Qeveria i injoron, por banorët e Bërxullës nuk ndalin protestat për pronat! Ja tri kërkesat e tyre

Mar 13, 2023 | 7:46
SHPËRNDAJE

Dita e fundit e javës që lamë pas i gjeti sërish banorët e Bërxullës në rrugë, në shenjë proteste ndaj projektit për aksin Thumanë – Kashar, nga i cili jo vetëm që nuk përfitojnë akses, por preken hektarë të tëra pronë e banesa.

banoret e berxulles

Ndryshe nga herët e tjera, banorët zgjodhën të mos protestonin me dhunë duke bllokuar rrugën e Rinasit, por me fjalën e lirë. Pavarësisht se qeveria i ka injoruar gjatë gjithë kësaj kohe, duke mos dhënë asnjë sinjal për bisedime a negociata, ata thonë se nuk kanë ndër mend të heqin dorë nga protestat e tyre derisa të sigurohen për të gjitha pikëpyetjet që kanë.

PARALAJMERIMI

“Nëse nuk gjejmë zgjidhje, do të ndërmarrim akte ekstreme”. Është ky paralajmërimi i fundit që bëjnë banorët në rast se firma vendos të vijojë punimet pa konsensusin e tyre. “Shteti nuk po u jep zgjidhje halleve tona. Vlera e pronës nuk është e përcaktuar. Vetëm thonë duhet zbatuar vendimi i mëparshëm. Falënderojmë kryetarin e bashkisë se ka kërkuar të zgjidhë problemin e banorëve. Firma është afruar të negociojë dhe nën shumë presion ka vendosur të bëjë mbikalime dhe nënkalime, sipas terrenit. E vetmja zgjidhje që nuk po arrijmë është vlera e pronës. Tri kërkesat tona ishin vlera e pronës, vlera e banesave dhe nënkalimet e mbikalimet.

Preken rreth 30 hektarë tokë, ndërkohë që këto banorë më këto toka mbajnë familjet e shkollojnë fëmijët”, ka deklaruar një nga qytetarët duke shtuar më tej se kanë 165 ditë që flenë me ankth e stres se do të mbeten pa shtëpi, pasi me dëmshpërblimin qesharak që përfitojnë nuk mund të drejtohen asgjëkund. “Do nisim aktet ekstreme, nëse nuk i jepet shpejt zgjidhje këtij problemi. Protestat do të përshkallëzohen nëse nuk gjejmë zgjidhje. Vlera e truallit, te ne për metër katror është gati dyfishi i zonave të tjera. I bie që këtu vlera e tokës nuk është e barabartë me zonat e tjera. Këtu ose është zonë industriale dhe nuk e tregojnë ose ka gjëra të tjera të fshehura”, shton ai. Banorët thonë se kërkojnë dialog dhe se nuk do të dorëzohen pa u plotësuar kushtet e tyre, që përfshijnë mes të tjerash dëmshpërblim të tokës dhe rrugë dytësore.

Gjatë gjithë këtyre javëve që dalin në rrugë, banorët janë shprehur të indinjuar se nuk janë pyetur për pronat e tyre dhe herë pas here e kanë ftuar qeverinë a përfaqësues të saj të ulen në bisedime, por nuk ka ndodhur. Gjithashtu, ata kanë denoncuar edhe paligjshmëritë e shumta. “Është muaji i pestë dhe ne nuk na është dhënë asnjë lloj përgjigje se si do fillohet ky projekt rruge se shkeljet janë të pafundme. Ata e lëvizin projektin sipas interesave të veta. Kjo rrugë siç e kanë mendu ata nuk ndërtohet. Shteti të na hedhë bombat e Hiroshimës. Durimi na ka sosur”, shprehen banorët. Sipas tyre, projekti nuk është konsultuar me ta dhe kompania nuk kanë asnjë të drejtë të vijojë punën në terren. Banorët thonë se në dokumentet e bashkisë rezulton që është bërë konsultimi publik, por kjo, shtojnë ata nuk është e vërtetë. Protestat në Bërxullë vijojnë prej pesë muajsh, ndërsa vetëm në këtë fshat rrezikohen të shemben 22 banesa dhe të preken mbi 30 hektarë tokë. Shifra mund të ndryshojë nëse do të ketë devijim të shtyllave të tensionit të lartë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura