 | 20:09
SHPËRNDAJE

Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar rishfaqen e ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili zhvilloi një takim me të rinjtë ditën e djeshme.

Bamir-Topi

Teksa ishte i ftuar në emisionin “Frontline” në News24, Topi tha se rishfaqja e Bashës nuk ishte diçka e paparashikuar.

Ai tha se opozita është momentalisht në situatën më të keqe të mundshme dhe shtoi se Basha duhet të bëjë transparencë lidhur me rishfaqen e tij.

“Nuk ishte asgjë e paparashikuar. Ndonjëherë ne tentojmë të diskutojmë vetëm ecurinë dhe fatin e një partie, përjashto PS që është në pushtet dhe gëzon shëndet të plotë për shkak të të gjitha mundësive që të jep qeverisja, por edhe me një lloj raporti psikologjik që është tek njerëzit. Me sa duket interesat kanë përfunduar aq poshtë sa njerëzit diskutojnë për bukën e gojës dhe detyrohen të ndjekin pushtetin në fushata elektorale. Krahu tjetër pastaj nuk ke ku ta kapësh.

Unë tentoj të shoh përtej PD, sepse ka një numër të madh të partive opozitare. Në këto zgjedhje nuk u futën në koalicion dhe kjo asnjëherë nuk u sqarua. E shoh si një të drejtë të individit që të shfaqet apo zhduket në moment që vendos të mos jetë në mjedis. Nuk duhet harruar që është deputet dhe në njëfarë mënyrë dalja e tij justifikohet. Por mendoj që i takon zotit Basha që të shprehet sepse ende ka një lloj misteri. Ndërsa me kalimin e ditëve besoj do të bëjë transparencë për mungesën e tij dhe pse është kthyer.

Nuk mund të paragjykoj, sepse nesër mund të thotë diçka që deklarata ime të konsiderohet si paragjykuese. Ai u shfaq dhe unë uroj që të vijë në studio, dhe pastaj ju bëjini skanerin e plotë sepse edhe ai është i detyruar të japë disa sqarime.  E gjithë klima e supozimeve është e tillë se ai asgjë nuk ka bërë pa miratimin e Berishës dhe sjellja e Bashës, ka qenë gojëmbyllur. Njerëzit janë mësuar të gëlltisin grepin, fjalën e bukur, një premtim dhe pas çdo palë zgjedhjeve gëlltisin dëshpërimin.  Niveli i kulturës politikë të shoqërinë ku unë bëj pjesë është dukshëm nën nivelin e shoqërive të Ballkanit”, u shpreh Topi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura