Rama: Shqipëria, 1.4 milionë të varfër

Mar 1, 2012 | 10:27
SHPËRNDAJE

Rama dje gjatë tryezës

Kreu i PS deklaroi dje se qeveria ka falsifikuar shifrat e papunësisë dhe varfërisë në vend.

“Ministria e Çështjeve Sociale, strukturë për të punësuar militantë”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se niveli i varfërisë në vend nuk është ai që paraqitet nga qeveria vetëm 360 mijë familje, por është rreth 1.4 milionë shqiptarë. Partia Socialiste organizoi dje tryezën e radhës për çështjet sociale me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare, duke parashtruar vizionin e opozitës në zbutjen e varfërisë dhe gjetjen e rrugëve për uljen e papunësisë, të cilat sipas kryesocialistit Rama janë një kapitull i veçantë në programin “Për një Rilindje Shqiptare”. “Sot një shqiptar në dy është i varfër dhe vlerësimi i varfërisë, ai zyrtari, fsheh të vërtetën e varfërisë. Ajo çka e bën programin tonë për “Një Rilindje Shqiptare”, një bazë për të ndërtuar një program të detajuar qeverisës jo vetëm me ambicien, por dhe me argumentet e ndryshimit rrënjësor të kësaj gjendjeje, është fakti se të gjitha pjesët e programit edhe pse ne i trajtojmë veç e veç në përpjekjen për t’i detajuar deri në fund, janë të integruara në një model të ri zhvillimi ekonomik, social, kulturor e pa dyshim edhe demokratik”, deklaroi Rama.
Akuza Kserës
Për kryesocialistin Edi Rama, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është kthyer në një institucion të shërbesave elektorale dhe jo në organ politikbërës për zbutjen e varfërisë dhe nxitjen e punësimit. “Kemi një ministër, sepse kemi një koniunkturë politike, e cila duhet mbajtur në këmbë duke disponuar në funksion të kësaj koniunkture një ministri të tërë dhe kemi rrogëtarë, sepse kjo koniunkturë kërkon edhe shërbëtorë dhe shërbesat e veta për qëllime mirëfilli elektorale, duke hedhur në lumë taksat që mblidhen në shumicën e tyre nga ata shqiptarë që fitojnë më pak dhe që kanë nevojë më shumë, veçanërisht për shërbime që lidhen me punën dhe me çështjet sociale”, deklaroi Rama.
Minimumi jetik
Shefi i opozitës, duke iu referuar programit “Për një Rilindje Shqiptare”, u shpreh se papunësia, që kap shifrën 1 milion, do të  luftohet me politika efektive sociale dhe masa kundër varfërisë. Rama tha se qeveria nuk disponon asnjë politikë për sa i përket minimumit jetik. “Kryeministri ka 7 vjet që gënjen, pikërisht për minimumin jetik, sepse ai ekziston vetëm në ato fjalimet në tryezën e qeverisë, por do thosha nga ana tjetër që të gjithë shqiptarët që janë shumë, që e kanë të domosdoshëm përcaktimin nga ana e qeverisë të këtij minimumi jetik, të kuptojnë se me këtë qeveri jo vetëm minimum jetik nuk do të kenë, por nuk do të kenë asnjë shpresë që të dalin nga varfëria”, theksoi shefi i opozitës.

Shqipëria reale
– 1 milion të papunë
– 1 në 2 shqiptarë i varfër
– 80%  e pensionistëve të varfër
– 1 në 4 fëmijë i varfër, 1 në 3 fëmijë punon dhe shfrytëzohet
– Vetëvrasja e fëmijëve: pasoja më e shpeshtë e dhunës në familje
– 1 në 15 familje e pastrehë dhe gjysma e familjeve në zonat urbane me strehim të pamjaftueshëm
– 2 gra në ditë kërkojnë mbështetje kundër dhunës
– Minimumi jetik nuk publikohet, sepse nuk llogaritet. Qeveria i vidhet përgjegjësisë për të garantuar minimumin jetik.

Objektivat e Programit Socialist
– Forcimi i qëndrueshmërisë financiare të sistemit, raporti kontribuues: përfitues në jo më pak se 2,5:1
– Koeficienti i mbulimit jo më pak se 70% (pensionet e pleqërisë, aksidentet, sëmundjet, barrëlindjen)
– Raport optimal midis pagave e pensioneve, duke synuar një mesatare zëvendësimi jo më pak se 45%.
– Koeficienti aktual i zëvendësimit pension-pagë:
– 70% për pensionet/pagat e ulëta
– 45% për pensionet/pagat mesatare
– 26 % për pensionet/pagat e larta
– Objektivi: Reduktimi i evazionit kontributiv dhe fshehjes së pagave reale
– Pension social rezidencial për të moshuarit mbi 75 vjeç
– Leje njëvjetore për barrëlindjen dhe përfitimi i lejes për kujdes prindëror edhe për baballarët: nxitje e punësimit të grave.

Berisha: Të prishen bunkerët e komunizmit

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë prishjen e të gjithë bunkerëve në vend. Ai kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve vendore për këtë proces. “Gjithashtu, në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha kërkoi që të fillojë sa më parë procesi i çbunkerizimit të vendit. Ky proces, nëpërmjet përcaktimit të qartë të bazës ligjore, do t’u ngarkohet autoriteteve vendore në mënyrë që ata vetë t’i përshtatin praktikat që atyre iu duken më të mundshmet për realizimin e këtij procesi, sipas rrethanave të vendit”, thuhet në një njoftim të Këshillit të Ministrave. Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, Kryeministri është nisur për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Samitin e Partive Popullore Europiane. Mbledhja e PPE-së i paraprin mbledhjes së Këshillit Europian.

Imuniteti: “Gati të ndryshojmë Kushtetutën”
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje i gatshëm të ndryshojë Kushtetutën për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. “Në kuadrin e bashkëpunimit të mëtejshëm, të frytshëm me këtë institucion, ndër të tjera, unë i kërkova të nisim menjëherë punën, të ndihmojnë për heqjen e imuniteteve, e garantova se qeveria është e gatshme të votojë për heqjen e imuniteteve, qoftë me ligjet organike, siç ka rekomanduar Komisioni i Venecias, qoftë me ndryshimin e Kushtetutës, për imunitetet, siç kërkon opozita. Rëndësi kryesore ka që zyrtarët shqiptarë, deputetë, gjykatës apo çfarëdo që të jenë ata, të mos kenë imunitet”, tha kreu i qeverisë.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura