“Rinia jonë rrëmbeu armët për…”- Çfarë ndodhi në masakrën e 28 shkurtit ‘44, kush ishin 4 personat që u pushkatuan! Kujtime nga fëmijëria e hershme e pasluftës

Feb 28, 2024 | 13:09
SHPËRNDAJE

masakraGJERGJI FRASHËRI

Sot u mbushën 80 vjet nga dita e rënies së “katër dëshmorëve” të “Lagjes Guerile” në Tiranë, prej natës së 28 shkurtit 1944, kur okupatori nazist dhe bashkëpunëtorët e tij kolaboracionistë pushkatuan katër të rinj luftëtarë të çlirimit të Atdheut – Trajan Pekmezi (30 vjeç), Skënder Kosturi (22 vjeç), Gjergj Frashëri (20 vjeç) dhe Viktor Gjokoreci (16 vjeç).

Qëkurse isha fare i mitur në mesin e viteve ’50 të shekullit të kaluar, më shfaqet vetja herë pas here ndër vegime kujtimesh fëminore, mes gjyshes time të shtrenjtë Dhoksia që më shtrëngonte pëllëmbën e dorës së majtë dhe gjyshit tejet të dashur Anastas që më pushtonte dorën e djathtë, të cilët më hiqnin ngadalë përpara mes tyre si fëmijë hapvogël, në krye të kortezhit përkujtimor që formohej çdo vit më 28 shkurt. Na ndiqte nga pas, vargu me pjesëtarë të tjerë familjarë, komshinj dhe miq të shumtë nga anë-e-anës, kortezh që mbyllej nga rreshti i gjatë me qytetarë të heshtur dhe të respektueshëm, të urtë dhe fisnikë të paharruar të popullit kryeqytetas të Tiranës së atyre viteve të pasluftës. Ishte i tëri, një varg shqiptarësh të mbrujtur (gatuar) me shekuj me respektin dhe mirënjohjen kanonike ndaj bijve dhe bijave të vrarë në vepër e sipër, në luftë, i një respekti pa kufi ndaj veprës heroike të të rënëve për çlirimin dhe mbrojtjen e Atdheut, ndaj heronjve të vendit. Ishte një kortezh, që në sipas zakoneve të lashta të viseve tona, nisej çdoherë në po atë ditë të vitit, nga shtëpia jonë pranë “Shkollës së Kuqe” dhe drejtohej për nga lapidari i “Katër Dëshmorëve”, ku takoheshim gati njëherësh edhe tre përrenj të tjerë kortezhesh, që buronin nga shtëpitë e tre Dëshmorëve të tjerë, të bëheshin përsëri katër, si në ditën e Pushkatimit. Puqeshim të gjithë aty, ku vepra e dëshmorëve të 28 shkurtit 1944, i dhuroi prej asaj kohe, emrit të vjetër historik tiranas “Rruga e Kusit”, emërtimin e ri po tiranas, edhe më të gjallë historik dokumentar me emrin “Rruga e Katër Dëshmorëve”, madje edhe pse, kësaj rruge historike iu shtua prej asaj kohe, edhe një shkollë më shumë, shkolla 8-vjeçare me të njëjtin emër, ajo e “Katër Dëshmorëve” të kryeqytetit.

Qëllova të isha nipi i parë i lindur nga gjenerata e tre djemve që patën gjyshja Dhoksia dhe gjyshi Anastas Frashëri, të cilët mbas Luftës prisnin të mbushej shtëpia me nipër dhe mbesa sipas “detyrimit” ligjor natyral tradicional shqiptar prej tre djemve të tyre, Kristo (1920), Thomai (1922) dhe Gjergji (1924). Por tashmë, jo më prej djalit të vogël, i cili ndërkohë pat rënë dëshmor ende pa u martuar. Qëllova të isha lindur pra, për ata të dy etërit, simbole të qenësisë së familjes sonë, njëkohësisht edhe bartësit e patriarkalizmit tradicional vendas (ndoshta që nga koha e Teutës dhe e Bardhylit), dhurata e parë nga perëndia që të vija në jetë më 1949, për t’iu përmbushur atyre së paku konvencionalisht, shpirtin e shenjtë të djalit të tyre të rënë për atdhe, përmes pagëzimit që më bënë pamëdyshje me emrin e tij të saporënë dëshmor, pesë vjet më parë.

Ishte një ritual i përvitshëm shpirtëror, të cilin e kam ndjerë jo në pak raste ceremonish familjare, veçanërisht sa i kishim të gjallë Nënen Dhoksia dhe Babanë Caci, në tavolinat e shtëpive tona përherë të mbushura me shumë familjarë e miq, tek ndjehesha direkt si djali i tyre me të gjitha privilegjet e krenarisë shpirtërore të Gjergjit dëshmor të Atdheut, brenda një bote familjare me shpirtra të shenjtë shumëkatësh me amanete të përjetshme dhe të palosura njëri mbi tjetrin, brez pas brezi. Ndoshta është edhe kjo, njëra midis vetive të mbijetesës sonë, që Perëndia e Diellit na ka caktuar të jetojmë prej lashtësisë së harruar, në këto vise të lakmuara, të trazuara dhe të pushtuara nga të gjithë perandoritë e historisë së botës së qytetëruar, përmbushja e detyrimeve shpirtërore të gjithsecilit prej nesh, ndaj prindërve natyralë.

1. Bota ime ndaj “Katër dëshmorëve të 28 shkurtit 1944”.

Dëshiroj të tregoj, se bota e “Katër Dëshmorëve” u mblodh para meje sapo hapa sytë në jetë, njëherazi prej etërve të mi gjyshër, por më pas edhe prej të dashurve të tjerë që më shoqërojnë tërë kohës, të gjallë dhe të vdekur bashkërisht. Më 28 shkurt të këtij viti u mbushën 80 vjet nga dita e rënies së katër dëshmorëve, të cilët dhanë jetën e tyre në lulen e rinisë për çlirimin e Atdheut nga okupatorët e huaj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pushtimi i vendit nga Italia fashiste (7 prill 1939) dhe më pas nga Gjermania naziste (8 shtator 1943), ngritën në këmbë atëherë mijëra të rinj t’i bashkoheshin rezistencës dhe luftës për mbrojtjen e lirisë së vendit, të gatshëm deri në sakrificën e jetës së tyre. Ishte ky mobilizim kryesisht i rinisë së vendit, që çoi në organizimin e udhëheqjes politike dhe të aktivitetit ilegal të tyre në qytete dhe atij të hapur partizan në mbarë vendin për çlirimin e vendit të tij, jo vetëm nga okupatori i huaj fashist italian dhe nazist gjerman, por edhe nga tradhtarët dhe kolaboracionistët tanë vendas që jetojmë bashkërisht dhe flasim të gjithë gjuhën shqipe. Rinia jonë rrëmbeu armët për të mbrojtur lirinë e Atdheut. Por, nuk mungoi edhe kundërveprimi masakrues i reaksionit nazist dhe kuisling në Tiranë, me kulmimin e tyre në Operacionin e dimrit 1943-1944 dhe masakrat e tyre në qytete gjatë muajit shkurt 1944, të cilat ishin ditët më tronditëse që kaloi populli shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mund të thuhet simbolikisht, se “finalja” e këtij muaji-masakër mbyllet me mëngjesin e 28 shkurtit 1944, kur qytetarët e Tiranës gjetën të shtrirë në trotuar në “Rrugën e Kusit” (sot rruga “Katër Dëshmorët”), katër djem të rinj të pushkatuar në mesin e asaj nate, nga bashkëpunëtorët dhe kolaboracionistet shqiptarë të okupatorëve nazistë gjermanë. Në fund të këtij viti mbushen 80 vjet, qëkurse të paktën, pjesa e Republikës sonë nga Shqipëria historike, gëzon lirinë e saj, për të cilën gjejmë rastin të shprehim edhe një herë mirënjohjen e thellë ndaj Nacionalçlirimtares, udhëheqësve dhe veteranëve, heronjve, dëshmorëve dhe kontributit të pjesëmarrësve të shumtë popullore të Luftës për liri. Është kjo veti vitale e gatuar nga drita dhe uji i këtij vendi, për të cilën do të dëshmoja si dokument, se ajo jeton pafundësisht dhe ushqen zemrën e çdo shqiptari, edhe atij që merr rrugën fatkeqe të emigrantit, i detyruar të lërë mbrapa shpine vendin e tij me magji historike.

2. Po kush ishin ata katër të rinj? Cila ishte veprimtaria e tyre dhe pse u pushkatuan? Po i tregojmë duke respektuar vjetërsinë e moshës:

Trajan Stavri Pekmezi (30 vjeç), lindi në Ohër në vitin 1911. U brumos në një familje me tradita atdhetarie. Ndoqi shkollat e kohës dhe u formua si një antifashist, duke marrë pjesë në mjaft veprimtari në interes të lëvizjes. Ishte punëtor mekanik dhe kishte dyqanin (servisin) vetjak, ku hynin dhe dilnin shumë shokë të tij që flisnin për gjendjen e vajtueshme ekonomike të punëtorit shqiptar nën rregjimin e Zogut, i cili ishte katandisur të punonte, siç thoshte ai vetë, për 4 lekë në ditë, pasi nuk gjente punë. Ai kishte dy fëmijë të vegjël. Trajani kujtohet nga shokët në krye të demonstratës së parë që u zhvillua kundër Italisë musoliniane, e cila shpërtheu në mbrëmjen e 28 marsit 1939, kur grupi theatral i Institutit Femëror në Tiranë shfaqte një dramë kombëtare në “Sinema Gloria”. Ai spikati në të gjitha demonstratat që u bënë deri më 7 prill, pra në ditët kur Italia po përgatitej të pushtonte Shqipërinë. Ishte idealist në brendinë e vet dhe ushqehej nga dashuria për Atdheun. Megjithëse Trajani ishte i sëmurë me tuberkuloz, ai gjente forca që të ngrihej nga shtrati dhe t’i përkushtohej me idealizëm endjes qytet më qytet për të mbledhur armë nga shokët dhe të njohurit besnikë të tij, për çetat partizane. Kishte ndjenjën e sakrificës dhe besonte në fitoren, të cilës i kushtohej. Ishte anëtar i Partisë Komuniste. Trajan Pekmezi e kishte bërë dyqanin e tij, çerdhe të takimeve dhe mbledhjeve ilegale, kurse shtëpia e tij ishte kthyer në bazën e takimeve ilegale të komunistëve dhe një “klinikë me farmaci” për mjekime të shokëve të sëmurë apo të plagosur.

Skënder Ali-Fehmi Kosturi (22 vjeç), lindi në vitin 1922 në një shtëpi të Tiranës, pranë ish-stacionit të trenit. Në gjimnaz Skënderi u dallua për ndjenja të thella patriotike. Vërejtjet që kishte marrë nga drejtoria e shkollës dëshmojnë për aktivitetin e tij revolucionar. Njohja me Qemal Stafën ndikoi shumë në formimin dhe në aktivitetin e tij të mëvonshëm antifashist. Skënderi merrej shumë me rininë shkollore. Ai u aktivizua me Grupin Komunist të Shkodrës. Disa muaj pas krijimit të PKSH, në mars të vitit 1942, pranohet anëtar i PKSH. Qarkori i Partisë për Tiranën e caktoi me detyra partie në Prizren, në Shkodër dhe në Vlorë, ku edhe u plagos. Atje arrestohet, por mundi të arratisej dhe të kthehej në Tiranë. Skënderi me Gjergjin ishin pjesëtarë në çeta dhe në shkurt 1944 ishin kthyer për arsye shëndeti në Tiranë. Në mesnatën e 27 shkurtit, ndërsa digjej nga ethet e gripit, Skënderi u spiunua dhe pasi u rrëmbye nga shtëpia e tij dhe u dërgua në Burgun e Kuesturës të Tiranës.

Gjergj Anastas Frashëri (20 vjeç), lindi në Stamboll më 21 maj 1924, i biri i Anastas dhe i Dhoksia Frashërit, të mërguar tradicionalisht për arsye arsimimi dhe ekonomike. Gjergji e kaloi fëmijërinë dhe rininë deri sa u vra, së bashku me familjen e vet në Tiranë në Lagjen nr. 2. Qysh i ri u pajis me ndjenja patriotike revolucionare. Mori pjesë në demonstratat antifashiste që u zhvilluan në kryeqytet kundër okupatorit italian. Hyri në Organizatën e Rinisë Komuniste Shqiptare qysh në themelimin e saj më 23 nëntor 1941. Si i ri komunist ka shpërndarë trakte, ka shkruar parulla dhe ka kryer aksione kundër armikut. Në pranverën e vitit 1943, u zgjodh sekretar i Organizatës së Rinisë Komuniste të Lagjes “Sulejman Pashë” (sot Lagja 2 e kryeqytetit). Në verën e atij viti, hyri në një njësit gueril të kryeqytetit dhe ka marrë pjesë, si anëtar i saj, në disa aksione të njohura të rrezikshme.

Me 3 tetor 1943, doli partizan dhe më 9 tetor u inkuadrua në Brigadën e III-të Sulmuese, si përgjegjës i Organizatës së Rinisë të Batalionit të II-të. Ka marrë pjesë në luftimet që u zhvilluan në Krrabë, Çermenikë, Labinot, Martanesh, Polis dhe Kostenjë. Më 29 dhjetor 1943 u dërgua si ilegal në Tiranë, ku hyri përsëri në një njësit gueril. Pas aksionit të fundit që kreu në Tiranë më 27 shkurt 1944, me urdhër të Njësitit Gueril për eliminimin e spiunit tradhëtar Fiqri Çela, ai u arrestua, pasi kreu atentatin, me tradhëti. Pas mesit të natës, duke gdhirë dita 28 shkurt 1944, Gjergj Frashëri u ekzekutua nga armiqtë pa gjyq së bashku me tre shokë të tjerë, Trajan Pekmezin, Skënder Kosturin dhe Viktor Gjokorecin, pranë vendit ku u ngrit më pas lapidari në kujtim të tyre, në rrugën e “4 Dëshmorëve” në Lagjen 3.

Viktor Sterjo Gjokoreci (16 vjeç), lindi në Korçë më 4 dhjetor 1928. Duke e pasur babain komunist, Viktori u brumos qysh i vogël me ide revolucionare dhe me guximin për pjesëmarrje aktive në demonstrata e aktivitete të tjera. Qysh në shkollën fillore që e nisi më 1935 u dallua për rezultatet e mira në mësime dhe për ndjenjë gatishmërie për të ndihmuar të tjerët. Megjithëse i mitur, Viktori qe ndër të parët e moshës së tij, që e kuptuan më mirë çështjen mbi rëndësinë e lirisë së vendit dhe të popullit, dhe u hodh me entuziazëm në çdo demonstratë që mori pjesë. Shpesh dilte në pah guximi i tij i papërmbajtur në demonstrata dhe në shpërndarjen e trakteve. Një nga shokët më të rritur që e admironte dhe e besonte atë, ishte Gjergj Frashëri. Në vitin 1942, Viktori u bë pjesë e grupeve ilegale të Rinisë Komuniste. Pak kohë para Operacionit Armik të Dimrit 1943-1944 që kishin përgatitur nazistët, Balli dhe Legaliteti kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare, Viktori la nënën e vetme në shtëpi dhe doli partizan në moshën 15-vjeçare (dhjetor 1943), duke iu bashkuar njësiteve që vepronin në rrethet e Tiranës, por papritur një sëmundje e rëndë e detyroi të kthehej në janar 1944 në qytet (Tiranë). Natën e 27 shkurtit 1944, mbas kryerjes së atentatit të spiunit Fiqri Çela nga Gjergj Frashëri, Viktori që kishte shoqëruar shokun e tij të plagosur, u gjend i strehuar bashkë me shokët e tjerë të lartpërmendur në shtëpinë e “Mjekimit të Ilegalëve” të Trajan Pekmezit, ku mbas spiunimit u arrestua dhe pas mesnate u pushkatua bashkë me shokët.

3. Ngjarjet e ditëve të fundit – atentati, arrestimi dhe pushkatimi me urgjencë dhe pa vendim i katër dëshmorëve:

Ishte kulmi i operacionit të dimrit 1943-1944. Siç u tha, gjatë muajit shkurt 1944, kur hordhia e hitlerianëve në bashkëpunim me tradhtarët e vendit po kryenin masakrat e përbindshme në kryeqytet, Gjergj Frashëri u ndodh në Tiranë i angazhuar me njësitin gueril ku bënte pjesë. Mezi priste për të kaluar përsëri në rreshtat partizane. Por, dëshira e tij nuk arriti të realizohej. Në fund të shkurtit, ai mori urdhër prej njësitit të kryente atentatin kundër agjentit të pushtuesve, tradhtarit Fiqiri Çela. Disa ditë me radhë Gjergji kishte përgjuar lëvizjet dhe takimet e spiunit. Më 27 shkurt, ditën e diel në mesditë, në Tiranë, Gjergji hyri brenda në kafenenë që ndodhej në atë kohë në kryqëzimin midis rrugës “Riza Cerova” me rrugën e “4 Dëshmorëve” dhe me gjakftohtësinë më të madhe, kreu me sukses atentatin në emër të Njësitit Gueril kundër tradhtarit Fiqri Çela. Ishte ky një agjent tepër aktiv i Policisë së Okupatorit Gjerman, autori i spiunimeve të rënda për disa arrestime të kryera nga Kuestura armike, ndaj martirëve simpatizantë të Luftës Nacionalçlirimtare. Duke paralajmëruar njëkohësisht ata që ishin rastësisht brenda në kafene për të mos bërë asnjë lëvizje, përndryshe do të hidhte bomba, Gjergji kryen aksionin dhe largohet duke vrapuar nën të shtënat e ballistëve prapa krahëve, prej të cilave mori një plumb në shpatullën e majtë dhe një plumb tjetër në krahë. Por, ai mundi të arrijë në shtëpinë-bazë ilegale për mjekime të Trajan Pekmezit, edhe me ndihmesën e Viktorit besnik. Një skuadër e policisë kuislinge kalimtare u informua nga një spiun tjetër që u ndodh në rrugën “Hoxha Tahsin”, se kishte parë atentatorin të hynte në segmentin e fundit të rrugicave. Shtëpia u rrethua, por rezistencë nuk u bë, sepse një informatë kishte ardhur ndërkohë nga brenditë e afërta të atyre shtëpive ilegale, se shokë me rëndësi ishin strehuar përkohësisht brenda tyre dhe se ndryshe dëmi do ishte më i madh. Policët kuislingë hynë brenda duke arrestuar pa rezistencë të gjithë ata që ndodheshin aty, Gjergjin e plagosur, Viktor Gjokorecin që kishte shoqëruar shokun e tij të plagosur pas atentatit, Trajan Pekmezin e sëmurë që po kurohej, nënën e Viktorit, si dhe nënën dhe vëllanë e Gjergjit, Thoma Frashërin, të cilët këta dy të fundit kishin mbërritur ndërkohë, të njoftuar për t’u kujdesur për plagët e marra të Gjergjit. Dy orë më pas u arrestua edhe i ati i Gjergjit, Anastas Frashëri, sapo ai mbërriti në Kuesturë për të kërkuar shpjegime për arrestimet pa vendim zyrtar. Disa orë më vonë në prag të mesnatës së 27 shkurtit, ballistët sollën në burgun e Kuesturës edhe Skënder Kosturin, të rrëmbyer nga shtëpia e tij, ndërsa digjej nga ethet e gripit.

Në po atë mbrëmje drejt mesnatës së 27 shkurtit, Administrata Kuislinge vendosi që vrasja e Fiqri Çelës, të shpaguhej me pushkatim në rrugët e qytetit, në formë demonstrative politike, të katër të rinjve simpatizantë të Luftës Nacionalçlirimtare. Ndonëse nuk kishin asnjë dëshmi në dorë, kuislingët vendosën pushkatimin demonstrativ në rrugët e qytetit të Gjergj Frashërit, Viktor Gjokorecit, Trajan Pekmezit dhe Skënder Kosturit. Kështu, pa asnjë procedurë dhe vendimi gjyqësor (qoftë edhe formal), aty rreth orës 2 pas mesnate, ende pa u gdhirë dita 28 shkurt 1944, në vendin ku ishte vrarë me atentat agjenti kuisling, u krye pushkatimi i katër dëshmorë në lulen e rinisë – dy të parët, anëtarë të Organizatës së Rinisë Antifashiste, dy të tjerët, anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare.

Trupat e dëshmorëve u lanë të ekspozuar në rrugë deri afër mesditës të 28 shkurtit 1944. Disa orë më vonë, Organizata e Partisë së Tiranës, hartoi, shtypi dhe shpërndau nëpër lagjet e kryeqytetit, traktin e mëposhtëm:

4 SHKURTI VAZHDON!

Sot, Tirana, si më 4 shkurt, u zgjua në zi dhe në gjak. Natën, me urdhrin e xhelatëve të Kombit Shqiptar, u asasinuan katër të rinj. Rrjepur e zhveshur, mbytur në gjak, janë shtrirë në “Rrugën e Kusit”, ku populli mblidhet dhe i shikon me vaj e lemeri. Por, edhe me zemërim dhe urrejtje kundër okupatorit të huaj dhe tradhëtarëve.

Katër dëshmorë të tjerë në vargun e gjatë të dëshmorëve që kanë rënë për lirinë e Shqipërisë. Cilët janë?

Katër të rinj, dy prej të cilëve pothuajse foshnjë, si ka me mijëra e me mijëra sot në Shqipëri, që s’durojnë dot zgjedhën e egër nazi-fashiste dhe luftojnë me tërë vrullin dhe entuziazmin e moshës së tyre bujare:

TRAJAN PEKMEZI 30 vjeç, SKËNDER KOSTURI 22 vjeç, GJERGJ FRASHËRI 20 vjeç, VIKTOR GJOKORECI 16 vjeç

Përse i asasinuan?

Si raprezalje ala Gestapo, pse u vra dje një spiun i ndyrë, i urryer nga të gjithë mëhalla e Kusit, që kishte marrë në qafë kushedi sa të rinj në kohën e fashizmit italian dhe sot vazhdonte zanatin e tij të poshtër për hesap të Gestapos. Shoku i Qazim Mulletit dje, shoku i Qazim Mulletit sot. Shoku i Xhafer Devës dje, shoku i Xhafer Devës sot!

Kush i asasinoi?

Xhafer Deva, Qazim Mulleti, Xhelal Staravecka, “Qeveria” tradhtare në shërbim të Gestapos. “Këshilla e Lartë e Regjencës”.

“Po, edhe ju o Mehdi Frashëri e Patër Anton Harapi. Ju, që jo vetëm bashkëpunoni me okupatorin nazist, po edhe duroni dhe aprovoni krime pa emër dhe pa shembull si ato të Korçës, të Libohovës, të 4 shkurtit. A ky është rregulli, drejtësia, pavarësia dhe liria që i prutë Shqipërisë?”. Më një anë populli, djalëria, patriotët, më anën tjetër okupatori i huaj fashist ose nazist, agjentët e tij dhe politikanët kompromisaxhinj e tradhëtorë. Ja lufta jonë e djeshme, ja lufta jonë e sotme. Ja barriera e madhe që është ngritur sot jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën.

POPULLI i TIRANËS!

Egërsirat fashisto-naziste të dehura me gjak e tradhti, po tërbohen dita me ditë më tepër. Pse dita me ditë e shohin se ora e lirisë dhe e hakmarrjes po afrohet. Terrorit e provokacioneve të tyre t’u përgjigjemi me protesta, me demonstrata, me ndihma të burgosurve, me luftë të paprerë.

Të shtrëngojmë radhët tona, t’u shtojmë ndihmën Këshillave dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare, partizanëve dhe gjithë patriotëve. Që sot, këmbën e atyre që ranë dëshmorë do t’a zënë me qindra të tjerë. Terrori i Gestapos dhe i tradhëtorëve nuk mund të shuajë kurrë farën e heronjve, zjarrin e lirisë në Shqipëri. Gjithë Kombi është me ne. Gjithë bota është me ne. Lavdi të përjetëshme dëshmorëve që ranë për lirinë e Atdheut!

RROFTË SHQIPËRIA E LIRË! VDEKJE OKUPATORIT NAZIST DHE TRADHËTORËVE!

28 shkurt 1944, Këshilli NacionalÇlirimtar i Tiranës

Fjalë përmbyllëse: Dikur në vitet ’70, fillova të mblidhja dokumentacion arkivor dhe tregimtar (gojor) mbi jetën, formimin dhe veprën e katër dëshmorëve, i dekoruar secili me “Medaljen e Kujtimit” dhe atë të “Trimërisë”. Por, studimin përkatës dhe fjalën e fundit mbi moralin e veprës së tyre në historinë e Shqipërisë bashkëkohore (moderne) ia kam lënë të ardhmes, viteve të fundit të jetës, kur të ndjej se ajo po soset. Sepse është bërë një arsye më shumë, siç e kam vënë në dukje në një shkrim timin të mëparshëm për Ditën e Dëshmorëve me titull “Përkulje e thellë atdhetarie përpara luftëtarëve të frontit antifashist” (botuar në gazetën “Panorama”, 5 maj 2019), se duhet të pres se çfarë do të ndodhë me Republikën dhe me Shqipërinë tonë? Jemi ende rrugës … E kam fjalën, të mjaftojë të vazhdojmë të shkruajmë, apo të MARRIM PUSHKËT për të çuar në vend edhe një herë amanetin e të parëve tanë?!

Materiale dokumentare të ngjarjes

Për të materializuar dëshmitë e ngjarjes, po rreshtoj në vijim disa “Dokumente autentike të kohës së ngjarjes” të pabotuara deri më sot, të cilat gjenden në: Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë.

1. Fonogram dore e komandantit të Zonës të Xhandarmërisë së Dajtit (N/Toger Mero Bado) drejtuar Prokurorisë së Shtetit – Komandës së Rrethit të Brendshëm, Tiranë, dt. 28/II/1944, në të cilën shkruhet: “Patrulla na lajmëron se në rrugën ‘Ali Pash Parga’ (‘Rruga e Kusit’) rajon i kësaj zone komande, janë gjetë të vramë 4 persona të pa indetifikuem. Jemi duke hetue mënyrën e vrasjes. Përfundimi njoftohet ma vonë”. Nënshkruar nga komandanti i Zonës, Gjindarmërisë “Dajti”, N/Toger, Mero Bado (firmë, vulë).

2. Prokurori i Shtetit Tiranë, T. Gjini, i drejtohet me lutje, mjekut të Bashkisë zotit dr. Nas Kajana, dt. 28/II/1944, në të cilën shkruhet: “Jeni të lutun me vizitue katër kufomat e gjetuna në rrugën e Kusit të rrajonit të Zonës Gjind. Rr. Dajti dhe përfundimisht të na lëshohet raporti për mbi shkakun e vdekjes”. Vërtetuar me shkrim dore, se Mjeku N. Kajana e ka marrë këtë Lutje në dorëzim më datë 28-II-44.

3. Raport Mjekoligjuer – nga Mjeku i Bashkisë Dr. Nas Kajana, Tiranë, dt. 28/II/1944, në të cilin shkruhet: “I nënshkruari dr. Nas Kajana mjeku i Bashkis vendit mbi porosin e z. Prokurorit Shtetit të Tiranës këqyra në prezencën e Prokurorit z. T. Gjini dhe të Komandaniti Zones Rr. Dajtit z. Nentoger Mero Bado kater kufoma të ndodhuna në rrugen Ibrahim Pashë Parga dhe kostatova se vdekja e kater këtyneve e shkatueme prej armave zjarrmit kalibrit të math sistem modernë, plaget ishin të shumta dhe në vize të shumta të trupit, plaget kanë qenë shkaktue në nji kohe të afërme”. Firmosur nga mjeku i Bashkisë dr. N. Kajana.

4. Plan-skica e vendit të pushkatimit e dr. Nas Kajana mbi pozicionin e gjetjes së katër trupave të të rinjve – Skicë planimetrike me titullin: “Pijetorja ku është vra Fiqri Cela më datë 27/II/44; Trotuari me 4 kufoma të gjetuna të vrame prej personave pa njohtun, mëngjesin e datës 28/II/44; Trajan Pekmezi, Gjergj Frashëri, Viktor Gjokoreci, Skënder Kosturi”.

5. (Ndërsa në Bashkinë e Tiranës ndodhet Akti i Vdekjes për secilin dëshmor, regjistruar më datë 1 mars 1944, firmosur nga ofiqari i Gjendjes Civile, me numrat rendorë të regjistrimit (Skënder Kosturi – Nr. 98; Trajan Pekmezi – Nr. 99; Viktor Gjokoreci – Nr. 100; Gjergj Frashëri – Nr. 101)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura