Rënia e mitit të Stalinit dhe “rebelimi” në Konferencën e Tiranës më 1956, si i eliminoi Enver Hoxha “reformatorët”! Ngjarjet pas fjalimit “sekret” të Hrushovit

Mar 30, 2024 | 14:49
SHPËRNDAJE

PROF. DR. ELMAS LECI/ Në fakt, titulli i kësaj periudhe mund të ishte se si Enver Hoxha i “shpëtoi” për qime Konferencës së Tiranës të vitit 1956. Kjo është ideja e trumbetuar, por thelbësorja është krimi i Enver Hoxhës se si ai i asgjësoi të gjithë ata që për atë periudhë u quajtën “reformatorë”.

enver hoxha hrushovi

Reformatorët kërkonin eliminimin e “kultit të individit” të Enver Hoxhës dhe demokratizimin e partisë sipas frymës së Kongresit të 20-të.

Lidhur me çështjen se si Enver Hoxha i “shpëtoi” Konferencës së Tiranës, që në fillim mund të themi se dy ishin arsyet. Së pari, informacionet që mori Enver Hoxha se si po zhvillohej Konferenca dhe ato i flisnin për gati një rebelim të diskutantëve kundër privilegjeve të tij dhe të byroistëve të tjerë, që do të thoshte kundër “kultit të individit” të tij. Së dyti, Enver Hoxha i “shpëtoi” Konferencës ngaqë sovjetikët ende nuk kishin gjetur njeriun tjetër të përshtatshëm që të bënin zëvendësimin e tij. Duhet evidentuar edhe ky fakt që Enver Hoxha në atë periudhë ishte mes dilemës së madhe: Të përkrahte vendimet e Kongresit të 20-të, apo të qëndronte në mendimet e tij staliniste?!

Njerëzit nuk i duronin privilegjet, njerëzit kërkon ndryshime

Dy projekte të mëdha kishin dalë në evidencë më 25 shkurt në ditën e fundit të Kongresit të 20-të, njëri për kthimin e Jugosllavisë në kampin socialist dhe tjetri për shembjen e kultit të Stalinit. Çdo njëri prej këtyre ishte “djegës” për Enver Hoxhën. Ato u bënë objekt diskutimesh në parti, ndryshe nga vendet e Europës Lindore, veçanërisht fjalimi “sekret” i Hrushovit kundër “kultit të individit” të Stalinit. Me t’u kthyer nga Moska, më 2 mars të vitit 1956, Enver Hoxha mblodhi Plenumin e KQ dhe u shpjegoi të pranishmëve gjithçka që përmbante fjalimi “sekret” i Hrushovit, por me një ndryshim sepse që në fillim ai i porositi të pranishmit “të mos mbanin asnjë shënim, t’i mbyllnin defterët dhe t’i fusnin kalemat në xhep. Kjo çështje do të mbetet vetëm këtu”.1)

Me gjithë këtë mbyllje “hermetike”, që mendoi e kërkoi Enver Hoxha, fryma e Kongresit të 20-të depërtoi që depërtoi te të gjithë komunistët shqiptarë. Me këtë lidhen edhe ngjarjet e mëpastajme si diskutimet në Konferencën e Tiranës. Fryma e Kongresit të 20-të kishte ardhur, ajo kishte depërtuar pothuajse masivisht edhe në Shqipëri. Njerzit nuk i duronin më privilegjet për udhëheqësit, njerëzit kërkonin ndryshime, njerëzit kërkonin më shumë liri mendimi, njerzit donin më shumë tolerancë, deri edhe rishikim të vijës së partisë për jetën në të gjithë vendin. Vetëm Enver Hoxha, jo! Vetëm Enver Hoxha ishte kundër. Nuk mund të ishte ai pro dy projekteve të mëdha të Nikita Hrushovit, rehabilitimit të Jugosllavisë dhe luftës kundër kultit të individit, sepse miratimi i tyre padiskutim e hiqte atë nga skena poltike, në mos e çonte edhe në gijontinë.

Për Konferencën e Tiranës të ’56-s është shkruar shumë dhe është analizuar e komentuar jo pak. Veçanërisht për organizatorët e saj. Në literaturën e kohës komuniste, për organizimin e saj, ajo herë i është fokusuar jugosllavëve, më pas pas prishjes edhetë sovjetikëve, dhe pas viteve ’74 e ’82 edhe “tradhëtarëve” Beqir Balluku, Mehmet Shehu etj., të cilët thuhet se “ishin në shërbim të socialimperialistëve sovjetikë” e me radhë.

Këto, kështu siç janë edhe servirur nuk janë të besueshme. Pas viteve ’90-të, analistë e historianë me peshë i janë kthyer e rikthyer kësaj ngjarjeje, Konferencës së partisë së Tiranës dhe pas ballafaqimit të shumë dokumenteve historike, kanë arritur edhe në disa përfundime, që nuk janë shteruese por që gjithsesi kanë hedhur dritë për ato ditë të Konferencës së Tiranës, që janë quajtur ditë “pranverore”. Në më të afërtit me realitetin, më rezulton historiania Ana Lalaj, e cila analizon jo vetëm anën e shumtë dokumentare të organizimit dhe zhvillimit të Konferencës, por bën edhe deduksione edhe mbi faktet e komentuara, mbi zhvilllimin dhe përfundimin e Konferencës së Tiranës. Ajo arrin në konkluzionin se Konferenca e Tiranës dhe diskutantët “kontraversë” të Enver Hoxhës në të, ishin fryma e Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Pra nuk bëhet fjalë për organizatorë konkretë potencialë shtetërorë, jugosllavë apo sovjetikë, por për frymën “liberale” që kishte shpërndarë “vija e re politike” hrushoviane. Kjo frymë, deshi apo nuk deshi Enver Hoxha, kishte ardhur edhe në Shqipëri.

Shumë zyrtarë, madje edhe të lartë të partisë e të shtetit siç e ngritën në Konferencë, e shihnin dhe e ndienin peshën shtypëse kryesisht të Enver Hoxhës dhe të një grushti njerëzish rreth tij. Kjo i shqetësonte ata dhe i kishte mbushur me mllef, ndaj shpërthyen në Konferencë si vendi publik që i bashkonte forcat, që kërkonin më shumë “liri dhe demokraci” siç kishte ngjarë në BS dhe në vendet e tjera të Europës Lindore. Ardhja e asaj fryme dhe kohe edhe në Shqipëri kërkonte ndryshime, reformime, eliminime stalinistësh e pranime të “progresit të ri”, vijës së Kongresit të 20-të. Enver Hoxha këtë nuk e honepste sepse siç do ta argumentojmë, po t’i përkrahte e t’i lejonte, doemos atij i duhej të linte pushtetin.

PËRSE SOVJETIKËT NUK I PËRKRAHËN “REFORMISTËT”?!

Nga ana tjetër, lind pyetja se kur “plasi” në Konferencën e Tiranës dhe që tashmë është vërtetuar që ishte fryma e Kongresit të 20 -të, përse sovjetikët nuk i përkrahën “reformistët” që ta kishin shkarkuar Enver Hoxhën? Kjo, që nuk ndodhi, i ka preokupuar të gjithnjë analistët. Enver Hoxha, lidhur me frymën librale sovjetike, i kishte marrë disa masa për të ruajtur veten. Reagimi i parë ishte ai në qershor të vitit 1955, kur ai largoi nga partia e pushteti Tuk Jakovësn e Bedri Spahiun. Po atë muaj Enver Hoxha arrestoi Ymer Dishnicën, Zef Malën dhe Mark Ndojën. Hetuesia e tyre ishte ca e vështirë, sepse siç e pranon vetë ministri i Drejtësisë Manol Konomi, për ta “kishim fare pak dokumente me vlerë ligjore”2). Ky deklarim i ministrit të Drejtësisë të asaj kohe, do të thotë se e gjithë kjo, këto arrestime, bëheshin nga Enver Hoxha për të ngjallur terror e panik, për të mbajtur gjendjen stabile. Megjithatë, fryma liberale e sovjetikëve të rinj ishte e njëjtë edhe më 1956-n dhe një raport nga partia në Shkodër për Konferencën e partisë të atij qarku, shënohet se njëri nga delegatët e Konferencës këmbëngulte të merrte fjalën, por nuk i a dhanë. Arsyeja ishte se udhëheqja vendore e kishte pikasur se ai do të “shpërthente” në Konferencë. Këtë e qartëson një apo disa shokë të tij aty për rreth që ai u kishte thënë: “Ore shokë, a më premtoni se do teë kujdeseni për ata dy fëmijët e mi, se në majë të hundës më ka ardhur?! Le të vejë ku të vejë por le të zbrazemi njëherë”.3) Por, edhe këto lloj gjërash Enver Hoxhës i shkonin në vesh nga Sigurimi i Shtetit, i cili nuk i lente pa raportuar gjithnjë e më shpesh të dhëna se ç’far shprehnin komunistët për partinë e tyre se ata thoshin deri edhe se “në parti ka frymë terrori, ka falsitet dhe frikë” dhe se “sigurimi përgjon nga të katër anët”.4)

Këto ishin rrethanat e brendshme më 1956-n, kur u mbajtën konferencat e partisë nëpër rrethe, ndër to edhe Konferenca e Tiranës. Mjaft njerëz shpresonin se nga këto forume do të pësonte reformime njëlloj si edhe në BS, regjimi i Enver Hoxhës siç kishte të tjerë, që ishin në shërbim te vetë regjimit. Të parët bënë fare pak, të dytët i shërbenin atij dhe e pësuan nëpër vite. Koha tregoi se të dyja palët nuk mundën t’i arrinin qëllimet e tyre.5)

DISKUTIMET E PJESËMARRËSVE, VRASTARE PËR DISKUTANTËT

Enver Hoxha nuk mund të thuash siç ka patur edhe mendime vëzhguese se ai e krijoi vetë situatën në Konferencën e Tiranës. Jo, Konferenca ishte frymë e “vijës” së re liberale sovjetike. Enver Hoxha bëri për situatën e Konferencës, atë që sapo u njoftua u paraqit në Konferencë dhe me qetësi të shtirur e studioi problemin dhe e tatoi pulsin e delegatëve duke e menaxhuar situatën dhunshëm. Duhet thënë se diskutantët “i zbertheu” e i kundërvuri ata edhe ndaj njëri-tjetrit dhe i asgjësoi një e nga një, duke dalë vetë fitimtar me Sigurimin e me Policinë e Ushtrinë me tanke. Si rezultat dhe ai që e ndryshoi përfundimisht kursin e Konferencës, ishte një fjalim i Enver Hoxhës, 25 faqesh, që u mbajt pas dialogjeve të tensionuara të tij me delegatët. Të inspiruar nga fryma e Kongresit të 20-të, komunistët shqiptarë në Konferencë bënë shumë pyetje, që rezultuan vrastare për ta. Enver Hoxha duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre të bëra në Konferencë, si për Koçi Xoxen, ai u tha delegatëve se “krimet e tij nuk i ka kurdisur Beria, por Koçi Xoxe dhe veprimtarinë fraksioniste në kokën e partisë, ai e ka filluar që në vitin 1945, madje përpara çlirimit të Shqipërisë. Kur erdhëm në Berat, njerëzit e fraksionit të tij goditën unitetin e partisë…

Pas çlirimit, Koçi Xoxe dhe shoku Nako Spiru, që ishte pjesëtar i fraksionit, morën pozita në parti,… Koçi Xoxe forcoi pozitat e tij, kurse Nako Spirut nuk i pëlqeu kjo situatë, se kishte plane të tjera. Kështu në gjirin e udhëheqjes filloi një luftë fraksioniste, karrieriste e antimarksiste në mes të Pandi Kristos e Sejfulla Malëshovës. Por, asnjërit nuk iu realizuan qëllimet e tyre të errëta. Qëndrimi konsekuent dhe lufta e partisë, bëri që ky fraksion të çahet. Nako Spiru vrau veten, duke i dhënë një dorë të madhe Koçi Xoxes. Kështu u zhvilluan punimet e Plenumit të VIII-të, që i hapi rrugën terrorit dhe partia u vu nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit. A i mbani mend ju dosjet, që janë zbuluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, krimet, torturat dhe presionet që u janë bërë njerëzve tanë?! Pikërisht këtyre proceseve do t’u futet thellë Komiteti Qendror. Kini durim se këto gjëra nuk bëhen aq shpejt se janë me qindra procese. Prandaj, dënimi i Koçi Xoxes, është plotësisht i drejtë, i faktuar dhe i merituar plotësisht”.6)

Lidhur me Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun, Enver Hoxha do të konfirmonte në Konferencën e Tiranës se “nuk jam dakord me Vandush Vinçanin,(delegat në Konferencë) i cili kërkon që të rishikohet çështja e Tuk Jakovës. Komiteti Qendror është treguar zemërgjerë me Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun. Për Tukun nuk ishte hera e parë që bënte gabime. Tuku fliste gjoja për luftimin e “kultit të individit”, për fotografitë e shokëve të udhëheqjes që nuk janë radhitur në shtëpinë muze sipas kontributit, por hallin e kishte vetëm për veten e tij. Vija e tij ishte pra, revizionizmi i gjithë vijës së partisë si për shembull çështja e grupeve që u ngrit këtu. Çfarë të analizojë Komiteti Qendror, Manol Konomin? Ai shtatë herë ka kërkuar dorëheqjen nga detyra e rëndësishme e ministrit të Drejtësisë. Një njeri i tillë ka frikë nga përgjegjësia. Ose të marrim Abedin Shehun. Ai me shokë kanë dashur të godasin udhëheqjen, unitetin e partisë. Atëherë si t’i mbajmë në udhëheqjen e partisë sonë, si t’i mbajmë në Komitetin Qendror këta njerëz”?!.7)

Në fakt, në fillim të fjalës së tij, me të cilën si të thuash e ka fillimin edhe se si ai i shpëtojë konferencës së Tiranës, Enver Hoxha ju drejtua të pranishmëve me gjuhën e ezopit, por edhe të terrorit. “Dëgjova ca se sa e elektrizuar është Konferenca- iu drejtua Enver Hoxha delegatëve. Janë bërë kritika ndaj udhëheqjes dhe kjo nuk është keq. Tek ne ka shumë anë të mira, po ka dhe anë të dobëta që do të përpiqemi t’i eliminojmë. Sigurisht është më mirë që ç’ka kemi të rrokullisen këtu brenda partisë se sa jashtë saj. Çështjet e partisë kurrë nuk bëhen çështje rruge. Në parti çdo njeri ka të drejtë të bëjë pyetje. Në partinë tonë duhet të ketë demokraci të plotë. Por nuk ekskludohet e të ketë njerëz që bëjnë kritika jo në frymë partie. Ka të tjerë që kanë bërë faje gjatë rrugës së partisë. Ata tani mendojnë se u bë deti kos dhe ‘të gjitha fajet o burra të lahen, të fshihen'”.8)

Ajo më e rëndësishmja që evidentohet nga Konferenca e Tiranës është se si Enver Hoxha e trajtoi “Kultin e individit”. “Këtu – u tha ai të pranishmëve – u ngrit çështja e “kultit të individit” me të gjitha aspektet e saj për sa i përket personit të Josif Stalinit, masat që janë marrë në Bashkimin Sovjetik, në demokracitë popullore dhe në vendin tonë. Kjo çështje e ka preokupuar dhe vazhdon ta preokupojë partinë tonë. Por, këtu u shtrua pyetja se përse nuk u shtrua në partinë tonë kjo çështje? Dhe ai i ka parë Komiteti Qendror ngjarjet në dritën e Kongresit të 20-të? Këto pyetje janë të drejta. Po ua shpjegoj më gjerë…Ka pasur “kult individi” te ne apo jo? Ka pasur dhe do të ketë jo sot, por edhe mot, për shumë kohë. Kjo rrjedh nga mbeturinat mikroborgjeze, që ekzistojnë në ndërgjegjen e njerëzve. Kjo do të thotë që njeriu të bëhet megalloman, mendjemadh, arrogant, të mos peshojë zërin e masës, t’i pëlqejë mendja e të mendosh se ajo që bëre ti është më e mira. Shfaqe të “kultit të individit” te ne kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë edhe për të ardhmen”.9)

Për sa i përket ditës tjetër të Konferencës, pas ardhjes së Enver Hoxhës, në vijim të punimeve të saj, pasi e kishte rrethuar sallën e Konferencës me polici, ushtri dhe tanke, i kërcënoi delegatët se “kulti i individit” të tij kishte ekzistuar dhe do të ekzistonte gjithmonë. “Ju hani m.” – u tha gati me plot gojën Enver Hoxha. “Tani çështja është sa e ka bërë Komiteti Qendror një analizë të thellë në dritën e Kongresit të 20-të PKBS, në lidhje me ‘kultin e individit’ dhe mbi të gjitha sa ka ngjarë ai në vendin tonë? Komiteti Qendror nuk e ka bërë një gjë të tillë, por këtu duhet të ruhemi nga shabllonizmi. Ç’do të thotë kjo? Byroja Politike ka biseduar e analizuar dhe i ka hedhur një sy veprimtarisë së vet në dritën e Kongresit 20-të të PKBS dhe ka arritur në konkluzionin që të gjitha masat administrative ose edukative, që Komiteti Qendror ka marrë karshi të gjithë atyre, që kanë punuar kundër partisë dhe kanë devijuar nga vija e saj, kanë qenë të drejta. Në parim të gjitha vendimet që janë marrë për Tuk Jakovën, Abedin Shehun etj., kanë qenë të drejta. Po le ta analizojmë pak këtu çështjen, se mundet që disa njerëzve t’u ketë mbetur në merak, se si është puna e Koçi Xoxes. Edhe ajo ka qenë e drejtë”. 10)

NË EPIQENDËR PRIVILEGJET, KULTI I INDIVIDIT DHE DËNIMET E RIVALËVE

Por si ka mundësi që sovjetikët, përmes ambasadës së tyre në Tiranë dhe ambasadat e vendeve të tjera prosovjetike, si të thuash të gjitha nuk u ndjenë, por në inaktivitet përkrahën Enver Hoxhën, që ishte në një fare mënyre kundër Kongresit të 20-të dhe nuk përkrahën diskutantët, të cilët ia numëruan në sy një e nga një bëmat e tij staliniste. Kjo ndodhi sepse sovjetikët nuk donin që gjërat tu dilnin jashtë “duarve” si në disa vende Evropianolindore, që me vështirësi i futën në suazën e tyre. Ndaj lanë që të vepronte fryma e Kongresit të tyre dhe jo ndërhyrja nga pozitat adminstrative.

Diskutantët i evidentuan Enver Hoxhës, privilegjet, kultin e individit, sakrifikimin e vrasjet e udhëheqësve rivalë, dënimet e panumërta me e pa gjyqe! Këto e të tjera, nuk janë shpalosur tamam në dokumente (kjo nuk do të thotë që nuk mund të ketë), por që kanë një shpjegim, që bëhet mbi bazën e një analize historike, politike e shkencore dhe që lidhet me “vijën e re” të Kongresit të 20-të. Sovjetikët kërkonin që nëpërmjet luftimit të “kultit të individit”, që Enver Hoxhës në asnjë mënyrë nuk i interesonte, të realizonin një frymëmarrje më të madhe lidhur me jetën e brendëshme të partisë e të shoqërisë, dhe me “bashkë ekzistencën paqësore” synonin në “uljen e tensionit” në marrëdhëniet ndërkombëtare. Mirëpo çndodhi?

Në vend që fryma “liberale” e Kongresit të 20-të të shkonte e të vepronte deri në një cak, duke hequr të vjetrit nga pushteti që nga Sekretarët e parë, ministrat e Brendshëm etj., fryma e Kongresit nga disa parti e vende socialiste, u kuptua si rebelim edhe ndaj padronit sovjetik. Kjo ishte e pa papranuar për grupin e Hrushovit. Që kjo të mos ndodhte edhe me Shqipërinë, është më shumë e besueshme që sovjetikët përmes ambasadorit Krillov në Tiranë, në ato ditë të nxehta pranverore të Kongresit, të përkrahnin Enver Hoxhën paçka se e dinin se afati i tij për të dorëzuar pushtetin që ato e kërkonin, do vonohej.

Konferenca e partisë së Tiranës në ’56-n, është quajtur e jashtëzakonshme, kur në fakt ajo ishte një veprimtari politike e zakonshme. Të jashtëzakonshme atë e kthyen diskutantët me problematikën e tyre drejtuar Enver Hoxhës, me pyetje e referate. Ajo ishte rezultat i frymës së vijës së re sovjetike, paralele e Kongresit të 20-të të sovjetikëve, prelud për çlirimin e demokratizimin e vijës së partisë edhe në Shqipëri. Pa diskutim, Moska ishte bërë nxitje për hapa reformues në bllokun komunist, ku edhe Konferenca e Tiranës pati kryefjalë Kongresin e 20-të. Të gjithë ata që i u referuan atij Kongresi, por edhe të tjerë, brenda pak ditësh përfunduan jashtë partisë dhe jashtë Tiranës, apo në burgje. Askush në Moskë nuk foli një fjalë në mbështetje të tyre, për më tepër askush nuk e frenoi sadopak vrullin inatçor të Enver Hoxhës.

Diskutimet e delegatëve në Konferencën e Tiranës, ishin shumë të hapura, të shprehura plot guxim, sa madje të duken dhe të pabesueshme. Mirëpo ndaj shumicës së diskutantëve në Konferencën e Tiranës, me urdhër të Enver Hoxhës u morën masa të rënda partie e shtetërore. Vehip Demi dhe Nesti Zoto u internuan dhe vdiqën në kushte shumë të rënda. U përjashtua nga partia, u hoq nga Kinostudioja dhe u transferua në Berat, ku dhe më pas u burgos edhe Viktor Stratoberdha, kinesat i njohur si ndihmësregjisor i filmit të madh sovjeto-shqiptar “Skënderbeu” (1953). Nga Lidhja e Shkrimtareve dhe Artistëve u dënuan gjithashtu, kompozitorja e njohur e këngëve partizane Dhora Leka dhe shkrimtari Gjovalin Luka.

Në Ministrinë e Bujqësisë u përjashtua nga partia e u transferua në Elbasan, pastaj u internua në Belsh zëvendës ministri i saj Peco Kagjini, i cili u la i lirë vetëm pas vitit 1991. Përveç këtyre Enver Hoxha vazhdoi edhe me masa të tjera drakoniane. Largoi nga aparati i Komiteti Qendror të Partisë Vandush Vinçanin, nga Komiteti i Partisë së Tiranës Njazi Jahon, transferoi nga Radio-Tirana Skënder Tupen, Masar Bekteshin, Findia Veizin e Sofokli Afezollin, ky sepse kishin aprovuar diskutimin e Vehip Demit në Konferencë, ndërsa Drejtori i Radios Petro Kita u kritikua rëndë, ndonëse ai gjatë ditëve të Konferencës ndodhej me shërbim jashtë shtetit. U larguan nga gazeta “Zëri i Popullit” Adriatik Kanani, që kishte lexuar diskutimin në emër të byrosë së organizatës bazë të partisë të kësaj gazete, Taho Sejko u transferua në Shkodër ku më pas u arrestua dhe u burgos, Masar Shehu u dërgua të punonte mësues, Alfred Uçi etj. Nga gazeta “Bashkimi” u largua dhe më pas u burgos Ibrahim Zeneli dhe nga gazeta “Luftëtari” u largua dhe u internua Merkur Çela. Spastrime pati dhe në institucione të tjera”.11)

Në këtë periudhë shkruante gjeneral Halim Ramahito, një grup i madh komunistësh drejtues të Komitetit të Partisë për Tiranën, të aparatit të KQ të Partisë dhe kuadro të tjerë të larta të pushtetit, të ndikuar nga vendimet e Kongresit të 20-të të PK të Bashkimit Sovjetik dhe nga artikuj të shtypit sidomos atij polak e çek, ngritën dhe mbështetën në këtë Konferencë nevojën e ndryshimeve demokratike, që duhet të bëheshin edhe në partinë tonë sipas shembullit të partive komuniste të Evropës Lindore. Këta komunistë, hapur dhe me guxim, u ngritën të parët në Konferencë dhe në diskutimet e tyre, ata bënë edhe shumë pyetje dhe ngritën shumë probleme si për “gjendjen e mjeruar ekonomike të popullit!”, se përse lejohej “Blloku” dhe privilegjet e tjera për udhëheqjen, “përse lejohet që KQ të shndërrohet në një familje?” dhe së fundi “në frymën e vendimeve të Kongresit të 20-të PK të Bashkimit Sovjetik” ata kërkuan në mënyrë po institucionale se çfarë masash do të merren për rehabilitimin e shokëve tanë të dënuar më parë, fjala ishte për Koçi Xoxen, Tuk Jakovën, Bedri Spahiun etj.?

Nga ana historike përmendim se Enver Hoxha e mori fjalën ditën e tretë të Konferencës duke theksuar që në fillim se “e bëj këtë ndërhyrje në këtë mbledhje me të drejtën dhe detyrën që kam si Sekretar Politik i Partisë dhe për ta mbrojtur atë nga armiqtë”. Me mjeshtërinë e një demagogu, gjatë fjalës së tij, ai përmendi aty me emër edhe komunistë të tillë si Tahir Kadarenë, duke iu drejtuar drejtpërdrejt atij me fjalët se “si mendon për këto çështje që them unë ti, Taho?…”, drejtim që për Tahir Kadarenë, që njihej në Ushtri dhe në të gjithë vendin si një luftëtar i vendosur antifashist i orëve të para dhe si një nga gjeneralët më të shquar të Ushtrisë, ishte një kërcënim i hapur. Si Tahir Kadareja u vunë në shënjestër e ndjekje të organeve të Sigurimit të gjithë diskutantët, gjatë gjithë zhvillimit të punimeve të Konferencës dhe pas saj.

BETEJA E HUMBUR E IDEALISTËVE, QË ASPIRONIN MË SHUMË DEMOKRACI

Siç theksuam që pas ardhjes nga Vlora, Enver Hoxha dha urdhër për të vënë në gatishmëri forcat e Divizionit të Parë të Këmbësorisë (urdhër i cili u vu në zbatim) kundër “rebeluesve” të Konferencës Tiranës. “Ne, delegatët e Ushtrisë, morëm vesh se me t’u nisur nga Vlora për në Konferencë, puna e parë që bëri Enver Hoxha, ishte urdhri për të vënë në gatishmëri forcat e Divizionit të Parë të Këmbësorisë i dislokuar në atë periudhë në Tiranë, me qëllim që në rast nevoje, të merreshin masa kërcënuese të përbashkëta nga Ushtria dhe organet e Punëve të Brendshme, Polici e Sigurim i Shtetit, sidomos ndaj delegatëve të Konferencës që u ‘rebeluan’. Punimet dhe vendimet e Konferencës, nuk mund të sillnin e nuk sollën gjë tjetër në vitet më pas, veçse forcimin akoma më të madh të pushtetit diktatorial e personal të Enver Hoxhës dhe nxitjen nga ana e tij për shtimin e lavdisë së pamerituar dhe të bëmave e gjëmave aventureske e terroriste të tij në parti dhe në vend”.12) Konferenca e Partisë së Tiranës- kujtonte avokati Njazi Jaho, ish-zëvendëssekretar i Parë i Komitetit të partisë së Tiranës, i dënuar nga Enver Hoxha për atë Konferencë – ishte beteja e humbur e komunistëve idealistë, që aspironin më shumë demokraci, së paku në jetën e brendshme të Partisë… Faktori i jashtëm sakaq dominohej më së shumti nga fryma që kishte shkaktuar Kongresi 20-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që ishte distancuar përfundimisht nga Stalini dhe kishte krijuar një klimë të re në qëndrimin ndaj “kultit të individit”, “bashkekzistencës paqësore”, në raportet e udhëheqjes me bazën e partisë etj.

Enver Hoxha si malipunator i opinionit, vetëm pak ditë para Konferencës së Tiranës, botoi te gazeta “Zëri i Popullit” artikullin “Marksizëmleninizmi mëson se populli është krijuesi i historisë”, ku binte në sy një qasje e frymë e re liberale sovjetike, por kjo ishte edhe fasadë edhe provokim i Enver Hoxhës. Këto, ndër të tjera e vërteton mënyra se si ai reagoi në Konferencë, duke iu kundërvënë brutalisht çdo mendimi ndryshe, sidomos kritikave për shkëputje të udhëheqjes nga baza apo privilegjet e tij dhe të udhëheqjes. Ndonëse Enver Hoxha shkruante në artikull, se “Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik e dënoi me të drejtë ‘kultin e individit’ të Stalinit”, madje bënte edhe thirrje që mbi këtë bazë, partia komuniste shqiptare “të shtonte përpjekjet për të vendosur kolegjialitetin si parim udhëheqës të partisë”. Dhe në Konferencë ai u vu përballë një uragani kritikash e vërejtjesh të ashpra, por që mbajti një qëndrim katërçipërisht të kundërt, sa sektar, aq edhe brutal.

Porositë e Enver Hoxhës “për të hapur gojët pa ndrojtje para partisë” siç e vërtetoi edhe Konferenca e Partisë së Tiranës, ishin vetëm demagogji. Ai ishte mjeshtër për trille e gjëra të tilla mashtruese. Në se në artikullin e sipërcituar, ai pohonte se në “mjaft raste janë dhënë dënime të fryra, sidomos në periudhën deri në Kongresin e Parë të Partisë, në nëntor të vitit 1948”, madje përmendte edhe raste konkrete, por kur kjo çështje u shtrua në Konferencë, ai ngriti kundër kritikuesve një kryqëzatë shfarosëse, sidomos ndaj atyre, që kërkuan rishqyrtimin e qëndrimit ndaj Koçi Xoxes, Tuk Jakovës, Bedri Spahiut, Sejfulla Maleshovës e ndonjë tjetri, që ishin shpallur më herët elementë antiparti dhe ishin degdisur ose në burg, ose në internim ose në pushkatim. Pra, ideja e Enver Hoxhës e shprehur te “Zëri i popullit”, në Konferencë nuk funksionoi….13)

Lindin pyetje të shumta, por pothuajse me një përmbajtje, se: Përse nuk funksionojë? Përse nuk e përkrahën sovjetikët Konferencën?! Dokumentet e kohës thonë se sovjetikët haptazi nuk e përkrahën. Studiuesit janë përpjekur të gjejnë arsyet se përse nuk u përkrahën mendimet reformuese në Konferencën e Tiranës? Dokumentacionet e trashëguara nuk thonë gjë. Analiza të çon në një version, që duket edhe më i argumentuari. Sovjetikët, grupi i Hrushovit, vërtet kërkonin ndryshime në Tiranë, por jo që ato të çonin si te Rajku e të tjerë në Lindje, që në sajë të frymës së re sovjetike i larguan nga pushteti, por që rezultojë që edhe pushteti i ri i ardhur në fuqi në vendet e Lindjes si rezultat i frymës së Kongresit të 20-të, kishte tendencë më liberale se sa kërkonin sovjetikët e rinj, që të largohej nga Moska. Këtë, në situatën që kishin me Perëndimin, sovjetikët nuk e donin të ndodhte në Shqipëri. Atyre u interesonte një Shqipëri sa më shumë prosovjetike, sepse u leverdiste dalja jo vetëm detare në Adriatik, por edhe pozicioni strategjik territorial. Kujtojmë vizitën në Shqipëri të disa viteve më vonë të Nikita Hrushovit dhe idetë e tij të çmendura për “sulm ndaj Perëndimit” nga Shqipëria. Megjithëse ai fliste për “klimën e ndryshuar e bashkekzistencën paqësore”, asin nën mëngë e mbante edhe për hegjemonizmin

Ndaj ndryshimi i Enver Hoxhës, heqja e tij nga postet, sovjetikëve në këto situata, edhe u interesonte, edhe jo, madje atyre u dukej i papërshtatshëm por që edhe u duhej. Heqja e Enver Hoxhës sipas tyre duhej bërë, por ajo të ishte sa më e butë se sa ato që u bënë në vendet e tjera socialiste dhe të plotësoheshin edhe me disa kushte: E para, të ishte normalizuar situata politike në vendet socialiste të Europës Lindore. E dyta, të ishin gjendur në Shqipëri zëvendësuesit e rinj më besnikë prosovjetikë. Këto të fundit në Shqipëri për sovjetikët e rinj, ende nuk ishin evidentuar. Megjithatë, duhet thënë se goditja ndaj Enver Hoxhës në Konferencën e Tiranës, ishte tronditëse. Deri kaq ishte e mjaftueshme për kohën e sovjetikëve, të cilët donin ta komandonin e të mos u dilnin jashtë kontrollit liderët. Enver Hoxha u duhej edhe ca kohë sa ta fusnin Shqipërinë edhe ekonomikisht e në të gjitha fushat edhe ushtarakisht në suazën e tyre, duke e kthyer në një plasdarm kundër NATO-s e Perëndimit.

Si konkluzion i mjaft studiuesve thuhet se Konferencën e Tiranës kundra Enver Hoxhës e përgatiti dhe e zhvilloi fryma e re e Kongresit të 20-të, lëvizjet e reja të sovjetikëve në të gjitha vendet socialiste nën suazën e Bashkimit Sovjetik. Nga çdo anë që të analizohet, ajo ishte goditja e parë që mori Enver Hoxha nga sovjetikët dhe një nga më të fortat e miqësisë me BS. Si veprimtari, ajo ishte preludi i ngjarjeve të parealizueshme të mëvonshme, që sovjetikët kërkonin t’i impononin Enver Hoxhës për ndryshimin e politikës me jugosllavët, ndryshimin e klimës, bashkekzistencën paqësore e mbi të gjitha dënimin e “kultit të individit”. Kjo e fundit dhe klima me Jugosllavinë i digjnin shumë Enver Hoxhës. Këto, nëse ai do t’ua pranonte sovjetikëve, pa diskutim e rrëzonin atë nga pushteti. Këtë, Enver Hoxha e nuhati dhe nuk e pranoi dhe në “mbytje e sipër” u kap pas “lëmishteve” të Kinës dhe shpëtoi.

BURIMET DOKUMENTARE 1. A.Q.SH, Dosja F 14/AP Drejtoria Administrative v.1955, L.11, D.248 2. Po aty 3. Po aty 4. Lalaj.A, libri “Pranvera e rrejshme e pesdhjetegjashtës” 5. Gazeta “Telegraf”, Dosjer 14 shtatorit 2019 6. Po aty 7. Hoxha.E, Fjalim në Konferencën e Tiranës 1956 8. Po aty 9. Po aty 10. Këlliçi. S,gazeta “Koha jonë” 19.09.2019 11. Ramahito. H,kujtime Agjencia “Sot Neës” 12. Imaj.A, gazeta “Panorama” 04.10.2013 13. Hoxha.E, libri me kujtime “Hrushovianët” Autori: Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura