Raportet për armët e Koresë së Veriut në Rusi, ish-presidenti ukrainas: Nuk do të ndryshojnë kursin e luftës! Kundër-ofensiva jonë nuk është si në Hollywood

Sep 5, 2023 | 18:54
SHPËRNDAJE

Ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, është shprehur se furnizimi me armë nga Koreja e Veriut për Rusinë nuk do të ndryshonte ndjeshëm rrjedhën e luftës në Ukrainë.

lcimg-f44e8460-5dd3-4857-9afb-1bde6d4adff7

Duke folur për raportet se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të mirëpresë liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un në Rusi për të diskutuar marrëveshjet e mundshme të armëve këtë muaj, Poroshenko i tha Sky News se kjo dëshmon “izolimin e plotë” të Putinit gjatë konfliktit në Ukrainë.

Ai tha se “miqtë” e Moskës janë Koreja e Veriut, Siria dhe Irani, të cilat ai i quajti “paria ndërkombëtare”.

“Municionet e Koresë së Veriut definitivisht nuk do ta ndihmojnë Rusinë as të ndalojë operacionin kundërsulmues ukrainas”, tha Poroshenko.

Megjithatë, ai tha se nëse Koreja e Veriut furnizon armë, Kievi do të kërkojë më shumë armë nga partnerët perëndimorë dhe krijimin e sanksioneve më të ashpra ndaj vendeve që ofrojnë ndihmë me armë për Rusinë.

I pyetur për ecurinë e kundërofensivës së Kievit, Poroshenko i tha Sky News “nuk është si Hollywood” ku “ulesh me kokoshka”, por është një “operacion shumë i vështirë”.

Ai tha se ka marrë pjesë në funeralet për tre nga miqtë e tij më të ngushtë vetëm këtë javë.

Ish-presidenti i kërkoi Perëndimit t’i “besojë” Ukrainës dhe konfirmoi se forcat ukrainase kanë thyer linjat e para të mbrojtjes ruse.

“Tani situata është pak më optimiste se më parë,” shtoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura