Putin kritikon BE-në dhe SHBA-në teksa pret ambasadorët e tyre të rinj: Po nxisin konfliktin në Ukrainë përmes revolucionit

Apr 5, 2023 | 18:48
SHPËRNDAJE

Presidenti rus, Vladimir Putin, është takuar me ambasadorët e rinj të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në Moskë, të mërkurën, dhe e ka shfrytëzuar rastin për të akuzuar Perëndimin për rritjen e konfrontimit gjeopolitik me Rusinë.

xfghjj

Putin ka thënë se BE-ja e ka nisur këtë konfrontim dhe e ka kthyer mbrapa misionin e saj “për rritje të bashkëpunimit ekonomik dhe integrim të kontinentit evropian”.

Ai e ka akuzuar SHBA-në për nxitje të konfliktit në Ukrainë, përmes revolucionit.

Deklarata e tij ka qenë referencë për luftën e Rusisë në Ukrainë, të nisur më 24 shkurt 2022.

Ai ka folur për gatishmërinë e Rusisë për dialog dhe partneritet me të gjitha shtetet, si palë të barabarta.

Ambasadorja amerikane në Moskë, Lynne Tracy, u është përgjigjur komenteve të Putinit me një shikim të mprehtë.

“Lidhjet Rusi-SHBA, nga të cilat varet siguria globale dhe stabiliteti, fatkeqësisht janë duke përjetuar krizë të thellë”, ka thënë Putin para 17 diplomatëve që kanë qenë në atë ceremoni, përfshirë ambasadorin e ri të BE-së, Roland Galharague nga Franca.

Putin ka mbajtur distancë të konsiderueshme me pjesëmarrësit, duke cituar rregulloret që vazhdojnë të zbatohen, prej shpërthimit të pandemisë.

Megjithatë, ai së fundi është parë duke përshëndetur me dorë, dhe duke përqafuar disa mysafirë të shteteve tjera.

Përgjatë fjalimit të tij, Putin po ashtu, ka thënë se shpreson që Danimarka do të pajtohet me propozimin e Kremlinit për të krijuar një komision ndërkombëtar për hetimin e sulmeve në gazsjellësit e Detit Baltik.

Shpërthimet në gazsjellës – të njohur si Rrjedha Veriore 1 dhe 2 – kanë ndodhur në shtator të vitit 2022.

BE-ja dhe NATO-ja kanë pretenduar se sulmet kanë qenë akte sabotazhi.

Moska e ka mohuar se qëndron mbrapa aksidentit dhe ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara do të përfitonin më së shumti prej një sulmi të tillë në infrastrukturën e energjisë.

Uashingtoni, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë akuzat./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura