Publikohen dëshmi të rralla nga përpjekjet në mbrojtjen e hebrenjve! Ambasadorja izraelite, Galit Peleg: Gjithmonë mirënjohës Shqipërisë

Jan 29, 2024 | 9:09
SHPËRNDAJE

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ditën e shtunë në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua aktiviteti me temë “Shqiptarët zgjedhin për me shpëtue”.

amasadorja e izraelit ne shqiperi

Ministri Igli Hasani vlerësoi rolin e diplomatëve dhe përpjekjet e popullit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve, teksa u shpreh se evente të tilla shërbejnë për të na kujtuar që duhet të punojmë shumë, për të edukuar shoqëritë tona kundër çdo lloj urrejtje e diskriminimi racor, fetar, etnik, etj.

“Teksa shfletoja disa dokumente nga arkivat, ajo që del në pah është që këtu bëhet fjalë për veprimet e një shoqërie të tërë. Gjen aty dëshmi diplomatësh të angazhuar për të gjetur mënyra kreative për t’ju dhënë viza udhëtimi për në Shqipëri qytetarëve hebrenj nga e gjithë Evropa. Asgjë nuk mund të justifikojë antisemitizmin. Teksa me të drejtë ndihemi krenarë për këtë traditë mikpritje e për atë çka bënë paraardhësit tanë për të shpëtuar hebrenjtë, koha ku jetojmë e bën të domosdoshme që ne të punojmë për të ardhmen e veçanërisht për edukimin e brezave të rinj”, tha ai.

Ministri Hasani u shpreh se “sot, në epokën e rrjeteve sociale e qarkullimit të pakufizuar të informacionit e dezinformacionit, është vërtet e rëndësishme që të mos e marrim si të mirëqenë këtë traditë të bukur, por të punojmë për ta konsoliduar e forcuar atë”. Në vitin 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi përkufizimin e antisemitizmit të përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) si një instrument orientues për fushën e arsimit. Hapi tjetër në këtë drejtim është përfshirja e trajtimit të antisemitizmit në sistemin arsimor e Shkollën e Magjistraturës. Ndërkohë që kemi marrë dhe angazhimin për t’u bërë anëtarë të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, theksoi ministri i Jashtëm. Këto hapa e të tjera masa si këto, nënvizoi kryediplomati shqiptar, janë jo thjesht mënyra më e mirë për të edukuar shoqërinë tonë mbi nevojën për të luftuar antisemitizmin e çdo lloj tjetër urrejtje e diskriminimi. “Ato janë po ashtu mënyra më e bukur për të respektuar të gjithë ato familje, të gjithë ata individë që rrezikuan aq shumë për të shpëtuar hebrenjtë në territorin e Shqipërisë nga tragjedia e Holokaustit, me veprën e të cilëve ne krenohemi sot”, deklaroi ministri Hasani.

AMBASADORJA E IZRAELIT

Ambasadorja izraelite në Tiranë, Galit Peleg, u shpreh se populli izraelit do t’i jetë gjithmonë mirënjohës Shqipërisë për kontributin e tyre, teksa theksoi se e gjithë bota duhet të mësojë për këtë akt simbolik të shqiptarëve. Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, theksoi se duhet bërë çmos që historia mos të përsëritet. Gjatë aktivitetit, u ekspozuan dokumente origjinale të Arkivit Qendror të Shtetit dhe arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për përpjekjet e bëra nga diplomatë shqiptarë të asaj kohe për shpëtimin e hebrenjve. Në mesin e materialeve të përzgjedhura u ekspozuan informacion mbi regjistrimin e përgjithshëm të popullatës në vitin 1923, ku hebrenjtë evidentohen të jenë 90 banorë, korrespondencë ndërmjet legatave shqiptare në Paris dhe në Londër me Mbretërinë Shqiptare dhe me Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare mbi mundësinë e instalimit të kapitalistëve hebrenj (polakë dhe zvicerian) në vendin tonë si dhe informacion i ardhur nga Legata Italiane më dt. 06.12.1938 prej nga ku citohet se: “Mbreti Zog është në tratativa për lejimin e 500 familjeve hebrenje të vendosen në Myzeqe”.

Komiteti hebraik i Nju Jorkut merr përsipër ndihmesën financiare për këtë veprim kundrejt Mbretërisë Shqiptare. Gjithashtu, u publikua vendim i Këshillit të Ministrave i datës 28.1.1939, i cili u lejon shtetasve me etni hebraike qëndrimin apo edhe shtyrjen e vizës turistike shqiptare, listë e pjesshme e rezidentëve hebrenj të ndodhur në Tiranë si dhe lista e hebrenjve të ardhur nga Prishtina në lokalitetet e Krujës, të Shijakut dhe të Kavajës. Në Shqipëri, gjermanët nuk i kushtuan ndonjë rëndësi të madhe regjistrimit, grumbullimit dhe deportimit të hebrenjve për në kampe të shfarosjes, kryesisht për shkak të numrit të vogël të popullsisë hebreje në Shqipëri. Sipas statistikave gjermane të vitit 1941, në Shqipëri banonin rreth 200 hebrenj. Udhëheqja shtetërore vendase, e cila përkrahu pushtuesit, ishte më e pavarur prej tyre komandës gjermane. Në Shqipëri nuk dolën kurrë ligje antihebreje as nga drejtuesit e saj dhe as nga gjermanët, siç dolën në vende të tjera dhe as nuk iu kërkua hebrenjve të qepnin në rroba Yllin e Davidit. Ndërkohë që shumica e vendeve të pushtuara, nisën të dorëzojnë popullsitë hebreje te autoritetet gjermane, në Shqipëri ndodhi e kundërta. Shqiptarët i mbrojtën hebrejtë dhe i mbajtën edhe në familjet e tyre. Në Shqipëri nuk pati ndjenja naziste apo struktura të mirëfillta të partisë naziste. Kishte individë progjermanë, por jo nazistë.

Midis viteve 1941 dhe 1945, Gjermania naziste vrau sistematikisht rreth gjashtë milionë hebrenj

Holokausti ishte gjenocidi i hebrenjve evropianë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Midis viteve 1941 dhe 1945, Gjermania Naziste dhe bashkëpunëtorët e saj vranë sistematikisht rreth gjashtë milion hebrenj në të gjithë Evropën e pushtuar nga Gjermania, rreth dy të tretat e popullsisë hebraike të Evropës. Hitleri në librin e tij Lufta ime shënon se raca gjermane është racë e pasardhëse e racës ariane (popull që ka jetuar shumë vitë më parë, qytetërim i zhdukur tanimë) dhe racë e pastër, dhe si e tillë duhet ta sundojë botën… disa popuj duhet të zhduken nga faqja e dheut, hebrejtë, romët dhe sllavët. Hitleri gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte krijuar shumë burgje dhe kampe përqendrimi. Kampet kishin filluar të hapen që nga viti 1940.

Ndër kampet më të njohura ishin: Kampi i Aushvicit, Dahaut, Mauthausenit dhe Belsenit. Në këto vende ishin vendosur njerëz nga të gjitha vendet e pushtuara nga blloku nazi-fashist. Në këto kampe, u mbytën, u torturuan, dhe u bënë eksperimente të gjalla në fushën medicinale. Shumë njerëz për të mos parë skenat e tilla dhe për të mos përjetuar torturat e tilla bënë vetëvrasje. Më 1 prill 1933, nazistët nxitën aksionin e tyre të parë kundër hebrenjve gjermanë duke shpallur një bojkot të të gjitha bizneseve të drejtuara nga hebrenjtë. Dy vite më vonë, ndërkohë që pushteti i tyre vijonte të konsolidohej, Partia Naziste miratoi të ashtuquajturat Ligje të Nurembergut, të miratuara më 15 shtator 1935, të cilat ishin krijuar për të përjashtuar hebrenjtë nga jeta publike.

Këto ligje u hoqën hebrenjve shtetësinë gjermane, ndaluan martesat midis gjermanëve dhe hebrenjve dhe vendosën precedentin ligjor për legjislacionin anti-hebre që pasoi. Brenda natës më 9 dhe 10 nëntor 1938, nazistët nxitën një pogrom kundër hebrenjve në Austri dhe Gjermani të quajtur Kristallnacht (Nata e kristaltë), ku përkrahës të Partisë Naziste plaçkitën dhe dogjën sinagoga, biznese hebrenjsh, thyerjen e xhamave të bizneseve dhe dhunë e sulme fizike ndaj hebrenjve. Rreth 30,000 hebrenj u arrestuan dhe u dërguan në kampet e përqendrimit brenda një nate. Pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1939, nazistët urdhëruan hebrenjtë të mbanin një Yll të verdhë të Davidit në veshjet e tyre, në mënyrë që ata të mund të njiheshin dhe të shënjestroheshin lehtësisht. Holokausti është një nga aktet më famëkeqe të gjenocidit në historinë moderne.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura