Publiku shqiptar pret premierën e “Amnistisë”

May 25, 2011 | 9:33
SHPËRNDAJE

Grishja nis që teksa sheh posterin. “Love begins where law ends” (“Dashuria nis ku mbaron ligji”). Në ato festivale ku ka marrë pjesë, është pritur mjaft mirë. Ka marrë edhe çmime.Premierën e pati pikërisht në Berlinale, ku ndonëse nuk konkurronte në kategorinë kryesore, arriti të marrë një çmim. Sado simbolik, një çmim në Festivalin e Berlinit, tanimë i vetmi i mbetur larg komercialitetit, është shumë i rëndësishëm. E më pas vijoi rrugëtimin në festivale më të vogla. Tani është momenti që të kthehet në shtëpi. Mbrëmjen e së premtes, filmi i regjisorit Bujar Alimani, “Amnistia”, do të shfaqet për publikun shqiptar, ndërsa nesër do të ketë një projeksion të veçantë për mediat. Duhet thënë që filmi po pritet me një lloj interesimi nga ana e shikuesit, kjo jo thjesht për shkak të një farë nostalgjie për filmat shqiptarë, as për çmimet që ka marrë, por më së shumti për tematikën që merr të trajtojë dhe një këndvështrim të ri të të parit nga ana e regjisorit. Ndonëse filmi ende nuk është shfaqur në kinematë shqiptare, kanë mjaftuar disa sekuenca filmime apo disa fotografi nga xhirimet, për ta komentuar si një film erotiko-social. Megjithatë, synimi i Alimanit nuk ka qenë të na servirë një film erotik. Problematika është shumë më e thellë dhe rrënjët e tyre duhen kërkuar në karakterin patriarkal të shoqërisë shqiptare. Në filmin e Alimanit flitet për një burrë dhe një grua që dashurohen në rrethana jo të zakonta. Teksa vizitonin bashkëshortët përkatës në burg, ata njihen dhe dashurohen. Në pritje të një amnistie që do t’u nxjerrë bashkëshortët nga qelia, ata gjejnë një liman paqeje tek njëri-tjetri. Por e gjithë kjo nuk është e zakontë. Nuk është për ata që e jetojnë, por edhe për njerëzit që i rrethojnë, për shoqërinë, opinionin, që të përplasin në fytyrë normat e moralit. Në këtë terren kjo histori është e destinuar të vdesë. Për të interpretuar në film, Alimani ka përzgjedhur një kast aktorësh jo fort të “konsumuar”. Në rolet kryesore interpretojnë Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi etj. Filmi është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe “Eurimages”. Tanimë mbetet që të jetë publiku ai që do të japë vlerësimin për filmin e Alimanit, i pari me metrazh të gjatë për regjisorin.
Ende pa vjelë frytet e filmit të tij të parë me metrazh të gjatë, Bujar Alimani është përveshur për të realizuar një produksion. Kësaj here bëhet fjalë për një serial televiziv, të titulluar “4+1”. Në këtë seria Alimani ofron historinë e katër motrave, të cilave u shtohet edhe një shoqe e më së voglës. Sipas Alimanit, bëhet fjalë për një “kirurgji të shpirtit femëror”. Momentalisht janë zhvilluar xhirimet e para për të realizuar një pjesë pilot. Interpretojnë Mirela Naska, Luli Bitri, Florjana Feka, Klevis Bega etj.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura