“Që të identifikohet shkrimi i letrës me përmbajtje armiqësore, ajo t’i jepet…”- Zbulohet relacioni i Sigurimit të Shtetit në vitin 1972. Ja çfarë përmban

Aug 15, 2022 | 7:16
SHPËRNDAJE

relacioni sigurimi i shtetitDashnor Kaloçi

Publikohet një dosje që është siguruar para pak kohësh nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja hetimore, gjyqësore dhe ajo e përpunimit të shtetasit Kasëm Hoxha, me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim, në SHBA që nga viti 1985, kur ai mundi të arratiset nga Shqipëria për në Greqi, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në kampin e Spaçit, i dënuar për “agjitacion e propagandë, ndaj pushtetit popullor”.

Në momentin e arrestimit, më 21 qershor të vitit 1973, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, në shtëpinë e tij i’u gjetën disa “materiale komprometuese”, si poezi dhe trakte, ku ai bënte thirrje “për përmbysjen e pushtetit popullor”., etj. Dosja në ngarkim të shtetasit Kaso Hoxha, (tashmë e de-klasifikuar) fillon me atë të përpunimit, ku organet e Sigurimit të Shtetit dhe Dega e Punëve të Brendshme e rrethit të Sarandës, bëjnë të gjithë përpjekjet, për të gjetur autorin e letrës “me përmbajtje të thellë armiqësore”, që ishte hedhur në qendër të fshatit Markat (me banorë të komunitetit çam), ku pas shumë kohësh, me ndihmën edhe të Laboratorit Qendror Kriminalistik, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, u bë e mundur, që të saktësohej dhe identifikohej se shkrimi në atë letër, ishte i Kaso Hoxhës, kjo solli edhe arrestimin e tij.

Dosja në fjalë vazhdon me procesin hetimor dhe gjyqësor ndaj tij, ku ai pasi vuajti dhjetë vite në burgun e Spaçit, në nëntorin e 1982-in kthehet në fshatin e lindjes, Markat, ku që në ditët e para, ndaj tij fillon ndjekja dhe survejimi nga organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin angazhuar jo vetëm disa bashkëpunëtorë të Sigurimit, por edhe familjarë të afërt të tij, kjo e detyroi Kaso, për t’i shpëtuar arrestimit, të arratisej nga Shqipëria, duke kaluar kufirin shtetëror, për në shtetin fqinjë, Greqi. Pas disa kohësh qëndrimi në Kampin e Llavros, fitoi statusin e azilantit politik, për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe atje, ndaj tij vazhdoi ndjekja e survejimi, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit (Zbulimit Politik Shqiptar, që ishte i kamufluar me rezidenturën e tij, pranë Misionit Diplomatik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara) dhe disa agjentëve të saj të fshehtë, deri në vitin 1991, që u shemb regjimi komunist në Shqipëri. Historia e Kaso Hoxhës, u bë e njohur pas botimit të librit të tij “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, që ai ia besoi në dorëshkrim Memorie.al, vjen tashmë nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, (ku ndodhen, raporte bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet e tyre, letra, shënime, informacione, relacione, raport-informacione, përgjime me teknikë operative, etj., të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, hetuesve, titullarëve të Degës së Punëve të Brendshme, të rrethit të Sarandës, etj., deri te rezidentura e Zbulimit Politik në SHBA, e agjentët e saj atje), të cilat fillojnë në vitin 1973 dhe përfundojnë në vitin 1991, kur dosja e tij u arkivua njëherë e përgjithmonë.

Dokumenti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Novruz Haxhiu dhe Shefi i Seksionit të I-rë, Halit Kardhashi, i aprovuar nga Zv / Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, Skënder Dhroso, mbi planin e masave agjenturalo-operative,  për zbulimin e autorit të letrës anonime “me përmbajtje armiqësore”, të gjetur në qendër të fshatit Markat

 APROVOHET                                                                                   “SEKRET”

Zv / Kryetari Degës P. Brendshme                                                   Ekzemplar Nr.___

SKËNDER DHROSO                                                                      Sarandë, më 24.V.1972

 

PLAN MASASH AGJENTURALO OPERATIVE PËR ZBULIMIN E AUTORIT TË NJË LETRE ANONIME ME PËRMBAJTJE ARMIQËSORE TË GJETUR NË KATUNDIN MARKAT

Në datën 20 Maj 1972, në qendër të katundit Markat, u gjet nga qytetari Haki Myrto, një letër anonime me përmbajtje armiqësore, e cila ndërmjet të tjerash, bën thirrje për organizimin kundër pushtetit, shan udhëheqjen e Partisë dhe Shtetit etj.

Për të arritur në zbulimin e autorit të kësaj letre dhe rrjedhimisht edhe të veprimtarisë armiqësore që zhvillohet në katundin Markat, ku mund të fshihet dora e Zbulimit Grek, mendojmë të marrim këto masa agjenturalo – operative:

  1. Letra me përmbajtje armiqësore ti kalohet ekspertit kriminalist, i cili ta shumfishojë atë dhe paralel me këtë veprim:
  • Të përcaktojë paraprakisht, dialektin e autorit të letrës.
  • Arsimin dhe shkallën e kulturës të personit që ka shkruar letrën.
  • Nga çfarë blloku është letra anonime dhe hollësi të tjera që mund të ndihmojnë në zbulimin e autorit të letrës.

Kryejnë Novruz Haxhiu dhe Janul Pani deri më datën 25 Maj 1972. Kontrollon H. Kardhashi.

  1. Të përpilohet relacioni mbi rrethanat e gjetjes dhe përmbajtjen e letrës anonime dhe t’i dërgohet Degës VIII-të, Drejtorisë I-rë.
  • Me qenë se nga përmbajtja e letrës del, që aty duhet të ketë veprimtari të organizuar në favor të Zbulimit Grek, për këtë situatë të njoftohet dhe Dega I-rë, duke i dërguar edhe asaj në kopje të relacionit.

Kryen H. Kardhashi deri në 24.V.72, kontrollon, S. Dhroso

  1. Të hapet fashikulli i kërkimit për autorin e letrës dhe të përpilohet vendimi përkatës, të grumbullohen e vendosen në fashikull të gjitha materialet e grumbulluara gjer tani, duke përfshirë edhe ato të shkrimeve të tre fëmijëve.

Kryen Novruz Haxhiu, deri në datën 25.V.1972, kontrollon Halit Kardhashi

  1. Për të krijuar një ide më të qartë lidhur me rrethanat e gjetjes së letrës, do të merret edhe një herë kontakt me qytetarin Haki Myrto, të cilit t’i kërkohen hollësira në lidhje me këtë, të përcaktojë personat që kanë qenë në qendër të fshatit në kohën që ka shkuar ai dhe ka gjetur letrën.
  • Me qenë se Hakiu ka vënë në dijeni për gjetjen e kësaj letre edhe babanë e tij Fuat Myrto, i cili sipas Hakiut, ka qenë në atë kohë në qendër të fshatit, të merret kontakt me ata dhe pasi t’i flitet për të mos i treguar njeriu tjetër për këtë çështje, të pyetet për personat që kanë qenë në atë kohë para klubit, me qëllim kjo që të studiojmë këta element dhe të bëjmë shkallëzimin e tyre.

Kryen Halit Kardhashi dhe Novruz Haxhiu, deri më 5.VI.1972 kontrollon, S. Dhroso.

  1. Për të përcaktuar për afërsisht kohën që është hedhur letram.th., në mbrëmjen e datës 19, apo në mëngjesin e datës 20 Maj:
  • Gjatë takimeve që do të organizohen me Haki e Fuat Myrton, si dhe përgjegjësin e sektorit Rexhep Rexhon, do t’u kërkohen sqarime në se letra ka qenë e lagur në kohën që është gjetur, apo në gjendje normale, mbasi po të ketë se është hedhur në mbrëmjen e datës 19, letra me siguri duhet të ishte e zbutur, nga vesa që bie natën.
  • Me qenë se në mbrëmjen e datës 19 Maj, ka pasë shfaq filmi në katundin Markat, nëpërmjet personit që ka shitur biletat apo dhe personave të tjerë, të arrijmë të përcaktojmë sa më tepër që të jetë e mundur, personat që kanë marrë pjesë në shfaqjen e filmit, duke insistuar në mënyrë të veçantë në përpunimet dhe kontigjentët.

Kryen Halit Kardhashi dhe N. Haxhiu, deri në 10.VI.1972, kontrollon S.Dhroso.

  1. Për të përcaktuar personat që kanë lëvizur rreth zyrave të sektorit në mbrëmjen e datës 19, apo në mëngjesin e 20 Majit, do të merret kontakt me rojën e sektorit që është dhe komunist, si dhe me telefonistin që kryen detyrën e dezhurnit natën.
  • Të studiojmë mundësitë e organizimit të një bisede me shitësen e klubit ____________________   e cila mund të ndihmojë, në identifikimin e personave, që kanë dalë herët në qendër të fshatit, gjatë datave të shënuara më lart.

Kryen H. Kardhashi e N. Haxhiu deri në 10.VI.1972, kontrollon S.____

  1. Të merret kontakt me B.p. “Margaritari”, “Teli” dhe “Sokoli”, në katundin Markat, si dhe “Vetëtima” në katundin Ninat dhe gjatë takimeve, krahas detyrave të tjera, të sinjalizohen për letrën, që është gjetur, por pa ekspozuar përmbajtjen e saj, duke marrë shkas nga parullat që janë shkruar nga fëmijët po në këtë katund dhe të drejtohen në ata persona që kanë dhënë, ose te të tjerët, për të cilët mund të dyshohet se janë autorë të kësaj letre.
  • Në fazën e dytë, veçanërisht B.p. “Teli” dhe “Margaritari”, do t’u jepet letra për njohje, mbasi kanë mundësi që të ndihmojnë në identifikimin e shkrimit.

Kryen N.Haxhiu e H.Kardhashi, deri në  20.VI.1972, Kon. S. Dh.

  1. B.p. ”Margaritari” i cili është shitës në dyqanin e artikujve të përzier në katundin Markat, do t’i kërkohet të na japë sqarime në se, ka pasë në shitje blloqe të vegjël shënimi, lloji i letrës së këtyre blloqeve dhe mundësisht personat që mund të kenë blerë të tillë. Në rast se do të ketë gjenden të tilla blloqe, do t’i merret një copë për të bërë krahasimin me letrën e shkrojtur.

Kryen N. Haxhiu, deri në 5.VI.1972, i kontrollon H. Kardhashi.

  1. Nga sa del në letër, dialekti që përdor autori është çamërishtja, kështu që mundësitë më të mëdha janë që ai të jetë vendas, nga radhët e elementit armik:
  • Të nxirren dhe evidentohen në një listë të vetme të gjithë kontingjentet nga katundet Markat, Ninat dhe Janjar, kudo që ndodhen dhe të studiohen një nga një. Gjatë këtij studimi të mbahen parasysh këto çështje: rrezikshmëria që paraqet personi, mbështetur në biografinë dhe të dhënat që mund të kemi në drejtim të secilit, lloji i propagandës armiqësore që mund të ketë zhvilluar, arrestimin dhe shkallën e kulturës që ka, etj.
  • Për objektet e përpunimit apo për ata në kontroll operativ 2/B që janë nga katundi Markat, të studiohen materialet e tyre, për të parë nëse ka ngjashmëri propaganda që mund të kenë zhvilluar kundër pushtetit, me ato shprehje që ngrihen në letër.
  • Të studiohen relacionet e propagandës armiqësore për vitin 1972 dhe në vazhdim për këtë vit, me qëllim që të shikojmë nëse ka shprehje të ngjashme me ato të letrës anonime dhe mandej, po qe se do të ketë të tilla, të gjendet personi që e ka zhvilluar atë nëpërmjet materialeve që disponojnë punëtorët operativ.

Kryen N. Haxhiu, deri në 10.VI.192, kontrollon H. Karadhashi

  1. Për të mundur që të përcaktojmë për afërsisht rrethin e personave që kanë shkruar letrën anonime, të zgjidhen disa persona në katundin Markat, Ninat dhe Janjar, të cilët të njihen me letrën, me qëllim që të japin ndonjë mendim për personin që mund të ketë shkruar letrën? Këta persona të jenë nga ata, që për vetë detyrën që kryejnë në fshatra, kanë kontakt me fshatarët, si: shefa llogarie, arkëtare, brigadier etj.

Kryen H. Kardhashi e N. Haxhiu, deri në 15.VI.1972, kont. S. Dhroso

  1. Për të arritur në zbulimin e autorit të letrës nëpërmjet krahasimit të shkrimeve, do të merren këto masa:
  • Do të shikohen kërkesat e ndryshme me shkrim që mund të jetë bërë në fshat nga persona të ndryshëm dhe që mund të ruhen akoma, si në katundin Markat, apo dhe Ninat e Janjar.
  • Të merret kontakt me Kryetarin e Kooperativës Bujqësore Konispolit, për të studiuar mundësitë e organizimit të ndonjë kombinacioni për të hedhur në dorë sa më shumë dorëshkrime, kjo mund të bëhet në rrugë të ndryshme, duke ju dhënë urdhër sektorëve të ndryshme, për të bërë kërkesa me shkrim nga anëtarët e kooperativës, për ndonjë problem të caktuar etj.
  • Me qenë se pothuaj pjesa dërmuese e personave që marrin pjesë si rezervistë, janë të inkuadruar në kompaninë e Markatit, me ndihmën e shokëve të Sigurimit Repartit 1099, ta studiojnë mundësitë që ekzistojnë për të marrë nga zboristat, dorëshkrimet e tyre, me ndonjë pretekst të justifikuar.

Kryen Halit Kardhashi dhe N. Haxhiu, deri në datën 20.VI.1972, kontrollon S. Dhroso.

  1. Për të verifikuar personat që mund të kenë blloqe të vegjël shënimesh në katundet Markat, Ninat dhe Janjar, të bisedohet me Kryetarin e Kooperativës Konispolit, për të studiuar mundësitë e organizimit të ndonjë mbledhje sidomos në katundin Markat, ku pjesëmarrësit do të porositen të mbajnë shënime për problemin që do të diskutohet. Në këtë mbledhje të kihen parasysh që të merren sa më shumë persona, nga kontingjentet tona.

Kryen H. Kardhashi e N. Haxhiu, deri në 25.V.1972, kont. S. Dhrosos

  1. Gjatë javës së fundit që u gjet letra, në katundin Markat ka shkuar dhe qëndruar tre katër ditë, i quajturi Ylli Bilali, djali i ish agjentit të Zbulimit Grek, Haxhi Bilali, ndërsa në datën 19 Maj, ka shkuar i quajturi Eqerem Ziguri, po na Markati, djali i gruas së Haxhi Bilalit, ky i fundit ditën e dielë, datë 21.V.1972, ka qëndruar në qendër të fshatit, kështu që ka mundësi se autorë të letrës, mund të jenë dhe personat e lart përmendur. Përsa sipër, nëpërmjet Drejtorisë Ndërmarrjes Minierës Kripës, të hedhim në dorë dorëshkrimet e Ylli Bilalit dhe Eqerem Zigurit, për të bërë krahasimin me letrën.

Kryen H. Kardhashi, N.Haxhiu e F. Llallo, deri në 10.V.1972 kontrollon S. Dhroso.

  1. Me qenë se në datën 9 Maj, në katundin Markat janë gjetur të shkruara në disa pllaka guri parulla me përmbajtje armiqësore, që sipas verifikimit të bërë janë shkruar nga tre vajza të shkollës fillore, por që këto mund të jenë të shtyra dhe nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia që të dy rastet, të kenë lidhje me njëra tjetrën. Lidhur me sa sipër do të veprohet në këtë mënyrë:
  • Do të merret përsëri kontakt me Drejtoreshën e shkollës dhe mësuesit që kanë këto nxënëse, për t’ju ngarkuar detyrë që të vazhdojnë punën me këto nxënëse, për të sqaruar deri në fund arsyet dhe rrethanat në të cilat kanë shkruar vajzat këto parulla.
  • Megjithëse prindërit e këtyre fëmijëve, në përgjithësi janë me qëndrim të mirë dhe nuk disponojmë ndonjë material, të organizohet në biseda me ta, të porositen për të punuar me fëmijët e tyre dhe të na japin sqarimet e nevojshme se, çfarë i ka shtyrë ato për të shkruar parulla të tilla!

Kryen H. Kardhashi, N. Haxhiu, deri në 25.VI.1972, kontrollon S. Dhroso.

  1. Për të arritur në zbulimin e autorit të letrës anonime, të njihen me këtë letër të gjithë Punëtorët Operativ të Degës, të cilët të porositën që në punën e tyre të përditshme me agjenturën, të kenë parasysh propagandën armiqësore që zhvillon elementi armik, në se do të ketë aspekte të natyrës që përmban letra në fjalë, etj. Kujdes të tregohet veçanërisht në zonën e Konispolit dhe Karroqit, të cilat kanë lidhje me katundin Markat.

Kryejnë Punëtorët Operativ, në vazhdim, kontrollojnë Shefat e Seksioneve.

Ky plan të analizohet në datën 30 qershor dhe në varësi me situatën që do të krijohet, të merren masa të më tejshme. Memorie.al

Punëtori Operativ                                                                      Shefi Seksionit I-rë

Novruz Haxhiu                                                                             Halit Kardhashi

© Panorama.al

Te lidhura