Pse Ramës i duhej tritoli ndaj Hysenbelliut?

Dec 9, 2022 | 7:19
SHPËRNDAJE

Artur-Zheji-2-670x450ARTUR ZHEJI

Në 72 orë ndodhi shumëç ka në Shqipëri. U hodh në erë me tritol dhe urrejtje një super hotel në bregdet “Prestige Resort”, u zhvillua një Samit i mrekullueshëm ndërkombëtar në Tiranë dhe unikal në llojin e vet dhe u godit me grusht kreu i opozitës, Sali Berisha. Mirëpo, pavarësisht se shembja e resortit rrëfeu forcë dhe një vullnet të panjohur më parë të KM-së, ngriti sakaq në këmbë edhe mitin e parë. “Më merrni seriozisht, sepse nuk kthehem pas!”, shkruhej në kallëpet e tritolit, që hodhi në erë “Prestige Resort”.

Mirëpo ky “mit”, u lëkund, sepse, Hysenbelliu reagoi haptas, publikisht dhe personalisht, duke vërtetuar anën e panjohur të këtij veprimi të ashpër: arsyet e forta personale.

U kuptua për të gjithë se diçka e rëndësishme nuk shkon në këtë zell ligjzbatues të KM-së dhe se opinioni publik shqiptar, rëndom kundër të pasurve dhe sipërmarrësve, doli nga trendi i zakonshëm.

Dhe perceptimi u përmbys! Populli apo shumica dërmuese e opinionit publik, ndryshe nga çfarë tha retorika qeveritare, kuptoi se Hysenbelliu ishte një viktimë dhe jo një fajtor abuzues!

Hysenbelliu, (i cili bën mirë të flasë më shpesh në vetën e parë) ishte pra, gozhda ku Km-së i kishte ngecur sharra dhe se, Km-së, pas shembjes së super hotelit, i ngeli vrima.

Ose me saktë një gropë e paarsyeshme hapur nga tritoli, e cila do të duhet të gëlltisë edhe shumë godina të tjera, nëse Km-ja do të vijojë të rrahë gjoksin si Kmligjzbatuesi!

Në atë krater që ngeli pas “Prestige”, nuk u varros Hysenbelliu, por shteti ligjor, i cili, dukshëm: “Ha në kandar pa karar dhe pa barazi!” Ndërsa ne dimë, se teorikisht të gjithë janë : Të barabartë përpara Ligjit (lexo: “Përpara shtetit ligjor”).

Pra, “populli” e kuptoi se sharra e Kmsë, kish ngecur keq, në “gozhdën” kokëfortë…

Porse çmimi i paguar, ishte shumë i lartë! Sepse burrnia ka çmim të lartë!

Dhe ky është padyshim rasti. Sidomos kur në këtë vend, shumica e sipërmarrësve, parapëlqejnë të struken pas shpatullave të gjëra dhe të begata të Km-së.

Fill pas kësaj dhe brenda këtyre 72 orëve, mbërriti Samiti i Tiranës për Ballkanin.

Padyshim, një super sukses personal i Km-së, i cili do mbahet mend gjatë dhe do ta influencojë popullin.

Këtu Km-ja ngriti mitin e vet të dytë, apo, atë të politikanit të përzgjedhur nga Oksidenti, në harkun Uashington-Bruksel. Kush thotë ndryshe, gabon me dashje dhe jo nga budallallëku.

Përqafimi me Presidentin francez Macron, dorështrëngimi me Kancelarin gjerman Olaf Scholz, buzëqeshja dashamirëse e Kryeministres Meloni dhe ngrohtësia e veçantë e Ursula von der Leyen, të gjithë së bashku në Tiranë, janë përveç të tjerave një operacion spektakolar.

Km-ja reflektoi përpara opinionit shqiptar, krejt shkëlqimin evropian të politikës së tij të jashtme. Kjo është jashtë tashmë çdo mëdyshjeje!

Opozita shqiptare, mund të bëjë sikur nuk e sheh këtë sukses të Km-së, porse suksesi u shfaq hapur te tapeti i kuq i “Air Albania”-s. Dhe shqiptarët e panë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ky është fakt. (Sikundër ishte fakt vizita madhështore e Presidentit Bush, në qershor të vitit 2007, pavarësisht se dikush e ka harruar).

Por, pavarësisht suksesit ndërkombëtar, Samiti Evropian për Ballkanin, për Km-në, rëndësi parësore kishte jehona ndër shqiptarët që e votojnë dhe të atyre që e refuzojnë.

Dhe kjo u arrit! Madje me të tepërt!

Dhe kështu, afërsia e kërkuar e afshit të tritolit shkatërrues ndaj Hysenbelliut dhe spektaklit luksoz dhe fin, e me afsh parfumesh në “Air Albania”, bëjnë të qartë edhe njëherë sofistikimin e Km-së dhe skuadrës së tij.

Në kërkim të mitit të tretë, Km-ja bëri të qartë mesazhin: “E të përzgjedhurit nga Oksidenti”.

U duk sikur, kryeministrat e Evropës kishin mbërritur në Tiranë për të bekuar mirëqeverisjen e Km-së dhe lidershipin e tij.

Perceptimi ishte mbresëlënës. Regjia dhe skenografia, po ashtu!

Dhe ky operacion “publicitar”, ishte pak të themi i jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh Macron-Scholz-Meloni-Von der Leyen dhe të tjerë…

Nga ana tjetër, për fat të keq të saj, opozita, me gjithë protestën plot vullnet të lëvdueshëm, rrezikoi të ngelej në periferi të vëmendjes publike, po të mos ishte plagosja e dhimbshme e Berishës.

Por, forca e pazakontë e doktorit, për t’u ngritur mbi goditjen dhe për të qenë sërish në krye të protestës, mbetet një forcë më së shumti individuale, por jo forca e një stuhie opozitare, që është ende larg në horizont.

Dukshëm të rrënjoset bindja, se pushteti që është sot në pushtet, rrëzohet vetëm së brendshmi, nga konfliktualiteti transversal, që i ka dhënë shenjat e krisjes dhe te plasaritjes. Të pazhurmshme, por të dukshme. Pavarësisht suvatimit që mjeshtërisht bëjnë çdo mbrëmje, restauratorët e zyrave përkatëse, mbushur me profesionistë të fushës…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura