Rama paralajmëron rritjen e çmimit të energjisë elektrike: Do të diskutohet sërish për vendosjen e fashës

May 26, 2023 | 7:51
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi dje në Kuvendi mundësinë për rritjen e çmimit të energjisë. Ai tha se në verë do të rihapet diskutimi për fashën e energjisë elektrike, duke nënkuptuar kështu rritjen e çmimit të dritave.

Kreu i qeverisë theksoi se deri më tani rritjen e këtij çmimi e mbulon qeveria. “Po ju kujtoj të gjithëve atyre që na ndjekin se sot vazhdon që në faturën e energjisë elektrike për të gjitha familjet dhe biznesin e vogël dhe pjesën dërrmuese të biznesit, të jetë dora e qeverisë. Ajo që paguajnë familjet, nuk është vlera reale e faturës. Familjet shqiptare dhe biznesi i vogël paguan ekzaktësisht sa paguante me çmimin përpara krizës. Ka rënë çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar, por nuk është kthyer aty ku ishte. Qeveria ka pasur dhe ka vullnetin e plotë që të paguaj. Me ardhjen verës konsumi do të rritet dhe do të duhet të rihapim diskutimin e fashës. Sot për sot jemi në këto kushte që vazhdojmë të paguajnë. Nëse do të ishim duke pasur një ekonomi lënguese, ku merret një shifër aty dhe një shifër atje si ajo përralla e asaj species që donte të zbukurohej, atëherë sigurisht që kjo rritje pagash nuk mund të bëhet. Ekonomia është rritur, ndryshe nga çfarë është thënë”, tha Rama.

Por, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku reagoi dje pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ajo shkruan në rrjetet sociale pasi fitoi zgjedhjet lokale Rama ndihet i sigurt për të kaluar rritjen e çmimit të energjisë për 95% të shqiptarëve. Tabaku thekson se nga vjet çmimi i energjisë ka rënë dhe teksa të gjithë flasin për diversifikim të portofolit të energjisë, qeveria flet për rritje çmimi.

“KM pasi kaloi lumin e zgjedhjeve lokale ndjehet i sigurt për të kaluar rritjen e çmimit të energjisë për 95% të shqiptarëve. Ironike! Nga vjet çmimi energjisë veç ka rënë! Të gjithë flasin për diversifikim portofoli të energjisë, qeveria flet për rritje çmimi! Qeveria e pakicës”, shkruan ajo.

Po dje, në Kuvend deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe u ndal tek çmimet e larta, duke thënë se ky është një problem shqetësues që kemi aktualisht. Ai tha se inflacioni po bie, por çmimet në vendin tonë nuk po ulen, duke shtuar se kjo nuk po ndodh as për produktet që importohen dhe që në tregjet ndërkombëtare kanë nisur të shiten me çmim më të ulët.

“Kemi para një sfidë të madhe, çmimet. Ato janë problemi më i madh që kemi tani. Çmimet e larta që nuk ndryshojnë janë për shkak të një tregu të kapur dhe aspak konkurrues. Inflacioni i importuar po bien, çmimi jo. Duhet të bëjmë që tregjet të funksionojnë. Çmimet të shkojnë atje ku ekonomia po i çon përmes inflacionit në rënie. Kjo që po ndodh me çmimet është përtej ekonomisë sepse po të ishte ndryshe gjithçka do funksiononte në zbritje, veçanërisht të produkteve të importuara që çmimet e të cilave në tregjet ndërkombëtare po vijnë duke rënë. Konkurrueshmëria sjell çmime më të ulëta. Nëse do vazhdojmë të ushqejmë ekonominë me çmime të larta, edhe politika e sotme do të dështojë. Nuk besoj se sektori privat do udhëhiqet nga ky vendim që po marrim sot për të rritur rrogat për punëtorët e tij”, deklaroi deputeti i PS-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura