Qeveria fut duart rrezikshëm në ligjin për gjendjen civile

Nov 20, 2023 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA GENC BURIMI genc-burimi-2

Është një minirevolucion që qeveria po përgatitet të bëjë në ligjin aktual “Për gjendjen civile”, në fuqi që prej vitit 2009. Në mënyrë tinëzare, të shpejtë dhe thuajse të kamufluar, Ministria e Brendshme ka hedhur në internet në 14 nëntor një projekt ligj për gjendjen civile duke u dhënë shtetasve vetëm një muaj kohë, deri më 14 dhjetor të bëjnë vërejtje. Më pas ky ligj i ndryshuar do të votohet dhe do të hyjë në fuqi.

Çfarë qëllimi fshihet pas projektligjit të ri për gjendjen civile?

Në ligjin aktual të 2009-s për gjendjen civile, një shtetas shqiptar duhet të japë adresën e banesës që ai e ka si përdorim kryesor, brenda ose jashtë Shqipërisë. Kjo është diçka mëse normale. Kur bën një letërnjoftim, një pasaportë, apo çdo akt tjetër të gjendjes civile, afërmendsh, nevojitet t’i japësh administratës adresën ku banon brenda ose jashtë. Për më tepër, nëse shqiptarët e diasporës duan të votojnë një ditë, një adresë nevojitet. Pra, me ligjin aktual, ky detyrim dhënie adrese është mëse normal. Me projektligjin e ri, ky detyrim normal shndërrohet siç do e shohim në anormal. Dallimi është radikal, sepse në ligjin e ri nuk mjafton që shqiptarët si në Shqipëri apo jashtë të komunikojnë vetëm adresën e banesës ku banojnë, por duhet të japin adresat e të gjitha pronave që kanë në Shqipëri dhe jashtë vendit!

Ja si ishte ligji dhe ja si bëhet:

Neni 14 sipas Ligjit për gjendjen civile i 2009-s:

Deklarimi i vendbanimit

1. Shtetasit kanë të drejtë të kenë një apo më shumë banesa për përdorim vetjak apo familjar në territorin e Republikës së Shqipërisë ose jashtë vendit. Shtetasit kanë detyrimin që të deklarojnë adresën e çdo banese për përdorim, sipas kësaj pike.

Neni 14 i riformuluar në ligjin e ndryshuar për gjendjen civile, i cili do të hyjë së shpejti në fuqi, është si më poshtë. Vërejmë se titulli i cili mbetet i njëjti nuk ka më lidhje me përmbajtjen pasi përtej vendbanimi, janë pronat e shtetasit që interesojnë qeverisë:

Deklarimi i vendbanimit

1. Shtetasit kanë detyrimin që të deklarojnë adresën e çdo banese që kanë në pronësi brenda ose jashtë vendit brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji duke zgjedhur ndër to vendbanimin e tij.

2. Shërbimi i gjendjes civile ofrohet për shtetasit pasi të respektojnë detyrimin e mësipërm.

Diferenca është rrënjësore. Së pari, në variantin e 2009-s që është sot në fuqi, shtetasi deklaron vetëm adresën e banesës për përdorim, pra adresën e vendbanimit, që mund jetë një banesë që e ka marrë me qira, që e ka pronë, apo ku e strehojnë falas. Me ligjin e 2009-s, shtetasi duhet të japë vetëm adresën e rezidencës ku banon. Në variantin e ri, qeveria kërkon të dijë jo vetëm adresën e vendbanimit, por adresat e të gjitha pronave brenda ose jashtë vendit. Kjo do të thotë se shtetasi duhet të komunikojë edhe adresën e një banese që e ka në pronë dhe e ka dhënë me qira ose e mban për dëshirë bosh. Pyetja legjitime që mund të shtrohet është: Ç’punë ka kjo e dhënë fiskale në një ligj për gjendjen civile? Së dyti, diferenca tjetër që duket qartë është se me ligjin e 2009-s, detyrimi për të bërë deklarimin nuk ishte inkuadruar në limite kohore.

Shtetasi vetvetiu e komunikonte adresën e vendbanimit, por në ligj nuk kishte as afat kohor kur duhej bërë dhe asnjë masë ndëshkuese nëse ky deklarim nuk bëhej. Në variantin e ri të ligjit shikohet se shtetasi ka vetëm 6 muaj kohë nga dalja e ligjit të ri për t’i komunikuar shtetit shqiptar të gjitha pronat që ka në Shqipëri dhe jashtë shtetit, banon apo s’banon ai vetë aty. Përndryshe, shtohet një penalitet që nuk ekzistonte më parë (pika 2 në nenin e ndryshuar). Ky penalitet është radikal, sepse të çon në kufijtë dëbimit nga gjendja civile, kur lexon se nëse shtetasi nuk deklaron të gjitha pronat që ka me adresë ekzakte për secilën për to, ai s’do të mund të kryejë më asnjë shërbim të gjendjes civile. Pra, as letërnjoftim, pasaportë, certifikatë lindjeje etj..

Cilat janë pasojat e këtij ndryshimi ligjor?

Për shqiptarët “jashtë”, ky ndryshim ligjor mund t’i pengojë ata të votojnë dhe dihet interesi i qeverisë që diaspora të mos votojë, pasi ajo nuk është e manipulueshme. Si do e pengonte ky ligj i ri diasporën të votonte? Duke refuzuar të bëjë pranë qeverisë së Tiranës deklarimin e të gjitha pasurive të patundshme, që diaspora ka në vendet ku është instaluar prej dekadash dhe që janë të dhëna konfidenciale në dijeni vetëm të shtetit ku banon, atëherë diaspora do t’i ekspozohet ndëshkimit të Tiranës parashikuar në ligj, pra që gjendja civile të mos e regjistrojë, gjë që është një e dhënë e domosdoshme për votim.

Një provokim i tillë, trego pasuritë që të marrësh gjendje civile, mund të çojë në një pasoje edhe më të rëndë, të dekurajojë diasporën të kërkojë dokumente nga gjendja civile shqiptare, të mos rinovoje dokumentet dhe të ndërpresë kështu përkatësinë në vendin amë…

Gjithsesi ky penalitet, ndonëse mund ta privonte diasporën nga vota në Shqipëri, apo nga dokumentet shqiptare, nuk përben diçka vitale për të, pasi diaspora jetën e saj e ka ngritur mbi bazën e dokumenteve të gjendjeve civile në shtetet ku jeton. Përkundrazi, ky ligj i ri i Edi Ramës është shumë më i rëndë për shqiptarët që banojnë në Shqipëri, të cilët varen 100% nga Gjendja civile e Shqipërisë. Ky ligj i detyron ata të tregojnë pronat. Pse jo? Por, mjafton që shteti të shikojë në hipotekë dhe i gjen pronat e çdo shqiptari. Pse shteti duhet t’i detyrojë shqiptarët t’i vënë këto të dhëna konfidenciale në uebsite si “E-Albania”, i cili hakerohet vazhdimisht në mos nga Irani, nga patronazhistët? Perse përzihet gjendja civile me pronat?

Janë politikanët dhe zyrtarët e lartë që duhet të tregojnë pasuritë para shqiptarëve të thjeshtë. Opinioni publik shqiptar do të kish dashur me siguri ta shihte këtë qeveri më të zellshme në zbatimin e ligjeve në fuqi përpara se të bëjë ligje të reja. Bëhet fjalë para së gjithash për detyrimin ligjor të deklarimit të pasurive që kanë politikanët dhe zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar. Përpara se qeveria t’u kërkojë shqiptarëve të thjeshtë të deklarojnë pasuritë e patundshme, ajo të kërkojë shpjegime sesi gjatë gjithë kohës që Edi Rama po qeveris, janë me mbi 500 politikanë dhe zyrtarë të lartë që nuk kanë deklaruar pasuritë.

Këtë fakt tronditës e gjen në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme. Ja se çfarë shkruhet në raportin vjetor të vitit të kaluar: “Inspektorati i Lartë (ILDKP) gjatë periudhës 2014-2021 ka referuar 518 subjekte për fshehje pasurie në të cilat përfshihen zyrtarë të lartë të nivelit drejtues, si deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kryetar bashkish, drejtorë drejtorie etj.”.

Në kategorinë “etj.” bëhet fjalë për prokurorë, gjyqtarë, ambasadorë apo ishministra. Pra, më shumë se 500 veta në total, një shifër astronomike për administratën dhe politikën shqiptare që fshehin pasuritë. Por, ndonëse Kodi Penal parashikon përndjekje për këto kategori në bazë të nenit 257/a “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë…”, vetë Prokuroria e Përgjithshme në raportin vjetor të saj e pranon të zezë mbi të bardhë se nga 518 personat e lartë publikë që kanë fshehur pasuritë, drejtësia në Shqipëri ka hetuar vetëm për 16 raste, ose më pak se 0,05% procedime penale!

Dhe më e keqja është se emrat e këtyre mbi 500 zyrtarëve të lartë në kundravajtje apo për krim mosdeklarim pasurish, janë mbajtur deri më sot sekret dhe dosjet e tyre janë mbyllur përfundimisht. Në këto kushte, duket vërtetë pa vend, për të mos thënë amorale, kur sheh këtë qeveri t’u kërkojë tani me një ligj të ri shqiptarëve të thjeshte të deklarojnë pronat, pa dhënë shembullin nga vetja, duke i treguar opinionit se kush janë zyrtarët e lartë që nuk deklarojnë ose bëjnë deklarim të rremë pasurie dhe perse ata nuk janë përndjekur deri më sot penalisht, siç e parashikon ligji.

Koha e një ish-regjimi që sundonte shqiptarët me parimin “bëni si themi unë, por mos bëni si bëj unë” duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Së fundmi, Avokati i Popullit të shohë tani me prioritet ndryshimet që po bën qeveria në ligjin për gjendjen civile dhe të shprehet nëse është legale përzierja e elementeve fiskale, siç janë pronat personale në një ligj të gjendjes civile, ku në Shqipëri, ashtu si në çdo vend tjetër “normal” vetëm adresa e vendbanimit të shtetasit duhet të figuroje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura