“Qeveria shkelje e abuzime rekord, 1.1 miliardë euro për 9 muaj”, raporti i KLSH: Dëmi në Tatime, 400 mln euro

Nov 24, 2022 | 8:21
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Gati 1.1 miliard euro rezulton të jetë gropa financiare e shkaktuar në buxhet nga institucionet shtetërore, vetëm përgjatë këtij viti, konkretisht për periudhën janar-shtator 2022.

balluku

Listën e institucioneve ‘problematike’ e kryeson Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku dëmi financiar që përllogaritet më shumë se 45 miliardë lekë ose rreth 400 milionë euro. Të dhënat janë pjesë e raportit të hartuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas audimit të kryer në 147 institucione shtetërore, duke përfshirë të gjitha nivelet e qeverisjes: institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, fonde speciale, si dhe shoqëri aksionare me kapital shtetëror, në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve apo projekte me financim të huaj.

RAPORTI

KLSH, thuhet në raport, në përfundim të auditimeve të kryera përgjatë periudhës janar –shtator 2022 ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare me pasojë dëm ekonomik në të ardhura dhe shpenzime në shumën totale prej 47 miliardë lekësh. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve zë 97 për qind të shkeljeve në fushën e të ardhurave duke lejuar evazionin fiskal në një shifër rekord të abuzimesh prej më shumë se 45 miliardë lekësh. Shkelje janë konstatuar edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ku dëmi financiar rezulton të jetë mbi 846 milionë lekë si edhe sektorin e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurive shtetërore me më shumë se 421 milionë lekë. Jo më pak problematike janë edhe procedurat e tenderimit. “Dëmi ekonomik në ‘shpenzime për investime’ në vlerën e përgjithshme 454 milionë lekëve është konstatuar si në fazën e zhvillimit të procedurave të prokurimit, ashtu edhe në fazën e zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve”, thuhet në raport. Shkeljet në procedurat e prokurimit të konstatuara në 10 institucione, ku bën pjesë edhe Ministria e Arsimit kanë sjellë një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në masën 33 milionë lekë. Shkeljet kanë rezultuar në mosplotësimin e kritereve të kualifikimit, në skualifikimet e ofertuesve, në hapjen e shqyrtimin e ofertave, në ofertat anomalisht të ulëta dhe procedura prokurimi me një pjesëmarrës dhe fitues njëkohësisht.

Ndërkohë, shkeljet në zbatimin e kontratave, konstatuar për 43 institucione, kanë sjellë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në masën 421 milionë lekë. Shkeljet janë evidentuara në lidhjen e kontratave, aktet e marrjes në dorëzim, në mungesa apo problematika në kryerjen e punimeve të ndërtimit, inventarizim dosjesh etj. Dëmi ekonomik i konstatuar në zbatimin e punimeve është më i lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës (rreth 129 milionë lekë) për të vijuar me Ministrinë e Bujqësisë, Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Në vlerën 31 milionë lekë është dëmi ekonomik në fushën e shpenzimeve operative, konkretisht në shpenzimet për mallra e shërbime si: materiale zyre dhe shërbime speciale, shërbime nga të tretë, shpenzime transporti, udhëtimi, mirëmbajtje, dhe qiramarrje ndërsa Shkelje janë konstatuar edhe në pagesat e kryera padrejtësisht për shërbime supervizimi e mentorimi (më shumë se 3 milionë lekë) gjatë realizimit të planit të deinstituionalizimit të fëmijëve.

PERFORMANCA E ULËT

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit vë në dukje edhe shkeljet e disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave dhe në përdorimin e fondeve publike. Kështu, gjatë periudhës së auditimit janë konstatuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 74 miliardë lekë. Prej tyre, gati më shumë se 21 miliardë lekë në fushën e të ardhurave.

“Veçojmë vlerën prej 10,182,517 mijë lekësh (ose rreth 48 për qind e totalit) e konstatuar në ALBPETROL sha, në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore; si dhe 53 miliardë lekë në fushën e shpenzimeve të kryera jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve, si rezultat i shkeljeve të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keqmenaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor, ku veçojmë vlerën 32,817,583 mijë lekë (ose rreth 62% e totalit), konstatuar në Ministrinë e Financave, më konkretisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit, Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit dhe Drejtorinë e Borxhit Publik dhe Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj”, thuhet më tej në raport.

tabela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura