Radiotelevizioni Shqiptar nuk është si “teqeja bamirëse” e Alipostivanit!

Mar 30, 2023 | 8:30
SHPËRNDAJE

KRISTO MËRTIRI

KRISTO MËRTIRI

Vite më parë, disa kolegë të rinj në Gazetari e që sot janë staxhionuar mirë, më kërkuan seriozisht e me këmbëngulje të aplikoja edhe unë për anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së. Kur më nxitën edhe ca miq të hershëm ish-kolegë (në një kohë kur një ministër milioner më hodhi në mes të katër rrugëve pa punë e i sapoardhur nga udhët helm të mërgimit), mora guximin të plotësoja dokumentet që kërkoheshin sipas një shpalljeje publike në media. Veç të tjerave, kur krejt natyrshëm më duhej edhe “rekomandimi” i një Shoqate Gazetarësh (siç më këshilloi një mik që sot prehet përjetësisht në Sharrë, sigurova dy me firmë e vulë: Njëra anonte “majtas” e tjetra “djathtas” !), të cilat i dorëzova në një zarf të madh në zyrën e protokollit të Parlamentit. Ashtu, me besim të pathyer ende, kisha ditë që më rrihte si çekan në kokë pyetja e një Kryetari Shoqate mjaft dashamirës, kur më solli “Rekomandimin” e kërkuar nga unë: “Unë të jap jo një, por disa të tilla, sepse e njoh jo pak udhëtimin tënd në Shtypin shqiptar në Shqipëri e jashtë saj në emigracion dhe sinqerisht e vlerësoj kandidaturën tënde. Po a ke marrë ndonjë llaf taze nga iksi e ipsiloni (drejtues Qeverie e Kuvendi) për të hyrë në këtë “garë” që mua ma vë shpesh buzën në gaz?…

Kur i thashë se jam mjaftuar me Njoftimin zyrtar e publik, më këputi një habitore me qesëndi kuptimplote dhe i vuri kapakun bisedës në këmbë: “Të njoh për burrë serioz, më fal, por nuk e besoj të jesh kaq naiv e i paditur… Inshallah të vaftë mbarë!…”. Po e rrëfej për herë të parë publikisht: Zarfi im i bëshëm, nuk ishte hapur hiç në Komisionin Parlamentar të Medias dhe as qe prekur me dorë nga ndonjë deputet a sekretarkë(?!). “Përzgjedhja” partiake e nepotike ishte paravendosur e sosur mbi e nën tavolinë. Dhe as denjuan të kthenin të paktën një përgjigje formale. Që nga ajo ditë kur mësova të vërtetën, ika i fyer jo pak dhe nuk kam shkelur më në zyrat e Kryesisë së Kuvendit gjer më sot! Një zhgënjim krejt i pamerituar, përballë kukullave të Komisionit që dinin vetëm të gogësinin e të ngrinin kartonët jeshilë lart. Aq më tepër kur mora vesh se qenë anëtarë edhe ish kolegë të mi që dikur punonim bashkë. Madje, Gurua, miku im i vjetër më përcolli fytyrëskuqur te porta, më përqafoi dhe lëshoi diçka si postulat: “Mos u mërzit, vëlla, s’kemi ç’të bëjmë, ky stan këtë bulmet ka!”. Nuk e fajësova kurrë veten që nuk bëra ndonjë “ndërhyrje” miqësore nga lart para se të dorëzoja normalisht zarfin me dokumentet përkatëse. Askujt nuk ia cingërisa zilen e celularit. Ashtu e mendova dhe po ashtu e mendoj edhe sot:

Mjaft deputetë i njihja e më njihnin herët, më dukej e tepruar. Deri atë ditë, jo të gjithë i vlerësoja kartonambajtës “peqe-lepe” e në rresht si ushtarë të saporekrutuar. Aq më tepër që në vitin e largët (qershor 1991), kisha qenë nga gazetarët e rrallë pjesëmarrës me mandat në Kuvendin themelues të PS-së. E theksoj, jo i ftuar, por me mandat. Kur të tjerë morën arratinë nga Redaksia e “Bashkimit” dhe një ditë befas i pamë nëpër vende drejtuese të pushtetit pëdëist. Se nuk ishte thjesht “dallëndyshe, ktheje ndryshe”. Vetë mbeta ai që kam qenë, pa alibira e pataksira, pa disa apartamente e dyqane, pa vila e makina luksoze. Veçse me faqen e bardhë…

I shkrova këto radhë dje, pas një debati shoqëror te “Brryli”, kur mësuam ca habere tronditëse për Radiotelevizionin Publik (Librezën e punës si gazetar, e kam hapur për herë të parë te ky “Kombinat i madh” e dikur mjaft prestigjioz). Dhe ndjeshmëria ime është e kuptueshme, megjithëse kanë rrjedhur shumë ujëra të pastra e të pista. Nuk është vetëm nostalgji, por edhe dashuri e vlerësim profesional i veçantë për atë institucion tepër të rëndësishëm si në monizëm dhe në pluralizëm. Në fund të fundit, “buka e vjetër” nuk harrohet! Por edhe si taksapagues i rregullt i shtetit tim, kam të drejtë të kërkoj nivel më të lartë cilësor. Po ku të lenë hajdutët dhe kopukët, sharlatanët dhe zabërhanët e qepur pas liderëve. Njerëz që nuk u bënë kurrë gazetarë profesionistë, por ama u bënë mjeshtra të strehuar në vite nëpër sqetulla pushtetarësh të djathtë e të majtë, me rroga të majme e benefice të majme përmes servilizmit e akraballëkut. Për shembull, personalisht sot nuk njoh gati asnjërin në kupolën e RTSH-së dhe s’kam hiç ambicie për poste e kolltukë. Por të vish i katapultuar nga spitali “Nënë Tereza” drejt e në majë dhe të nesërmen të sjellësh po nga ky spital e t’i emërosh fët e fët drejtorët juridikë; Ekonomi-Financë; Administratë-Burimet Njerëzore; Marrëdhëniet me Jashtë; Shefa Kabineti etj., nuk do të thotë të ulërasësh “me thes në kokë”. Një kthim i tillë në pronë private, nuk besoj të ketë ndodhur ndonjëherë në historinë e Radiotelevizionit Shqiptar. Pehlivanllëqeve e akraballëqeve me “Komisione” e pa Komisione, tashmë u ka dalë kallaji. Disa syunjur në majë të Kupolës, kanë vite që vegjetojnë, bëjnë ndere e qedere si të ishin në arën e babait dhe nuk i luan as topi nga kolltukët e ndryshkur dhe të pamerituara. Dhe të gjitha pisllëqet i paguan cilësia, taksapaguesi i varfër shqiptar! “Të paprekshmit” mbeten të paprekshëm. Dhe bëjnë “bamirësira” duke tundur e shkundur zinxhirin, vjelin miliona të dukshme e të padukshme, përfitime financiare legale e ilegale të jashtëligjshme. Fjala vjen, më thoni qoftë edhe një emision të përgatitur nga këta ethebutë, i cili ka lënë vërtet gjurmë qytetarie e profesionalizmi. Unë nuk e di shifrën a përqindjen e saktë të shikueshmërisë televizive. Por nuk thonë kot “ç’ha goja, tregon boja”!

Vetë e provova në kurriz, kur doja të bisedoja me një nga drejtuesit e RTSHsë. “Po ku shkon a lumëzi, kot lodhesh e stresohesh. Dëgjo mua, pa hyrë në pazare, as që bën këmbë atje. Nuk do t’ia dijë njeri për profesionistët. Ke mbetur “jashtë kohe” e jashtë llogoreve partiake…”, më drejtohej pak vite më parë jo pa humor e cinizëm një miku im i vjetër që kish punuar me dekada atje. Dhe pati të drejtë : Ligjin e bënte Maliqi, jo Ligji! Paska ende ca “maliqër” që vegjetojnë e i qepen këmba-këmbës Edi Ramës apo familjes së tij dhe nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë, duke pritur e përcjellë disa Drejtorë të Përgjithshëm. Jam i bindur se po të nisë një kontroll real e jo virtual, profesional e financiar, me siguri do të zbulohen “xhevahire” të padëgjuara. Sepse të rrish në Shqipëri vetëm 13 ditë gjatë 5 muajve (siç ndodh me një drejtues të emëruar “me korrespondencë” nga Franca) dhe të paguhesh çdo muaj më tepër se rroga e Presidentit tonë të Republikës, ky fakt erërëndë flet shumë. Shkurt, t’i bësh rrush e kumbulla paratë e taksapaguesve të shkretë! Dhe nga ana tjetër, të shkarkosh Këshillin Artistik me një të rënë të kalemit dhe t’i fyesh e poshtërosh me arrogancë kolltukofagë disa personalitete të mirënjohur në fushën e artit, më e pakta është arrivizëm i neveritshëm…Nuk mund të rikthehet më koha më zezonë (1992-1997), Radiotelevizion që bashkë me qeverisjen e atëhershme, përdhosi krenarinë dhe dinjitetin kombëtar. Namusqarët e djeshëm e të sotëm nuk besoj ta kenë kujtesën të shkurtër, kur antivlerat u vunë bërrylin vlerave nën maskën e qelbur “të çrrënjosjes së komunizmit”. U arrit deri aty, sa Dritëroi ynë i pavdekshëm shpërthente publikisht, se “të pacipët e TVSH-së e deformuan informacionin dhe përhapën gënjeshtrën duke e shitur atë si të vërtetë. Kusarët dhe kriminelët i vunë në piedestalet e fisnikëve dhe heronjve; bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe tradhtarëve u veshën rrobat e atdhetarëve dhe flamurtarëve të demokracisë; mediokërve të kulturës e të shkencës u qepën frakun e dijetarëve dhe gjenive, pushtave dhe prostitutave u hapën dyert e salloneve të dhomave të pritjes…”. Dhe mbrëmave, nëpër studiot e lajmeve hynin pa trokitur dhe transmetoheshin jashtë çdo kontrolli lajme taze të gatuara nëpër bodrumet e SHIK-ut !!!….

Mirëpo, RTSH-ja nuk duhet të jetë thjesht si Teqeja “bamirëse” e Alipostivanit. Por as deputetët e Komisionit Parlamentar të Medias, as Kryetarja, as Kryeministri e as Presidenti i Republikës, nuk janë e nuk mund të jenë “baballarë teqeje”. Rëndësi ka të mos nxitohesh të zëvendësosh një keqbërës me një tjetër. Ajo fabula ezopiane flet bukur: “Një herë e një kohë qetë u mblodhën në kuvend dhe vendosën të zhduknin kasapët, zanati i të cilëve ishte shkaku i vdekjes së qeve. Kështu mprehën brirët dhe u bënë gati për sulm, kur një ka i vjetër, i cili kish tërhequr parmendën për shumë vjet, iu drejtua kështu shokëve: “Bëni kujdes, miqtë e mi, matuni mirë për atë që keni ndërmend. Të paktën këta kasapët na vrasin me dinjitet dhe aftësi. Pa mendoni sikur të shpëtojmë nga kasapët e të theremi nga ustallarë kërpaçë. Vdekja do të ishte e mirë edhe pa kasapët, por mos kujtoni se kanë ndërmend të jetojnë ndonjëherë pa mishin tonë”…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura