Reportazh/ Në kërkim të një muzeu kombëtar të detarisë

Aug 2, 2022 | 7:49
SHPËRNDAJE

Shqipëria është i vetmi vend në pellgun e Mesdheut që nuk ka ende një muze detarie, ndërsa kërkesat dhe përpjekjet e shumta kanë rënë në vesh të shurdhër.

muze detarie

Përpjekjet e Dashamir Janinës për ngritjen e një muzeu kombëtar të detarisë kanë shkuar dëm prej dy dekadash. Drejtuesi 85-vjeçar i shoqatës së detarëve “Adrijon” thotë se ka trokitur në shumë dyer për të mbajtur gjallë historinë e flotës tregtare, por i ka gjetur ato të mbyllura.

“Na thonin vetëm fjalë të mira, por asgjë më shumë se kaq,” ankohet Janina, detar prej vitit 1957 dhe autor i një libri me kujtime nga jeta e tij mes njerëzve të detit.

“Një pjesë e shokëve nuk jetojnë më, çka e bën më të vështirë edhe grumbullimin e dokumenteve apo të kujtimeve,” shton ai me trishtim.

Shqipëria është i vetmi vend në pellgun e Mesdheut që nuk ka ende një muze detarie,

pavarësisht vijës bregdetare të pasur dhe historisë së gjatë të lundrimit. Projektet dhe propozimet nuk kanë munguar, por ato nuk kanë gjetur vëmendjen e qeverisjes qendrore.

Edhe planet për ngritjen e një muzeu të flotës ushtarake detare kanë mbetur në vendnumëro.

Artur Meçollari, kapiten i rangut të parë dhe ish-drejtues i Flotës Detare i tha BIRN se prej vitit 2009 u hartua një projekt i quajtur “Oriku” – por që u braktis si tepër i shtrenjtë nga qeveria.

“Shkolla e instruksionit në Vlorë, që kishte shërbyer më parë si shkollë e marinës luftarake, përfshirë godinat dhe truallin pranë tij, do të ishin pjesa që do të kujtonte periudhën 1945-1990 të “Luftës së Ftohtë,” kujton Meçollari.

Projekti parashikohej të shtrihej edhe në Pashaliman dhe Orikum, ndërsa në bregdet ishte menduar të instalohej anija nënujëse, që tashmë njihet me emrin “nëndetësja 105”. Kompleksi pritej të kushtonte rreth 5 milionë USD, por sipas Meçollarit, qeveria gjykoi se ishte shumë i shtrenjtë dhe e la atë “në letër”.

Ulqini, tradita e detarisë shqiptare


Ekuipazhi i anijes shqiptare “Gjergj Kastrioti” në një port të huaj.

Në Durrës, detarët e vjetër u janë mirënjohës kapitenëve nga Ulqini, të cilët bashkë me anijet sollën në bregdetin shqiptar edhe të fshehtat e lundrimit në det.

“Unë kam punuar me disa kapidanë ulqinakë, njeri më i zoti se tjetri,” tha për BIRN marinari në pension Galip Dedej.

Dedej është i keqardhur që askush nuk kujtohet më “për detarët dhe për anijet”.

Rreth 140 kilometra në veri të Durrësit – në Ulqin të Malit të Zi, ndërtimi i një muzeu të detarisë duket gjithashtu i vështirë.

Rreth dy vjet më parë, Ilir Çapuni, ish-kryetar i Këshillit Komunal të Ulqinit udhëhoqi nismën për ndërtimin e një muzeu të tillë në vendin e quajtur Rana – aty ku mbi një shekull më parë riparoheshin dhe ndërtoheshin barkat dhe anijet. Megjithatë, projekti dështoi.

“Bashkia e shiti truallin e paracaktuar për të ngritur një kazino dhe unë në shenjë proteste u tërhoqa nga detyra ku më kishin zgjedhur,” tha Çapuni, i cili veç profesionit ka një përvojë shumë të mirë zhytjeje nënujore si eksplorues.

Çapuni këmbëngul se historia e detarisë së Ulqinit paraqitet me “shtrembërime të mëdha” në muzeun e detarisë malazeze në Kotorr dhe mendon se kjo duhet të korrektohet në një muze kombëtar të mbështetur nga qeveria shqiptare.

“Kontributi i detarëve ulqinakë në detarinë shqiptare dhe njohja e këtyre vlerave nga detarët e porteve të Shëngjinit, Durrësit, Vlorës dhe Sarandës është tregues se rrjeti muzeal duhet të nisë në Ulqin, për të vijuar edhe në qytetet bregdetare të Shqipërisë,” shtoi ai.

Të pasionuarit pas detarisë në Durrës shohin një mundësi të re për ndërtimin e një muzeu me kthimin e portit tregtar në port turistik.

“Vizitorët e huaj do të njihen edhe me traditën dhe trashëgiminë e detarisë dhe të lundrimit në shekuj,” përfundoi Janina./BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura